Connect with Us

Nga Besnik Mustafaj/ Totalitarizmi nuk është vetëm ferri, por edhe ëndrra e parajsës 

Opinione

Nga Besnik Mustafaj/ Totalitarizmi nuk është vetëm ferri, por edhe ëndrra e parajsës 

Publikuar

-

Në shkurt 1991, sipas një legjende urbane, e veja e diktatorit Hoxha, duke parë në televizor statujën e të shoqit me një kavo rreth qafës, tërhequr me kamion rrugëve të Tiranës dhe turmën e xhindosur që e ndiqte, paska thënë: Ku e kishin fshehur gjithë këtë urrejtje? Ne i kishim parë një jetë të shtyheshin kush e kush të na hidhte më shumë lule. Kjo xhindosje kishte arsye të thella. Por ne, që kishim pranuar përgjegjësinë historike për ta strukturuar dhe udhëhequr politikisht këtë proces, nuk duhej ta shihnim si intelektualë frojdistë këtë shfryrje vullkanike të urrejtjes. Historia priste nga ne një tjetër vështrim, priste ca vendime, që ne nuk i morëm në kohën e duhur ose nuk i morëm kurrë. Nuk ditëm apo nuk patëm guxim të merrnim vendimet e duhura? Mbetem i bindur se në atë fillim nuk ka munguar vullneti për të marrë vendimet më të përshtatshme në përgjigje të thirrjes së Historisë. Historianët shqiptarë nuk kanë bërë ende një analizë serioze të tranzicionit tonë post stalinist, por unë jam tashmë i bindur se një nga arsyet kryesore të konvulsioneve shpesh fort traumatike, që kanë trandur shoqërinë dhe institucionet tona shtetërore gjatë kësaj periudhe, qëndron te paaftësia jonë për t’i krijuar një shtrat politik të bonifikuar shpërthimit të pashmangshëm të urrejtjes së ndrydhur popullore gjatë disa dekadave. Po kënaqeshim pse viktima kishte fare pak duke besuar se po udhëhiqnim një “revolucion të kadifenjtë”, gjë që pavetëdijshëm na bënte euforikë. Sot, nga largësia e afro tridhjete vjetëve, e them me siguri se kjo eufori ishte në vetvete  shenjë e papjekurisë tonë si elitë politike.

Cilësia e elitave politike ka qenë problem i mprehtë në atë fillim për të gjitha vendet ish – komuniste. Veçanërisht i mprehtë do të ishte ky problem për Shqipërinë, ku represioni stalinist kishte qenë aq mizor, sa nuk kishte lejuar të zhvillohej as në mënyrë embrionale ndonjë lëvizje kundërshtare si ajo e Solidarnosit në Poloni apo Karta 77 në Çekosllovaki. Nuk kishim, pra, në Tiranë një Les Valesë apo një Václav Havel për t’i ngjitur në skenë.

Në fakt, themeluesit e pluralizmit politik në Shqipëri, mishëruesit e opozitës së parë parlamentare, i kishin në atë fillim cilësitë intelektuale dhe morale për t’u shfaqur si elitë e aftë t’i ngjallte shpresën shoqërisë së topitur nën totalitarizëm. Të gjithë kishin karriera të spikatura si mjekë, inxhinierë, universitarë. Shumica zotëronin më shumë se një gjuhë të huaj. Asnjëri prej nesh nuk kishte qenë pjesë e aparatit represiv të regjimit komunist. Ishin burra dhe gra shumë të ditur, por jo në aspektin e qeverisjes. Asnjëri prej nesh, bie fjala, nuk kishte lexuar kurrë një ligj si tekst para se të hynim në parlament, ku do të na duhej të hartonim tërësinë e ligjeve të rendit të ri, që fillonte nga zero. Realiteti i lirive dhe të drejtave të njeriut nuk mund të kishte asnjë lloj vazhdimësie me të shkuarën. Ne kishim jo vetëm detyrimin para kombit për ta kryer një mision të tillë, por edhe lirinë individuale. Asnjëri prej nesh nuk ishte peng i të kaluarës.

Edhe pse kam jetuar afro njëzet vjet brenda këtij ansambli, duke qenë njëri nga punëtorët me peshë në ndërtimin e asaj, që Milan Kundera e quan “ëndrra e parajsës”, nuk arrita kurrë të kuptoj si lindi te miqtë e mi shija e pushtetit. Megjithëse në jetën e tyre të mëparshme, atë civile, ata kishin qenë personalitete të spikatura në fusha të ndryshme të shkencës apo të teknikës, që do të thotë se i kishin kushtuar formimit të vet një pasion të madh, asnjëri prej tyre nuk ndodhi ta linte politikën për t’u kthyer te profesioni i parë. E pra, në atë fillim, të gjithë ia pohonim pa u shtirur njëri – tjetrit se drejt politikës po na shtynin rrethanat e jashtëzakonshme historike të vendit e se kjo do të ishte e përkohshme. Kjo vazhdoi deri kur zbuluam shijen e pushtetit.

Pa vonesë erdhën edhe privilegjet e pushtetit. Ato të ligjshmet dhe sidomos ato të paligjshmet, ndër të cilat më e turpshmja në këtë histori do të mbetet korrupsioni, një lloj nepsi për t’u pasuruar, që nuk arrija ta lidhja në përfytyrimin tim me ata njerëz, për të cilët, me sa duket, ruaja kryesisht njohjen e dikurshme. Në një nga intervistat, pak kohë pasi isha larguar nga politika, thashë se e dija veten të pakorruptuar, por nuk e dija nëse isha i pakorruptueshëm. Askush nuk më kishte propozuar, kurrë, një bakshish të vogël apo të madh, që unë ta shihja veten në provë nëse do e pranoja apo do e refuzoja. Kisha pohuar thjesht një fakt, por që më ngjalli në vazhdim një kureshtje të çuditshme. Përse më kishin qëndruar gjithnjë larg korruptuesit? Ia drejtova këtë pyetje njërit nga sipërmarrësit më të rëndësishëm të Shqipërisë, mik i vjetër.

– Sepse korruptuesit janë inteligjentë, – m’u përgjigj ai. – I dallojnë pa fjalë njerëzit, me të cilët problemi zgjidhet duke paguar. Është një gjuhë, të cilën ti thjesht nuk e di.

Zbulimi i shijes së pushtetit solli shumë shpejt një ndryshim cilësor në sjelljen e elitës së re politike ndaj Historisë, ndryshim ky që duket qartë sidomos parë nga larg. Udhëheqësit e rinj të vendit e humbën pa dhimbje joshjen ndaj lavdisë. E tashmja, e munguar në ligjërimin e tyre publik gjatë vitit të parë të kthesës, zuri të merrte gjithë rëndësinë, duke mbartur edhe fjalorin e përshtatshëm për t’u shprehur. Nuk flitej më për të ardhmen, por për “projekte zhvillimi afatshkurtra, afatmesme apo afatgjata”, që do të thoshte se e sotmja dhe e nesërmja shkriheshin në njëra – tjetrën në një vazhdimësi të lidhur patjetër me ta, pa vend për ndonjë alternativë tjetër. Ata e projektonin veten në kohë mirëfilli vetëm në përputhje me kalendarin elektoral. Nga “elitë” ata u shndërruan kështu në “klasë politike”. Kjo metamorfozë ishte me siguri brenda logjikës së zhvillimit të shoqërisë, e cila kishte kaluar nga faza e revolucionit në atë të evolucionit. Ndoshta është e vërtetë ajo që thonë shumë ekspertë të shkencave politike se pikërisht kjo metamorfozë, bashkë me sëmundjet që mbart për lirinë dhe demokracinë, shënon prekjen e normalitetit nga ana e shoqërisë së çliruar. Ndoshta. Por mua, si veteran i kësaj historie, më shkakton megjithatë një keqardhje të dhimbshme.

Miku im Remzi Lani citohej nga gazeta “Neë York Times” të kishte thënë: “Ne kaluam nga një regjim represiv në një regjim depresiv”. Remzi Lani arrinte në këtë përfundim pasi ishte shprehur më parë se tranzicioni postkomunist në vendet e Lindjes, duke perfshirë Shqipërinë ishte përmbyllur. Por ky udhëtim afro tridhjetë vjeçar nuk ka ndjekur ëndrrën tonë të parajsës, ne nuk kemi arritur aty ku prisnim, në demokraci. Ne, pra, kemi kaluar nga një regjim represiv në një regjim depresiv. Është një përcaktim rrëqethës, ndoshta edhe cinik, i cili sintetizon për ne, megjithatë, një të vërtetë: humbjen e ëndrrës

Pse u katandisëm kështu, në një regjim depresiv?

Në mënyrë të përmbledhur, kësaj pyetjeje do t’i përgjigjesha me një këshillë që Ëhitney Houston, një nga këngëtaret e mia të dashura, i jep vetes: “Mëso të duash veten! Ndër të gjitha dashuritë, kjo është më e madhja”. Sigurisht që ajo nuk e ka aspak fjalën për një dashuri narcisiste. Fjala është për atë lloj dashurie, e cila jep besim në vete dhe ushqen optimizmin, i jep njeriut në përgjithësi një frymë pozitive në qasjen ndaj realitetit, ku bën pjesë. Një njeri i tillë shmang me lehtësi krahasimin e gjendjes së vet me gjendjen e të tjerëve ose sheh te ky krahasim një shembull të mundësive të veta për të shkuar përpara. Një miku dhe kolegu im, një ditë të dimrit që kaloi për të përqeshur optimizmin tim, më tregoi një anekdotë. Kur u shembën Kullat Binjake, një burrë po rrëzohej nga kati i gjashtëdhjetë në rënie të lirë. Në katin e tridhjetë dikush nxjerr kokën në dritare dhe e pyet si po shkonte udhëtimi. Deri tani mirë, i përgjigjet tjetri dhe vazhdon rënien. Sidoqoftë, realiteti është se shqiptarët e dalë në 1991 nga regjimi represiv, ata euforikët e zjarrtë që mbushnin ditë e natë rrugët e sheshet në atë fillim, gjatë çerek shekullit që pasoi dështuan në përpjekjen për të mësuar ta duan veten shëndetshëm brenda mjedisit të tyre të natyrshëm të quajtur atdhe.

Dëmin nuk e pësoi vetëm ai brez. Pa dashuri për veten i shoh të jenë rritur në përgjithësi edhe fëmijët e këtij brezi, ata që në jetën e tyre individuale nuk kanë asnjë lidhje të drejtpërdrejtë historike apo politike me kohën e regjimit represiv, sepse të lindur në vitin 1990, pak më parë ose pak më pas. Edhe ata në shumicë, njësoj si prindërit e tyre, shprehen sot nëpër rrjetet sociale, nëpër bisedat private apo edhe në mediat publike se “Shqipëria nuk bëhet”. Edhe ata, njësoj si prindërit e tyre, duken pa asnjë ëndërr, pas së cilës ia vlen të rendësh me besim. Më saktë, ata shfaqin me zë të lartë vetëm një ëndërr: të ikin. Po ku? Në Gjermani, në Angli, në Itali apo kudo tjetër në Europë. Në Amerikë do të ishte mrekulli fare. Kurrë nuk ka qenë kaq e fortë dëshira për të ikur. Madje symbyllur. Sipas një sondazhi të kryer nga Instituti Gallup në pranverë 2018, 6 në 10 shqiptarë duan të lënë vendin. Në po këtë proporcion ishte madje dëshira për të ikur edhe te policët nën moshën 40 vjeç. Një dëshirë kaq e ankthshme për të ikur është paralizuese, nuk i lejon njerëzit t’i përkushtohen ndërtimit sado pak të jetës këtu. Ata janë gjithnjë në pritje, me valixhet gati. Dhe, për të bindur veten se kanë bërë zgjedhjen e drejtë, e kalojnë kohën duke i përsëritur njëri – tjetrit se “këtu nuk jetohet. Shqipëria nuk bëhet”.

LEXO EDHE:  “Tahiri në burg, Xhafaj nën hetime”/ Rama i frikësuar

           “Realiteti është se shqiptarët e dalë në 1991 nga regjimi represiv, ata euforikët e zjarrtë që mbushnin ditë e natë rrugët e sheshet në atë fillim, gjatë çerek shekullit që pasoi dështuan në përpjekjen për të mësuar ta duan veten shëndetshëm brenda mjedisit të tyre të natyrshëm të quajtur atdhe. Dëmin nuk e pësoi vetëm ai brez. Pa dashuri për veten i shoh të jenë rritur në përgjithësi edhe fëmijët e këtij brezi, ata që në jetën e tyre individuale nuk kanë asnjë lidhje të drejtpërdrejtë historike apo politike me kohën e regjimit represiv, sepse të lindur në vitin 1990, pak më parë ose pak më pas”. 

Në qershor 2017, kryeministri ynë Edi Rama ka zhvilluar fushatën zgjedhore më të pabesueshme, një rast për t’u studiuar në shkollat e shkencave politike. Ai kërkonte mandatin e dytë për të qeverisur. Gjatë mandatit të parë (2013 – 2017) ai kishte qeverisur në koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim, e cila gjatë dy legjislaturave të fundit kishte luajtur rolin e një king maker, duke u bashkuar një herë me të djathtën (Partia Demokratike) për të krijuar shumicën qeverisëse, pastaj me të majtën. Kësaj here Edi Rama vendosi të dilte krejt i vetëm përpara shqiptarëve. Madje, jo vetëm pa aleatë politikë, por, në një farë mënyre edhe pa partinë e tij, të cilën e nxori krejt në periferi të fushatës. Ai u paraqit fillikat para shqiptarëve dhe, ndryshe nga ç’kishte bërë katër vjet më parë (2013), kur kishte shpalosur mbi treqind premtime nga më futuristet, këtë herë Edi Rama iu drejtua popullit me duar në xhepa. Në kuptimin e mirëfilltë të fjalës asnjë program elektoral. Asnjë rresht i shkruar në letër mbi çfarë do të bënte ai me qeverinë e vet gjatë mandatit të ardhshëm. Nuk do e përsëriste gabimin e katër vjetëve të shkuara, kur kishte hartuar një program, duke u dhënë kështu opozitës dhe medias një dokument, me të cilin ata i kërkonin gjithë kohën të ballafaqohej për të nxjerrë në pah se nuk po mbante asnjë nga premtimet e veta. Tjetër gjë kishte thënë, tjetër gjë po bënte. Gjatë katër vjetëve të ardhshme ai nuk do të mund të akuzohej, të paktën, se nuk mbajti fjalën. Arkivat rreth tij gjatë kësaj fushate politicaly spiking do të ishin të bardha.

Gjatë atyre javëve të fushatës, Edi Rama i ra rreth e përqark vendit. I veshur sikur shkonte në piknik. Të gjitha kronikat që kemi parë janë të përgatitura nga ERTV (Edi Rama TV), një kanal i krijuar nga ai në YouTube, për të pasqyruar veprimtarinë e tij. Televizionet kombëtare, qofshin ato publike apo private, i merrnin këto kronika të montuara dhe ishin të detyruara t’i transmetonin. Nuk kishin zgjedhje tjetër. Në veprimtaritë e tij elektorale nuk lejoheshin kamerat e pavarura. Takimet e Kryeministrit dukeshin të organizuara gjithandej sipas një regjie të rreptë: disa qindra njerëz të ulur nëpër karrige, në formën e agorës, dëgjonin oratorin në ca fjalime pa shumë patetikë dhe pa frymë polemiste me opozitën, fjalime pa shumë zgjatje, por të mjaftueshme për të thënë thelbin: “Timonin e dua i vetëm”. Timoni i duhej i vetëm për një arsye, e cila sipas tij, ishte në interesin e përgjithshëm. Gjatë mandatit të kaluar, aleati i tij i vogël në qeverisje, Lëvizja Socialiste për Integrim, e kishte penguar të bënte për Shqipërinë punët e mira që kishte dashur t’i bënte. Timonin (siç) e donte në çdo kusht i vetëm. Asnjë fjalë mbi çfarë punësh të mira do të bënte. Ato duhej t’i përfytyronte dhe t’i merrte si të mirëqena vetë publiku.

Pavarësisht ndihmës së madhe që i dha bota e nëndheshme  e krimit, fakt është se Partia Socialiste, domethënë personalisht Edi Rama, i fitoi zgjedhjet. Ata dolën pa dyshim parti e parë nga kutitë e votimit. Krimi i organizuar, me metodat e veta të presionit apo të parave të drogës, siç do të provohej edhe nga përgjimet e prokurorisë pa kaluar shumë kohë, vetëm e zmadhoi këtë fitore aq sa Edi Rama të mbetej për të mbajtur qetësisht timonin i vetëm deri në vitin 2021. Vetëm një shoqëri në depresion të thellë mund të votojë në një mënyrë të tillë, verbërisht, pa asnjë shenjë respekti për veten.

Po bëhet gërryese pyetja se si mund të dilet nga ky depresion, i cili, po të vazhdojë, do ta gangrenizojë demokracinë tonë. Në fund të vjeshtës së kaluar shpërtheu në Tiranë dhe në qytetet kryesore të vendit një protestë e madhe studentore, e cila ngjalli papritur një shpresë të vërtetë. U duk sikur po fillonte një lëvizje antisistem, e cila, më së paku do e shkundte shoqërinë nga themelet. Por edhe kjo shpresë u shua shumë shpejt, pa lënë as prush, si një flakë kashte. Duke imituar jelekverdhët e Francës, studentët shpallën se protesta e tyre do të ishte horizontale. Ajo nuk do të kishte ndonjë strukturë organizative. Pra as përfaqësi për të dialoguar me institucionet përfshirë këtu edhe Kryeministrin. Por nuk do të kishte as kërkesa politike. Një protestë absolutisht e depolitizuar. Studentët u kufizuan me kërkesa të lidhura vetëm me kushtet e tyre të shkollimit. Madje, kërkesat e tyre preknin vetëm studentët që ndjekin universitetet publike, gjë që shpjegon pse studentët e universiteteve private nuk u bashkuan me ta. Sado që të drejta dhe radikale, këto kërkesa ishin krejt të pamjaftueshme për të shkaktuar një tërmet të fortë në sistemin politik ekzistues. Të pushtuar nga frika se do t’i përdorte opozita, apo ndoshta edhe pak të manipuluar me kujdes nga qeveria, studentët refuzuan çdo komunikim me partitë politike. Dhe jo vetëm kaq. Ata humbën rastin për t’u shndërruar në fermentues të pakënaqësisë së gjerë popullore ndaj qeverisë, duke ndaluar që në sheshet e protestave t’u bashkoheshin edhe qytetarë, që nuk ishin studentë. Ky depolitizim në thelb i protestës dhe izolimi i protestuesve nga pjesa tjetër e shoqërisë i përshtatej fare mirë Kryeministrit, i cili, duke ndërthurur me efikasitet të lartë shantazhin me premtimin, arriti ta zvogëlonte e ta përçante protestën brenda disa javësh. Në prag të festave të fundvitit, protestuesit shpallën pushime, me premtimin për të vazhduar ballafaqimin me qeverinë në fillim të janarit. Ashtu siç ishte e parashikueshme, në fillim të janarit u ndezën vetëm disa shkëndija të zbehta, të cilat nuk do të mund të bënin më dot zjarr.

E vetmja dritë e ndezur ende duket ëndrra europiane. Shqiptarët vazhdojnë të jenë gjerësisht në mbështetje të integrimit europian. Por edhe kjo ëndërr ka pësuar, fatkeqësisht, shpërfytyrimet e veta. Për shkak të zvarritjes kaq të gjatë, për shkak të shpërdorimit të saj në debatin e brendshëm politik, për shkak të oportunizmit shpesh të neveritshëm të burokratëve të Brukselit në sjelljen ndaj pushtetit të radhës në Tiranë, për shkak të prapambetjes në kulturën politike të opinionit publik shqiptar kur është fjala për të kuptuar zhvillimet, kjo ëndërr në vetvete e mrekullueshme, është kthyer në fakt në rutinë. Domethënë se as ajo nuk është më e aftë të gjenerojë një shpresë të vërtetë. Quo vadis Albania? Kush do të mund t’i jepte përgjigje kësaj pyetjeje? / Bota.al

 

 

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Opinione

Rubrika “po të dëgjoj” e Lulit, hipokrizia e Bashës dhe punëtorëve që nga skamja hanin paçe kokë e pinin birra

Publikuar

-

Nga

Nga Rigels Seliman

Kjo e hënë që lamë pas e gjeti kryedemokratin Lulzim Basha në qytetin e bukur të Elbasanit. Pak pasi dielli kishte filluar të lante vendin, Basha nuk u mendua dy herë dhe e nxitoi të merrte xhaketën, veshi këpucët dhe u nis drejt e në Elbasan.

Në këtë qyteti ai kishte shkuar me një mision, sikundër ishte takimi me qytetarët dhe dëgjimi i halleve të tyre. Këtë rrugëtim lideri demokrat e ka pagëzuar me emrin “Po të Dëgjoj”, ndërsa aktorët që iu bashkuan kësaj telenovele ishin punëtorë të thjeshtë.

Sapo Basha ra në kontakt me ta, ai i hyri LIVE në rrjetin social “Facebook”, ku përveçse dialogonte me ta, guxoi që të bënte edhe premtime, të cilat sapo të vinte në pushtet do t’i bënte realitet. Shumë bukur deri këtu. Takimet dukeshin shumë të frytshme, ndërsa Basha rrezatonte grint dhe i pyeste qytetarët për gjithçka. Në pamje të parë, edhe pse ishin punëtorë të thjeshtë, qytetarët ishin orator dhe flisnin pa droje me shefin e selisë blu, a thua se kishin vite që e njohin.

Sidoqoftë, bashkëbisedimi sa vinte e bëhej më interesant, ndërkohë që tavolinat e mejhanes që Basha kishte zgjedhur për t’u ballafaquar me hallet e popullit, ishin të mbushura plot e për plot me birra, mezeri dhe gjellë. Nuk ka asgjë të keqe, se ishte vakt dreke dhe ndoshta ata “punëtorë” të thjeshtë ishin duke konsumuar një nevojë fiziologjike.

Por përtej kësaj më rra në sy një gjë, pasi po dukej se gjithçka ishte një strategji, ku secili bënte rolin e tij, duke aktruar. Nga mesi i mejhanes një punëtor nisi të bënte një panoramë të halleve dhe shqetësimeve me të cilat përballej ai dhe familja e tij, ndërkohë që paralelisht rrëkëllente gotën e birrës dhe hante gjellë me mish. Ai i thoshte Bashës që nuk i shkohet në shtëpi, pasi nuk kishte çfarë t’ju çonte kalamajve për të ngrënë. Mirëpo, si qytetari në fjalë ishin të gjithë, teksa nga njëra anë ankoheshin dhe kërkoni nga Basha që premtimet e dhëna t’i bënte realitet sapo të shalohej në pushtet, ndërsa nga ana tjetër pa pikë turpi hani dhe pinin. Jo nuk ka asgjë të keqe të hash dhe të pish.

LEXO EDHE:  Rama shpjegon tërheqjen nga Kavaja/Ja pse e bëra

LEXO EDHE:  Nga Elvi FUNDO/A na duhet një bandit President?!

Por kjo punë ka një moral, pasi nëse vërtet je i varfër dhe kërkon që halli të të dëgjohet, mos bëj hipokritin. Të gjithë një zëri thoshnin se nuk kishin çfarë të çonin në shtëpi, ndërkohë harronin që çdo sekondë ata ishin LIVE dhe shikoheshin. Tani njeriu ka pa dinjitet. Edhe sikur atë drekë t’ua kishte paguar Basha, por edhe sikur ta kishin paguar vetë, punëtorët në fjalë nuk duhet të bënin “viktimën” se kishin kalamajtë pa bukë, ndërkohë që vetë hanin paçe koke dhe pinin birra. Për një njeri të varfër kësisoj amvise është luks dhe s’ka shanse që të ndodhë në përditshmëri. Kështu që, boll më me hipokrizia se nuk iu shkojnë.

LEXO TE PLOTE

Denoncim

Nga Klodian Tomorri/ Groposja e mbetjeve toksike, krim i pastër kundër njerëzimit

Publikuar

-

Nga

Lajmi se tonelata me mbetje toksike kanë kapërcyer doganat italiane dhe ato shqiptare për tu groposur diku andej nga Vlora ka shtangur publikun e gjerë duke nxitur dhe reagime të ashpra në rrjetet sociale. Njëri prej reaguesve është edhe gazetari Klodian Tomorri, i cili në faqen e tij në rrjetet sociale ka shpërthyer me tone të larta, duke kujtuar se groposja e të tilla mbetjeve tejet të rrezikëshme për popullsinë, është krim i pastër kundër njerëzimit.

“Italian Job”, shkruan gazetari Tomorri, “Nëse është e vërtetë kjo historia e mbetjeve toksike që janë groposur 15 kamionë këtu, ai është krim i pastër kunder njerezimit.

Se kane shpikur disa terma seksi keta, jo krim mjedisor, jo keshtu e jo ashtu. Depozitimi i mbetjeve te rreizikshme eshte akt i paster terrorist.

LEXO EDHE:  Artan Hoxha: Ja pse do i përdorë Meta lekët e drogës

LEXO EDHE:  “Tahiri në burg, Xhafaj nën hetime”/ Rama i frikësuar

Ajo kompania, qe kishte logon siper atyre fucive sapo mori nje koncesion nafte ketu. Edhe kjo duhet verifikuar se ca roli ka patur. Deri ne fund. Ky eshte hetim, qe duhet te shkoje deri ne fund.

Italianet i bejne shpesh keto pune. E bene ne Napoli, ku groposen mbetjet kimike poshte rrugeve qe ndertoheshin. E kane bere ne shume qytete te tjera. Gjithmone me perfshirjen e mafias.

Te shpresojme shume qe nuk i kame shtrire tentakulat edhe ketej tani. Por nese kane ardhur 15 ngarkesa, keta kane bere masaker.

Kjo nuk gjykohet me me ligje normale. Ketu duhet te hyjne ne fuqi ligjet antiterrorizem” shkruan gazetari Tomorri. /CNA.al

LEXO TE PLOTE

Opinione

Nga Artan Fuga/ Si blejmë “helmin” propagandistik me lekët tona

Publikuar

-

Nga

artan fuga shuplake opozites

Ka disa ditë që më ka përfunduar kontrata me anë të një karte për të pasur akses në kanalet tv të një nga platformave dixhitale.

Nuk jam bërë mukajet të blejë një tjetër dhe këto ditë përdor rrjetin dixhital bazë pa pagesë.

Cfarë të shoh se?! Gjithandej nga ta vërtis gishtin mbi telekomandë në shumicën e rasteve më dalin stacionet e radiotelevizionit shqiptar. Rtsh, rtsh hd, rtsh film, rtsh Korça, Kukësi, Radio Tirana dhe dreqi me të birin!

Cfarë centralizimi! Rtsh mbetet pa konkurrentë në mediat publike, merr paratë nga taksat tona : hajde mos e paguaj! Cfarë telespektatorësh jemi ne?! Ne na i marrin lekët me përdhunë!!! Zotëron edhe kontrollin mbi programacionin. Kontrollon edhe rrjetin e shpërndarjes të sinjalit. Fut ato kanale që do në rrjet! Kontrollon edhe mendjet tona, të neve që nuk kemi lekë!

Dhe presim ne cilësi!!! Ata na i marrin lekët, çfarë iu duhet të konkurrojnë për audiencë!!!

Më duket se m’u zu fryma. Prisja të gjeja kanalet e mëdha private televizive as që bëhet fjalë!

Vetëm kanale çirake me qeverinë në përgjithësi me ndonjë përjashtim! Cfarë turpi!

Gjithandej propagandë, pasqyrim i sukseseve të ministrive, duket sikur jetojmë në parajsë.

Sa pak gazetari të vërtetë televizive brenda tyre!
Sa pak prodhime televizive nga studio të pavarura!
Sa pak filma, ose aspak, dokumentarë, serialë shqiptarë, drama shqiptare.

Vetëm politizime, propagandë, marrëdhënie publike nga ana e qeverisë mbisundon gjithandej!

Pres ndonjë lajm, reportazh a dokumentar nga Evropa, asgjë!

Ndonjë lajm live! Asgjë!

Lajmet nga bota! Ato që gjen me kile në Internet!

Cfarë izolimi informativ!

Një film i përsëritur një milion e dyqindmijë herë! Si nuk u vjen zor!

Miliona lekë të harxhuara kot ose për propagandë!

Pres filma a të rinj perëndimorë! As bëhet fjalë! Vetëm ndeshje futbolli dhe propagandë! Këto kupton populli – duket sikur një mendje e mbrapsht thotë!

LEXO EDHE:  Dhuna ndaj gazetarit Elvi Fundo/Reagon Edi Rama

LEXO EDHE:  Nga Elvi FUNDO/A na duhet një bandit President?!

Dhe të mendosh që paguajmë lekë si taksë televizive që të na “helmojnë” me propagandë dhe kotësi nga mëngjezi në darkë!

Mirë unë që nesër blej kartën dixhitale dhe shoh televizione të tjera, media perëndimore jokonformiste, dhe nuk ja shoh më bojën këtyre kanaleve tv, po njerëzit që nuk e kanë këtë mundësi!

Cfarë gjymtimi i mendjes!

Të mendosh se çfarë izolimi i dyfishtë. Me ndonjë përjashtim, vetëm mediat zyrtare, jo media të huaja, dhe kryesisht televizione në oborrin e qeverisë si televizioni i Pinokut, i Pupagjelit, që të bëjnë të vjellësh nga mediokriteti.

Një film ku beu tall bujkun!

Kur do të zhduket ky model televizioni zyrtar dhe t’i kthehet publikut!

As më shkon ndër mend që të kërkoj nga agjencia rregullatore të vejë dorë. AMA së shpejti përgatitet të kthehet në Gjykatë Kushtetuese a diçka e tillë, kush e mban mend! Futja kot!

Të mendosh që po shkojmë drejt mesit të shekullit 21 dhe ndërtohet ky izolim televiziv nga bota!

Cfarë aventure ndër të tjera! Cfarë na mbeten jashtë? Portalet? Atyre ligj censure!

As në kohën e monizmit nuk ishte ky izolim. Të paktën lajmet te RAI na i linin t’i shihnim. Tani asgjë!

Puna është se të gjithë këtë intoksikim propagandistik ne e paguajmë me lekët tona që na e merr shteti me dhunë si taksë duke na futur dorën në xhepat e grrisur, dhe pastaj ja jep altoparlantit të tij audioteleviziv, i cili na bombardon ne që nuk kemi lekë çdo natë duke na e bërë mendjen … pordhë ideologjike!

Dhe flasim për media, për gazetari, për integrim, për qytetar aktiv, për mediat si roje e demokracisë!

Cfarë hipokrizie!!!

LEXO TE PLOTE