Connect with Us

Pas riformatimit/ Njihuni me “lukun” e ri të bankave shqiptare

Ekonomi

Pas riformatimit/ Njihuni me “lukun” e ri të bankave shqiptare

Publikuar

-

Viti 2018 dhe gjysma e parë e vitit 2019 ishte një periudhë e rëndësishme për sistemin bankar, që kaloi një proces intensiv riformatimi. ABI Bank bleu në shkurt Bankën Kombëtare të Greqisë (NBG) dhe Intesa Sanpaolo finalizoi përthithjen e Veneto Bank. Në fund të 2018-s, numri i bankave u ul nga 16 në 14.

Në mars të këtij viti, “OTP Bank Nyrt” bleu bankën me kapital francez, “Societe Generale Albania” sh.a. “Union Bank” bleu në qershor “Bankën Ndërkombëtare Tregtare-ICB”.

Grupi shqiptar “Balfin” dhe “Komercijalna Banka” e Shkupit finalizuan blerjen e “Tirana Bank”. “Banka e Kreditit” të Shqipërisë, me një peshë prej vetëm 0.1% të totalit të aktiveve, ka kërkuar këtë vit likuidim vullnetar dhe ka dalë nga tregu.

Në këtë mënyrë, sistemi e mbylli 6- mujorin e parë me 13 banka (blerja e ICB nga “Union Bank” nuk është reflektuar ende në të dhënat e sistemit) dhe në gjysmën e dytë, pritet që të ketë 12.

Këto zhvillime kanë sjellë ndryshime në ndarjen e tregut të sistemit, sipas aktiveve, depozitave e kredive, në fund të 6-mujorit të parë 2018, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave.

-“Banka Amerikane e Investimeve” (ABI Bank) ka shënuar rritjen më të madhe të peshës së tregut sipas aktiveve, duke u zgjeruar me 2.1%, për të arritur në 5% të totalit të aktiveve, si rrjedhojë e përthithjes së NBG (kjo e fundit kishte 2.5% të tregut në fund të 6-mujorit të parë 2018). Ky konsolidim e ka ngjitur ABI Bank në bankën e shtatë më të madhe në sistem, nga vendi i nëntë që ishte më parë.

-“Intesa Sanpaolo”, pas përthithjes së “Veneto”, e ka rritur peshën e tregut me 1.2%, por ka mbetur në vend të tretë, me 12.1% të totalit.

-“Banka Kombëtare Tregtare” ka vijuar të konsolidojë vendin e parë, me 29.2% të aktiveve në fund të qershorit (+1.2%). Gjithsesi, Shoqata e Bankave vijon të raportojë të dhënat e BKT-së së bashku me degën e Kosovës, ndonëse që nga 1 janari ajo ka kaluar më vete.

-“Raiffeisen Bank” ka mbetur e dyta, por po vijon me shpejtësi të humbasë peshë në tregun bankar, duke zbritur në 14.9% të totalit. Në një vit, Raiffeisen ka shënuar rënien më të madhe me 1.4%.

-Banka “Credins”, në një rritje të shpejtë, po i afrohet me shpejtësi vendit të dytë. Në fund të qershorit, banka zotëronte 13.9% të totalit të aktiveve, duke u zgjeruar me 1 pikë përqindje.

-“OTP” Bank mori menaxhimin e bankës në mars, pasi përfundoi blerjen nga Societe Generale dhe një grup sipërmarrësish shqiptarë. Pesha e tregut, sipas aktiveve, ka mbetur pothuajse e pandryshuar, në 5.8%, duke u renditur në të pestën më të madhe në vend.

-“Tirana” Bank, në proces të ndryshimit të pronësisë, ka ulur peshën e tregut me 0.5% në 4.8%. Banka ka humbur një vend, duke kaluar në pozicionin e tetë, pas ngjitjes së ABI Bank.

-“Union” Bank ka rritur peshën e tregut nga 3.4% në qershor 2018, në 3.7% një vit më pas. Banka ka finalizuar tashmë përthithjen e ICB, duke e rritur më tej pozicionimin në 4.3%.

-Banka “ProCredit” zbriti në 2.1% të tregut në fund të qershorit, me një rënie të lehtë në raport me një vit më parë.

-Banka e “Parë e Investimeve” (me kapital bullgar), pasi nuk arriti që të blejë NBG, ka filluar një zgjerim të shpejtë organik, duke rritur peshën me 0.5% në një vit, për të arritur në 2.1% të totalit.

-Banka e Bashkuar e Shqipërisë vijon me një aktivitet modest, duke zënë vetëm 0.6% të totalit të aktiveve…

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekonomi

Pas tërmetit, ndryshon rregullorja për zhvillimin e territorit

Publikuar

-

Nga

Situata e post-tërmetit ka lënë pas emergjencën për riparime dhe ndërhyrje në objektet që janë dëmtuar. Për të përshpejtuar këtë proces Këshilli i Ministrave ka ndërhyrë në një vendim që lidhet pikërisht me këtë pikë duke shkurtuar afatin për dhënien e autorizimit për këtë pjesë. Konkretisht në mbledhjen e fundit qeveria miratoi ndryshimin e një pike në nenin 24 të rregullores për zhvillimin e territorit.

Ky ndryshim përcakton se në raste të jashtëzakonshme autoritetet vendore vendosin brenda 5 ditësh për pajisjen e leje ndërtimi.

“1/1. Autoriteti vendor vendos, me procedurë të përshpejtuar, brenda 5 (pesë) ditëve pune nga data e paraqitjes së aplikimit në sistemin e-leje, për pajisjen me leje ndërtimi, për ndërtimin, riparimin apo restaurimin e objekteve të dëmtuara, si pasojë e fatkeqësive natyrore dhe emergjencave civile.

Përjashtimisht, vetëm për këto raste, autoriteti përgjegjës për miratimin e lejeve të ndërtimit për ndërtimin, riparimin apo restaurimin e objekteve të dëmtuara, si pasojë e fatkeqësive natyrore dhe emergjencave civile, është kryetari i bashkisë brenda territorit administrativ të bashkisë ku kërkohet leja me procedurë të përshpejtuar, dhe:

  1. a) aplikimet paraqiten për shqyrtim dhe miratim nëpërmjet sistemit elektronik të lejeve nga ana e Institutit të Ndërtimit, bashkisë përkatëse apo projektuesve të licencuar;
  2. b) dokumentacioni i vetëm që duhet të dorëzohet nga aplikuesi është:
  3. akti i konstatimit për objektin e dëmtuar, i hartuar nga strukturat përkatëse të ngarkuara nga legjislacioni në fuqi;
  4. projekti teknik/konstruktiv i hartuar nga Instituti i Ndërtimit, bashkia përkatëse apo projektuesit e licencuar”” thuhet në vendim.

Në pikën 1 të nenit 24 të rregullores saktësohet se afati normal për të vendosur për një leje është 10 ditë nga dorëzimi i aplikimeve.

Tërmeti i 26 nëntorit la të dëmtuara me mijëra banesa ndërkohë që një pjesë e tyre duan ndërhyrje nga më të thjeshtat deri tek më të sofistikuarat kurse të tjera është vendosur që të shemben përfundimisht. Deri në datë 10 nëntor ishin 6298 objekte të inspektuara në total nga ana e inspektorëve në terren./ Monitor

LEXO TE PLOTE

Ekonomi

Dëmet nga tërmeti katastrofik / Xhepa: Të parikuperueshëm për ekonominë

Publikuar

-

Nga

Eksperti i ekonimisë, Selami Xhepa, ka qenë pjesë e tryezës së studios së lajmeve të “RTV Ora” ku si temë diskutimi ka qenë fatura financiare që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit dhe pesha e saj  në ekonominë e vendit.

Për Xhepën dëmet ekonomike që solli tërmeti janë të parikuperueshme jo vetëm për momentin por edhe për vitet në vijim.

Fatkeqësisht lajmet negative që ka pasur ekonomia përgjatë gjithë vitit 2019 po ofrojnë që edhe për vitin 2020, ku barra apo pesha e ngjarjeve negative do vazhdojë të jetë edhe më e fortë. Vettingu i politikës, që pati kosto kaq të madhe për ekonominë, performanca ekonomike e vendit tonë ka qenë e moderuar për të mos thënë mediokre. Kostot dhe fatura financiare që ekonomia jonë do jetë e detyruar të bëjë për të përballuar dëmin shumë të madh që iu është bërë ekonomisë, në fakt është një dëm që fatura financiare, se kjo do varet nga shkalla dhe ambicia e qeverisë, sepse është qeveria që do e përcaktojë, por si dëm ekonomik, ajo zhbërja e pasurisë së individit dhe e pasurisë kombëtare dhe efekti që ka për rritjen ekonomike jo vetëm në 2019 por dhe në vazhdimësi janë të parikuperueshme,” ka vlerësuar eksperti Xhepa./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Ekonomi

Fiskalizimi/ Rreth 100 milion euro kosto për bizneset

Publikuar

-

Nga

Procesi i fiskalizimit do të kërkojë që bizneset të nxjerrin më shumë para ekstra nga xhepi. Për t’iu përshtatur kërkesave të reja të fiskalizimit, një biznesi do t’i duhet që minimalisht të ketë një kompjuter apo smartphone për të shkarkuar aplikacionin që do të bëjë regjistrimin e shitjeve ditore, printerin fiskal, vulën dixhitale, vetëm marrja e së cilës kërkon 4.000 lekë në vit dhe një linjë interneti të dedikuar, si dhe kostot e mirëmbajtjes.

“Monitor” ka përllogaritur më herët, me ndihmën e kontabilistëve, kostot me të cilat do të përballet biznesi me implementimin e procesit të fiskalizimit dhe për fat të keq ato janë disafish më të larta edhe se vetë taksat që paguan biznesi i vogël.

Kështu vetëm kostot fillestare në vitin e parë të implementimit shkojnë 53,200 lekë, ndërsa kostot e mirëmbajtjes në varësi të linjës së internetit që do të përdoret, do të shkojnë nga 64,200 deri në 94,200 lekë. Në total, vitin e parë një biznes do të paguajë 960 – 1200 euro, sipas tabelës më poshtë.

Bazuar në parashikimet e ekspertëve mbi kërkesat që ka sistemi i ri dhe përllogaritjeve të Monitor duke iu referuar çmimeve të tregut  tek kostot fillestare që do të nevojiten për implementimin e sistemit është përfshirë: çmimi i një kompjuteri rreth 30 mijë lekë, printer fiscal 16800 lekë (140 euro), vula dixhitale e cila kushton 6400 lekë. Ndërsa në kostot e mirëmbajtjes, të cilat janë periodike, ekspertët llogarisin kostot për mirëmbajtjen e softuerit, linjën e dedikuar të internetit, si dhe përditësimin e programeve financiare.

Në fund të vitit 2018, sipas të dhënave të INSTAT, numri i ndërmarrjeve në vend ishte 121 mijë, pa përfshirë këtu fermerët. Prej tyre rreth 105 mijë është numri i ndërmarrjeve aktive. Minimalisht biznesit shqiptar vetëm gjatë vitit të parë fiskalizimi do t’i kushtojë rreth 100 milionë euro (llogaritur me koston minimale fillestare prej rreth 1,000 euro). Në vitet në vijim kosto përgjysmohet, por sërish mbetet e lartë për shkak të mirëmbajtjes, vulës dixhitale dhe internetit të dedikuar.

Kompanitë e kasave fiskale paralajmërojnë kosto të larta

Gjatë seancës dëgjimore më kompanitë e kasave fiskale ditën e djeshme u diskutuan kostot që sistemi i ri i fiskalizimit. Në një vlerësim të kompanive të kasave fiskale kostot përllogaritet të shkojnë deri në 1300 euro. Bledar Balla përllogariti disa nga kostot që do të përballet menjëherë biznesi. Sipas tij një kompjuter sot me çmim tregu kushton 250 euro, printeri fiskal është rreth 100 euro, licenca e Windows 1010 euro, një ubs 30 euro, licenca për një soft të thjeshtë shitjesh përllogaritet rreth 200 euro, një antivirus 15 euro në muaj (180 euro në vit), linja e internetit 100 euro në vit, dhe certifikata digjitale 6000 lekë çdo vit. Me tej, Bledar Balla përllogarit se vetëm për mirëmbajtjen e softit një biznes duhet të paguajë 5 mijë lekë ccdo muaj apo rreth 60 mijë lekë në vit.

“Sot për kasat kompanitë në 5 vjet është e llogaritur paguajnë 479 euro bashkë me çmimin e kasës dhe vlerën e mirëmbajtjes në 5 vjet. Totali për ta mirëmbajtur për 5 vjet 479 euro”,- shpjegon Bledar Balla, përfaqësues i kompanive të kasave.

Më herët për Monitor kompanitë e kasave fiskale kishin deklaruar se sistemi i ri do të kërkojë që kasat të raportojnë të gjitha transaksionet në kohë reale. Përfaqësues të kompanive të kasave fiskale thanë për “Monitor” se po punojnë dhe kanë arritur që kasat të përshtaten me kërkesat e reja të sistemit, por sipas një protokolli që ata kanë krijuar.

“Që në momentin kur u hodh ideja e fiskalizimit, me kërkesat që ata parashtruan, ne kemi ndërtuar një protokoll për kasat aktuale. Kemi krijuar një protokoll tonin, i cili mundëson që këto pajisje të transformohen me pak kosto për tatimpaguesin me gjithë karakteristikat që kërkon sistemi i ri. Qëllimi ynë është që transformimi nga një sistem në një sistem të jetë sa më i ulët”, – shpjeguan ata për “Monitor”.

N.q.s. do të punohet me logjikën e re të sistemit, i bie pastaj që është revolucion total dhe pajisjet duhen ndërruar të gjitha. Thënë më thjesht, kasat aktuale fiskale flasin një gjuhë, ndërsa sistemi i fiskalizimit flet një gjuhë tjetër. Kompanitë që ofrojnë kasa fiskale në treg konfirmuan për “Monitor” se janë në bisedime të vazhdueshme me përfaqësues të Ministrisë për të gjetur një zgjidhje me sa më pak kosto për biznesin.

Ministria: Fiskalizimi do të sjellë ulje të kostove dhe konkurrencë më të madhe në treg

Nga ana tjetër zëvendës Ministri i Financave dhe Ekonomisë ka deklaruar se nuk bëhet fjalë për kostot kaq të larta dhe se biznesi nuk do të paguajë më shumë se 7-8 euro në muaj për mirë mbajtjen. Ai u prononcua për mediat se nga të gjitha konsultimet që kemi bërë asnjëherë nuk është artikuluar një kosto e tillë, qoftë nga kompanitë e kasave fiskale, apo edhe nga operatorët e tjerë, të cilët jo detyrimisht janë të lidhur me një pajisje të caktuar fiskale. I gjithë ndryshimi ligjor ka konsistuar në hapjen e tregut, në hapjen e tregut për më shumë operatorë dhe në liberalizimin e përdorimit të një hardëare të caktuar, pra jo detyrimisht duhet përdorur një pajisje e caktuar fiskale, pasi mund të jetë çdo pajisje elektronike, e cila mund të instalojë një softëare fiskal dhe mund të transmetojë me transmetim 3G apo edhe me transmetim nëpërmjet kabullit. Thënë kjo, mundësitë janë të pafundme dhe natyrshëm e logjikshëm do të sjellë dhe një ulje të kostove dhe konkurrencë më të madhe në treg. Por, investime në lidhje me pajisjet fiskale, në vlera të tilla të cilat janë artikuluar sot, ne nuk kemi pasur asnjëherë. Ne kemi pasur komunikim verbal intensiv me të gjithë kompanitë e kasave, ashtu siç kemi pasur edhe komunikim me shkrim dhe nëpërmjet postës elektronike dhe kostot e vetme të cilat janë të lidhur me sistemin e ri të fiskalizimit janë kosto të mirëmbajtjes, të cilat së bashku me certifikatën elektronike, e cila është një risi në transmetim, pra kërkohet që biznesi të pajiset me një certifikatë elektronike, pra certifikatë elektronike së bashku me mirëmbajtjen varion në rangun e 7-9 euro në muaj dhe kjo është kostoja e vazhdueshme që do të jetë gjatë gjithë pjesës së fiskalizimit dhe kosto fillestare ne nuk kemi mar ndonjë artikulim, është hera e parë./ Monitor

LEXO TE PLOTE