Connect with Us

Protestat në rritje, do ta shpëtojnë demokracinë turke nga Erdogani

Blog

Protestat në rritje, do ta shpëtojnë demokracinë turke nga Erdogani

Publikuar

-

Nga Soner Cagaptay “The Globalist”

* Qëkur Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), humbi zgjedhjet lokale të Stambollit më 23 qershor, Turqia ka përjetuar një shtim të protestave antiqeveritare, të fokusuara kryesisht tek çështjet mjedisore. Vala e protestave, më të mëdhatë që nga ato të Parkut Gezi në vitin 2013, sugjeron një gjallërim të ri në mesin e opozitës, që mund të ketë pasoja potencialisht të mëdha për demokracinë në vend.

Në majin e vitit 2013, një grupim i vogël ambientalistësh nisën një protestë në qendër të Parkut Gezi në Stamboll, kundër vendimit të qeverisë për ta kthyer parkun në një qendër tregtare. Dhuna brutale policore kundër protestuesve, shkaktoi shumë shpejt nisjen e lëvizjes më të madhe të protestës në Turqi në historinë e kohëve të fundit.

Rreth 2.5 milionë qytetarë, iu bashkuan protestave antiqeveritare që shpërthyen në 79 nga 81 provincat e vendit, dhe që zgjatën për javë me radhë. Qeveria në fund u tërhoq nga projekti, ndërsa protestat shkaktuan dhjetëra të vdekur në radhët e protestuesve dhe policisë.

Kur lëvizja përfundoi në gushtin e atij viti, në Turqi kishte filluar një epokë e re, kur policia ndërhynte brutalisht edhe ndaj tubimit më të vogël antiqeveritar. Megjithatë, gjërat mund të ndryshojnë sërish këtë verë.

Më 26 korrik, një grup i vogël aktivistësh organizuan një protestë paqësore, kundër projekti të ndërtimit të minierave të arit në malet Ida në perëndim të Turqisë. Ambientalistët thonë se minierat, do të shkaktojnë shpyllëzime masive, ndotje të tokës dhe burimeve ujore, si dhe shkatërrimin e ekosistemit të zonës.

Zemërimi i publikut, u shtua kur Fondacioni TEMA, një ojq turke që lufton kundër erozionit të tokës, zbuloi se mbi 195.000 pemë janë prerë tashmë që përpara nisjes së punimeve, ose më shumë se 4 herë më shumë se sa numri i premtuar nga kompania minerare, dhe i dakordësuar nga Ministria e Energjisë dhe Burimeve Kombëtare.

Brenda disa ditësh, protestës iu bashkuan dhjetëra mijëra njerëz. Protestuesit bënë thirrje për ndalimin e projekti, dhe për konsultime më të mëdha publike për çështjet mjedisore. E motivuar nga fitorja në zgjedhjet e 23 qershorit në Stamboll, opozita politike ka luajtur një rol aktiv në këto protesta.

Më 5 gusht, aktivistët formuan një varg të gjatë njerëzish prej 1 km të quajtur “Takimi i Madh i Ujit dh i Ndërgjegjes” pranë vendit ku do ndërtohet miniera. Qindra aktivistë vazhdojnë të qëndrojnë në terren, duke organizuar forume të vazhdueshme për të diskutuar kërkesat e tyre, teksa mbështeten nga protestues që vijnë çdo ditë nga zonat përreth.

Ndërkohë, dhjetëra mijëra turq kanë shprehur mbështetjen e tyre në internet me hashtagun #KazdaginaDokunma (Mos prekni malet Ida), dhe gati gjysmë milionë të tjerë kanë nënshkruar një peticion për të ndalur projektin. Pjesëmarrësit në protestë, sjellin përshëndetjet nga e gjithë Turqia, përfshirë banorët lokalë, politikanët, ambientalistët, organizatat e shoqërisë civile, studentët dhe artistët.

Deri më tani, Ankaraja nuk ka zgjedhur të reagojë me forcë, teksa ka ripohuar se do të ecet përpara me projektin. Shtytësi kryesor i protestave të fundit, kanë qenë zgjedhjet e 23 qershorit në Stamboll, ku humbja e AKP-së e dëmtoi imazhin e presidentit Rexhep Taip Erdogan si një “politikan i pathyeshëm”.

Pas një varg fitoresh zgjedhore dhe suksesesh ekonomike që nga viti 2003, ai është bërë politikani më i fuqishëm në historinë turke të dekadave të fundit. Erdogan tani është njëherazi kreu i shtetit, i qeverisë, policisë kombëtare, ushtrisë (si kryekomandant) dhe drejtues i partisë kryesore parlamentare.

Ky konsolidim i pushtetit, i shoqëruar me shtypjen e shpeshtë të protestuesve, e dekurajoi shumë opozitën. Të paktën deri para zgjedhjeve të Stambollit. Në mars të këtij viti, kandidati i opozitës Ekrem Imamoglu u zgjodh kryebashkiak i qytetit – një post i rëndësishëm, pasi qeveris mbi 20 për qind të popullsisë në vend, dhe është një post që ka shërbyer gjithmonë në të shkuarën si një trampolinë drejt posteve më të larta shtetërore.

Fitorja ishte një pikë kthese për opozitën. Sot shumë opozitarë, kanë rinisur të besojnë se Erdogani mund të kundërshtohet në mënyrë paqësore. Kur presidenti e ndryshoi sistemin politik të Turqisë nga një sistem parlamentar në një model presidencial vitin e kaluar, ai me shumë gjasa nuk e kuptoi se kështu do të ndihmonte opozitën.

Më herët kishte fituar disa palë zgjedhjesh të njëpasnjëshme, jo vetëm falë rritjes së fortë ekonomike, por edhe për shkak të një opozite të përçarë. Gati gjysma e qytetarëve turq janë kundër presidentit, por deri kohët e fundit numri i tyre ndahej midis grupeve të ndryshme të nacionalistëve turq dhe kurdë, fraksioneve të majta dhe të djathta të qendrës, dhe grupimeve konservatore dhe liberale.

Ndërkohë, struktura e sistemit të ri presidencial, nënkupton se shumica e zgjedhjeve janë tashmë të destinuara të shndërrohen në një garë me dy palë. Nëse asnjë kandidat nuk merr më shumë se 50 për qind të votave në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, dy kandidatët e parë kalojnë në balotazh mes tyre, një situatë që i ka detyruar fraksionet e opozitës të lënë mënjanë inatet dhe ndarjet, dhe të formojnë aleanca elektorale.

Aleanca e parë e këtij lloji vitin e shkuar në garën presidenciale dështoi, por këtë vit Imamoglu e fitoi Stambollin duke përdorur të njëjtën qasje. CHP, që përfaqëson votuesit e majtë dhe socialdemokratë, IYI, që përfaqëson votuesit e qendrës së djathtë dhe nacionalistët turkë dhe HDP, përfaqësuese e votuesve nacionalistë dhe liberalë kurdë, që të gjithë e mbështetën.

Edhe Partia Konservatore Islamike Felisiti e mbështeti, edhe pse indirekt.

Ekonomia e ngadalësuar e Turqisë, vetëm sa e ka forcuar bashkimin e opozitës. Herën e fundit që u zhvilluan protesta të mëdha antiqeveritare në Turqi, Erdogani ishte në gjendje t’i shtypte ato jo vetëm për shkak të pushtetit të tij të madh tek organet e sigurisë së shtetit, por edhe sepse opozitës i mungonte një platformë dhe udhëheqje e unifikuar.

Këtë herë, opozita duket më e bashkuar se në vitin 2013, dhe madje mund të ketë një drejtues simbolik në personalitetin e Imamoglu, i vetmi politikan që e ka mposhtur Erdoganin që nga viti 2003. Mbetet ende për t’u parë, nëse Erdogani do të shtypë me dhunë valën e re të protestave, apo do të përpiqet të përçajë opozitën.

Kundërshtimet janë shfaqur madje edhe brenda partisë së tij, me ish-ministrin turk të Ekonomisë, Ali Babaçan, që cilësohet gjerësisht si autori i “mrekullisë ekonomike” të Turqisë në vitet 2000, që ka njoftuar se do të krijojë një parti të re politike. Çfarëdolloj rruge që do të zgjedhë Erdogani, ai do të përballet me një opozitë të fuqishme, që duket se është e prirur ta shtyjë në një fazë të re demokracinë turke.-përshtatur nga CNA.al.

KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Paketa e klimës/ Shumë e vogël, shumë e vonuar dhe hezituese

Publikuar

-

Nga

Fridays for Future po pushton botën. Në Gjermani qeveria e koalicionit ra dakord të premten për një paketë masash në mbrojtje të klimës. Por shumë pas kërkesave që vërtet duhet të bëhen realitet, mendon Martin Muno.

Që ky planet është baza e jetës sonë, e që ne nuk kemi një të dytë rezervë, ka qenë slogan politik i aktivistëve të mjedisit. Sot kjo është e pranuar nga të gjithë, e përsëritur mijëra herë nga shkencëtarët dhe politikanët. Po aq sa është mohuar hapur nga ideologë si Donald Trump, Jair Bolsonaro, Alexander Gauland teoria e ndryshimit të klimës nga dora e njeriut – pra një rritje e temperaturës globale si pasojë e rritjes së emetimeve të gazit karbonik, CO2.

Në rastin më të keq kërcënon një reaksion zinxhir: Toka mund të ngrohet në 4-5 Gradë, niveli i detit rritet shumë, pjesë të tëra të planetit bëhen të pabanueshme. Duke pasur parasysh skenarë të tillë apokaliptikë, Konferenca Botërore e Klimës në Paris vendosi që të bëhet gjithçka që të kufizohet rritja e temperaturës globale, më së miri nën 2 Gradë. Sepse sahati troket: Për ta arritur qëllimin për ngrohjen globale deri 1,5 Gradë ne mund të emetojmë vetëm 8 vjet një sasi të tillë gazi karbonik. Më pas nuk lejohet emetimi i asnjë grami CO2. Që rëndësia e këtyre shifrave ka ndërgjegjësuar shumë njerëz, këtë e tregojnë qartë edhe demonstratat e „Friday for Future”.

Greta dhe kancelarja e klimës

„Unë nuk dua që ju të bini në panik”, thotë aktivistja më e njohur e klimës, Greta Thunberg. „Dua që ju të veproni, sikur po digjej shtëpia juaj, sepse vërtet po digjet.” E çfarë bën qeveria gjermane? Qeveria e drejtuar nga një e vetë emëruar „kancelare e klimës”? Që i pranon të gjitha prognozat e përmendura më lart?

Për të mbetur tek metafora e Gretës: Kancelarja ofron disa kusi me ujë. Po, e vërtetë, shumë nga masat e miratuara për klimën në Gjermani shkojnë në drejtimin e duhur. Shtrenjtimin e fluturimeve dhe përdorimit të automjeteve, uljen e çmimit të biletave të trenave, nxitjen e elektromobilitetit, modernizimin e sistemeve të ngrohjes me vaj. Por në tërësi paketa e klimës është hezituese, e vonuar dhe e copëzuar në hapa të vegjël. Në këtë paketë kuptohet qëllimi, që duam të bëjmë atë që mundemi, por pa marrë borxhe të reja, pa humbur votues, në vend që të bëhet ajo që kërkohet në kontekstin e kërcënimit global të ndryshimeve klimaterike. Sepse subvencionet dëmtuese për klimën ende do të vazhdojnë: Asnjë ndryshim tek avantazhi tatimor për makinat me naftë, kerozina mbetet e patatuar, si edhe kuota e faljes tatimore për punonjësit që duhet të udhëtojnë larg në vendin e punës. Nga ana tjetër ngec zgjerimi i energjive të rigjenerueshme, miniera e fundit e qymyrit do të dalë nga përdorimi pas 20 vjetësh.

Në vend të këtyre hapave të vegjël nevojitet një plan i qartë veprimi, se si duhet të ulen emetimet e gazit karbonik në vitet e ardhshme. Se si mund të veprohet, e tregon bota e financave, që dihet nuk e ka imazhin shumë të mirë. Para samitit të OKB-së për klimën javën e ardhshme, 500 investitorë nga dega e financave në të gjithë botën kërkojnë që qeveritë të ndërmarrin hapa që i tejkalojnë objektivat e Konferencës së Klimës në Paris. Kështu kërkohet shtrenjtimi drastik i emetimit të gazit karbonik, CO2, të ndërpriten në të gjithë botën subvencionet për lëndët djegëse fosile dhe të nxiten investimet për energjitë e rigjenerueshme apo me emetim të ulët të CO2. E gjitha një paketë që kushton disa bilionë dollarë në vit.

Investitorët sigurisht nuk veprojnë pa interes: Ata kanë frikë për rreziqet e mëdha që e kërcënojnë ekonominë botërore nga ndryshimi i klimës, shohin nga ana tjetër potencial të madh investimesh tek kthesa energjitike. Qeveria gjermane do të bënte mirë të kishte një horizont kaë të gjerë, të paktën deri në ditën e ardhshme të zgjedhjeve.

Martin Muno  

Por, kush tregon me gisht të tjerët, drejton njëkohësisht tre gishta nga vetja – kjo vlen edhe për autorin e këtyre rreshtave. Po, qeveritë, e jo vetëm ajo gjermane, duhet të përdorin fuqinë vendimmarrëse që kanë për të bërë një politikë pro klimës. Por edhe ne si qytetarë e konsumatorë kemi përgjegjësi. Më duhet mua një makinë fuoristradë? Më duhet të ndërmarr çdo vit një udhëtim të largët? Duhet të ha përditë mish? Cilat janë mundësitë e mia që gjurma ime e emetimit të CO2 të reduktohet? Ndryshimi i klimës është një sfidë edhe për rehatinë e stilit tonë të jetesës. Por për fëmijët e nipërit tanë ai mund të kthehet në një krizë ekzistenciale./ DW

LEXO TE PLOTE

Blog

Bojë sepjesh, ose një mistifikim i pafajshëm letrar

Publikuar

-

Nga

Nga Edion Petriti

« Ana vriste mendjen se pse dorëshkrimet, letrat e dashurisë që i dërgonte Çimi, vinin era peshk. Në atë kohë, ajo pak e dinte, – në mos nuk fare, – se në vendin e bekuar ku komunizmi ndërtohej vërtet, nuk kishte shirita të zinj për makina shkrimi, ndaj dhe shumë vetë përdornin bojën e sepies për t’u dhënë ngjyrë… — (nga romani im i ri, që sapo ka dalë nga shtypi). »

Nuk e di se përse dreqin, – një ditë më parë – më shkrepi t’u punoja një rreng të vogël shumë prej miqve që kam në platformën time sociale, Facebook. Gjithçka nisi me një paragraf të shkruar në celular, në autobusin e linjës, mbi një çift me emrin Ana dhe Çimi (sa banale!); ky i fundit autor i ca letrave dashurie, me shije të dyshimtë letrare dhe që vinin era peshk, për faktin se djalka ynë shpresëmirë reliktet e veta në lëmë të letërsisë i  shkruante në makinë shkrimi dhe për mungesë shiritash të zinj, u jepte atyre ngjyrë duke përdorur bojën e sepjeve. Shtoji kësaj edhe një kopertinë fiktive të cilën e punova me aplikacionin «Canva». Libri mëtonte se ishte botuar në Tiranë, më 2019 dhe mbante titullin e lavdishëm «Ngazëllime të komunizmit». Autori isha po unë, Edión Petriti, dora vetë!

Gjithçka nisi të bëhej e sikletshme kur nisa të merrja urimet e para nga miq të mirë, mendimet dhe ndjenjat e afeksionit të të cilëve i doja dhe i çmoja… nisa të ndihesha pak si keq. Shumë veta e bashkëndanë (i bënë « share »), diçka edhe më e çuditshme; madje, një i afërmi im në Gjermani u ofrua ta blinte në Amazon.com, gjithmonë nëse kishte dalë nga shtypi dhe mund të blihej. Më premtonte t’i bënte reklamë në të gjitha qarqet shqiptare të emigrantëve të atjeshëm; në këtë mënyrë do kisha mundësi të hiqja edhe një pjesë të shpenzimeve të librit. Dihet… intelektualët dhe paratë këtu në vendin tim nuk para shkojnë mirë bashkë (veç në mos qofsh një intelektual i përkëdhelur i listave me tituj letrarë të ndonjë ministrie arsimi).

Një miku im më këshilloi ta vazhdoja lojën; në fund të fundit edhe po të dilte në shesh, do diskutohej për nja tri ditë dhe më pas, do harrohej dhe pikë! Madje, faqe botës shpallte : Nëse ma lejon një këshillë, si lexues i parë i librit dhe që e kam ndjekur hap pas hapi, do të lutesha të mos bëje gabimin e shumë të rinjve, dhe te mos e botoje menjëherë. Libri ka lëndë të rrëfyer me stil dhe qasje origjinale. Ka ende hapësirë për përpunim. Sidomos, periudha pas vdekjes së diktatorit e veçanërisht personazhi i shoqes «A».

Për fat të keq, e gjithë çështja nuk mbaroi me kaq; nisa të merrja mesazhe të ethshme nga një mësues gjeografie i shkollës së mesme, i cili betohej, duke cituar listën e shtëpisë, se e kishte lexuar librin me një frymë dhe i kishte pëlqyer jashtë mase; do ishte mirë vetëm që mbyllja (eh, ajo e shkretë mbyllje!) të ishte pak më e arrirë. U ndjeva vërtet i prekur në sedër! E përse libri im – i paqenë, meqë ra fjala! – duhej ta paskësh pasur mbylljen më të arrirë? A thua se unë nuk arrija dot të stisja një farë «closure» për atë paçavure, siç i thonë rëndom veprës në zhargon letrar? A thua të jem edhe unë një shkrimtar mediokër, që nuk arrin të mbyllë dot një libër në dorëshkrim dhe që makinën e shkrimit e ka blerë pikërisht për prokrastinim, për ta shtyrë e për ta shtyrë shkrimin e më pas botimin e romanit të madh shqiptar të viteve ’20?

Megjithatë, e falënderova për fjalët e mira dhe i premtova t’i dërgoja një kopje, sapo të më dërgonte adresën e shkollës; thellë në shpirt shpresoja të ishte nga ato zona që nxënësit e kishin braktisur në masë, për të shkuar në Gjermani e për të mos u rikthyer më kurrë, që ta dinte edhe ai se ç’ishte hidhërimi – në mos ai i një shkrimtari, librat e të cilit nuk e kishin mbylljen të arrirë, të paktën ai i një mësuesi të gjeografisë të shkollës së mesme, i cili i shpjegonte një klase bosh!

Tani e kuptoj përse në Shqipëri, kritika letrare nuk ekziston! Të gjithë besojnë menjëherë atë që e shohin në mediet sociale, pa e vënë në pikëpyetje! Pa e vënë në diskutim, pa e parë me sy e prekur me dorë (parimi i shën Thomait) një vepër të paqenë, e cila e sheh dritën aty për aty, për të vdekur menjëherë më pas, po në mediet sociale! Imagjino… në çdo cep rruge, në çdo kryqëzim, nga një autor të inatosur, – ç’po them… të xhindosur, furi e tërbuar – dhe kritikë të pafajshëm që bëjnë shëtitje, pa e ditur se ku po shkojnë (a thua se vetë Krishti t’i kish porositur të shkonin mes lexuesve si « qengja në mes të ujqërve! »). Eh, « punë e rôndë », do thoshte një hoxhë kosovar mjaft popullor i ditëve tona! Kësaj ia kam pasur gjithmonë frikën!

LEXO TE PLOTE

Blog

A parapëlqejnë vërtet gratë të martohen me burra të pasur, sesa me ata simpatikë?

Publikuar

-

Nga

Një nga gjetjet më interesante në psikologjinë evolucionare, është dukuria që burrat dhe gratë ndryshojnë në karakteristikat që preferojnë tek bashkëshortët e tyre të mundshëm. Studim pas studimi, psikologët konstatojnë vazhdimisht se burrat preferojnë të shohin anën financiare, ndërsa gratë të vlerësojnë pamjen e jashtme.

Shpjegimi standard nga psikologjia evolucionare, njihet si teoria evolucionare e preferencave, dhe shpjegohet pa e shumë kështu:Burrat kërkojnë gra të shëndetshme, pjellore, të cilat do të rrisin pasardhës me cilësi të lartë. Meqë pjelloria tek gratë ndodh në adoleshencën e vonë, dhe arrin kulmin në mesin e të njëzetave, burrat preferojnë t’i kenë bashkëshortet në atë moshë kur të martohen.

Për më tepër, tiparet e bukurisë femërore – si raporti i përmasave trupore, lëkura e pastër dhe flokët joshëse – janë të gjitha shenja të shëndetit të mirë. Ndaj është e natyrshme që burrat t’i konsiderojnë tërheqëse këto elementë. Në të kundërt sipas teorisë, gratë janë në një lloj disavantazhi natyror, kur bëhet fjalë për qasjen ndaj burimeve financiare.

Ato janë fizikisht më të dobëta se sa burrat, dhe karriera e tyre ndërpritet nga shtatzënia dhe rritja e fëmijëve. Pra gratë janë të varura nga burrat për sigurimin e jetesës së tyre dhe fëmijëve të tyre. Dhe kjo është arsyeja, pse ato vlerësojnë burimet financare, për sa i përket një partneri të mundshëm.

Kjo qasje i ka rënjët në zhvillimin evolucionar. Njerëzit modernë u shfaqën rreth 200.000 vjet më parë. Ata jetuan si gjahtarë dhe mbledhës, në grupe prej rreth 100 vetësh. Pikërisht atëhere, do të shfaqej ndonjë model sjelljeje apo njohjeje unike e njeriut. Dhe kjo është arsyeja pse shkencëtarët e quajnë atë mjedis të përshtatjes evolucionare.

Rreth 10.000 vjet më parë, njerëzit kaluan në bujqësi. Dhe aftësia për të prodhuar ushqim me bollëk, shkaktoi lindjen e qytetërimeve dhe zgjerimin e shpejtë të teknologjisë, duke çuar deri tek shoqëritë moderne industriale ku jetojmë sot. Ndërkohë, njësia themelore shoqërore kaloi nga grupi tek familja.

Në ato kushte, duhej të ekzistonin edhe rregulla të qarta se kush kishte në pronësi çfarë, dhe kush e trashëgonte atë. Ardhja e bujqësisë, përkoi me kohën kur gratë u nënshtruan nga burrat. Në shoqëritë gjahtar-grumbulluese, gratë kishin një nivel të lartë prestigji, pasi siguronin shumicën e ushqimit për grupin.

Meqë ato ishin grumbulluese, në fund të ditës sillnin disa lloj ushqimesh bimore, rrënjë, manaferra, kokrra drithi, zarzavate. Ndërkohë, burrat ktheheshin shpesh duar bosh në shtëpi nga gjuetia e kafshëve të egra. Pra, është e qartë se gratë nuk vareshin nga burrat për mbijetesë.

Dhe kjo do të thotë, se nuk duhet të kishte ndonjë preferencë evolucionare femërore ndaj burrave që sigurojnë të ardhura, mbi ato me një pamje më simpatike. Për më tepër, çdo gjë që ishte e mbrojtur nga toka ishte e ndarë me grupin, dhe kështu nuk kishte asnjë dallim midis burrave të pasur dhe burrave të varfër.

Si një alternative ndaj teorisë së evolucionit të preferencave, psikologët Ekis Egli dhe Uendi Ud propozuan 2 dekada më parë teorinë e rolit social, për të shpjeguar ndryshimet e vëzhguara tek dy gjinitë mbi preferencat ndaj bashkëshortëve. Sipas kësaj të fundit, preferenca e grave ndaj meshkujve të pasur ndaj atyre simpatikë, është më tepër një përgjigje ndaj organizimit aktual shoqëror, sesa një produkt i së kaluarës sonë evolucionare.

Me kalimin tek bujqësia, pati një zhvendosje në rolet që burrat dhe gratë luanin në shoqëri. Punimi i tokës dhe mbarështimi i kafshëve, kërkonin një forcë të madhe fizike. Ndaj roli i grave u transferua në punët shtëpiake si kujdesi për fëmijët, gatimi, pastrimi apo edhe artizanetet si endja.

Dhe për shkak se gratë nuk mund të siguronin më ushqim për veten e tyre, ato u detyruan të varen nga burimet financiare të burrit të tyre. Për më tepër, vetëm nën epokën e bujqësisë, filluam të shohim shtresëzimin e shoqërisë në të pasur dhe të varfër. Dhe sapo lindën qytetërimet komplekse, më të pasurit nuk e punonin vetë tokën.

Ata ishin zakonisht pronarë tokash, tregtarë, burokratë dhe klerikë, profesione që nuk kërkonin ndonjë sforco të madhe fizike. Kësisoj gratë u detyruan të zgjidhnin midis një burri të pashëm duke mbetur të varfëra, ose një burri mediokër dhe të jetonin në rehati.

Në fund të shekullit XX, gratë bënë përpjekje të mëdha për të rivendosur barazinë gjinore, që e kishin humbur me ardhjen e bujqësisë. Kështu, teoria e rolit shoqëror parashikon që preferencat e grave për bashkëshortët e tyre, duhet të zhvendoset drejt burimeve financiare, deri në masën që ato të mos varen më nga burrat. Ndërkohë në kulturat ku gratë kanë më shumë liri ekonomike dhe politike, ato i kushtojnë më pak rëndësi financave të një burri, dhe më shumë rëndësi pamjes së tij të jashtme./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE