Connect with Us

Investimet e huaja nisin rënien/ Tkurren 13% në tremujorin e dytë

Ekonomi

Investimet e huaja nisin rënien/ Tkurren 13% në tremujorin e dytë

Publikuar

-

Investimet e Huaja Direkte kanë shfaqur tendencë rënëse në tremujorin e dytë të këtij viti, pas nivelit të lartë që shënuan në janar-mars. Sipas statistikave të bilancit të pagesave, të publikuara nga Banka e Shqipërisë, investimet e huaja në 3-mujorin e dytë ishin 248 milionë euro, me një rënie prej 13.2% në raport me tremujorin e parë.

Për 6-mujorin e parë, investimet ishin 536 milionë euro, me një rritje prej 9% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo tendencë i dedikohet nivelit të ulët të tremujorit të dytë 2018, ku investimet zbritën në 211 milionë euro.

Banka e Shqipërisë raporton se rreth 60% e investimeve janë në sektorin e energjisë.

Investimet e huaja kanë qenë të larta katër vitet e fundit, si rrjedhojë e punimeve për dy projekte të mëdha, gazsjellësi TAP dhe hidrocentralet mbi lumin Devoll.

TAP

Rreth 1,5 miliardë Euro është investimi për ndërtimin e seksionit tokësor të tubacionit në Shqipëri, përfshirë këtu koston e tubave, kompresorëve dhe pajisjeve dhe makinerive të tjera të nevojshme për ndërtimin e tubacionit. Përqendrimi më i madh i punimeve ishte në periudhën 2017-2018.

Menaxheri i TAP për Shqipërinë, Malfor Nuri, ka pohuar për ‘Monitor’ se për sa i përket ecurisë së punimeve në Shqipëri, thuajse i gjithë tubacioni është futur nën tokë. Rreth 95% e punimeve për pjesën tokësore në Shqipëri kanë përfunduar, përfshirë tubacionin në vetvete, stacionet e valvulave të bllokimit, stacionin matës dhe atë të kompresorëve, rikthimin në gjendje fillestare, daljen nga toka, etj. Këtu përfshihet edhe pjesa e punimeve për seksionin detar në ujërat shqiptare.

LEXO EDHE:  Vodhën 360 litra naftë/ Arrestohen tre punonjësit e TAP

E vetmja pjesë ku ende punohet në pjesën tokësore të TAP-it, është në Malin e Ostrovicës. Kjo është edhe pjesa më e vështirë e tubacionit, duke qenë se është edhe pika më e lartë e tij, më shumë se 2.100 metra mbi nivelin e detit. Për të kaluar nga pika më e lartë drejt detit… Seksioni i parë i detit në Shqipëri u bashkua me sukses me segmentin tokësor në mars të vitit 2019. Gjatë verës ndërpremë punimet për pjesën detare për të shmangur shqetësimin e turistëve gjatë sezonit turistik. Punimet do të rinisin në vjeshtë për të lidhur pjesën tokësore shqiptare dhe atë italiane, dhe për të kthyer tokën në gjendje fillestare, pohon Nuri.

Devolli

Investimi tjetër i madh, ai i hidrocentraleve që po ndërtohen mbi lumin Devoll nga kompania Statkraft. Edhe ky investim është drejt fundit. HEC-i i Banjës tashmë është funksional dhe prodhon energji, ndërsa HEC-i i Moglicës ka përfunduar dhe është në fazë testimi. Burime zyrtare nga Statkraft thanë se në vitin 2018, investimet ishin rreth 86 milionë euro dhe në 2019-n, ato priten në rreth 73 milionë euro, ndërsa përfundon dhe HEC-i i dytë. Investimi total i Devollit është 590 milionë euro, sipas burimeve zyrtare./ Monitor

KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekonomi

Shifrat e frikshme të FMN/ Shqiptarët në kushte mbijetese

Publikuar

-

Nga

Edhe gati 3 dekada pas kalimit në ekonominë e tregut, shqiptarët, që jetojnë në një vend të bekuar nga zoti, me bukuri të shumta e pasuri natyrore, vijojnë të jenë ndër më të varfërit e Europës. Statistikat e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të përditësuara në “Pasqyrën Ekonomike Globale tetor 2019” tregojnë se të ardhurat për frymë të pritshme të shqiptarëve ishin 5,732 dollarë për vitin 2019, duke na pozicionuar në vendin e 102 në botë nga 192 shtete gjithsej, në nivele të ngjashme me Irakun, Paraguajin, Libanin, Libinë etj.

Në Europë jemi ndër vendet me të ardhurat për frymë më të ulëtat dhe na e kalojnë në renditje vetëm Kosova (4,442 dollarë për frymë, në vend të 111) dhe shtete të ish Bashkimit Sovjetik  si Ukrania (vendi 125),  Moldavia (128).

Nga vendet e rajonit, më të pasur janë fqinjët e Malit të Zi, me të ardhura për frymë prej 8,703 dollarë, ose 62% më të larta se të shqiptarëve (vendi 72). Më pas vjen Serbia, në vend të 87 me 7,398 dollarë për frymë, Maqedonia e Veritu (6,096 dollarë në vend të 95), Bosnja (vendi 97).

Të dhënat e FMN-së referojnë se edhe një dekadë më parë, Shqipëria ishte e pandryshuar në vend të 102, në një tregues që rritja ekonomike e vendit nuk ka arritur të jetë më e lartë se e fqinjëve, apo se ajo nuk ka prodhuar mirëqenie për qytetarët e saj (sipas të ashtuquajturit proces i koncergjencës, vendet me të ardhura më të ulëta duhet të rriten më shpejt, në mënyrë që të kapin mesataren e Bashkimit Europian).

LEXO EDHE:  90 milionë dollarë për modernizimin e transportit rrugor në Ballkanin Perëndimor

LEXO EDHE:  Investigimi/Skandali në Bashkinë Kolonjë, 1.51 miliardë lekë tendera fitohen me 100% të vlerës

Sot, vendet e Bashkimit Europian kanë të ardhura mesatare për frymë në vit prej 35.8 mijë dollarë, ose gati 7 herë më të larta sesa të shqiptarëve, sipas shifrave të FMN.

Në botë, kryeson Luksemburgu (113 mijë dollarë), kryesisht për shkak të pasurisë së të huajve, e ndjekur nga Zvicra (83,717 USD), Macao SAR (81,152 USD), Norvegjia (77,975 USD), Irlanda (77,771 USD), Katari (69,688 USD), Islanda (67,037 USD), Shtetet e Bashkuara të Amerikës (65,112 USD), Singapori (63,987 USD).

Institucionet ndërkombëtare ulën parashikimin për rritjen ekonomike

Shpresat për të pasur më shumë të ardhura janë zbehur, pasi të gjitha institucionet ndërkombëtare kanë ulur parashikimet për rritjen ekonomike të vendit në 2019-n.

FMN pret që vendi të rritet mesatarisht me 3%, sipas Pasqyrës Ekonomike Globale të tetorit, nga 3.7% që ishte pritshmëria në prill.

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) pret që Shqipëria të rritet me 2.8 % këtë vit, duke e rishikuar me ulje prej 1.1 pikë përqindje në krahasim me raportin e muajit maj. Banka Botërore e pret zgjerimin e ekonomisë në 2.9% për këtë vit./ Monitor

   

LEXO TE PLOTE

Ekonomi

Kompjuterët po marrin kontrollin mbi tregjet financiare

Publikuar

-

Nga

Puna e tregjeve të kapitalit është të përpunojë informacionin në mënyrë që kursimet të shkojnë drejt projekteve dhe firmave më të mira. Në pamje të parë, kjo e bën financimin e niveleve të lartë të duket i thjeshtë, por në të vërtetë, ai është shumë dinamik dhe, mbi të gjitha, i komplikuar.

Ai pasqyron një botë në ndryshim. Tregjet e sotme, për shembull, po përballen me luftën tregtare dhe me normat e ulëta të interesit. Por ai pasqyron edhe ndryshime brenda financave, të cilat vazhdimisht e rikrijojnë veten në një luftë të përhershme për të fituar një avantazh konkurrues. Ashtu siç përshkruhet edhe në këtë artikull, revolucioni i fundit është në nivelin më të lartë. Makineritë kanë marrë kontrollin mbi investimin, dhe jo vetëm sa i takon blerjes dhe shitjes së letrave me vlerë, por edhe kontrollin në nivele më të larta, në atë të monitorimit të ekonomisë dhe ndarjes së kapitalit.

Fondet që drejtohen nga kompjuterët, që ndjekin rregullat e vendosura nga njerëzit, përbëjnë 35% të tregjeve të aksioneve të Amerikës, 60% të aseteve të kapitalit institucional dhe 60% të veprimtarisë tregtare. Programet e reja të Inteligjencës Artificiale po i përcaktojnë vetë rregullat e tyre të investimit, në mënyrë që njerëzit t’i kuptojnë ato vetëm pjesërisht. Industritë e ndryshme, duke filluar që nga ato të shpërndarjes së picave e deri tek Hollywood-i, po ndryshohen nga teknologjia, por financat janë unike sepse ato mund të ushtrojnë fuqinë e votimit mbi firmat, të rishpërndajnë pasurinë dhe të shkaktojnë një kaos të vërtetë në ekonomi.

Për shkak se ato merren me shuma të mëdha, financat gjithmonë kanë pasur para për të arritur suksese që në vitet e hershme. Kështu, për shembull, kablloja e parë transatlantike, e cila përfundoi në vitin 1866, e cila lidhi Liverpool-in me Nju Jorkun. Analistët e Wall Street i kushtuan rëndësi të madhe programeve si excel-i që në fillim të viteve 1980, dhe që prej asaj periudhe, kompjuterët kanë pushtuar industrinë financiare. Një ndër proceset e para që u ekzekutua ishte ai i urdhrave për blerje dhe shitje. Nëse do të vizitoni një institucion tregtar sot, ajo që do të dëgjoni do të jetë zhurma e serverëve dhe jo zhurma e tregtarëve.

Tregtia me frekuencë të lartë përfiton nga ndryshimet e vogla në çmimin e letrave me vlerë, duke përdorur një mori transaksionesh. Në dekadën e kaluar, kompjuterët kanë drejtuar edhe portofolat. Fondet e investimeve të tregtueshme në bursa (ETFs) dhe fondet e ndërsjella ndjekin automatikisht indekset e aksioneve dhe të bonove. Muajin e kaluar, këto mjete investuan 4.3 trilionë dollarë në kapitalin amerikan, duke tejkaluar shumat e drejtuara në mënyrë aktive për herë të parë nga njerëzit.

Sa më shumë kalon koha, aq më shumë kompjuterët po fitojnë autonominë. Programet softuerikë, që përdorin Inteligjencën Artificiale, po krijojnë strategjitë e tyre pa pasur nevojë për drejtimin e njerëzve. Shumë njerëz janë skeptikë në drejtim të Inteligjencës Artificiale por rritja e fuqisë përpunuese ndikon edhe në rritjen e aftësive të saj. Dhe nëse do të marrin në konsideratë rrjedhjen e informacionit nëpërmjet kompjuterëve, ajo nuk mund të krahasohet me informacionin që marrin menaxherët e fondeve, të cilët duhet të lexojnë raporte dhe të takojnë firmat të ndryshme duke u bazuar në rregullat strikte të tregtimit të brendshëm dhe të ruajtjes së informacionit.

Këto janë krijuar për të kontrolluar atë që është në domenin publik dhe për të siguruar që të gjithë të kenë akses të barabartë në të. Sot, burime pothuajse të pafund të dhënash dhe fuqia përpunuese po krijon mënyra të reja për të vlerësuar investimet. Për shembull, disa fonde përpiqen të përdorin satelitët për të gjurmuar parkingjet përpara dyqaneve me pakicë dhe të marrin të dhëna mbi inflacionin nga faqet e tregtisë elektronike. Dhe rrjedhimisht, ata do të kenë një informacion më të përditësuar në lidhje me firma të ndryshme, madje më të përditësuar edhe se vetë bordet drejtuese të këtyre firmave.

LEXO EDHE:  “Shpëton” TAP/ Pse Italia nuk e ndalon dot projektin e gazsjellësit

LEXO EDHE:  TAP, parakualifikohen 4 kompani shqiptare

Deri më tani, fuqizimi i kompjuterëve i ka demokratizuar financat, duke reduktuar kostot. Një fond tipik i investimeve të tregtueshme në bursë (ETF), tarifohet me 0.1%, krahasuar me ndoshta 1% të një fondi aktiv. Ju mund të blini ETF edhe nga telefoni tuaj. Një luftë e vazhdueshme e çmimeve do të thotë që kostoja e tregtimit ka rënë dhe tregjet janë bërë më likuide se kurrë më parë. Sidomos kur kthimet në shumicën e investimeve janë aq të ulëta sa ato të sotme, gjithçka bëhet më e qartë. Megjithatë, epoka në zhvillim e financave të dominuara nga makineritë krijon padyshim edhe shqetësime, ku një prej më të rëndësishmeve është stabiliteti financiar.

Investitorët me përvojë ankohen se kompjuterët mund të shtrembërojnë çmimet e aseteve. Rregullatorët shqetësohen se likuiditeti do të zhduket, teksa tregjet do të bien. Këto pretendime mund të anashkalohen sepse njerëzit janë plotësisht të aftë të shkaktojnë edhe vetë një kaos të vërtetë, dhe kompjuterët të jenë ata që mund të ndihmojnë në menaxhimin e rrezikut. Sidoqoftë, incidentet që kanë ndodhur nuk janë të pakta, dhe këtu mund të përmendim çrregullimin në çmimet e ETF-së në vitin 2010, një rënie të theksuar të sterlinës në vitin 2016 dhe një rënie të çmimeve të borxhit dhjetorin e vitit të kaluar. Dhe pikërisht skeptikët mendojnë se me fuqizimin e mëtejshëm të kompjuterëve, incidente të tilla mund të bëhen edhe më të rënda dhe mund të ndodhin më shpesh.

Një shqetësim tjetër është se si mund të përqendrohet pasuria te financat e kompjuterizuara. Për shkak se performanca mbështetet më shumë në fuqinë përpunuese dhe tek të dhënat, ata që kanë më shumë ndikim mund të arrijnë të gjenerojnë sasi të mëdha parash. Investitorët e shumtë argumentojnë se çdo avantazh që ata kanë pasur mund të konkurrohet lehtësisht. Sidoqoftë, disa fonde po paguajnë për të siguruar të drejtat ekskluzive të të dhënave. Imagjinoni, për shembull, JPMorgan Chase të përdorte të dhënat e saj të brendshme mbi flukset e kartave të kreditit për të tregtuar bonot e Thesarit të tregut. Këto lloje konfliktesh, aktualisht hipotetike, shumë shpejt mund të ndodhin me të vërtetë.

Një shqetësim i fundit është qeverisja e korporatave. Për dekada të tëra, bordet e kompanive janë votuar nga menaxherët e fondeve në emër të klientëve të tyre. Po sikur ato aksione të drejtohen nga kompjuterët që janë agnostikë, ose më keq, janë programuar për të ndjekur një objektiv të caktuar siç është detyrimi i firmave për të paguar një dividend me çdo kusht? Sigurisht që njerëzit mund ta tejkalojnë këtë. Për shembull, BlackRock, firma më e madhe e ETF-ve, u jep firmave udhëzime mbi strategjinë dhe politikën mjedisore. Por kjo ngre edhe një problem tjetër: nëse pasuritë u kalojnë disa menaxherëve të fondeve të mëdha me ekonomi të shkallës, ata do të kenë fuqi votimi të pakufizuar mbi ekonominë.

Hej Siri, a mund të investosh ti, kursimet e së gjithë jetës sime?

Risitë në financa janë të shumta, por shpeshherë ato çojnë në kriza sepse fitojnë shumë besim në vetvete. Në shekullin e 18-të, shoqëria aksionere krijoi flluska, përpara se të fillonte ta bënte biznesin në shkallë të gjerë në shekullin e 19-të.
Parimet e gjera të rregullimit të tregut janë të përhershme: trajtimi i barabartë i të gjithë klientëve, akses i barabartë ndaj informacionit dhe promovimi i konkurrencës. Sidoqoftë, revolucioni i makinerive kompjuterike duket sikur do t’i bëjë rregullat e sotme të duken tmerrësisht të vjetruara. Investitorët njerëzorë do të zbulojnë dhe do të pranojnë se ata nuk janë më, më të zgjuarit e kësaj fushe./Monitor

LEXO TE PLOTE

Ekonomi

Fitimet që po “vrasin” ekonominë

Publikuar

-

Nga

Maksimizimi i fitimeve është qëllimi kryesor i çdo firme, që e arrin përmes gjetjes së ekuilibrit të nivelit të prodhimit apo qarkullimit të mallrave, kostos së prodhimit/shërbimeve dhe çmimit të shitjes.

Sa më konkurrues të jetë tregu, aq më e vështirë e ka një kompani të arrijë fitime të larta dhe e kundërta, sa më afër monopolit të jetë tregu apo shërbimi që ofrohet, aq më e lehtë është arritja e qëllimit të maksimizimit të fitimeve.

Këto fitime, në afatin e mesëm e të gjatë, firma i riinveston, për t’u bërë më konkurruese në treg, për të rritur produktivitetin, për të përmirësuar teknologjinë, për të realizuar novacione e shpikje, që i mundësojnë asaj të mbijetojë nga njëra anë. Nga ana tjetër, kjo sjellje e bizneseve private e ndikon pozitivisht ekonominë, përmes ofrimit të produkteve e shërbimeve më të lira e novatore për konsumatorët, hapjes së vendeve të reja të punës e rritjes së pagave për punonjësit ekzistues, pagimit të taksave për shtetin e kështu me radhë.

Në Shqipëri, ky zinxhir prej vitesh ka qenë i shkëputur. Bizneset shqiptare të pas tranzicionit ishin të vogla dhe me fitime të ulëta. Ishin sipërmarrjet e huaja ato që kishin njohuritë dhe kapitalin e nevojshëm për të arritur ekonominë e shkallës dhe për të gjeneruar likuiditete të larta. Por, pjesa më e madhe e fitimeve të tyre transferohej jashtë te mëmat, sesa riinvestohej në vend. Në periudhën e 2008 – 2012, transferimi i fitimeve të dy operatorëve celularë, që vepruan prej vitesh në një treg oligopol, ishte aq i lartë për madhësinë e ekonomisë, saqë e forcoi euron nga 124 lekë, në gati 140 lekë brenda një periudhe të shkurtër. Pak vlerë mbeti brenda vendit.

Sot, pas disa dekadash tranzicion, sipërmarrjet shqiptare janë forcuar, kanë krijuar kapitale dhe po kërkojnë të zgjerohen, por joshja e tyre kryesore është ndërtimi, tenderët, koncesionet. Firmat e huaja, sidomos ato me vlerë të shtuar të lartë, gjithnjë e më pak po gjejnë terren për të hyrë në Shqipëri, me sistemin me material porositësi që vijon të dominojë. Vendi renditet sot në pozicionin e 110 në nëntreguesin e kapacitetit inovativ, nga 140 shtete, në Indeksin e Konkurrueshmërisë Globale (ndër të fundit në Europë).

Modeli i fitimeve vijon të mbetet i shtrembëruar. Vëmendja, vitet e fundit, ka kaluar te koncesionet, skema këto që në pjesën më të madhe kanë rezultuar korruptive, me kosto të larta për shtetin (me paratë e taksapaguesve në fakt) dhe përfitime të vogla për publikun. Renditja e “Monitor 200” të kompanive me fitime më të mëdha tregon se koncesionet janë segmenti që ka gjeneruar normat më të larta të fitimit në ekonomi, me një mesatare që llogaritet në rreth 30%. Këto koncesione nuk kanë marrë përsipër asnjë rrezik, përkundrazi, atë e mban të gjithë shteti. Paradoksalisht, ky i fundit po i paguan koncesionarët dhe për shërbime që ata nuk i kryejnë, vetëm e vetëm që t’i kenë fitimet e garantuara.

LEXO EDHE:  Projekti i gazsjellësit TAP me para të Ndragetës, oligarkëve rusë dhe llogarive “off shore”

LEXO EDHE:  Vodhën naftën e TAP-it/ Në pranga 5 persona

Është shteti ai që po nxit një ekonomi parazitare, përmes kanalizimit të parave buxhetore, – që mblidhen nga mundi i atyre bizneseve që nuk kanë asnjë mbështetje dhe i konsumatorëve përmes pagimit të TVSH-së e tatimit mbi të ardhurat – tek një grusht sipërmarrjesh, që po realizojnë fitime të kollajta

Në vend të dytë renditen sipërmarrjet që e kanë biznesin e tyre të bazuar te tenderët, që paguhen sërish me paratë e taksapaguesve. Mungesa e konkurrencës në tenderë, apo gara fiktive, po bën që shumë prej tyre të fitohen afër fondit limit dhe siç ka rezultuar, fitimet janë aq të larta, saqë janë shpikur skema faturimesh të falsifikuara vetëm për të fryrë shpenzimet e për të paguar më pak taksa.

Është shteti ai që po nxit një ekonomi parazitare, përmes kanalizimit të parave buxhetore, – që mblidhen nga mundi i atyre bizneseve që nuk kanë asnjë mbështetje dhe i konsumatorëve përmes pagimit të TVSH-së e tatimit mbi të ardhurat – tek një grusht sipërmarrjesh, që po realizojnë fitime të kollajta. Këto fitime, sa lehtë gjenerohen, po aq lehtë dhe shpërdorohen, një pjesë si tarifë korrupsioni dhe një pjesë për t’u riinvestuar në biznese të ngjashme, po me fitime të garantuara, po me pak apo aspak ndikim në rritjen e konkurrueshmërisë e vlerës së shtuar të ekonomisë.

Në kahun tjetër, kjo sjellje po dekurajon ato mijëra biznese që mundohen të mbijetojnë në një mjedis aspak të favorshëm e të drejtë, por dhe ata taksapagues që shohin që taksat e tyre, jo vetëm nuk u kthehen mbrapsht, por kanalizohen në mënyrë të organizuar në tepsinë që kontrollohet ngushtë nga qeveria e një grusht të preferuarish specialë./ Editorial-Monitor

LEXO TE PLOTE