LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

SPAK dhe sfidat që e presin

3 Shtator 2019, 13:13, Aktualitet CNA
SPAK dhe sfidat që e presin

Shumë qytetarë shqiptarë që akoma ose e kanë të pamundur të largohen, ose akoma janë tek mëdyshjet e fundit se “ky vend nuk bëhet”, kanë kthyer sytë me shpresë tek lajmi i shumëpritur për fillimin e funksionimit të SPAK dhe organit të vet të varësisë BKH.  Janë thjeshtë shpresa për një jetë më të mirë, të bazuar te rënia e fenomenit të pandëshkueshmërisë.  Janë gjithashtu tek shpresa e jo më të pasurit vetëm ligje, por të vendosjes së drejtësisë.  Dhe kjo e bekuar dhe shumëpritur drejtësi fillon tek dhënia e hakës secilit, për të bërat dhe të pabërat, që në vendin tonë në tkurrje, nuk mungojnë.

Patjetër që puna e SPAK dhe BKH është nga ta kapësh e nga ta lësh. Një aspekt shumë interesant është praktika e kthyer në fenomen tashmë me koncesionet dhe stuhinë e PPP-ve që sidomos në 6 vitet e fundit të qeverisjes mavi të Rilindjes, ka marrë përmasa dhe forma nga më ekstremet deri aty ku skandalet nuk përjetohen më si të tilla, por si lajme sinoptikanësh.  Dhe përveç kësaj, pandëshkueshmëria i ka imunizuar deri në atë pikë sa asnjeri nuk ka jo më frikë nga ligji, por nga “Maliqi”.

Në regjistrin e koncesioneve dhe të PPP-ve, mjafton të kalohet në një sitë të imët praktikat më të përdorura, si nga kategoritë ashtu edhe nga shumat, dhe faktet (apo skandalet) që kanë shoqëruar secilin prej tyre.  Dhe më e lehta fare do të qe nëse koncesionimi apo partneriteti ka qenë në benefitin e shtetit dhe të taksapaguesve, cilat janë kostot oportune nëse shteti do ta bënte apo prokuronte vetë duke punësuar dhe trajnuar staf, sa do të ishin kostot nëse do të bëhej me fonde shtetërore apo hua të huaja, cilat janë procedurat e ndjekura dhe zbatueshmëria e tyre në përputhje me legjislacionin, sa dhe si janë implementuar dhe sa në përputhje kanë qenë me projeksionet fillestare, cilat janë kompanitë fituese dhe përputhshmëria e tyre ligjore, kapacitetet financiare dhe ekspertiza profesionale.

Janë këto vetëm disa nga maja e ajsbergut që SPAK dhe BKH do të duhej dhe duhet të merret për të zbërthyer një nga gjëmat që po i ndodh në format të pandreprerë ekonomisë shqiptare, buxheteve plot me gropa, informalitetit dhe konkurencës artificialisht dhe politikisht të motivuar.  Është një detyrë parësore e SPAK dhe BKH për një analizë të tillë, për të ndaluar hemorragjinë e ekonomisë dhe të popullsisë, si dhe për të zbërthyer gjynahet e politikës dhe (keq-e-për-dreq)administrimit të fondeve publike dhe taksave të qy(qe)tarëve që vuajnë vazhdueshëm përdredhjen dhe shtrembërimin e ligjit përtej mosekzistencës, deri në kthim kundra interesave publike.

Një fillim të tillë të punës së SPAK dhe BKH thjeshtë fillimisht do të konfirmonte që sot jetojmë në një Shqipëri shumë më të keqe se më përpara, dhe se gjynahqarët janë pazarit, dhe se këta gjynahqarë duhet të përgjigjen diku dhe disi për katandisjen e vajmedetit ku jemi. Sot më shumë se kurrë satira e të madhit Konica me “Doktor Gjilpëra” është sa aktuale aq dhe e dhimbshme përtej parashikimeve të Nostradamusit.

Ligje ka, po ku është drejtësia? SPAK dhe BKH po vijnë bashkë me shpresën.  Po të paudhët, a e ndjejnë ndopak që jo gjithçka blihet dhe çdo gjynahi i vihet një çmim?/ CNA.al

Lajmet e fundit nga