Lajm i Rekomanduar
Faktet që “gozhdojnë” Lulzim Bashën dhe tregojnë dështimin e tij

Ka një debat të fortë në lidhje me sjelljen politike të kreut të Partisë Demokratike. A është ai njeriu i duhur, a është vizionari, njeriu që ngjall shpresën për opozitën shqiptare dhe për vetë popullin shqiptar?
Në fakt ka shumë këndvështrime. Shumica e militantëve përpiqen ta mbështesin, por duket që Basha, në të vërtetë, nuk ka gjetur mbështetjen e duhur dhe nuk është në pritshmëritë e opinionit publik. Kjo duket qartë edhe nga të gjitha proçeset zgjedhore që kanë ndodhur që nga dita që ai ka marrë detyrën si kryetari i PD-së.
Por të braktisim çdo lloj statistike dhe fjalë dhe le ti rikthehemi shifrave konkrete për të bërë një analizë mbi dështimet e vërteta të Lulzim Bashës.
Për këtë po sjellim një informacion zyrtar të marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në lidhje me proçesin elektoral, rezultatet nga viti në vit dhe gjendjen në të cilën e solli Lulzim Basha Partinë Demokratike.
Nga viti 2009, kur PD drejtohej nga Berisha, kjo parti, bashkë me aleatët, ka mundur të sigurojë 712.000 vota, nga të cilat 610.000 i ka Partia Demokratike dhe pjesën tjetër, rreth 100.000 vota aleatët e saj republikanë dhe disa parti të tjera. Ndërsa socialistët kanë rreth 688 000 vota, pra gati 24 mijë vota më pak, ndërsa aleatët e tyre kanë vetëm 68.000 vota, çka tregon se në vitin 2009, ka qenë koalicioni ai që i ka dhënë fitoren Partisë Demokratike dhe ka pasur dhe dy koalicione të tjera që është Poli i Lirisë, me rreth 27.000 vota dhe koalicioni Aleanca Socialiste për Integrim, me rreth 84.000 vota, nga të cilat 73.000 i ka LSI.
Në vitin 2009, Partia Socialiste ka rreth 10.000 vota më shumë sesa demokratët por, gjithsesi, nuk mundi të bëjë shumicën për shkak të sistemit, ku PD mori rreth 70 mandate, nga të cilat 68 i kishte vetë dhe dy i kishin aleatët e saj, një PDI (Partia për Drejtësi dhe Integrim), sot PDIU dhe një Partia Republikane.
Atë vit demokratët në koalicionin e tyre kishin rreth 24 mijë vota më shumë në rang kombtarë, por, gjithsesi, në shumë qarqe ata mundën të kishin diferenca me socialistët dhe të merrnin jo pak, por katër mandate më shumë, çka e çuan në 70 mandate, dhe, më pas, u desh aleanca me LSI-në për të qeverisur.

Më tej, në zgjedhjet e 2013-ës, pas katër vitesh Partia Socialiste bashkohet me LSI-në dhe, së bashku, në koalicion, ata mundën të sigurojnë rreth 993.000 vota, ku vetëm Partia Socialiste ka rreth 713.000 vota, që janë gati 100.000 vota më shumë se në vitin 2009 vetë si subjekt dhe ka marrë 65 mandate fiks sa në vitin 2009. Pjesën tjetër të mandateve, rreth 16 mandate, i ka marrë LSI-ja, një Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe një Partia Kristian Demokrate në atë kohë me Mark Frrokun në Shkodër.
Demokratët kanë marrë rreth 680 000 vota. Pra, nga viti 2009 në 2013, katër vite më pas, në total me 8 vite qeverisjeje nuk është se ka pasur një katastrofë të madhe elektorale. Ata kanë rënë vetëm 30 mijë vota në rang kombëtar dhe kanë mundur të sigurojnë të vetëm rreth 530 000 vota, që janë në fakt rreth 90 mijë vota më pak se sa 4 vite më parë, si subjekt politik, por ka një ngritje të madhe të aleatëve ku Partia Republikane është me rreth 52 mijë vota apo dhe forca të tjera në koalicion, që kanë mundur sërish të marrin mbi 150 mijë vota në vitin 2013.
Pra, në total, si koalicioni i demokratëve, kanë ruajtur thuajse të njëjtën situatë në 2013, por ndoshta sistemi dhe aleatët, bashkimi i PS me LSI bëri që të kishte një përmbysje të pushtetit dhe largim të demokratëve nga qeverisja.
Po të shohim në atë vit ka dhe një rritje të madhe PDIU, që është rreth 50 mijë vota në koalicion me demokratët, pra të dy me republikanët bënë gati 100 mijë vota dhe pjesën rreth 50 mijë i kanë aleatët e tjerë.
Por këto dy prova elektorale kanë qenë prova të pakontestuara, megjithë tezën e socialistëve në 2009 “hap kutitë ose largohu”, ndërsa rezultati i 2013 si rezultat i pranuar pa asnjë kontestim, nga nga të gjitha palët, që duket të ketë një realitet ku socialistët janë dicka vota më shumë në rang kombëtarë se demokratët. Demokratët që ruajën votat e tyre dhe aleatët, që iu marrin shumë vota dhe për shkak të votave që jepeshin brenda koalicionit dhe kandidatëve të ndryshëm që zgjidheshin nëpër qarqe.
Gjithsesi, në total, në finale rezultati i 2013 është një rezultat i paanikimuar dhe i pakontestuar. I vetmi ndryshim, në të dy proçeset zgjedhore, është se pjesëmarrja në vitin 2009 ka qenë 1 milion e gjysëm votues (1 milion e 520 000), ndërsa në vitin 2013 ka pasur 1 milion e 725 000, gati 200 mijë votues më shumë. Këto ndoshta janë dhe votat më të shumta që kanë kaluar në krahun e socialistëve dhe aleatëve të tyre të LSI-së, e cila nga rreth 70 mijë vota në vitin 2013 kishte një rritje spektakolare, që shkoi në rreth 180 000 vota. Një rritje me gati 100 mijë vota, që, mesaduket, ka ardhur edhe nga pjesmarrja e lartë dhe fryma e krijuar për LSI-në, si një forcë politike në pushtet, që do të ishte gjithë jetën në pushtet. Por, ajo i la jo pak pasoja si demokratëve edhe socialistëve.
Por, le të kthehemi tek shifrat e Lulzim Bashës, pasi këto të mësipërmet ishin të Sali Berishës dhe janë shifrat zyrtare të publikuara nga KQZ.

Në vitin 2017 kemi përballjen e tij të parë elektorale, në një situatë shumë të favorshme politike për Lulzim Bashën, pas një marrëveshjeje me Edi Ramën dhe një periudhe 3 mujore në çadër, e cila ishte një periudhë ushtrimi për demokratët, ku tregoi dhe forcën e tij Basha me çadrën e famshme para Kryeministrisë.
Në atë kohë aleanca Rama-Basha shpalli armik LSI-në, e cila në vitin 2017, sërish, u rrit me rreth 45 mijë vota, pra nga 180 mijë në vitin 2013 shkoi rreth 225 mijë vota dhe, nga 16 mori 19 mandate.
Përtej pritshmërive, LSI sërish tregoi se ishte faktor poltik në vend, pasi, me 225 mijë vota dhe rreth 19 mandate, nuk mund të jesh forcë politike e pakonsiderueshme, pavarësisht akuzave dhe superakuzave për korrupsionin e kësaj force politike dhe kapjes së liderit të saj Ilir Meta në një video-pazar korruptiv me te ndjerin, ish deputetin e LSI-së Dritan Prifti.
Por sërish e vetme Partia Socialiste në vitjn 2017 arrin të marrë 764 mijë vota, pra të mos bjerë nga 700 mijë vota e vitit 2013, që, në fakt edhe e rriten disi duke marrë rreth 50 mijë vota më shumë.
Partia Demokratike dhe aleatët e saj, me vetëm 456 mijë vota janë në katastrofën më të madhe elektorale, megjithëse PD ka të gjitha partitë aleatë brenda saj, ndërsa socialistët nuk kanë asnjë aleat.
Po të shohësh rezultatin në thellësi konstaton se demokratët janë rreth 300 mijë vota më pak çka bën të arsyetosh se përballja e Lulzim Bashës me Edi Ramën është katastrofë elektorale, nga që edhe pse i ndjekur nga republikanët, nga Partia Agrare, PBDNJ dhe LZHK e Dashamir Shehit, por dhe demokristianët e Nard Ndokës, brenda në koalicionin e PD-LSI të regjistruar në listat fituese të PD-së mundi të siguroi vetëm 456 mijë vota, çka janë rreth 308 mijë vota më pak sesa Partia Socialiste, e cila është e vetme.
Në rast se do të kishte një mbledhje matematike të PS-LSI dhe disa forcave të tjera të majta të cilat u regjistruan në atë kohë në zgjedhje, socialistët, e majta në total janë sërish në kuotat e rreth 1 milion votave, kur në vitin 2017 kanë votuar thuajse sa në vitin 2009, pra rreth 1 milion e 580 mijë votues, sërish janë gati 145 mijë votues më pak sesa në vitin 2013.
Pra, sipas shifrave zyrtare të KQZ, në vitin 2017, Partia Demokratike ka regjistruar një katastrofë elektorale.
Përtej çdo akuze që hidhet ndaj Lulzim Bashës, apo përtej çdo pretendimi të tij, ka në fakt 300 mijë vota diferencë me socialistët dhe rreth 230 mijë vota më pak sesa në vitin 2013. Pra në ditën më të zezë të PD, me ndërrimin e pushtetit e kthyen në një ditë më të zezë akoma në qershor të 2017, pas katër viteve të drejtimit të PD-së nga Lulzim Basha, çka tregon një keqorientim të asaj force politike, një mosbesueshmëri sepse pas katër vitesh qeverisjeje të dobët të socialistëve me LSI-në aleate, PD-ja pritej të kishte të tjera shanse elektorale dhe një ngritje të saj. Gjë që nuk shihet askund, pasi ka pasur një rënie drastike.
Çdokush që pretendon se atëherë janë blerë votat, nuk ka të drejtë, sepse sado vota të kenë blerë socialistët diferenca është kaq e madhe sa e bën të frikshme situatën dhe tregon dështimin total e përgjegjësinë kryesore të Lulzim Bashës për këtë situatë.
Më pas, nisur nga ky realitet trishtues, i vetëdijshëm për pritshmëritë e rezultatit të zgjedhjeve lokale, ka qenë një arsye më shumë që Basha të mos hynte në zgjedhje duke tentuar në çdo moment të ketë marrëveshje dhe pazar në tavolinë për të siguruar pushtet dhe aleancë me Edi Ramën, gjë, që në fakt, deri më sot nuk ka ndodhur.
Me këto shifra, me situatën dhe me gjendjen e brendshme që po kalon PD, Lulzim Basha do ta ketë të vështirë një përballje me socialistët në rast zgjedhjesh të parakohshme.

Ndoshta Rama nuk do të sigurojë dot më 400 apo 750 mijë vota, mund të ketë një ulje, por duke parë dhe pritshmëritë e një stanjacioni të pjesëmarrjes në votime, po me rreth 1 milion e gjysëm votues, PD-ja me këtë strukturë dhe me aleatët që ka do ta ketë të vështirë të përmbysë Edi Ramën për të dalë forca e parë politike.
Ajo që ngelet për të parë është vetëm sa vota do të mundet të marrë LSI-ja dhe a do të bëjë dot kjo forcën e madhe për të bërë përmbysjen e Edi Ramës, qoftë kjo edhe në zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi aleatët e vetëm që mund të sjellin Bashën në pushtet janë LSI-ja dhe PDIU e Shpëtim Idrizit, e cila ka rreth 75 mijë vota në vitin 2017, ndërsa LSI rreth 225 mijë, pra të dyja bashkë bëjnë rreth 300 mijë vota, dhe, me një mbledhje të thjeshtë aritmetike, PD me këtë aleacë do të shkonte, afërsisht, diku tek 750 mijë vota.
Nëse socialistët do të kenë një rënie të lehtë, sërish ky do të dukej një rezultat thuajse i barabartë, por gjithsesi Basha nuk mund ta quajë fitore apo sukses të tij, pasi ajo që duhet parë është dhe rezultati që do të ketë PD-ja në krahasim me vitin 2013, 2017, por dhe 2009.

Pra si do të jetë ecja elektorale e kësaj partie që duket se me drejtimin e Bashës ka një humbje të madhe votash? Shpëtimi i vetëm i Lulzimit do të ishte Shpëtim Idrizi dhe Monika Kryemadhi. Në të kundërt gjithçka do të ishte akoma një katastrofë. Ndaj dhe vetë Lulzim Basha e shtrëngon fort koalicionin e tij me Monikën dhe aleatët e tjerë.
Ndoshta për të fshehur edhe dështimin e tij personal, për të patur edhe një shans e mundësi për të tentuar të vijë në pushtet, gjë që, nga sa duket është mjaft e vështirë, por jo e pamundur me aleatët dhe me lëvizje që mund të vijnë më tej. Veç në rast se LSI-ja do të kishte rënie elektorale dhe PD-ja do të kishte ulje të pjesmarrjes së zgjedhësve të saj. Apo ulje të votave në total për shkak të drejtimit të Lulzim Bashës, sërish do të dukej mjaft e vështirë situata për të përmbysur direkt në zgjedhje Edi Ramën, me gjithë problematikat e mëdha që ka krijuar qeverisja, mungesën e një qeverisjeje të mirë e të fortë dhe akuzave të forta për korrupsion.
E gjitha shkon tek fakti se opozita është e mefshtë, Lulzim Basha i paaftë dhe që nuk po arrin të krijojë një alternativë të fortë bindëse për të përmbysur kryeministrin Rama. Shifrat që përmendëm më lart i keni dhe më poshtë në tabelat përmbledhëse zyrtare të KQZ./ CNA.al