Connect with Us

Ja si mund t’i ndryshojë Uashingtoni gjërat në Ballkan

Blog

Ja si mund t’i ndryshojë Uashingtoni gjërat në Ballkan

Publikuar

-

Nga Janusz Bugajski “Center for European Policy Analysis”

* Emërimi i zv/ndihmëssekretarit të Shtetit, Metju Palmer si Përfaqësues Special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, është një vendim i rëndësishëm. Ai ripërtërin përkushtimin e Uashingtonit, ndaj zgjidhjes së konflikteve dhe integrimit ndërkombëtar të rajonit.

Gjithsesi, ndërsa rrit pritshmërinë për efektivitetin e Amerikës, ai mund të jetë i pamjaftueshëm në trajtimin e problemeve më delikate rajonale. I dërguari i ri, do të përballet të paktën me 4 sfida thelbësore, duke filluar me çështjen e mbështetjes së Shtëpisë së Bardhë.

Palmer është një diplomat me përvojë, dhe me njohuri të thella mbi rajonin. Por ai do të duhet të bindë udhëheqësit e vendeve të rajonit, se i është dhënë tashmë një mandat i zgjeruar dhe me një autoritet më të madh, se sa gëzonte në postin e tij si zv/ndihmëssekretar i Shtetit, përgjegjës për Ballkanin Perëndimor.

Zgjidhja e mosmarrëveshjes greko-maqedonase, e ka nxitur Uashingtonin të përpiqet të kopjojë këtë sukses diplomatik. Megjithatë, ndarjet etno-politike në Bosnje Hercegovinë, dhe mosmarrëveshja Kosovë-Serbi, janë shumë më komplekse, armiqësore dhe ekzistenciale. Palmer mund t’i japë një impuls të ri bisedimeve që kanë ngecur aktualisht, dhe të shtyjë përpara axhendën e normalizimit të raporteve dypalëshe.

Sidoqoftë, rishqyrtimi i konceptit të shkëmbimeve territore, mund të përkeqësojë marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës. Ndërkohë, mund të rriten pritshmëritë që Serbia ta njohë shpejt Kosovën, ashtu si Marrëveshja e Prespës, bëri që Athina të njohë Maqedoninë e Veriut.

Një problem i dytë për Palmerin, është rreziku që ngërçi në Bosnje, mund të përshkallëzohet në një konflikt më të rrezikshëm, në një kohë kur ai është i fokusuar tek mosmarrëveshja Serbi-Kosovë. Do të ishte e vështirë të menaxhohen diplomatikisht dy konflikte të njëkohshme, diçka që liderët separatistë në Republikën Srpska të Bosnjës (RS), mezi e presin. Statuskuoja në Bosnje, nuk është e qëndrueshme, dhe aty janë të pranishme të gjithë “përbërësit” për një tjetër shpërthim të dhunshëm të krizës.

Në Bosnje nuk ka sot një qeveri qendrore funksionale, Rrepublika Srpska kërcënon të shkëputet nga federata, nacionalistët kroatë po kërkojnë një entitet të tretë, boshnjakët gjenden midis tyre të irrituar, ndërsa ekonomia është në vend-numëro. Në një skenar të mundshëm, udhëheqësi serb i Bosnjës Milorad Dodik, mund të refuzojë reformat kryesore që bashkojnë pjesërisht vendin, siç është formimi i një ushtrie të përbashkët, gjykatave shtetërore dhe agjencisë së policisë.

Ai ka kërcënuar tashmë të tërhiqet nga Marrëveshja e Forcave të Armatosura, dhe të mbajë të ardhurat nga taksat për njësinë e vet federative. Ndërkohë, ai mund të refuzojë funksionimin e gjykatës dhe prokurorisë në nivelin shtetëror në entitetin e Republikës Srpska. Dodik mund të minojë shumë pushtete të tjera, që janë transferuar nga të dyja entitetet në institucione të nivelit shtetëror, që nga Marrëveshjet e Dejtonit të vitit 1995.

Republika Srpska, mund të tërheqë më pas përfaqësuesit e saj nga qeveria qendrore, dhe të shpallë një referendum për pavarësinë. Pavarësisht nëse lëvizje të tilla shkaktojnë akte te reja dhune, ato do të shqetësonin përfaqësuesin special të Uashingtonit, në dëm të vëmendjes ndaj ngërçit Serbi-Kosovë.

LEXO EDHE:  Shqipëria në luftë nëse sulmohet një nga shtetet e NATO-s

Një pengesë e tretë për Palmerin do të jetë Bashkimi Evropian, që ka vendosur të bëjë një pauzë të zgjatur për zgjerimin e tij në Ballkan. Kjo gjë, mund të vinte në lëvizje një seri zhvillimesh negative, në të cilat 6 vendet aspirante përballen me një lënie të gjatë në pritje, që do të dekurajë reformat, do të stimulojë skepticizmin e BE-së, dhe do të forcojë ndjenjat nacionaliste.

Nga ana tjetër, kjo do të sigurojë “municion” për politikanët e BE-së, që të kundërshtojnë zgjerimin e mëtejshëm të unionit. Bashkimit Evropian ka shtyrë deri në tetor, vendimin nëse

do të hapë apo jo bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke pasur parasysh rezistencën e fortë nga disa anëtarë të unionit, sidomos Franca dhe Hollanda.

Qasja “thellim i integrimit, para zgjerimit të radhës” e presidentit francez Emanuel Makron, mund të vonojë zgjerimin për një kohë të pacaktuar. Megjithëse disa udhëheqës rajonalë, pohojnë se Mali i Zi dhe Serbia (që kanë filluar bisedimet e pranimit në BE), mund të anëtarësohen në BE brenda vitit 2025, një synim ky tepër ambicioz.

Samiti i Këshillit Evropian i qershorit të këtij viti, nuk dha ndonjë vit të caktuar edhe për shtetet më të kualifikuara. Mandati i Palmerit, përfshin një “përqëndrim tek integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në institucionet perëndimore”. Problemi është se Uashingtoni nuk ka asnjë rol në procesin e zgjerimit të BE.

Edhe nëse përfaqësuesi special, mund të jetë i aftë të inkurajojë reformat e nevojshme në mesin e aspirantëve, veçanërisht në sundimin e ligjit, ai nuk do të ketë ndikim brenda BE-së, në rast se rritet skepticizmi mbi zgjerimin. Edhe integrimi i mëtejshëm në NATO, ka një perspektivë të kufizuar në Ballkanin Perëndimor, pasi vetëm 3 shtete do të mbeten jashtë aleancës, kur të pranohet në aleancë Maqedonia e Veriut në vitin 2020.

Serbia nuk synon anëtarësimin e saj në NATO, Kosova duhet të ndërtojë një sektor të sigurisë dhe forcë ushtarake në mënyrë që të kualifikohet për t’u bërë pjesë e aleancës, dhe anëtarësimi i Bosnjes do të mbetet i bllokuar nga Republika Srpska. Problemi i katërt i vazhdueshëm për Palmer, do të jetë vendosmëria e Moskës për të minuar stabilitetin rajonal, dhe parandaluar integrimin perëndimor.

Diplomatët rusë, agjentët lokalë dhe aktivistët e dezinformatave, do të vazhdojnë të përfshihen në provokime të ndryshme, komplote dhe operacione ndikuese. Ata do të inkurajojnë rezistencën e nacionalistëve në Beograd dhe Banja Luka (kryeqyteti i Republikës Srpska), ndërsa do të kërkojnë mundësi të reja për të krijuar përçarje, testuar vendosmërinë e Uashingtonit, dhe diskreditituar të dërguarin kryesor të Amerikës në Ballkan./ Përshtatur nga CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

“Telegrami i gjatë” i Xhorxh Kenan/ Kur SHBA hartoi stategjinë e frenimit të Bashkimit Sovjetik

Publikuar

-

Nga

Zyrtarët e shërbimeve diplomatike në ambasadat dhe konsullatat amerikane kudo në botë, i dërgojnë çdo ditë raportime Uashingtonit. Pjesa më e madhe e asaj që ata shkruajnë harrohet, edhe para se të lexohet në Departamentin e Shtetit. Por disa kabllograma, bëhen të famshme kur rrjedhin dhe botohen në media.

Zakonisht asnjëra prej tyre nuk ndryshon dot rrjedhën e historisë. Përjashtim bën kabllograma e famshme që Xhorxh Kenan, i dërgoi eprorëve të tij të Departamentit të Shtetit nga Moska më 22 shkurt 1946. Në dimrin e viteve 1945-1946, shpresat e Shteteve e Bashkuara ishin të mëdha se gjërat do të shkonin mirë.

Lufta e Dytë Botërore, kishte përfunduar me humbjen e Japonisë dhe Gjermanisë naziste. Shumë amerikanë prisnin që Uashingtoni të kishte marrëdhënie të afërta me aleatin e saj të luftës, Bashkimin Sovjetik. Ata mbështesnin përfundimin e gjeneralit amerikan DuajtAjzenhauer, pas vizitës që zhvilloi në Moskën e vitit 1945:”Asgjë nuk e orienton më shumë politikën ruse, sesa dëshira për të pasur miqësi me Shtetet e Bashkuara”.

Por në fundin e vjeshtës së atij viti, aleanca filloi të prishet, ndërsa Moska nisi të ndërtojë një sferë të ndikimit të saj në Ballkan, një prelud i asaj që do të bëhej sundimi sovjetik i Evropës Lindore. Pastaj më 9 shkurt 1946, udhëheqësi sovjetik Josif Stalin mbajti një fjalim të zjarrtë, në të cilën ai foli për aleancën e kohës së luftës si një gjë që i përkiste tashmë të kaluarës, teksa bëri thirrje që Bashkimi Sovjetik të zbatonte me një angazhim maksimal një seri planesh 5-vjeçare, që synonin një ndërtim të shpejtë ushtarako-industrial të vendit.

I mbajtur vetëm 6 muaj pasi mbaroi Lufta e Dytë Botërore, fjalimi i Stalinit i alarmoi zyrtarët amerikanë. Departamenti i Shtetit iu drejtua për një shpjegim Xhorxh Kenanit, ekspertit më të mirë mbi sovjetikët në ambasadën amerikane në Moskë. Kenan, aso kohe 42-vjeç, një diplomat në karrierë, ktheu një përgjigje prej 5000 fjalësh, që ka hyrë në histori si “Telegrami i gjatë”.

Në të ai argumentonte se politika amerikane ndaj Bashkimit Sovjetik, mbështetej mbi një supozim të gabuar:që Uashingtoni mund të ndikonte në sjelljen e Moskës, duke ofruar stimuj për të inkurajuar një sjellje më të mirë.

Përkundrazi, ishte dinamika e brendshme e fuqishme dhe e parezistueshme, ajo që nxiti sjelljen agresive të Moskës. Sovjetikët besonin se me SHBA-në nuk mund të kishin një “modus vivendi” (një mirëkuptim) të përhershëm, se ata dëshironin dhe e shihnin të domosdoshme prishjen e harmonisë së brendshme të shoqërisë amerikane, duke shkatërruar mënyrën tradicionale amerikane të jetesës, dhe duke e shkatërruar autoritetin ndërkombëtar të SHBA-së.

Për pasojë, shkruante Kenan, vetëm kërcënimi i forcës mund të kufizojë ose ndryshojë ambiciet sovjetike. Ai publikoi një version të rishikuar të “Telegramit të gjatë” një vit më vonë në revistën “Foreign Affairs” me pseudonimin “X”. (Ishte ende një punonjës i Departamentit të Shtetit, dhe konsiderohej e papërshtatshme, që ai të shkruante nën emrin e tij).

LEXO EDHE:  Qytetarët në Perëndim, kundër përdorimit në masë të kamerave të njohjes së fytyrës

LEXO EDHE:  Samiti i NATO-s, rreziqet e reja dhe roli i Shqipërisë

Në thelb sugjerimi mbeti i njëjtë:elementi kryesor i çdo politike të Shteteve të Bashkuara ndaj Bashkimit Sovjetik, duhet të jetë ai i një kontrolli dhe frenimi afatgjatë, të durueshëm, por të vendosur dhe vigjilent ndaj tendencave ekspansive ruse.

Ideja e Kenan, ishte se Shtetet e Bashkuara duhet të përpiqeshin të mbanin nën kontroll, më shumë sesa të mundoheshin të riafroheshin me Bashkimin Sovjetik. Doktrina e frenimit, do të orientojë politikën e jashtme të SHBA-ve për 4 dekadat e ardhshme.

Kur Bashkimi Sovjetik u shpërbë në vitin 1991, studiuesit e politikës së jashtme në të gjithë spektrin ideologjik, u përpoqën të ripërpunonin konceptet e Kenan, dhe ta riemërtonin epokën e politikës së jashtme që arriti të kontrollonte. Deri më tani, askush nuk e ka pretenduar trashëgiminë e tij.

Megjithatë Kenan, nuk ishte asnjëherë dakord me mënyrën se si u zbatuan sugjerimet e tij. Ai besonte se administrata Truman, i dha teorisë së frenimit të Bashkimit Sovjetik një përmasë më luftarake dhe militariste, sesa e kishte menduar ai.

Kenan nisi të mënjanohej gjithnjë e më shumë brenda Departamentit të Shtetit, dhe u largua nga Shërbimi i Jashtëm në vitin 1950. Ai e kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij në Institutin për Studime të Avancuara në Univrsitetin e Prinstonit, duke shkruar në mënyrë elegante edhe pse kritike mbi politikën e jashtme të SHBA-së.

Ai vdiq në vitin 2005 në moshën 101-vjeçare. Ai e kishte siguruar termin përcaktues të epokës së tij. Por mendonte gjithnjë se ishte jashtë rolit të tij, duke e përshkruar veten si “mysafir të kohës së dikujt, dhe jo një anëtar të familjes së tij”./ Cfr.org-Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Kriza e re e emigrantëve sirianë në prag/ Europa është e papërgatitur

Publikuar

-

Nga

* Për gati një dekadë, luftaçivile në Siri, ka qenë një njollë turpi për bashkësinë ndërkombëtare. Që nga viti 2011, ky konflikt i ka marrë jetën rreth 500.000 njerëzve, ka plagosur më shumë se 1 milionë, dhe ka detyruar 12 milionë të tjerë – gati gjysma e popullsisë së vendit – të largohen nga shtëpitë e tyre.

Por edhe pas një dhune dhe rrënimi të përmasave të tilla, tragjedia po thellohet. Në Idlib, enklava e fundit që kontrollohet nga rebelët, po ndodh një nga katastrofat më të rënda humanitare të luftës. Të gjendur përballë një sulmi vrastar nga regjimi i Bashar Al-Asadit dhe përkrahësit e tij rusë dhe iranianë, rreth 900 mijë njerëz janë shpërngulur nga shtëpitë e tyre gjatë 2 muajve të fundit, ndërsa të paktën 300 civilë janë vrarë.

Në ndjekje të “fitores së plotë”, avionët sirianë dhe ata rusë kanë bombarduar spitalet, shkollat, tregjet dhe furrat e bukës. Ndërsa organizata humanitare janë të detyruara të largohen nga rajoni, disa nga tmerret e shkaktuara të panjohura për botën, por të tjerat jo.

Më 18 shkurt, “Save the Children” njoftoi se 7 fëmijë – mes tyre një fohnje 7 muajshe – kishin vdekur nga të ftohtit në kampet e Idlibit. Por lufta civile në Siri, është tashmë një tragjedi e harruar. Masakrat ndaj civilëve të një lloji që Perëndimi dikur u zotua të mos i tolerojë më kurrë, janë bërë mëse normale.

Sikurse vëren Dejvid Miliband, presidenti i Komitetit Ndërkombëtar të Shpëtimit dhe ish-ministër i jashtëm i Britanisë së Madhe, lufta është simptomë e një “epoke të pandëshkueshmërisë”, që karakterizohet nga mosrespektimi i plotë i sundimit të ligjit, dhe nga një defiçit po aq i madh i “diplomacisë ndërkombëtare”.

Sjellja brutale e regjimit të Asadit, është pasojë e gabimeve të rënda të politikës perëndimore. Në gushtin e vitit 2013, pas vrasjes së 1.400 civilëve gjatë një sulmi me gaz sarin në Gutan Lindore, Siria e kaloi vijën e kuqe të përmendur me herët nga presidenti i atëhershëm amerikan Barak Obama.

Dështimi i SHBA-së për të ndëshkuar Asadin, e zvogëloi ndikimin e saj në rajon, duke forcuar atë të armiqve të saj. Donald Trump, që e kundërshtoi ndërhyrjen ushtarake në vitin 2013, synoi në mënyrë oportuniste ta poziciononte veten kundër administratës Obamam, kur SHBA-ja ndëmori disa sulme ajrore në përgjigje të sulmit kimik në Khan Shajkun në vitin 2017.

Por Trump, nuk ka hartuar kurrë ndonjë gjë që t’i ngjajë një strategjie koherente mbi Sirinë.

LEXO EDHE:  SHBA intensifikon kritikat ndaj Rusisë për Ukrainën

LEXO EDHE:  Shqipëria në luftë nëse sulmohet një nga shtetet e NATO-s

Në fakt, SHBA-ja i braktisi kurdët në verilindje të Sirisë, duke i detyruar ata të arrijnë një armëpushim me regjimin e Asadit. Robert O’Brajan, këshilltari i SHBA për sigurinë kombëtare, e zbuloi papërgjegjshmërinë përmes së cilës SHBA-ja e sheh sot Sirinë, kur deklaroi më 11 shkurt: “Çfarë duhet të bëjmë për t’i ndalur ata? A mos duhet të jemi një polic global, të mbajmë një shkop dhe të themi “Ndalojeni Turqinë, ndalojeni Rusinë?”.

Përballë asaj që historiani Najxhëll Hemilton e ka quajtur “Amerexit”, bota demokratike ka mbetur pa udhëheqje. Këshilli i Sigurimit i OKB, që cili numëron Rusinë në mesin e anëtarëve të tij të përhershëm, është i pafuqishëm. Bashkimi Evropian, i konsumuar nga problemet e brendshme, rri e bën sehir nga larg.

Britania e Madhe, pavarësisht retorikës së saj të zëshme për një “Britani globale”, nuk ka qenë kurrë më apatike dhe e mënjanuar sesa sot përballë një krize gjeopolitike. Asnjë zyrtar i lartë britanik, përfshirë ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes, nuk ishin të pranishëm në Konferencën e Sigurisë në Mynih në fillim të këtij muaji.

E megjithatë, as Britania dhe as Bashkimi Evropian, nuk mund t’i shpëtojnë pasojave të luftës së pambarimtë në Siri. Zhvendosja e afro 1 milionë civilëve nga Idlibi, kërcënon të ringjallë krizën e emigrantëve që e goditi BE-në në vitet 2015-2016.

Turqia, që tashmë po mban 3.6 milion refugjatë sirianë, si pjesë e marrëveshje të dyshimtë me Evropën, është zotuar të mos i pranojë më. Por një BE e përçarë, nuk është aspak e përgatitur për një fluks të ri refugjatësh. Duke pasur parasysh këtë, Rusia dhe Turqia do të përpiqen tani të shfrytëzojnë dobësinë e Evropës, duke bërë kërkesa gjeopolitike, në këmbim të bashkëpunimit.

Në një botë të globalizuar, dallimi midis politikës së brendshme dhe asaj të jashtme, nuk është më i përdorshëm. Por pa marrë parasysh këtë, Perëndimi ka kërkuar ngushëllim në iluzionin e izolimit. Megjithatë, katastrofa siriane do ta detyrojë së shpejti që të përballet me realitetin./“New Statesman”-Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Pse epidemia e koronavirusit shpërtheu pikërisht në Kinë?

Publikuar

-

Nga

Nga Yi-Zheng Lian “The New York Times”

* Sëmundja e re e koronavirusit ka tani një emër: COVID-19. Por kjo gjë zgjati pak. Gjenoma e virusit u sekuencua brenda 2 javësh nga shfaqja e tij. Por për shumë javë të tjera, ne nuk e dinim se si ta quanim virusin apo sëmundjen që shkakton ai. Për një fare kohe sëmundja u quajt “Pneumonia e Vuhanit”, sipas qytetit në Kinën Qendrore ku u zbuluan rastet e para.

Por Organizata Botërore e Shëndetësisë, dekurajon emërtimin e sëmundjeve sipas vendeve apo popujve ku ato vërehen për herë të parë, për të shmangur ndikimet negative në stigmatizimin e disa komuniteteve. Nga ana tjetër epidemitë, kanë përmasat e tyre sociale ose politike.

Sa i përket epidemisë aktuale, dy faktorë kulturorë ndihmojnë në shpjegimin e mënyrës sesi ndodhja natyrale e një virusi të vetëm që infekton një gjitar, mund të përshkallëzohet në një krizë shëndetësore botërore. Dhe të dy këta faktorë janë tipikë kinezë. E para është historia e gjatë e Kinës me ndëshkimin e lajmësit.

Tetë mjekë u arrestuan nga policia në Vuhan në fillim të janarit, me akuzën e përhapjes së thashethemeve, pasi ata paralajmëruan në mediat sociale mbi rreziqet e një shpërthimi të mundshëm viral. Njëri prej tyre vdiq kohët e fundit, pasi u infektua me COVID-19.

Edhe epidemia e SARS – e shkaktuar nga një koronavirus tjetër – që shpërtheu në jug të Kinës në fund të vitit 2002, u fsheh nga autoritetet lokale për më shumë se një muaj. Dhe mjeku që dha alarmin, u burgos për 45 ditë. Në vitin 2008, shpërtheu skandali i qumështit të helmuar të foshnjëve.

Gjashtë foshnje vdiqën, gati 54 mijë u shtruan në spital. Katër vjet më vonë, informatori që bësohet se përhapi i parë lajmin mbi virusin, u godit me thikë për vdekje në rrethana misterioze. Këto janë shembuj të kohëve të fundit, por kjo s’do të thotë se ato duhet të varen vetëm nga Partia Komuniste Kineze.

Praktika e ndëshkimit të cilitdo që kumton të vërteta të pakëndshme, ka qenë në fuqi të paktën nga koha e Konfucit në shekullin VI Para Krishtit. Në shekullin e tretë, filozofi Li Kang thoshte “Pema që rritet më lart sesa pjesa tjetër e pyllit, do të korritet nga zogjtë”.

Sunduesit e Kinës kërkojnë herë pas here mendime të ndershme nga nënshtetasit e tyre, por vetëm një lloj të caktuar dhe zakonisht për një kohë të kufizuar. Me fushatën e tij të “100 luleve”, Mao Ce Duni bëri thirrje në fundin e vitit 1956 dhe fillimin e vitit 1957, që faktet dhe mendimet kritike të përhapeshin lirshëm.

Disa muaj më vonë, nisi Lëvizja Anti-Djathtiste, gjatë së cilës qindra mijëra njerëz të arsimuar që kishin folur hapur u futën në burg, u internuan ose iu nënshtruan keqtrajtimeve për vite me radhë, teksa karriera dhe familjet e tyre u shkatërruan.

LEXO EDHE:  Qytetarët në Perëndim, kundër përdorimit në masë të kamerave të njohjes së fytyrës

LEXO EDHE:  Shqipëria në luftë nëse sulmohet një nga shtetet e NATO-s

Njerëzit që thonë të vërtetën, kanë qenë një praktikë standarde e elitës sunduese kineze për më shumë se 2 mijë vjet, dhe ai është një mjet për të imponuar stabilitet. Por nuk është një shpikje e Kinës moderne nën regjimin komunist. Dhe sot përndjekja e lajmësit, ka ndihmuar në përhapjen e madhe të COVID-19, që ka infektuar deri tani rreth 75.000 njerëz.

Një faktor i dytë kulturor, që qëndron pas epidemisë së koronavirusit janë besimet tradicionale kineze mbi fuqinë e ushqimeve të caktuara, dhe që kanë inkurajuar disa zakone të rrezikshme. Sidomos dominon aspekti i kulturës kineze të të ngrënit, i njohur si “jinbu”, që do të thotë të mbushësh boshllëkun.

Kjo teori thotë se është më mirë që një sëmundje ta kurosh me ushqim, sesa me ilaçe. Sipas saj, sëmundjet shfaqen kur trupi është i varfëruar nga gjaku dhe energjia. Bimët dhe kafshët e egra, mendohet se sjellin një rimbushje më të mirë të boshllëkut, sidomos kur hahen të freskëta, ose të papërpunuara.

Dimri thuhet se është sezoni kur trupit i duhen më shumë ushqime “jinbu”. Kjo mund të shpjegojë edhe faktin pse SARS-i dhe epidemia aktuale, shpërtheu gjatë kësaj stine. Besimtarët e “jinbu”, duket se janë dakord me këtë koncept:”Pjesët e kafshëve që konsumohen, forcojnë pjesë të ngjashme në trupin e njeriut”.

Unë kam parë konsumin në masë të gjarpërinjve apo të peniseve të demave dhe kuajve, që ofrohen në mënynë e shumë qyteteve në jug të Kinës. Lakuriqët, të cilët mendohet se janë burimi origjinal i koronavirusit aktual dhe i virusit SARS, thuhet se forcojnë shikimin e njeriut.

Ndërkohë mishi i gjarprit, thuhet se kuron pagjumësinë. Njerëzit e pasur konsumojnë shpesh mish qeni, dhe mundësisht i një qeni që është vrarë pak minuta më parë, pasi në atë gjendje bart më shumë energji. Kjo është një nga arsyet pse kafshë të tilla shiten kryesisht të gjalla, çka favorizon përhapjen e viruseve.

Besimet mbi përfitimet shëndetësore të disa ushqimeve të kafshëve të egra, diskutohen rregullisht në gazeta dhe në faqet e shumta në internet, por mësohen edhe në shkollat ​​mjekësore të Kinës. Në fakt, këto praktika nuk janë të përhapura në të gjithë Kinën.

Dhe nuk janë vetëm kineze: Shumë popuj në shumë vende të tjera, konsumojnë ushqime ekzotike. Por ajo që bie në sy në Kinë, është se besimet në lidhje me fuqitë speciale të disa ushqimeve, po pranohen tashmë dhe nga ata që i konsumojnë. Ato janë të ngulitura tanimë fort në vetëdijen kolektive kineze./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE