LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

74 vende të lira pune të Kadastra/ Lame apel politikanëve

11 Shtator 2019, 09:35, Politikë CNA
74 vende të lira pune të Kadastra/ Lame apel politikanëve

Kreu i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame, në një deklaratë për mediat ka njoftuar sot hapjen e garës për 74 vende të lira pune në Kadastrat në të gjithë vendin.

Po ashtu, Lame sqaroi se bëhet fjalë për punësimin e 74 personave në strukturë, dhe jo punonjës me kontratë.

Gjithashtu, kreu i kadastrës, i drejtoi edhe një apel të fortë të gjithë politikanëve, që të mos ndërhyjnë për punësime, pasi për të zgjidhur nyjën e pronës, duhen profesionistë.

?Sfidat e Kadastrës janë dy, gjendja katastrofike e hartografisë, ka një deformim profesional disavjeçar. Deklaroj se reforma për rritjen e profesionalizimi do të vijojë. Do hapim garën për thithjen e profesionistëve të fushës. Sot hapim garën për punësimin e 74 personave, jo punonjës me kontratë, por punonjës në strukturë.

13 vende të lira në Tiranë, në Vlorë 9 vende dhe vendet e tjera në qytetet e tjera të vendit. Përfshirë gruan, kushërinjtë, prindërit, politikanëve të majtë e të djathtë, ju lutem mos më ndërhyni për punësime. Ne duam profesionistë, jo miq. Të zgjidhim nyjën e pronës, që është nyja më e rëndësishme dhe kjo zgjidhet vetëm em profesionalizëm?, tha Lame.

Deklarata e plotë:

KADASTRA BEN THIRRJE PER PROFESIONISTE
11.09.2019

Agjensia Shteterore e Kadastrës ka përmbyllur fazën e riorganizimit të saj dhe me kënaqësi ju bëj me dije se ky proces prodhoi një strukturë të re tërësisht të riorganizuar dhe eficente.
Por mbyllja e një procesi, hap menjëherë dyert për sfidën e rradhës.

Sfidat kryesore të Kadastrës sot janë dy:
E para, avancimi i rishikimit hartografik të gjithë problematikave në rang vendi. E dyta, ngritja e nivelit profesional të punonjësve tanë. Në këtë pikë mjafton të them se sot agjensia ka rreth 400 juristë të të gjitha shkollimeve, që nga ata me shkolla të mbaruara jashtë, e deri te ata me pasqyra e xhamlleqe.

Dhe, me gjithe këta juristë, i vetmi rezultat ka qenë hapja e mijëra gjyqeve për çështje pronësie, me pasojat e trishta që i dimë të gjithë. Po ka edhe më keq se juristët, pasi gjenden pa fund ekonomistë e biologë, historianë, sociologë, psikologë, e ku di unë çfarë tjetër, duke lënë në minorancë profesionet bazë të Kadastrës.

Nuk po i hyj këtu analizës se si është arritur ky deformim 20 vjeçar por, me keqardhje për fatin personal të secilit, deklaroj se reforma për rritjen e profesionalizmit do të vijojë. Rishikimi hartografik e bën të domosdoshme thithjen e fluksit të inxhinierëve. Dhe pikërisht për këtë, në vendet që lirohen, duam të hapim garën për thithjen e profesionistëve të fushës.

Pra sot unë po lajmëroj hapien e garës për punësimin e 74 specialistëve në strukturën e AKSH me profesione:
-Inxhinier ndërtimi;
-Arkitekturë;
-Urbanistikë;
-Gjeoinformatikë;
-Gjeodezi;
-Topografi.
Saktësoj, jo punonjës me kontratë, por punonjës në strukturë.

Në veçanti, dua t?i bëj një thirje dy kategorive. Në rradhë të parë, djemve e vajzave që kanë vullnet për punë, të vijnë dhe të konkurojnë dhe të kenë besim tek unë dhe tek forcat e tyre.

Nga ana tjetër, ju lutem të gjithë miqve, të njohurve, të afërmve përfshirë gruan dhe prindërit e mij, kushërinjve, deputetëve e ish-deputetëve, ministrave e ish-ministrave, të majtë e të djathtë e të qendrës, ju lutem mos më ndërhyni për punësime. Shteti shqiptar, kadastra shqiptare dhe unë duam profesionistë, jo miq. Në Kadastër ka me qindra profesionistë kokëulur, ka me dhjetra shefa e drejtorë që janë bërë të tillë pa futur mik, por thjesht me forcat, krahët dhe mendjen e tyre.

Të gjithë kërkojmë të zgjidhim nyje e pronës dhe nyja e pronës zgjidhet vetëm me profesionalizëm; dhe pastaj, të njëjtët njerëz që ankohen për cfarë kanë hequr, më kërkojnë me aman e me derman të fus në punë njërin a tjetrin jashtë profilit. O më thoni të bëj Kadastrën, o më thoni të bëj qokat e miqtë, të dyja nuk bëhen dot! Së bashku po e nisim edhe këtë reformë dhe vetëm së bashku mund ta çojmë atë përpara. Ju faleminderit.

Lajmet e fundit nga