LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Aleanca e Djajve/ Kur Hitleri dhe Stalini, ranë dakord të ndajnë botën midis tyre

23 Gusht 2019, 08:01, Blog CNA
Aleanca e Djajve/ Kur Hitleri dhe Stalini, ranë dakord të ndajnë

Nga Peter Kenez

* Pakti i nënshkruar nga ministri i Jashtëm sovjetik Vjaçesllav Molotov dhe homologu i tij gjerman Joakim Von Ribentrop në Moskë 80 vjet më parë, ishte një revolucion diplomatik. Ajo lëvizje e papritur, ishte gjithashtu një hap që çoi drejt kasaphanës më të madhe të shekullit XX-të, një ngjarje që e formësoi botën tonë.

Aleanca e Stalin-Hitler, nuk zgjati as 2 vjet. Për habinë e Stalinit, rezultoi që diktatorëve nuk mund t?i zihet dot besë. Dy tiranët e mëdhenj, ishin të ngjashëm në përçmimin që kishin për konceptet e zakonshme të humanizmit, dhe ishin të gatshëm të vrisnin miliona njerëz.

Njëherazi, Stalini dhe Hitleri ishin qenie njerëzore shumë të ndryshme nga njëra-tjetra, dhe me axhenda politike shumë të ndryshme. Dëshira për luftë, ishte një element thelbësor i botëkuptimit nazist. Nazistët besonin se vetëm në një luftë për jetë a vdekje, ?raca gjermane? mund të dëshmonte epërsinë e saj racore.

Ata donin të ribënin hartën e Evropës, dhe të hakmerreshin për poshtërimin që pësuan në Versajë, me nënshkrimin e traktatit, që i dha fund Luftës së Parë Botërore. Dhe mbi të gjitha, ata donin të siguronin lebensraum-in (hapësirën jetike) për popullin gjerman. Ndërkohë që Stalini, po përmes metodave më të dhunshme, synonte të ribënte shoqërinë sovjetike, dhe të shndërronte njerëzimin.

Ai ishte ndërkohë një paranojak, që shihte kudo rreziqe. Ai e mbante mend shumë mirë përvojën e luftës së viteve 1914-1918. Ishte Lufta e Madhe, ajo që çoi në rrëzimin e regjimit cariast, dhe siguroi ngjitjen në pushtet të bolshevikëve. Pakti Molotov-Ribentrop i viteve 1939-1941, përfaqësonte 2 diktatorë që ndanin mes tyre vendet më të dobëta.

Shënjestra kryesore ishte Polonia. Pakti u nëshkrua, pasi Hitleri ishte i vendosur të shkatërronte Poloninë si hapin e parë drejt pushtimit të botës, dhe në të njëjtën kohë synonte të shmangte një luftë me dy fronte, të paktën për aq kohë sa të mundej. Nga ana e tij, lideri komunist sovjetik druhej se pas shkatërrimit të Polonisë, gjermanët mund të mësynin në kufirin sovjetik. Ndaj ai ishte i lumtur me nënshkrimin e paktit të mos-sulmimit.

Kështu deri në vitin 1941, nën udhëzimet e Stalinit, komanda e Ushtrisë së Kuqe hartoi një plan që kishte pasoja katastrofike. Në vend se të përgatiste një mbrojtje cilësore, pjesa më e madhe e forcave sovjetike u vendosën përgjatë kufijve të rinj perëndimorë të Rusisë, siç përcaktohej nga pakti.

Ushtria duhej të përparonte në territorin e armikut, dhe të luftonte atje. Pse? Sepse Stalini kishte frikë se nëse luftimet do të zhvilloheshin brenda territorit Sovjetik, popullata mund t?i konsideronte ushtritë e huaja si çlirimtare. Ai kishte dyshime të mëdha, dhe jo të paarsyeshme, mbi besnikërinë e popullit rus ndaj Bashkimit Sovjetik.

Pas nënshkrimit të paktit të 23 gushtit 1939, vëzhguesve bashkëkohorë u dukej se kishte ndodhur diçka e jashtëzakonshme:fashizmi dhe regjimi që e cilësonte veten si kundërshtari më i madh në botë i fashizmit, sapo ishin bërë miq. Propagandistët sovjetikë, ndryshuan qasje 180 gradë.

Një protokoll i fshehtë që iu bashkëngjit paktit, përcaktoi sferat e ardhshme të ndikimit të dy fuqive.

Bashkimi Sovjetik do të kishte dorë të lirë në Besarabi, Letoni, Estoni, Finlandë dhe në atë pjesë të Polonisë që kishte një popullsi të përzier etnike. Përballë dëshmive të paverifikueshme, propaganda sovjetike e mohoi ekzistencën e këtij dokumenti, për aq kohë sa ekzistoi Bashkimi Sovjetik.

Bashkëpunimi ekonomik midis dy fuqive, favorizoi gjermanët. Ata morën nga Bashkimi Sovjetik lëndë të parë si nafta, kallaji dhe boksitet, si dhe grurë nga Ukraina. Bashkimi Sovjetik kërkoi armë, por në fund nuk mori shumë pak prej tyre. Molotov akuzonte britanikët dhe francezët si kriminelë lufte, për vazhdimin e luftës ?nën flamurin e rremë të demokracisë?.

Kuptohet që për shumë komunistë në mbarë Evropën Perëndimore dhe Amerikën e Veriut, pakti ishte një tradhti. Periudha e aleancës Stalin-Hitler, 23 gusht 1939-22 qershor 1941, ishte një periudhë katastrofike për miliona evropianë, të cilët u gjendën nën pushtimin e këtyre 2 vendeve.

Sovjetikët dhe nazistët vendosën rendet e tyre qeverisëse, bazuar tek ideologjitë që mbështesnin. Shtetet e Balltikut e humbën lirinë e tyre. Territoret polake, që 2 dekada më parë kishin rifituar pavërësinë nën një shtet polak, u aneksuan sërish si pjesë e Republikave Socialiste Sovjetike të Bjellorusisë dhe Ukrainës. Sistemi sovjetik me të gjitha tmerret e tij, ishte shtrirë te popujt e tyre.

?Lufta e klasave?, nënkuptoi arrestimin ose deportimin e njerëzve, që kishin luajtur role të rëndësishme politike ose ekonomike në regjimet e vjetra. Si për ironi, hebrenjtë që kishin luajtur role disproporcionale në elitat industriale dhe tregtare, kishin më shumë të ngjarë të dëboheshin në Siberi, sesa bashkatdhetarët e tyre.

Kur këto territore i pushtoi ushtria gjermane, ata ishin më me fat, pasi kishin më shumë të ngjarë të mbijetonin në Siberi, se sa të tjerët që përfunduan në kampet gjermane të përqëndrimit. Aneksimi i shteteve baltike, ndodhi pa shumë rezistencë. Ndërkohë, kërkesa që finlandezët të hiqnin dorë nga një territor i rëndësishëm strategjik, hasi në rezistencën e fortë të këtyre të fundit.

E ashtuquajtura Lufta e Dimrit mes Rusisë dhe Finlandës (nga nëntori 1939, deri në marsin e vitit 1940), ishte një katastrofë për Bashkimin Sovjetik. Performanca e dobët e Ushtrisë së Kuqe përballë ushtrisë modeste finlandeze, e nxiti Hitlerin të besonte se Bashkimi Sovjetik mund të mposhtej lehtë.

Krimi më spektakolar i luftës i kryer nga autoritetet sovjetike – dhe për të cilin ata fajësuan Vehrmahtin- ishte vrasja e e afro 22.000 oficerëve dhe nëpunësve civilë polakë. Vendimi mbi atë masakër u mor në rangjet më të larta të qeverisë sovjetike. Arsyetimi ishte që eleminimi i elitës polake, do të lehtësonte vendosjen e sundimit sovjetik në territoret e saj.

Kishte një ngjashmëri të madhe në sjelljen e gjermanëve dhe sovjetikëve ndaj popujve të pushtuar. Gjermanët donin t?i katandisnin polakët në skllevër të popullit gjerman. Për ta realizuar këtë, nazistët arrestuan dhe vranë rreth 60.000 intelektualë, klerikë, oficerë, avokatë dhe profesorë polakë. Gjatë muajve të parë të pushtimit, nazistët vranë më shumë polakë të krishterë se sa hebrenj.

22 muajt e aleancës midis Gjermanisë dhe Bashkimit Sovjetik, shkaktuan vuajtje të mëdha për njerëzit që jetuan në ?tokat e përgjakura?, siç e quajti historiani Timoti Shnajder rajonin e pushtuar. Gjithsesi, një kasaphanë edhe më e madhe ishte gati të fillonte, kur në kundërshtim me Paktin Molotov-Ribentrop, dhe në befasi të plotë për Stalinin, ushtria gjermane kaloi kufijtë dhe sulmoi Bashkimin Sovjetik më 22 qershor 1941.

Marrë me shkurtime./Përshtatur nga CNA.al

Shënim: Peter Kenez, është profesor i historisë në Universitetin e Kalifornisë në Santa Cruz.

Lajmet e fundit nga