Connect with Us

Nga Klodian Tomorri/ E vërteta e hidhur që maskon ulja fiktive e papunësisë

Opinione

Nga Klodian Tomorri/ E vërteta e hidhur që maskon ulja fiktive e papunësisë

Publikuar

-

Instituti i Statistikave raportoi se papunësia në Shqipëri shënoi në tremujorin e dytë të vitit nivelin më të ulët historik duke zbritur në 11.5 për qind. Sipas INSTAT, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar papunësia në vend ka rënë me gati 1 pikë të plotë përqindje, ndërsa numri i të punësuarve është rritur me 3.4 për qind.

Por a është ekonomia duke përjetuar boom punësimi ashtu siç sugjerojnë në pamje të parë shifrat e INSTAT? Përgjigja është jo. Përkundrazi, Shqipëria ka hyrë në një krizë të paprecedentë punësimi.

INSTAT përdor dy burime për të matur indikatorët e tregut të punës. Burimi i parë është Anketa e Forcave të Punës. Kjo anketë realizohet përmes një sondazhi që kryhet në rreth 8 mijë familje në shkallë vendi. Përgjigjet e marra nga ky kampion familjesh përgjithësohen në shkallë vendi dhe më pas INSTAT përllogarit shkallën e papunësisë dhe atë të punësimit në ekonominë kombëtare. Kjo është anketa, nga e cila nxirret dhe shkalla zyrtare e papunësisë.

Por veç anketës, ka dhe një burim të dytë për matjen e numrit të punësuarve. Ai është treguesi që del nga të dhënat administrative. Çdo tremujor Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore raportojnë tek INSTAT numrin e të punësuarve të regjistruar që paguajnë taksa dhe sigurime shoqërore. Për shkak se nuk ka asnjë biznes, që të dorëzojë listëpagesa fiktive dhe të paguajë taksa për punonjës që nuk ekzistojnë, burimi administrativ është e dhëna më e besueshme dhe më e sigurtë e tregut të punës. Veçanërisht nëse pastrohet nga të punësuarit në fshat të sektorit bujqësore, të cilët për shkak se nuk paguajnë tatim mbi të ardhurat nuk figurojnë në listëpagesat e tatimeve.

Por çfarë ka ndodhur numrin e të punësuarve në vend? Në harkun kohor qershor 2018- qershor 2019 numri i të punësuarve nga bizneset private jo bujqësore u rrit me vetëm 5 mijë vetë. Pra nga 504 mijë vetë që ishte në qershor 2018, shifra e të punësuarve në qershorin e këtij viti arriti në 509 mijë vetë. Ndërsa krahasuar me dhjetorin e vitit të kaluar, numri i të punësuarve nga bizneset private jo bujqësore u rrit me vetëm 1 mije vetë.

Kjo është një nga rritjet më të ulëta të punësimit në histori. Në harkun kohor të dy viteve parardhës, pra në periudhën qershor 2016-qershor 2017 dhe atë qershor 2017-qershor 2018 numri i të punësuarve në ekonominë shqiptare sipas burimit administrativ është rritur respektivisht me 69 mijë dhe 35 mijë vetë.

Sipas INSTAT, në një vit forca e punës në shkallë kombëtare rritet mesatarisht me 30 deri në 35 mijë vetë për shkak të të rinjve që mbushin për herë të parë moshën e punës. Nëse përgjatë të njëjtës periudhë kohore, bizneset private shtojnë vetëm 5 mijë vende të reja pune, atëherë pjesa tjetër e të rinjve që hyjnë për herë të parë në forcën e punës, i shtohen armatës së të papunëve në vend. Edhe pse në vitet e para kjo rritje reale e numrit të të papunëve mund të mos shfaqet në shifrën zyrtare të papunësisë që kap Anketa e Forcave të Punës, ajo është aty.

Prej gati një vit e gjysmë ekonomia shqiptare nuk po prodhon më vende të reja pune. Një pjesë e ngadalësimit dramtik në rritjen e të punësuarve në vend mund të jetë e lidhur me mbylljen e lojrave të fatit. Por edhe nësë përllogaritet ky efekt sërish rritja e punësimit mbetet ndër më të ulëtat në histori, duke reflektuar ndoshta edhe ngadalësimin e rritjes ekonomike veçanërisht në gjysmën e parë të këtij viti. Dhe pavarësisht se Anketa e Forcave të Punës raporton uljen e papunësisë në nivelin më të ulët historik, ky është vetëm një mirazh. E vërteta është se bizneset nuk po shtojnë më vende të reja pune dhe ky është një problem, jo i vogël për ekonominë.

KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Opinione

Nga Dritan Shano/ Tirana ka katër ditë pa ujë, kryetari i Bashkisë bën pordhë dixhitale në Londër

Publikuar

-

Nga

Mediat shqiptare, dhe ato ndërkombëtare me sytë nga Tirana?! Një pjesë e madhe e Kryeqytetit ka 4 ditë pa ujë !!! Kryetari i bashkisë bën pordhë dixhitale në Londër. Po dixhitale as pihet as lahet.

Asnjë investigim, asnjë përgjegjësi a thua se kjo është gjëndje normale.

Emisionet euro-milionere të darkës merren me Bllokun e Enver Hoxhës dhe Tahirin a thua se këto gjëra janë më të rëndësishme se furnizimi me ujë i banorëve. Portalet, shtypi, etj., nuk merren me furnizmin me ujë se u duket çështje ordinere; ato merren me reforma dhe me porositë e Merkel ndoshta. Ndërkohë, qytetarët e Tiranës kanë 2 vjet që paguajnë ujin sikur të ishte parfum francez.

A është kjo strategjia e administratës bashkiake për të dhënë ujësjellësin e Tiranës me konçesion tek klienti i rradhës? Me këtë duhet të merret Prokuroria e Republikës, edhe pse drejtorit të Sarandës që eksperimentoi duke e lënë qytetin bregdetar pa ujë për 3 ditë rresht nuk i hyri gjemb në këmbë.

Kur do kem ujë në rubinet zotërinj të bashkisë ???/CNA.al

LEXO TE PLOTE

Opinione

Nga Andi Bushati/“Dënimi” i Tahirit, humbi ligji, fitoi morali

Publikuar

-

Nga

Nëse procesi i Saimir Tahirit shërbeu për të bindur shqiptarët për implikimin e thellë të qeverisë ku ai bënte pjesë me trafikantët e drogës, ai nuk pati aspak vlerë për të ngjallur shpresë se në këtë vend po vendoset drejtësia.

Ky konkluzion, në dukje paradoksal, buron nga mënyra se si u zhvillua gjykimi. Nga njëra anë ai i serviri publikut fakte dhe prova të panumurta për të kuptuar se sundimi i banditëve përjetoi periudhën e tij të artë në kohën e çiftit Rama – Tahiri. Këtë e dëshmoi përmes lidhjes së ish ministrit të brendëshëm me klanin e kushërinjve të tij Habilaj.

Gjatë këtij procesi ne rikujtuam edhe njëherë se që në vitin 2015, një oficer policie, Dritan Zagani, e denoncoi këtë lidhje. Por, pavarësisht nga kjo ne kuptuam se jetojmë një një vend, ku denoncuesi burgoset dhe keqbërësi respektohet. Sikur asgjë të mos kish ndodhur, “ministri më i suksesshëm i qeverisë”, jo vetëm që nuk i mbajti nën mbikqyrje të dyshuarit si trafikanë, por ai vazhdoi të udhëtonte jashtë me ta, tu besonte njerëzit e afërm të familjes, ti thërriste për ti paguar rregullimin e skafit në Korfuz.

Lexo me tej:

Historia e lidhjes të Tahirit me trafikantët Habilaj 

Në këtë kuptim, gjykimi i Tahirit ishte i vlefshëm sepse ai na rishfaqi edhe njëherë, sekuencë për sekuencë, filmin tashmë të njohur të afërsisë së politikës me krimin. Ai na provoi se sa pranë e pranë ishin simbolet e kanabizimit të Shqipërisë, me njerëzit më të fuqishëm të pushtetit dhe se sa e madhe qe fuqia e propagandës që e etiketonte si makineri balte çdo media që guxonte të fliste për hashashin.

Por, pavarësisht nga kjo fitore e vonuar morale, ajo që ndodhi me prokurorinë dhe gjykatat shqiptare i dha një grusht të fuqishëm optimizmit se drejtësia shqiptare mund të rilindë.

Porsa u bënë publike përgjimet italiane, i pari Edi Rama, sulmoi egërsisht prokurorët që kërkuan imunitetin e Tahirit, njësoj siç pati bërë paraardhësi i tij Berisha me Ina Ramën. Mediat shërbëtore të qeverisë iu futën atyre deri në shtrat dhe filluan një gjueti të organizuar shtrigash për t’i intimiduar. Deputetët socialistë rrefuzuan të votojnë për arrestimin e kolegut ish ministër duke i dhënë atij kohë të fshehë gjurmët e krimit që mund të gjenin në flagrancë hetuesit.

Nuk kaloi shumë dhe me bekimin euro-amerikan, rilindasit votuan një kamikaze të tyre në krye të prokurorisë, e cila transferoi menjëherë ata që kishin filluar të hetonin dosjen Tahiri.

Askush nga institucioni i akuzës nuk guxoi të pyesë dëshmitarin e parë të kësaj ngjarjeje, Dritan Zaganin, një tjetër dëshmitar, financieri i Habilajve, Neziri, u la të ekstradohej jashtë ligjit drejt Italisë, ndërsa prokuroria, as në ëndrrat e veta më të çartura, nuk e shpuri nëpërmend që këtë histori kushërijsh banditë, ta shihte si premisën për të hetuar kanabizimin e mbarë vendit.

Dhe kështu, kazusi për të cilën pati vënë bast Donald Lu, ai që mjaft deputetë të bundestagut e shpallën si kusht për hapjen e negociatave të Shqipërisë, përfundoi në një aktakuzë paçavure, të mbrojtur prej ca prokurorëve dordolecë, që ziheshin me njëri tjetrin, për faktet, në sallën e gjyqit.

Ata i lanë në derë gjykatës një pretencë butaforike, ku pretendohej ekzistenca e një grupi të strukturuar kriminal, pa dhënë asnjë provë bindëse për këtë.

Dhe tre gjykatësit që u ngujuan me orë të zgjatura në dhomën e këshillimit, nuk gjetën dot zgjidhje më të mirë sesa ta shpallnin fajtor Saimir Tahirin, pa i dhënë atij asnjë ditë burg. Ata firmosën fundin e një procesi farsë që ishte projektuar të degjeneronte si i tillë.

Por, sado dëshpërues të jetë ky përfundim, sado që ai të dëshmojë për paprekshmërinë e “peshqve të mëdhej”, sado të tregojë se Rilindja është e vendosur të shkatërrojë çdo përpjekje për drejtësi të pavarur, “Procesi Tahiri” nuk ka vetëm anën e tij të errët.

Falë tij ne sot dimë se si na gënjyen për vite me radhë dhe se si, po të mos kishin qenë përgjimet italiane, do të vazhdonim të jetonim me legjendën e minsitrit që luftoi më shumë se kushdo drogën.

Falë tij, ne kemi sot përgjime, dëshmi, tabulate, dhe dokumenta të TIMS-it që na tregojnë se si ka qenë krimi i ulur këmbëkryq në majat më të larta të qeverisë.

Falë tij ne e dimë të vërtetën, ndonëse drejtësia nuk na ofroi provat e ligjshme për ta vënë atë në vend.

Në këtë kuptim, ndonëse nuk ishte një fitore e ligjit, i gjithë procesi Tahiri qe një ngadhënjim i transparencës. Ai përbën revanshin e të gjithë atyre që u bënë barrikadë, kundër projektit ogurëzi të kanabizimit të Shqipërisë./Lapsi.al

LEXO TE PLOTE

Opinione

Revolucioni që po i ha kokën Lulit

Publikuar

-

Nga

Pesë aleatët formalë të PD, janë mbledhur në kantinën e Agron Dukës dhe i kanë kërkuar Lulzim Bashës të ulen me Edi Ramën, sipas një plani të hartuar së bashku, ku përfshihen ndryshime kushtetuese, ndryshime të kodit elektoral, ndryshime në ligjin e dekriminalizimit etj.

Monika Kryemadhi, që ka shmangur darkën me verë mes burrash, ja ka thënë sot, thuajse të njëjtën gjë, duke u përpjekur t’i heqë turpin për takimin me Ramën.

Të dërguarit ndërkombëtarë që vijnë e ikin në Shqipëri pa vrarë shumë mendjen për krizën, po ashtu po i kërkojnë opozitës të ulet në tryezë për reforma ligjore. Kushti i vetëm i të gjithëve është që Lulzim Basha të mos ulet vetëm me Edi Ramën, por bashkë me të tjerët.

Situata është tragji-komike për faktin se Lulzim Bashën po e trajtojnë të gjithë si një delikuent të papërgjegjshëm, që duhet të shkojë i shoqëruar në takim me të rriturit, ndërsa vet Lulzim Basha nuk ka asgjë për të reformuar në tryezë me Edi Ramën.

Ai nuk ka gjë për të shtuar në ndryshimet kushtetuese, nuk ka ndonjë ide se si mund të shpëtojë po ndryshoi përsëri ligjin e dekriminalizimit, dhe mbi të gjitha, ai  është dakord me Edi Ramën, lidhur me sistemin elektoral, pasi është i vetmi sistem që i jep atij autoritet në parti.

Ajo që u premtoi Lulzim Basha aleatëve para se të niste revolucioni, ishte gjunjëzimi i Edi Ramës me revolucion, me djegie mandatesh dhe bojkot zgjedhjesh, dhe jo mundja e Edi Ramës përmes një marrëveshje të re me të, qoftë dhe me pesë aleatët e tij dëshmitarë.

Përpjekja e të gjithëve për t’i nxjerrë turpin Lulzim Bashës dhe për ta ulur me Edi Ramën, është qesharake, pasi ai nuk ka problem dialogun me Edi Ramën, por mundjen e Edi Ramës.

Nëse ai pranon të ulet sot në tryezë me Edi Ramën, duhet të pranojë që i ka dështuar revolucioni dhe revolucioni i dështuar ka kosto, pasi siç ka thënë dhe Berisha, lideri duhet të ketë bilanc.

Nga ana tjetër, nëse Lulzim Basha duhet të ndryshojë kursin dhe të pranojë humbjen e revolucionit, ai duhet të ndryshojë dhe aleatët e tij.

Këta që po i kërkojnë të ulet me Edi Ramën janë ata që i kërkuan të nisë revolucioni dhe i qëndruan në krah në gjithë atë marrëzi që desh futi në luftë civile Shqipërinë.

Ata që e kundërshtuan dhe nuk i shkuan pas Lulzim Bashës, janë në Parlament, ose jashtë tij, në parti të tjera. Lulzim Basha nëse ndryshon kurs, do t’i duhet së pari të ulet me ta, të pranojë që gaboi dhe të mbështesë idenë e tyre.

Ulja në tryezë me Edi Ramën nënkupton rikthim në sistem dhe rikthimi në sistem bëhet duke ripranuar opozitën parlamentare, duke ja lënë asaj përfaqësimin e PD në Parlament dhe duke u përpjekur të rintegrohet përmes tyre.

Pa ata, PD në zgjedhjet e ardhshme është një parti jo parlamentare, pa asnjë deputet dhe kryetar bashkie, pa asnjë fond nga shteti dhe pa asnjë të drejtë më shumë se Bindja Demokratike e Patozit, apo ndonjë parti tjetër që mund të formojë opozita parlamentare.

Ndaj historia e opozitës tanimë nuk zgjidhet nga ata që përkrahën rrugën e revolucionit. Ata kanë dështuar dhe të humburit në luftë janë thjeshtë të vdekur.

Rikthimi i PD në tryezë bisedimesh është lajm i mirë për PD, por jo për Lulzim Bashën. Atij do t’i duhet t’i hapë rrugë dikujt që nuk kishte përgjegjësi për këtë greminë ku e hodhi PD dhe duhet t’u kërkojë ndjesë gjithë atyre që i mallkoi si armiq të PD, vetëm pse nuk pranuan rrugën që sot të gjithë e quajnë dështim, por Lulzim Bashën nuk guxojnë ta quajnë dështak.

Në parim çdo revolucion u ha kokën bijëve të vet, kurse ky revolucioni i dështuar i PD, thjesht po u ha kohën, duke u marrë me Lulzim Bashën. Dhe kanë për t’i gjetur zgjedhjet e vitit 2021, duke ju lutur të mos ketë frikë nga Edi Rama./TemA

LEXO TE PLOTE