Connect with Us

Çfarë do të ndodhë me Hong Kongun?

Blog

Çfarë do të ndodhë me Hong Kongun?

Publikuar

-

Nga Kathryn Salam “Foreign Policy”

* Gjatë muajve të fundit, protestuesit në Hong Kong kanë organizuar protesta gjithnjë e më të shpeshta, kundër një projektligji të diskutueshëm, që do të lejonte përballjen e qytetarëve të Hong Kongut me akuza penale, dhe ekstradimin e tyre në territorin e Kinës.

Edhe pse qeveria lokale e Hong Kongut e ka pezulluar ligjin, protestat kanë vazhduar duke parashtruar një seri ankesash të tjera, përfshirë natyrën e marrëdhënieve të këtij rajoni me Pekinin. Ndërsa trazirat vazhdojnë, të gjithë po hamendësojnë se çfarë do të ndodhë më tej me Hong Kongun.

Edhe para prezantimit të këtij projektligji këtë pranverë, ishte tashmë e qartë se Kina dhe Hong Kongu, po shkonin drejt një përplasje mes tyre. “Presidenti kinez Xi Jinping, e ka përqendruar pushtetin në duart e tij, dhe ka shtypur çdo lloj kundërshtimi në territorin e Kinës, si asnjë udhëheqës tjetër që nga Mao Ce Dunit”-shkruante Ben Blend i Institutit Loui.

Nga ana tjetër, “gjatë 3 viteve të fundit, qeveria e Hong Kongut, e cila është emëruar nga Pekini, ka ndërmarrë shumë hapa represive, të papara më herët”, shpjegon Blend. Ajo ka skualifikuar ligjvënësit e zgjedhur, ka ndaluar garimin e aktivistëve të rinj, ka nxjerrë jashtë ligjit një parti politike, ka burgosur udhëheqësit e protestës pro-demokracisë, ka dëbuar një gazetar të huaj, ndërsa ka bërë një sy qorr, kur Pekini rrëmbeu kundërshtarët e tij politikë në Hong Kong”.

Ndërkohë Xhejms Tajger i organizatës “PEN America”, shkruan se botuesit atje janë përballur me ngacmime dhe burgosje. Një represion i tillë, thekson shkrimtari me banim në Hong Kong, Entoni Dapiran, erdhi pas Lëvizjes së Umbrellës së vitit 2014, protesta pro-demokracisë në Hong Kong, e cila u shua pa u përmbushur asnjë nga kërkesat e protestuesve.

Nën këtë sfond ngjarjesh, kur qeveria e Hong Kongut prezantoi ligjin e ri të ekstradimit, publiku shpërtheu menjëherë. Edhe shtresa e biznesit në këtë rajon, “zakonisht një grupim konservator i kujdesshëm”, u përfshi në protestat që nisën në qershor. Më shumë se 1 mijë biznese lokale, morën pjesë në grevën e parë të përgjithshme të qytetit që nga vitet 1960.

Nga ana e saj, shefja ekzekutive e rajonit, Kerri Lam, gjendet në një pozitë aspak komode. Siç raporton gazetarja Hilton Jip, “dëshira e Lam për të miratuar këtë projektligj është e kuptueshme, duke pasur parasysh se ajo ia detyron statusin e saj qeverisë së Pekinit.

Krerët e Hong Kongut, duhet ta “duan vendin e tyre”, ndaj ata miratohen nga një komitet ku Pekini ka një ndikim të madh. Bazuar në doktrinën “një vend, dy sisteme”, thotë analisti Xhejms Palmer, Hong Kongu mendosej se ishte në gjendje ta “ruante sistemin e vet unik juridik, kufijtë dhe qeverinë e tij deri në vitin 2047, kur mund të përfshihej plotësisht në Republikën Popullore të Kinës”.

Por ky sistem ka filluar të prishet që tani, dhe gjithnjë e më shumë banorë të Hong Kongut, janë të bindur se qeveria kineze nuk dëshiron të presë edhe 28 vjet të tjera, për të ushtruar kontrollin  e saj të plotë. Edhe nëse vendos të presë, Kina nuk dëshiron sigurisht që Hong Kongu të vazhdojë të mbetet një bastion i protestës kundër Pekinit.

Dhe as që marrëveshja “një vend, dy sisteme” të përhapet në të gjithë vendin. Siç e thekson Derek Grosman nga think-tanku “Rand Corp”, situata në Hong Kong “frymëzon pak besim tek Tajvani fqinj, shenjestra kryesore e mesazheve të Pekinit mbi ‘një vend, dy sisteme’.

Ambicia e Pekinit, ka qenë prej kohësh arritja e një ‘bashkimi paqësor’ me ishullin – një nënshtrim vullnetar nga ana e Tajvanit, nën premtimin se ishulli do të ruajë sistemin e tij ligjor dhe qeveritar. Deri më tani, Pekini ka preferuar të mos e dërgojë ushtrinë në Hong Kong, por siç vëren Palmer, ekziston ende frika e dërgimit të saj, apo forcave paramilitare për të shuar me dhunë lëvizjen, “gjë që ndoshta do të shkaktojë një Tiananmen të dytë”.

Aktualisht, forcat paramilitare të Policisë së Armatosur Popullore (PAP), po merren me shumicën e punëve të pista brenda vendit, duke shtypur kundërshtimet e brendshme. Kjo structure, është zyrtarisht e ngarkuar “me ruajtjen e sigurisë së brendshme, dhe kundër terrorizmit” në Xinjiang dhe Tibet.

Prandaj nuk është për t’u habitur, pse javët e fundit, Pekini e ka shtuar retorikën e tij kundër protestuesve, duke i krahasuar ata me terroristët. Në mungesë të një ndërhyrjeje ushtarake, Pekini është përpjekur t’i sabotojë protestat edhe në mënyra të tjera.

“Ka dëshmi në rritje”- thotë Andreas Fulda, “që kryengritja popullore e Hong Kongut, e ka nxitur Partinë Komuniste Kineze, të çlirojë “demonët” e dhunës etnonacionaliste. Banorët e Hong Kongut, janë parë gjithnjë e më shumë nga qendra si një tjetër pakicë problematike, ndaj ata mund t’i nënshtrohen politikës së linjës së ashpër, që po zbatohet në Xinjiang dhe Tibet.

Ndërkohë, Pekini është përpjekur ta përshkruajë lëvizjen si një punë të agjenturave të huaja. Pas marshimit të protestës së gati 2 milionë njerëzve në qershor (një nga protestat më të mëdha në historinë moderne), Kina nxitoi të deklarojë, se pas saj fshihen “forcat e huaja armiqësore”.

Sigurisht, në mesin e disa drejtuesve të PKK, ekziston një shqetësim real për ndërhyrjen e huaj, që sipas tyre synon rrëzimin e qeverisë kineze.

Por kjo është ndërkohë një propagandë shumë e efektshme ndaj një audience vendase, që ka

qenë e gatshme ta shohë si armiqësore botën e jashtme. Fajësimi i të huajve – veçanërisht i Shteteve të Bashkuara – është një mjet shumë i mirë për “skifterët” e politikës së jashtme kineze, thotë Melinda Liu e “Newsweek”, të cilët po përfshihen gjithnjë e më shumë në një luftë tregtare me Uashingtonin.

Nga ana e tij, Uashingtoni ka paralajmëruar se projektligji i ekstradimit mund të shkelë ligjin amerikan, çka mund të nxisë SHBA-në të heqë dorë nga trajtimi preferencial i Hong Kongut në aspektin tregtar. Sa për atë që mund të ndodhë më pas, gazetarja Karen Çeung paralajmëron se lëvizjet e protestës janë të gjata dhe të vështira.

“Imazhet e protestuesve të rinj paqësorë, janë vlerësuar si fytyrat e luftës mes Davidit dhe Goliatit. Por romantizimi i lëvizjes, është i rrezikshëm për Hong Kongun”- vëren ajo. Ajo thotë se është e rëndësishme të mos harrohet se “qyteti ka ende përpara një betejë 30-vjeçare, dhe jo çdo protestë mund të jetë e bukur dhe e madhe:pas këtyre skenave, mund të harrohet lehtë tirania represive”.

“Vetëm kur shtypja të luftohet çdo ditë, me banorët e Hong Kongut që ushtrojnë të drejtat e pakta të votës që u janë garantuar, dhe kur mësuesit, avokatët, prindërit, gazetarët dhe të tjerët, do të munden të luajnë rolin e tyre në edukimin e gjeneratës tjetër, atëherë kjo lëvizje mund të mbështesë vetveten”- thekson ajo.-përshtatur nga CNA.al.

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Donald Trump po i jep fund luftërave të pafundme të Amerikës

Publikuar

-

Nga

Nga Tony Shaffer “The Hill”

Presidenti Donald Trump, premtoi në fushatë t’i jepte fund ndërhyrjeve të pamatura të Shteteve të Bashkuara në vende të huaja gjatë 2 dekadave të fundit, dhe po e mban këtë premtim. Raportet tregojnë se ai është më afër se kurrë dhënies fund të luftës më të gjatë në historinë e Amerikës.
Pas viteve negociata, talebanët janë në prag të nënshkrimit të një marrëveshje, që do t’i hapte rrugën sheshimit të armiqësive, një zgjidhjeje për të ardhmen e Afganistanit, si dhe një tërheqje të trupave amerikane.

Nëse do të nënshkruhet ky pakt, rreth 5.000 trupa do të largohen nga Afganistani. Nëse kushtet e sigurisë pas kësaj lëvizjeje do të vazhdojnë të përmirësohen, 8.000 ushtarët e fundit mund të rrikthehen në SHBA, duke i dhënë fund një pranie ushtarake 18-vjeçare, e cila prej kohësh ka dalë nga vëmendja e shumicës së amerikanëve, që nuk kanë miq apo familjarë në rrezik.

Siç kam shkruar më herët, një zgjidhje e negociuar do të ishte një zgjidhje e nevojshme, për t’i dhënë fund konfliktit në Afganistan. Trump po shkon drejt suksesit në këtë pikë, dhe po i jep fund asaj lufte. Pasi vendi ynë u sulmua në 11 Shtator 2001, Shtetet e Bashkuara u detyruan të hakmerreshin kundër monstrave që vranë më shumë se 3.000 qytetarë të pafajshëm.
Ushtria jonë e shkëlqyer, vërtetoi kurajon dhe vlerën e saj, duke duruar dislokim pas dislokimi, dhe vitet e konfliktit të përgjakshëm në të gjithë botën. Osama Bin Laden dhe pasardhësi i tij si udhëheqësi më i shquar i terrorit islamik, Abu Bakr Bagadi, janë vrarë, duke u sjellë para drejtësisë nga fuqia e madhe e armëve amerikane.

Ndërkohë gjatë fushatës elektorale Trump u premtoi amerikanëve, se do të shmangte luftërat e pafundme, dhe e tillë ishte edhe përfshirja jonë në Afganistan. Por vetëm në zgjedhjet e vitit 2016, amerikanët e kuptuan më në fund të vërtetën e shëmtuar se “lufta globale kundër terrorizmt”, ishte shndërruar prej kohësh në një angazhim të hapur të trupave amerikane në
zona lufte armiqësore, pa ndonjë fitore të dukshme në horizont.
Dhe kjo nuk ishte askund më e qartë se sa në Afganistan. Prania jonë atje, është tani zyrtarisht më e zgjatur në kohë sesa mosha e disa prej ushtarëve amerikanë që luftojnë atje. Trupat tona, kishin fillimisht për detyrë të dëbonin nga aty njerëzit përgjegjës për sulmet e 11 Shtatorit, dhe krijimin e një qeverie të ligjshme në Kabul.

Por sot misioni i tyre dhe fitorja janë të paqarta. Për shumë vite, amerikanët kanë luftuar dhe vdekur për të krijuar kushtet e paqes në Afganistan, dhe që qeveria demokratike në Kabul të krijonte autoritetin e saj legjitim. Vetëm javën e kaluar, 2 familje të tjera amerikane iu bashkuan afro 2.400 të tjerave, që kanë marrë lajmin tragjik të vrasjes së familjarit të tyre në Afganistan.
Por lufta në Afganistan nuk është më thelbësore për sigurinë sonë kombëtare, dhe kjo i ka lënë trupat tona atje pa ndonjë mision të dukshëm për të kryer. Partnerët tanë afganë kanë nevojë për mbështetjen tonë, por termat e sakta që do të çojnë drejt një fitoreje janë të paqarta.

Duke pasur parasysh këto realitete, Trump dhe këshilltarët e tij, kanë hartuar rrugën më të mirë që duhet ndjekur për t‘i dhënë fund këtyre konflikteve. Ne duhet të kemi një panoramë të qartë dhe lehtësisht të verifikueshme të uljes të dhunës dhe agresionit nga talibanët.

Trupat amerikane, dhe negociatorët që takohen me talibanët dhe përfaqësuesit e qeverisë afgane në Katar, duket se janë në prag të arritjes së kësaj. Trump u dha shumë familjeve amerikane një shpresë të madhe, kur premtoi të ndalte luftërat e pafundme, që kanë marrë kaq shumë jetë amerikanësh gjatë 2 dekadave të fundit. Duke e përmbushur këtë premtim, ai po e rikthen më në fund atë shpresë, në mirënjohje dhe lehtësim në të gjithë vendin./Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Studimi/ Paraja nuk të bën të lumtur, sporti po

Publikuar

-

Nga

A dëshiron që të jesh i lumtur? Harro paratë dhe pasurinë, dhe fillo të vraposh. Në këtë përfundim mbërrin një studimi të kohëve të fundit, i kryer nga studiuesit e Universiteteve të Jeilit dhe Oksfordit, që nxjerr në pah se si ndikimi pozitiv i sportit në gjendjen tonë të humorit, është shumë më i lartë, sesa ajo që na japë pasuria materiale.

Hulumtimi, i botuar në numrin më të fundit të revistës “The Lancet”, përfshinte mbi 1.200.000 qytetarë amerikanë të cilëve iu dërgua një pyetësor, që i pyeste ata sa herë ishin ndjerë të trishtuar, në depresion apo të stresuar gjatë 30 ditëve të kaluara. Pjesëmarrësit u pyetën gjithashtu për sasinë dhe cilësinë e aktivitetit fizik të kryer, si dhe gjendjen ekonomike individuale.

“Divani i trishtimit”

Nga të dhënat, rezulton se ata që merren rregullisht me aktivitet fizik, ndjehen keq mesatarisht 35 dit në vit, përkundër 53 ditëve për personat që kanë një jetë kryesisht sedentare. Jo vetëm kaq: sipas studimeve, një person joaktiv e arrin të njëjtin nivel lumturie me një atlet, vetëm nëse fiton të paktën 25.000 dollarë në vit më shumë.
Me pak fjalë, duket se ata që kanë qejf të rrinë shumë shtrirë në divanin e tyre, kostoja e lumturisë është shumë më i lartë, sesa ajo e një abonimi në palestrën më të njohur në një qytet. Gjithsesi, i njëjti studim tregon se lidhja midis lumturisë dhe numrit të orëve në stërvitje fizike, është në një pikë të caktuar e përmbysur:teprimi me aktivitetin fizik bëhet kundërproduktiv, jo vetëm për mirëqenien fizike, por edhe për atë mendore.
Kufiri maksimal i ushtrimit fizik, duket të jetë 3 orë në ditë. Sipas studiuesve, përfitimi maksimal nga gjendja shpirtërore merret pas 3-5 seancash stërvitje në javë, që zgjasin nga 30 deri në 60 minuta. Por a ka ndonjë sport që ndikon në mirëqenien psikologjike, më shumë se të tjerat? Për shkencën, më të efektshme në këtë drejtim janë sportet ekipore, edhe pse fryma konkurruese mund të çojë në debate me shokët e ekipit ose kundërshtarët.

Evropianët kanë tendencë të kenë një jetë sedentare

Përkundër provave shkencore, jo të gjithë duken të bindur mbi rëndësinë që ka sporti në gjendjen tonë emocionale. Sipas një studimi më të fundit nga Rrjeti Evropian i Shëndetit, 25 përqind e grave dhe 22 për qind e burrave në kontinentin e vjetër, nuk po lëvizin aq sa duhet.
Por sa është “mjaftueshëm”? Rekomandimet e Shoqatës Evropiane të Kardiologjisë, tregojnë pragun minimal për uljen e rrezikut kardiovaskular tek të rriturit e shëndetshëm në 75 minuta aktivitet intensiv fizik në javë, ose 150 minuta aktivitet të moderuar.
Për njerëzit që janë mbi 65-vjeç, edhe një vëllim i ulët i aktivitetit të moderuar, mund të jetë i mjaftueshëm. Sidoqoftë, ekspertët këshillojnë të shmangni veprimet me kokën tuaj, dhe të këshilloheni me mjekun, mbi sasinë dhe llojin e sportit që duhet të ushtroni./Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Rreziqet e pajtimit të Evropës me Rusinë

Publikuar

-

Nga

Nga Judy Dempsey “Carnegie Europe”

Presidenti francez Emanuel Makron, po kryeson kauzën për të vendosur një marrëdhënie të re me Rusinë. Synimi i tij, është t’i japë fund ndjenjës së izolimit dhe distancimit të Rusisë, siç e shpjegoi ai gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih. Makron beson se Rusia është jetike për sigurinë e Evropës.
Pa u angazhuar fqinji i saj i madh, Evropa nuk do të jetë e sigurt. Dhe kjo është arsyeja pse Evropa duhet të krijojë një lloj arkitekture sigurie, që përfshin edhe Rusinë. Kjo është një tezë që Kremlini – dhe Gjermania – e ka mbrojtur prej kohësh, edhe pse janë kundërshtuar nga shumica e vendeve të BE-së dhe NATO-s.

Ata i perceptojnë thirrje të tilla, si përpjekje të Moskës për të krijuar një aleancë në kurriz të aleancës transatlantike. Përçarja e NATO-s dhe dobësimi i lidhjeve të Evropës me Shtetet e Bashkuara, ka qenë një politike e qëndrueshme e Kremlinit.
Politika “Amerika e Para” e presidentit amerikan Donald Trump, në të cilën BE-ja kritikohet vazhdimisht nga Uashingtoni për tregtinë dhe praktikat e saj të konkurrencës, mund të shfrytëzohet nga presidenti Rus Vladimir Putin. Nën administratën Trump, Makron beson se Evropa nuk mund ta marrë më si të mirëqenë faktin që Shtetet e Bashkuara, do të vazhdojnë
që ta mbrojnë Evropën.

Por ky argument nuk qëndron edhe aq, duke pasur parasysh se sa shumë po investon Pentagoni për sigurinë dhe mbrojtjen e shteteve balltike. Dhe përkundër kritikave të Makronit ndaj NATO-s si një organizatë ushtarake dhe politike, publiku ka një këndvështrim të ndryshëm mbi aleancën veri-atlantike.
Sipas një raporti të fundit të Qendrës Kërkimore Pju mbi qëndrimet ndaj NATO-s, publiku në shtetet anëtare është i bindur se SHBA-ja do të përdorte forcën ushtarake për të mbrojtur një aleat të NATO-s nga Rusia, ose 60 për qind, ndërsa vetëm 29 për qind besojnë se kjo gjë nuk
do të ndodhte.

Prandaj, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë që të shihen si një aleate e besueshme. Ndërkohë mendoni pak si do të reagonin aleatët evropianë, nëse ndonjë nga aleatët e saj të NATO-s do të sulmohej nga Rusia. Mesatarisht 50 përqind e qytetarëve në 16 shtete anëtare të NATO-s, thonë se vendi i tyre nuk duhet që të mbrojë një aleat ndaj një sulmi rus, krahasuar me vetëm 38 për qind që thonë se vendi i tyre duhet të mbrojë aleatët.
Shumica e publikut kundër mbrojtjes së një aleati, janë evropianë. Pra publiku evropian ka më shumë të ngjarë të besojë se Shtetet e Bashkuara do të mbronin një aleat të NATO-s nga një sulm rus, sesa të mendojnë se vendi i tyre duhet të bëjë të njëjtën gjë. Po Kremlini çfarë mendon?
Përkundër këtyre gjetjeve, Makron beson se Evropa duhet të jetë e gatshme të bëhet më sovrane dhe më e aftë për t’u kujdesur për sigurinë dhe mbrojtjen e saj. Dhe riafrimi me Rusinë, do të përmirësonte sigurinë e Evropës.

Por strategjia e re e Makron ndaj Rusisë, është një rrugë më një kalim, dhe kjo për disa arsye. Së pari, ai nuk ka përmendur asnjëherë kushtet për një partneritet të tillë strategjik mes Rusisë dhe Evropës. BE-ja duhet ta vërë më shumë theksin tek vlerat. Por të drejtat e njeriut, liria e mediave, frikësimi i gazetarëve investigativë, sulmet ndaj sundimit të ligjit dhe integritetit territorial të vendeve të ndryshme, nuk janë pjesë e “diskursit” të Makron mbi Rusinë.
Për më tepër, nëse vlerat do të ishin të rëndësishme për politikat e Makron, ai mund të kritikonte hapur Rusinë, pse vazhdon të mbështesë regjimin brutal të presidentit Bashar Al-Asad, që ka bombarduar civilë, spitale dhe shkolla në Siri, dhe më së fundmi qytetin veriperëndimor të Idlibit.
Vuajtjet aty janë të tmerrshme. Në një deklaratë të hënën, kreu i zyrës së çështjeve humanitare në OKB, Mark Loukok, e quajti atë “tmerrin më të madh humanitar të shekullit XXI”. Dhe nëse siguria është kaq e rëndësishme për Makron, ai e di shumë mirë se lufta në Siri ka krijuar një problem politik dhe të sigurisë për Evropën.

Fluksi i refugjatëve, ka nxitur ngritjen e partive populiste të ekstremit të djathtë, për të mos përmendur kërcënimet dhe sulmet e tyre terroriste. Së dyti, mbështetja e tij ndaj parimit të sovranitetit, të cilin mbron për Evropën, duket se është përdorur në mënyrë selektive.
Makron mjafton të shohë Ukrainën, të cilën Rusia e pushtoi në vitin 2014, para se të aneksonte ilegalisht Gadishullin e Krimesë. Që atëherë, mbi 10.000 civilë janë vrarë në luftë, dhe mbi 1.5 milionë njerëz janë zhvendosur brenda vendit. Siç duket, sovraniteti është një e drejtë ekskkuzive apo aspiratë për Evropën.

Dhe duke pasur parasysh aktorët konkurrues në Siri, është e vështirë të shihet se si mund të rifitohet sovraniteti i këtij vendi, një çështje që Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov e shpërfilli hapur kur u pyet për të në Konferencën e Sigurisë në Mynih.
Kjo sugjeron që qasja e re e Makron ndaj Rusisë, nuk bazohen në vlera, por në interesa. Ajo që Rusia po bën në Ukrainë dhe Siri, është kundër interesave të Evropës. Dhe edhe nëse lëvizja e fundit bazohet në realpolitikë, Makron mund të fitojë mbështetje nga evropianët e tjerë, vetëm nëse Moska do të japë diçka në këmbim. Dhe deri më tani, kjo nuk duket se po ndodh./Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE