LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Basha hedh akuzat e forta/ Shteti ka rënë, Edi Rama armik i demokracisë

5 Shtator 2019, 10:42, Politikë CNA
Basha hedh akuzat e forta/ Shteti ka rënë, Edi Rama armik i

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar një ditë pas publikimit të raportit të OSBE-ODIHR për zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

Në një deklaratë për mediat, Basha tha se 30 qershori nuk kishte garë, dhe Rama mund të vendoste këdo pa u shqetësuar se sa vota do merrte, por edhe i vetëm ai zgjodhi krimin.

“Edi Rama është armik i zgjedhjeve dhe demokracisë. Raporti i ODIHR është më shumë se raport, nuk rrëzon vetëm votimet e 30 qershorit, por gjithë shtetin e Edi Ramës. Është autopsia e zgjedhjeve, por edhe e kufomës së shtetit të së drejtës. Shteti në Shqipëri vetëm vegël në shërbim të Edi Ramës, instrument privat në shërbimin ekskluziv të Ramës?-tha ndër të tjera Basha.

Deklarata e plotë:

Raporti i OSBE/ODIHR e ka rrëzuar farsën e 30 qershorit në çdo aspekt.

Raporti tregon se 30 qershori ishte procesi më problematik dhe më i pandershëm i dy dekadave të fundit.

Për herë të parë në historinë e pluralizmit politik, kemi një raport i cili nuk flet thjesht për parregullsi teknike, apo shkelje, por për krime të mirëfillta dhe veprime të qëllimshme antiligjore të të gjithë stukturës elektorale në vend, dhe për një shkatërrim të qëllimshëm të të drejtës së popullit për të zgjedhur.

Praktikisht ky është një dokument, i cili më shumë se raport zgjedhor ngjan me një raport për një ngjarje kriminale. Ky është raport që realisht përmban prova dhe fakte për të filluar hetime kriminale ndaj një sërë personash dhe institucionesh.

Siç konfirmon raporti, nuk ka ligj, nga Kushtetuta deri tek vetë rregulloret e KQZ-së që të ketë mbetur pa u shkelur.

Nuk ka institucion zgjedhor që nga KQZ tek numëruesit dhe vëzhguesit që nuk ka shkelur ligjin.

Së pari, raporti konfirmon se votimet e 30 qershorit ishin antikushtetuese dhe u mbajtën në shkelje të dekreteve të Presidentit.

Së dyti raporti konfirmon se votimet e 30 qershorit nuk ishin zgjedhje dhe nuk patën asnjë lidhje me të drejtën e popullit për të zgjedhur përfaqësuesit dhe drejtuesit e pushtetit vendor. Ato ishin një farsë zgjedhore dhe tallje demonstrative me pluralizmin politik dhe dhe demokracinë përfaqësuese.

Së treti, për të realizuar këtë farsë antikushtetuese dhe një partiake u shkelën ligjet dhe standardet zgjedhore. Në mënyrë të veçantë nga KQZ i cili portretizohet më shumë si organ partiak se sa si institucion i pavarur dhe i paanshëm kushtetues.

I vetmi aspekt normal që ka gjetur raporti është që socialistët nuk janë rrahur me njëri-tjetrin në qendrat e votimit bosh.

Pa hyrë në detaje dhe konstatime të qarta, dua të theksoj dy përfundimet kryesore të raportit:

1.    Votimet  e 30 qershorit ishin antikushtetuese, të paligjshme dhe të pandershme

2.    Votimet e 30 qershorit ishin një farsë moniste dhe e përfaqësimit politik dhe shkatërrim i demokracisë

Për këto arsye, 30 qershori ishte një grusht institucional për kapjen e pushtetit vendor nga Edi Rama. Ky grusht institucional u realizua sërish në bashkëpunim e krimin.

Ndonëse jo objekt i vlerësimit të Raportit, tashmë është një e vërtetë e njohur botërisht është se: Në mënyrë të qëllimshme, kapjen e pushtetit vendor Edi Rama e ka bërë në bashkëpunim me kriminelë.

Janë deri tani dy kandidatë për kryebashkiakë të vertetuar me të shkuar kriminale dhe priten të tjerë.

Për të kuptuar rëndësinë e këtij fakti duhet të kemi parasysh diçka: më 30 qershor nuk kishte asnjë konkurencë, nuk kishte asnjë garë. Edi Rama mund të emëronte këdo që dëshironte pa u shqetësuar se sa vota do të merrte. Por edhe në këto kushte zgjedhja e tij e natyrshme ishte krimi, ishin personat me rekorde kriminale.

Edhe kur ishte i vetëm pa asnjë garë, Edi Rama zgjodhi krimin.

Edhe kur ishte i vetëm pa asnjë konkurent, edhe kur vetë i kandidoi, vetë votoi, vetë numëroi dhe vetë certifikoi, ai vodhi, manipuloi dhe shkeli çdo standart.

Prandaj, 30 qershori vërtetoi edhe një herë atë që Partia Demorkatike ka thënë fuqishëm:

Me Edi Ramën nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Edi Rama është armik i zgjedhjeve, i pluralizmit dhe demokracisë.

Por 30 qershori tregoi edhe një të vërtetë tjetër:

As me këtë KQZ nuk mund të ketë zgjedhje të ndershme dhe të lira.

E thashë në fillim dhe po e them prapë:

Raporti i ODIHR është më shumë se raport zgjedhor. Ai nuk rrëzon vetëm votimet e 30 qershorit.

Raporti ka rrëzuar të gjithë shtetin e Edi Ramës.

Raporti nuk është vetëm autopsia e zgjedhjeve të vdekura të 30 qershorit

Raporti është autopsia e kufomës së shtetit të së drejtës, e qeverisë së popullit dhe drejtësisë, të cilat janë vrarë nga Edi Rama për t?i zëvendësuar ato me një shtet privat, autokratik, kriminal dhe personal.

Raporti tregon se në Shqipëri kushtetutë dhe ligj është vullneti personal i Edi Ramës,

Raporti tregon se në Shqipëri shteti është vetëm një vegël në shërbim të vullnetit personal të Edi Ramës.

Në autokracinë e Edi Ramës shteti është instrument privat i gjithi në shërbimin ekskluziv privat të Edi Ramës:

Në shtetin privat të Edi Ramës datën e zgjedhjeve nuk e cakton Presidenti, sikurse ka vendosur Kushtetuta, por Edi Rama.

Në shtetin privat të Edi Ramës kushtetueshmërinë e ligjeve nuk e gjykon Gjykata Kushtetuese por Partia Socialiste e Edi Ramës.

Në shtetin privat të Edi Ramës, dekretet e Presidentit, kryetarit të Shtetit, nuk botohen në Fletore Zyrtare nga Ministria e Drejtësisë siç e kërkon ligji, por zhduken pa lënë gjurmë siç e do Edi Rama.

Në shtetin privat të Edi Ramës, KQZ në shkelje të ligjit dhe të Kushtetutës vendos të përjashtojë opozitën nga administrimi zgjedhor dhe ja beson atë njerëzve të caktuar nga Edi Rama.

Në shtetin privat të Edi Ramës, edhe partitë politike krijohen nga Edi Rama dhe atyre u vihet i gjithë shteti në dispozicion për të krijuar fasadë pluraliste për autokratin Edi Rama.

Në shtetin privat të Edi Ramës, gjykatat nuk vendosin bazuar në ligj dhe në shërbim të drejtësisë, por sipas dëshirave dhe për llogari të Edi Ramës.

Në shtetin privat të Edi Ramës administrata publike dhe burimet publike janë në shërbim të Edi Ramës dhe pronë e Edi Ramës.

Në shtetin privat të Edi Ramës, siç e pa dhe u dëgjoi mbarë bota edhe nga përgjimet e BILD, edhe krimi është në shërbimin ekskluziv të Edi Ramës.

Ky shtet privat dhe kriminal duhet shembur, për të rikthyer në vend shtetin e së drejtës, demokracinë dhe zhvillimin ekonomik.

E kam thënë disa herë, që e keqja ka depërtuar aq thellë dhe ka shkatërruar aq shumë, sa Shqipëria ka nevojë, jo vetëm për të larguar Edi Ramën sa më parë, por për një ndryshim rrënjësor, i cili do të zhdukë pasojat e thella të këtij regjimi kriminal por edhe të problemeve të tjera me demokracinë, ekonominë dhe qeverisjen që janë krijuar këto 30 vjet.

Shqipëria ka nevojë që të ripërqafojë vlerat e pluralizmit, demokracisë, ligjit dhe lirisë.

Kjo kërkon një reformë të thellë zgjedhore dhe një reformë të thellë politike. Ky është prioriteti ynë i menjëhershëm./ CNA.al

Lajmet e fundit nga