Connect with Us

“Do përfaqësojë BE, por nuk mund të shkelë në fshatin e tij”/ Kush është pasuesi i Mogherinit

Blog

“Do përfaqësojë BE, por nuk mund të shkelë në fshatin e tij”/ Kush është pasuesi i Mogherinit

Publikuar

-

I ngarkuari i ri BE-së për Politikën e Jashtme, pasuesi i Federica Mogherinit njihet si njeri i fjalëve të qarta.

Nuk mund të lihet pa përmendur ironia – Joseph Borrell, njeriu që si përfaqëues i Bashkimit Europian në politikën e jashtme do të përfaqësojë BE nëpër botë, nuk mund të shkelë pikërisht në fshatin e tij të lindjes në Katalonjë. Atje është shumë e fortë urrejtja kundër tij, është shprehur ai në një intervistë para disa muajsh për gazetën gjermane “Süddeutsche Zeitung”.

Joseph Borrell është mbrojtës i vendosur i unitetit të Spanjës, për separatistët katalanë ai është tradhtar. Ata e ndjenë si fyerje emërimin e tij si ministër të Jashtëm të Spanjës nga kryeministri Pedro Sanchez. Tani Borrell merr një nga postet më të rëndësishme në Bruksel.

Joseph Borrel ka studiuar në Stanford dhe Paris, ka jetuar një kohë të gjatë në një komunë izraelite, dhe ka një përvojë të gjatë në politikën spanjolle dhe europiane. Askush nuk dyshon në Bruksel në aftësitë intelektuale, dhe talentin e tij politik. Ndoshta mosha e tij mund të jetë një pengesë, vitin e ardhshëm, Joseph Borrell mbush 73 vjeç. Por diplomacia si art i fjalës dhe mesazhet e mëdha nuk janë gjithmonë armët e tij të mëdha.

Një njeri i fjalëve të qarta

Por në kohë të rëndësishme strategjike për të forcuar Europën si  fuqi e pavarur mes SHBA dhe Kinës, dhe për t’i dalë përballë Putinit që gjithmonë shikon, se deri ku mund t’i shkelë kufijtë, Borrellit nuk i bën dëm aftësia e tij për t’i formuluar gjërat qartë dhe vetëbesimi. Presidentja e BE, Ursula von der Leyen, kryetarja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde e Joseph Borrell, të mbështetur nga kancelarja Merkel e presidenti Macron. BE ka krijuar një ekip të fortë me përfaqësues me përvojë. Megjithatë duhet parë me vëmendje, se si do t’ia dalë Borrell të ruajë balancën brenda- europiane me interesat specifike të Lindjes dhe Europës Qendrore.

Shpresa ka edhe për njerëzit që vuajnë nga diktaturat e mbetura të Amerikës Latine, këtu Borrell si i ngarkuar i politikës së jashtme do të rrisë presionin kundër regjimeve të padrejtësive atje. Ka qenë Borrell që e çoi përpara njohjen nga Spanja të kreut të opozitës venezuelane, Guaido si  president legjitim të përkohshëm. Prej kohësh Spanja është për vendet e Amerikës Latine aktori më i rëndësishëm në Europë, pozicionet politike që formulohen në Madrid, gjenden shpesh më vonë në rezolutat e Parlamentit Europian dhe politikën e kryeqyteteve të tjera europiane.

Aksi Berlin-Paris-Madrid

Tani Spanja do të jetë më aktive dhe për këtë zgjedhja e Borrelit është momenti i duhur për këtë vend. Përmes Brexit dhe gjendjes së ndryshuar në Itali, shpresa ekziston që aksi Berlin-Paris të shtohet me një partner të ri, Madridin. Për Europën ky do të ishte një hap pozitiv. Shtetet jugore, anëtare të BE megjithë sfidat e brendshme politike do të kishin me Spanjën një avokat të merituar, të orientuar nga multilateralizmi, të qëndrueshëm, proeuropian.

Tërheqja e Portugalisë do ta kthente gadishullin iberik përfundimisht në një qendër të tretë të fortë të Europës. Politikë e qëndrueshme buxhetore dhe financiare e bashkuar me politikën shoqërore liberale – më shumë se kaq nuk mund të dëshirojë veriu europian. Joseph Borrell do të mbështesë Spanjën në Europë, edhe kështu mund ta interpretojë kryeministri Pedro Sanchez emërimin e Joseph Borrell si të ngarkuar për politikën e jashtme të BE./ DW

KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Bojë sepjesh, ose një mistifikim i pafajshëm letrar

Publikuar

-

Nga

Nga Edion Petriti

« Ana vriste mendjen se pse dorëshkrimet, letrat e dashurisë që i dërgonte Çimi, vinin era peshk. Në atë kohë, ajo pak e dinte, – në mos nuk fare, – se në vendin e bekuar ku komunizmi ndërtohej vërtet, nuk kishte shirita të zinj për makina shkrimi, ndaj dhe shumë vetë përdornin bojën e sepies për t’u dhënë ngjyrë… — (nga romani im i ri, që sapo ka dalë nga shtypi). »

Nuk e di se përse dreqin, – një ditë më parë – më shkrepi t’u punoja një rreng të vogël shumë prej miqve që kam në platformën time sociale, Facebook. Gjithçka nisi me një paragraf të shkruar në celular, në autobusin e linjës, mbi një çift me emrin Ana dhe Çimi (sa banale!); ky i fundit autor i ca letrave dashurie, me shije të dyshimtë letrare dhe që vinin era peshk, për faktin se djalka ynë shpresëmirë reliktet e veta në lëmë të letërsisë i  shkruante në makinë shkrimi dhe për mungesë shiritash të zinj, u jepte atyre ngjyrë duke përdorur bojën e sepjeve. Shtoji kësaj edhe një kopertinë fiktive të cilën e punova me aplikacionin «Canva». Libri mëtonte se ishte botuar në Tiranë, më 2019 dhe mbante titullin e lavdishëm «Ngazëllime të komunizmit». Autori isha po unë, Edión Petriti, dora vetë!

Gjithçka nisi të bëhej e sikletshme kur nisa të merrja urimet e para nga miq të mirë, mendimet dhe ndjenjat e afeksionit të të cilëve i doja dhe i çmoja… nisa të ndihesha pak si keq. Shumë veta e bashkëndanë (i bënë « share »), diçka edhe më e çuditshme; madje, një i afërmi im në Gjermani u ofrua ta blinte në Amazon.com, gjithmonë nëse kishte dalë nga shtypi dhe mund të blihej. Më premtonte t’i bënte reklamë në të gjitha qarqet shqiptare të emigrantëve të atjeshëm; në këtë mënyrë do kisha mundësi të hiqja edhe një pjesë të shpenzimeve të librit. Dihet… intelektualët dhe paratë këtu në vendin tim nuk para shkojnë mirë bashkë (veç në mos qofsh një intelektual i përkëdhelur i listave me tituj letrarë të ndonjë ministrie arsimi).

Një miku im më këshilloi ta vazhdoja lojën; në fund të fundit edhe po të dilte në shesh, do diskutohej për nja tri ditë dhe më pas, do harrohej dhe pikë! Madje, faqe botës shpallte : Nëse ma lejon një këshillë, si lexues i parë i librit dhe që e kam ndjekur hap pas hapi, do të lutesha të mos bëje gabimin e shumë të rinjve, dhe te mos e botoje menjëherë. Libri ka lëndë të rrëfyer me stil dhe qasje origjinale. Ka ende hapësirë për përpunim. Sidomos, periudha pas vdekjes së diktatorit e veçanërisht personazhi i shoqes «A».

Për fat të keq, e gjithë çështja nuk mbaroi me kaq; nisa të merrja mesazhe të ethshme nga një mësues gjeografie i shkollës së mesme, i cili betohej, duke cituar listën e shtëpisë, se e kishte lexuar librin me një frymë dhe i kishte pëlqyer jashtë mase; do ishte mirë vetëm që mbyllja (eh, ajo e shkretë mbyllje!) të ishte pak më e arrirë. U ndjeva vërtet i prekur në sedër! E përse libri im – i paqenë, meqë ra fjala! – duhej ta paskësh pasur mbylljen më të arrirë? A thua se unë nuk arrija dot të stisja një farë «closure» për atë paçavure, siç i thonë rëndom veprës në zhargon letrar? A thua të jem edhe unë një shkrimtar mediokër, që nuk arrin të mbyllë dot një libër në dorëshkrim dhe që makinën e shkrimit e ka blerë pikërisht për prokrastinim, për ta shtyrë e për ta shtyrë shkrimin e më pas botimin e romanit të madh shqiptar të viteve ’20?

Megjithatë, e falënderova për fjalët e mira dhe i premtova t’i dërgoja një kopje, sapo të më dërgonte adresën e shkollës; thellë në shpirt shpresoja të ishte nga ato zona që nxënësit e kishin braktisur në masë, për të shkuar në Gjermani e për të mos u rikthyer më kurrë, që ta dinte edhe ai se ç’ishte hidhërimi – në mos ai i një shkrimtari, librat e të cilit nuk e kishin mbylljen të arrirë, të paktën ai i një mësuesi të gjeografisë të shkollës së mesme, i cili i shpjegonte një klase bosh!

Tani e kuptoj përse në Shqipëri, kritika letrare nuk ekziston! Të gjithë besojnë menjëherë atë që e shohin në mediet sociale, pa e vënë në pikëpyetje! Pa e vënë në diskutim, pa e parë me sy e prekur me dorë (parimi i shën Thomait) një vepër të paqenë, e cila e sheh dritën aty për aty, për të vdekur menjëherë më pas, po në mediet sociale! Imagjino… në çdo cep rruge, në çdo kryqëzim, nga një autor të inatosur, – ç’po them… të xhindosur, furi e tërbuar – dhe kritikë të pafajshëm që bëjnë shëtitje, pa e ditur se ku po shkojnë (a thua se vetë Krishti t’i kish porositur të shkonin mes lexuesve si « qengja në mes të ujqërve! »). Eh, « punë e rôndë », do thoshte një hoxhë kosovar mjaft popullor i ditëve tona! Kësaj ia kam pasur gjithmonë frikën!

LEXO TE PLOTE

Blog

A parapëlqejnë vërtet gratë të martohen me burra të pasur, sesa me ata simpatikë?

Publikuar

-

Nga

Një nga gjetjet më interesante në psikologjinë evolucionare, është dukuria që burrat dhe gratë ndryshojnë në karakteristikat që preferojnë tek bashkëshortët e tyre të mundshëm. Studim pas studimi, psikologët konstatojnë vazhdimisht se burrat preferojnë të shohin anën financiare, ndërsa gratë të vlerësojnë pamjen e jashtme.

Shpjegimi standard nga psikologjia evolucionare, njihet si teoria evolucionare e preferencave, dhe shpjegohet pa e shumë kështu:Burrat kërkojnë gra të shëndetshme, pjellore, të cilat do të rrisin pasardhës me cilësi të lartë. Meqë pjelloria tek gratë ndodh në adoleshencën e vonë, dhe arrin kulmin në mesin e të njëzetave, burrat preferojnë t’i kenë bashkëshortet në atë moshë kur të martohen.

Për më tepër, tiparet e bukurisë femërore – si raporti i përmasave trupore, lëkura e pastër dhe flokët joshëse – janë të gjitha shenja të shëndetit të mirë. Ndaj është e natyrshme që burrat t’i konsiderojnë tërheqëse këto elementë. Në të kundërt sipas teorisë, gratë janë në një lloj disavantazhi natyror, kur bëhet fjalë për qasjen ndaj burimeve financiare.

Ato janë fizikisht më të dobëta se sa burrat, dhe karriera e tyre ndërpritet nga shtatzënia dhe rritja e fëmijëve. Pra gratë janë të varura nga burrat për sigurimin e jetesës së tyre dhe fëmijëve të tyre. Dhe kjo është arsyeja, pse ato vlerësojnë burimet financare, për sa i përket një partneri të mundshëm.

Kjo qasje i ka rënjët në zhvillimin evolucionar. Njerëzit modernë u shfaqën rreth 200.000 vjet më parë. Ata jetuan si gjahtarë dhe mbledhës, në grupe prej rreth 100 vetësh. Pikërisht atëhere, do të shfaqej ndonjë model sjelljeje apo njohjeje unike e njeriut. Dhe kjo është arsyeja pse shkencëtarët e quajnë atë mjedis të përshtatjes evolucionare.

Rreth 10.000 vjet më parë, njerëzit kaluan në bujqësi. Dhe aftësia për të prodhuar ushqim me bollëk, shkaktoi lindjen e qytetërimeve dhe zgjerimin e shpejtë të teknologjisë, duke çuar deri tek shoqëritë moderne industriale ku jetojmë sot. Ndërkohë, njësia themelore shoqërore kaloi nga grupi tek familja.

Në ato kushte, duhej të ekzistonin edhe rregulla të qarta se kush kishte në pronësi çfarë, dhe kush e trashëgonte atë. Ardhja e bujqësisë, përkoi me kohën kur gratë u nënshtruan nga burrat. Në shoqëritë gjahtar-grumbulluese, gratë kishin një nivel të lartë prestigji, pasi siguronin shumicën e ushqimit për grupin.

Meqë ato ishin grumbulluese, në fund të ditës sillnin disa lloj ushqimesh bimore, rrënjë, manaferra, kokrra drithi, zarzavate. Ndërkohë, burrat ktheheshin shpesh duar bosh në shtëpi nga gjuetia e kafshëve të egra. Pra, është e qartë se gratë nuk vareshin nga burrat për mbijetesë.

Dhe kjo do të thotë, se nuk duhet të kishte ndonjë preferencë evolucionare femërore ndaj burrave që sigurojnë të ardhura, mbi ato me një pamje më simpatike. Për më tepër, çdo gjë që ishte e mbrojtur nga toka ishte e ndarë me grupin, dhe kështu nuk kishte asnjë dallim midis burrave të pasur dhe burrave të varfër.

Si një alternative ndaj teorisë së evolucionit të preferencave, psikologët Ekis Egli dhe Uendi Ud propozuan 2 dekada më parë teorinë e rolit social, për të shpjeguar ndryshimet e vëzhguara tek dy gjinitë mbi preferencat ndaj bashkëshortëve. Sipas kësaj të fundit, preferenca e grave ndaj meshkujve të pasur ndaj atyre simpatikë, është më tepër një përgjigje ndaj organizimit aktual shoqëror, sesa një produkt i së kaluarës sonë evolucionare.

Me kalimin tek bujqësia, pati një zhvendosje në rolet që burrat dhe gratë luanin në shoqëri. Punimi i tokës dhe mbarështimi i kafshëve, kërkonin një forcë të madhe fizike. Ndaj roli i grave u transferua në punët shtëpiake si kujdesi për fëmijët, gatimi, pastrimi apo edhe artizanetet si endja.

Dhe për shkak se gratë nuk mund të siguronin më ushqim për veten e tyre, ato u detyruan të varen nga burimet financiare të burrit të tyre. Për më tepër, vetëm nën epokën e bujqësisë, filluam të shohim shtresëzimin e shoqërisë në të pasur dhe të varfër. Dhe sapo lindën qytetërimet komplekse, më të pasurit nuk e punonin vetë tokën.

Ata ishin zakonisht pronarë tokash, tregtarë, burokratë dhe klerikë, profesione që nuk kërkonin ndonjë sforco të madhe fizike. Kësisoj gratë u detyruan të zgjidhnin midis një burri të pashëm duke mbetur të varfëra, ose një burri mediokër dhe të jetonin në rehati.

Në fund të shekullit XX, gratë bënë përpjekje të mëdha për të rivendosur barazinë gjinore, që e kishin humbur me ardhjen e bujqësisë. Kështu, teoria e rolit shoqëror parashikon që preferencat e grave për bashkëshortët e tyre, duhet të zhvendoset drejt burimeve financiare, deri në masën që ato të mos varen më nga burrat. Ndërkohë në kulturat ku gratë kanë më shumë liri ekonomike dhe politike, ato i kushtojnë më pak rëndësi financave të një burri, dhe më shumë rëndësi pamjes së tij të jashtme./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

“Një vend dy sisteme”/ Historia që fshihet pas protestave në Hong Kong

Publikuar

-

Nga

Protestat po trondisin prej disa muajsh Hong Kongun. Nga 31 marsi, këto protesta kanë fituar simpatinë e botës, teksa janë dënuar Partia Komuniste në Pekin. Ato shpërthyen pas miratimit të një ligji të diskutueshëm, që mund ta lejojë qeverinë kontinentale të ekstradojë qytetarët e Hong Kongut, për akuzat e aktiviteteve disidente.

Ligji duket se përputhet me synimin e presidentit të vendit Xi Jinping, për të përqendruar sa më shumë pushtet në duart e tij, dhe për ta lidhur identitetin kombëtar kinez me vetë Partinë Komuniste. Ndërkohë një pjesë e konsiderueshme e popullsisë në Hong Kong, kanë pikëpamje të kundërta me politikën e partisë.

Historia e qytetit si koloni britanike, dhe marrëdhënia me Pekinin, janë ato që e ndërlikojnë sot situatën. “Tensionet midis Hong Kongut dhe Partisë Komuniste, nuk kanë qenë kurrë më të larta sesa sot” -thotë Lin Uajt, profesore në Shkollën Udrou Uillson të Universitetit Prinston, dhe bashkëpunëtore e programit të Studimeve mbi Azinë Lindore.

Kombet jo-kineze, kanë një histori të gjatë të përfshirjes ekonomike dhe politike në Hong Kong. Megjithatë, është sundimi kolonial britanik, ai që ka ndikimin me të qëndrueshëm. Kjo shihet si në identitetin kulturor të Hong Kongut, ashtu edhe në marrëdhëniet e trazuara të ishullit me Pekinin.

Uajt thotë:”Trashëgimia britanike, dhe diversifikimi më i madh i njerëzve në Hong Kong, ka krijuar një situatë, ku Partia Komuniste e ka më shumë problem ta kontrollojë atë, sesa qytetet e modernizuara në pjesën kontinentale dhe që janë disi të ngjashme si Guangzhou dhe Shanghai”.

Britania e mori nën kontroll Hong Kongun në mesin e viteve 1800, pas luftërave shkatërruese në rajon. Gjatë kësaj periudhe, struktura e pushtetit ishte një përzierje e perëndimorëve dhe kinezëve. Në vitet 1920, një lëvizje nacionaliste gati e përzuri Britaninë nga Hong Kongu.

Kjo i detyroi qeveritarët kolonialë, të përqendroheshin tek përfshirja e mëtejshme të biznesmenëve kinezë në administratë dhe Këshillin Legjislativ.

Japonia e pushtoi ishullin gjatë Luftës së Dytë Botërore, por Britania rifitoi kontrollin e tij pas luftës. Epoka e pasluftës, u karakterizua nga konsolidimi i “manjato-kracisë”, krahas zbatimit të shumë reformave sociale. Për shembull, një zjarr i madh në vitin 1953 la 53.000 njerëz të pastrehë.

Të prekurit, ishin kryesisht emigrantë nga Republika Popullore e Kinës, që ishin arratisur prej regjimi komunist. Ajo katastrofë, bëri që qeveria e Hong Kongut të investojë shumë para në programet e mirëqenies sociale. Kur Britania hoqi dorë nga kontrolli mbi Hong Kongun, qyteti kishte një identitet unik, të bazuar tek diversiteti i tij dhe ekspozimi ndaj liberalizmit perëndimor. Britania hoqi dorë nga kontrolli i Hong Kongut në vitin 1997.

Disa vite para asaj ngjarje, të njohur zakonisht si “Dorëzimi”, qeveria britanike miratoi një ligj zgjedhor që edhe pse për një kohë të shkurtër, i garantoi Hong Kongut një shije të demokracisë dhe vetë-qeverisjes. Këto përvoja, janë ende në mendjet e protestuesve që protesojnë sot rrugëve të Hong Kongut.

“Guvernatori i fundit britanik i qytetit, Kristofer Paten, mbikëqyri zgjedhjet e ndershme të vitit 1995. Kujtimet e tyre, vazhdojnë të mbijetojnë në mendjet e protestuesve në Hong Kong.

Ky qytet pati një periudhë të shkurtër demokracie të besueshme. Dhe nuk është shkëputur plotësisht nga ajo përvojë. Jo të gjithë në qytet, por gjithsesi shumë njerëz, e dëshirojnë atë sërish”- thekson Uajt.

Që nga marrja në dorëzim e qytetit, qeveria kineze ka ndjekur politikën “një vend dy sisteme”. Ideja është që Hong Kongu mund të jetë pjesë e Kinës, me kushtin që të ruajë një nivel  autonomie, që është në thelb i panjohur në thuajse çdo pjesë tjetër të Republikës Popullore.

Ky sistem ka funksionuar mjaft mirë deri vonë, sidomos pas përpjekjes së Partisë Komuniste për të centralizuar pushtetin. Ky centralizim po e vendos partinë në kundërvënie me popullsinë e madhe të Hong Kongut, që mbështetet tek biznesmenët e mëdhënj deri diku liberalë.

Uajt shton:”Nga viti 1990, ka pasur një reagim centralist kundër decentralizimit të pushtetit që ndodhi pas revolucionit të gjelbër dhe industrializimit rural në vitet 1960 -1980. Ky reagim politik, ka marrë një formë ekstreme nën presidentin Xi Jinping. Centralizimi i tij, mbështetet tek krenaria kombëtare, dhe ndjenja se Kina duhet të rifitojë vendin që i takon në skenën botërore.

Shumica e kinezëve, janë të sigurtë se vendi i tyre duhet të jetë më i fuqishmi në planet. Ligji i Ekstradimit, u miratua pas një tragjedie. Një çift nga Hong Kongu, ndodheshin me pushime në Tajvan. Burri vrau gruan, pasi ajo i tha që ishte shtatzënë, dhe se babai nuk ishte ai. Ky krim, shkaktoi zemërim në mbarë provincën.

Në fillim, autoritetet në Tajvant donin ta ndiqnin penalisht vrasësin. Sidoqoftë, ai ndodhej në Hong Kong, kur rrëfeu krimin. Midis Hong Kongut dhe Tajvanit apo Kinës kontonentale, nuk ekziston ndonjë marrëveshje ekstradimi. Keri Lam, shefja ekzekutive e Hong Kongut, propozoi ligjin e ekstradimit, që parashikon një mekanizëm për ekstradimin rast pas rasti.

Por problemi ishte se propozimi i Lam, përfshinte edhe ekstradimet në Kinën kontinentale. Kjo ngjalli dyshime se Pekini po e përdor këtë çështje, si një mbulim për gjetjen e një mekanizmi për të shkatërruar statuskuonë “një vend, dy sisteme”. “Xi pretendon zyrtarisht se Partia Komuniste ndjek politikën “një vend, dy sisteme”.

Ai thotë se ajo që po ndodh në Hong Kong, administrohet nga qeveria e Hong Kongut. Unë mendoj se shumë pak njerëz e besojnë këtë tani”- thekson Uajt. Ndërsa protestat vazhdojnë, taktikat e protestuesve ndryshojnë vazhdimisht. Përplasjet e dhunshme me policinë, janë shoqëruar me metoda më paqësore si ulja në rrugë dhe këndimi në kor i këngëve të ndryshme. Lam është përballur me probleme të mëdha, për shkak të ligjit të propozuar. Ndërsa ajo synon të tërheqë tashmë projekt-ligjin për ekstradimin, kjo nuk mund të ndodhë zyrtarisht deri muajin tjetër, kur të mblidhet Këshilli Legjislativ i qytetit.

Nëse Pekini është në fakt i përfshirë në projektligjin e ekstradimit, tërheqja mund të vijë për shkak të qëllimeve të tij afatgjata mbi Tajvanin. Tensionet midis Partisë Komuniste dhe ishullit të Tajvanit, kanë vazhduar për dekada. Politika shtetërore kineze, thotë se Tajvani është një provincë rebele, ndërsa qeveria në Tajvan pretendon sovranitetin.

Qytetarët e Hong Kongut dhe ata të Tajvanit, mbështesin vlerat liberale. Politika “një vend, dy sisteme”, u zhvillua në vitet 1980, si një mënyrë për të detyruar Tajvanin të pranonte direktiva nga Pekini. Përplasja e fortë në Hong Kong, nënkupton që Partia Komuniste e Xi-së mund të mos e respektojë më tej autonominë e ishullit. “Dhe ky është një problem për Xi-në”-përfundon Uajt./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE