Connect with Us

Çfarë fshihet pas shpërthimit misterioz, që ndodhi së fundmi në Rusi?

Blog

Çfarë fshihet pas shpërthimit misterioz, që ndodhi së fundmi në Rusi?

Publikuar

-

Nga Jeffrey Lewis “Foreign Policy”

Të enjten më datë 8 gusht, autoritetet ruse bënë një njoftim befasues. Kishte ndodhur një lloj aksidenti, gjatë testimit të një motori raketash afër qytetit të Severodvinskut, përgjatë bregdetit rus në Arktik. Dy persona vdiqën, teksa u konfirmua një rrezatim i shkurtër radioaktiv. Menjëherë pas kësaj, pamjet dhe videot e shpërndara në mediat sociale, shfaqën ambulanca, helikopterë dhe avionë, që shkonin drejt vendit të ngjarjes. Përmendja e rrezatimit bërthamor ishte befasuese. Kjo pasi testet e motorëve të raketave, zakonisht nuk përfshijnë rrezatimin. 

Por ka vetëm një përjashtim:Vitin e kaluar, Rusia njoftoi se testoi një raketë lundruese, që lëviz me anë të energjisë bërthamore. Moska e quan këtë raketë “9M730 Burevestnik”. Ndërsa 

NATO “SSC-X-9 Skyfall”.

Një raketë e tillë, që lëviz falë energjisë bërthamore është një ide e cmendur, një ide të cilën Shtetet e Bashkuara e morën dikur në konsideratë, por më pas hoqën dorë, duke e cilësuar një makth teknik, strategjik dhe mjedisor. Por Rusia e Vladimir Putinit, mendon ndryshe. 

Unë dhe kolegët e mirë në Institutin e Studimeve Ndërkombëtare në Midëllbëri, ngritëm pikëpyetjen nëse diçka kishte shkuar keq me Skyfall. Shumë shpejt zbuluam se kishte shumë arsye, pse mund të ketë ndodhur ajo ngjarje. Fillimisht, u përpoqën të gjejmë se ku ka ndodhur saktësisht incidenti. 

Shumica e raporteve, flisnin për një bazë në vendin e quajtur Nenoksa, rreth 18 milje larg Severodvinskut. Supozimi ynë, ishte se aksidenti ka ndodhur në Qendrën e Testimit të Raketave në Nenoksa. Kjo bazë nuk është aspak sekrete. Ajo është e mirë-dokumentuar në raportet e deklasifikuara të inteligjencës amerikane. 

Qendra funksionon që nga vitet 1960. Por kur pamë më nga afër bazën, përmes imazheve satelitore, u çuditëm kur gjetëm diçka të re. Kur Rusia njoftoi se kishte nisur të testonte një raketë me energji bërthamore, Putin shfaqi për mediat një video të shkurtër të raketës në fluturim. 

Në atë kohë, duke analizuar pamjet filmike, arritëm në përfundimin ajo ishte lëshuar nga arkipelagu i largët në Arktik, Novaja Zemlja. Vetë baza e lëshimit, ishte shumë i veçantë. Ajo kishte edhe një magazinë, ku shkencëtarët mund të përgatitnin raketën përpara lëshimit të saj. 

Por një dite vere vitin e kaluar, Rusia filloi në mënyrë të pashpjegueshme të zhvendoste pajisjet. 

Në shtyp pati raporte, sipas së cilave komuniteti amerikan i inteligjencës, besonte se testet e mëhershme kishin dështuar, me më të gjatin që kishte zgjatur vetëm 22 sekonda. 

Unë dhe kolegia Ana Pelegrino, sqaruam se nuk ishim të sigurt se pse Rusia po e braktiste bazën, por kishte gjasa që testimet do të transferoheshin diku tjetër. Dhe ja ku i kemi provat, me bazën Nenoksa. 

Po rrezatimi? Edhe ai e ka një shpjegim. Kur vëzhguam një imazh satelitor të bazës më 8 gusht, mundëm të shihnim disa anije, dhe një lloj platforme buzë bregut, në një zonë që është jashtë trajektores së transportit tregtar. Si një masë themelore e sigurisë, të gjitha anijet e mëdha tregtare që kryejnë udhëtime ndërkombëtare, duhet të jenë të pajisura me transmetuesin AIS. 

Ai njofton periodikisht vendndodhjen e një anijeje të madhe, duke reduktuar gjasat e një përplasjeje në det. Nga hetimet tona, rezultoi se njëra nga anijet brenda zonës së kufizuar, kishte transmetuesin e vet AIS. Anija në fjalë, është një anije e madhe mallrash e quajtur “Serebrjanka’. Kjo anije është e pazakontë, pasi është në pronësi të “Rosatom”, korporatës shtetërore ruse të energjisë atomike, dhe përdoret për transportimin e ngarkesave radioaktive. Serebrjanka ishte pjesë e një operacioni në vitin 2018, për rikuperimin e një rakete lundruese që lëviz përmes energjisë bërthamore, e cila ishte rrëzuar në oqean. 

Analiza e të dhënave që kemi në dispozicion, duket se flet për një lloj aksidenti gjatë një 

prove të “Skyfall”, ose të ndonjë rakete tjetër me energji bërthamore. Gjatë fundjavës që shkoi, nuk pati konfirmim për llojin e raketave, teksa Rosatom pranoi se 5 nga punonjësit e saj ishin vrarë në atë aksident. 

“Testimet e raketave, u kryen në platformën e ndërtuar në det të hapur. Pas përfundimit të provave, karburanti i raketës u ndez dhe shpërtheu. Pas shpërthimit, disa punonjës u hodhën në det”- u shpreh Rosatom në deklaratën për mediat. Megjithatë, ajo nuk shpjegoi për çfarë lloj rakete bëhet fjalë, apo se çfarë kishte shkuar gabim. 

Deklarata thoshte thjesht se “pati një ndërthurje faktorësh, gjë që ndodh shpesh kur testohet një teknologji e re”. Ndërkohë gjatë fundjavës, në mediat sociale është shfaqur një listë me emrat e të vdekurve, që të gjithë të rinj. Unë dhe kolegët e mi e konfirmuam, se ata ishin punonjës të Rosatom, që të gjithë pjesëtarë të laboratorit të projektimeve bërthamore në Sarov. 

Në pamë llogaritë e tyre në mediat sociale, ku familjarët ishin duke vajtuar për humbjen e tyre. Pamë foto të jetës së tyre, duke u angazhuar në sporte të ndryshme, duke shkuar me pushime, duke u martuar. Gjetëm foto të grave dhe fëmijëve të tyre. Është një ngjarje jashtëzakonisht e trishtë, që të nxit të pyesësh:Kaq vlerë kishte kjo raketë idiote, për të vrarë këta të rinj?

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, duket se po shkojnë drejt një garë të re armatimesh, qoftë për shkak të ndonjë nostalgjie e çuditshme, apo sepse askush nuk mund të mendojë për ndonjë gjë më të mirë sesa kjo. Strategjia e re e administratës Trump e vitit 2018, mbi armët bërthamore, flet për rikthimin e konkurrencës mes fuqive të madhe, ndaj synon një modernizim të gjerë të arsenalit bërthamor të Shteteve të Bashkuara. 

Rusia po investon miliarda dollarë në modernizimin e armëve të saj, me një mori armësh të çuditshme që po zhvillon, për të mposhtur mbrojtjen raketore amerikane, përfshirë edhe raketën lundruese me energji bërthamore. Kur mendojmë për rreziqet e garës së armëve, mendja na shkon tek mundësia e një katastrofe, që mund t’i japë fund qytetërimit tonë. 

Megjithëse Lufta e Ftohtë nuk përfundoi me ndonjë katastrofë në shkallë të gjerë, ajo pati 

ende një seri katastrofash në shkallë të vogël, për shumë nga njerëzit që e jetuan atë. Për këtë mjafton të pyesni ambientalistët në Rusi, mbi kostot e garës së armëve bërthamore, apo njerëzit që jetojnë pranë Rocky Flats, Hanford apo bazat e tjera të panumërta bërthamore në Shtetet e Bashkuara. 

Ndonjëherë jemi aq shumë të përqendruar tek gjërat e tmerrshme, që i shmangëm për fije gjatë Luftës së Ftohtë, sa që kemi harrar të gjitha gjërat e tjera të tmerrshme që ndodhën realisht. Llojet e gjërave që ndodhin shpesh, siç e theksoi ftohtë edhe Rosatom, “kur testohen teknologji të reja”. 

Ka shumë qenie njerëzore në botën reale, që do të vuajnë pasojat e kësaj gare armatimesh. Pesë rusët e vdekur një javë më parë, janë vetëm disa prej tyre. Pesë burra, prindërit, bashkëshortët dhe fëmijët e të cilëve, nuk do t’i shohin kurrë më. A ja vlejti e gjitha kjo? Nuk e besoj. Jo, Shtetet e Bashkuara nuk kanë nevojë për më shumë armë bërthamore. Dhe as Rusia. Jo, për aq kohë sa gratë kanë nevojë për burrat e tyre, apo fëmijët për baballarët e tyre.

Përshtatur nga CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Karantina e një familjeje në Vuhan, e pasuar nga infektimi dhe tragjedia

Publikuar

-

Nga

Nga Lily Kuo “The Guardian”

* Liu Mengdi, 25-vjeçe, ka mbajtur një ditar javët e fundit, ndërsa koronavirusi ka kapluar qytetin e saj të lindjes, Vuhan. “Sot është dita e gjashtë e karantinës në Vuhan. Mendova se familja ime, e penguar të dalë jashtë banesës, do të ishte të paktën e sigurtë”-shkroi ajo më 29 janar nga Italia, ku po studion në vitin e fundit në një universitet.

Babai 54-vjeçar i Liu, Liu Daoju, që pati dhimbje fyti dhe kollë 5 ditë më parë, sapo kishte rezultuar pozitiv ndaj virusit të ri. Gjyshi i saj 90-vjeçar, Lei Ruting, po shfaqte simptoma edhe më serioze: ethe të forta, dhe vështirësi në frymëmarrje.

“Të gjithë në familjen time, janë jashtëzakonisht të shqetësuar”- shkroi ajo. Megjithatë, e mbylli shënimin e asaj dite me optimizëm. “Ne besojmë se gjithçka do të jetë në rregull. Faleminderit mjekëve dhe infermierëve, që po e luftojnë këtë virus. Faleminderit të gjithëve atyre, që na kanë ndihmuar”- shkroi ajo.

Por 3 ditë më vonë, edhe ai optimizëm ishte zhdukur. “Më 2 shkurt në orën 15:08 të pasdites me orën lokale të Pekinit, gjyshi im ndërroi jetë nga ‘pneumonia e panjohur’. Ai sapo kishte mbushur 90-vjeç muajin e shkuar. Kishte qenë gjithnjë i shëndetshëm”-shkruante Liu shumë e shqetësuar.

“Ndihem shumë më tepër se sa e pikëlliuar, ndjehem e zemëruar”- shtoi ajo. Koronavirusi, i njohur tashmë zyrtarisht si Covid-19, u ka marrë jetën të paktën 1.380 njerëzve në Kinë, me më shumë se 1.300 vetëm në provincën Hubei. Vuhan, kryeqyteti i provincës, dhe vendi ku u shfaq për herë të parë virusi, ka pësuar numrin më të madh të viktimave, 1.016.

Familja e Liu, është një nga qindrat që jo vetëm kanë humbur një familjar nga virusi, por që është përpjekur t’i mbijetojë atij. Disa ditë para se të vdiste gjyshi i saj, ai kishte ethe gjatë gjithë natës. Kur të afërmit thirrën një ambulancë, mjekët u thanë se në spital nuk kishin asnjë lloj kure për këtë sëmundje.

“Nëse ai vërtet vuan nga virusi, ne s’mund të bëjmë asgjë. Po ta çoni në spital, askush nuk do të kujdeset për të”-thotë Liu, duke treguar këshillat që iu dhanë familjes së saj. Pas udhëzimeve, familja kontaktoi komitetin vendor të lagjes – që merret me karantinën dhe transportin e pacientëve në spitale – por nuk iu dha ndihmë.

E dëshpëruar, Liu e tregoi historinë e familjes së saj në Weibo, rrjeti më i madh social në Kinë, duke u lutur për ndihmë. Ajo kontaktoi ndërkohë mediat lokale, të cilat e raportuan historinë e saj. Në fund, mjekët erdhën në shtëpinë e tyre, morën një mostër gjaku nga gjyshi i saj, dhe e këshilluan të shkonte diku për të bërë testin e plotë diagnostik, analiza që janë të vështira të kryhen në të gjithë qytetin.

Por familja e saj u këshillua të ndalte apelet për ndihmë në internet, dhe të postonte vetëm mesazhe “pozitive”. Një gazetar dhe një mik i familjes, i ndihmoi të gjenin një spital që mund të kryente të gjitha analizat. Duke parë fotot dhe videot e gjyshit në spital, Liu u ndje e lehtësuar. Por të nesërmen, Lei vdiq para se të dilnin përgjigjet e analizave.

Trupi i tij, u dërgua menjëherë në krematorium pas një ceremonie të shkurtër mortore. Familjes nuk iu lejua të merrtë pjesë apo të mblidhte hirin. Tani, familja e Liut po lufton për të shpëtuar të atin e saj, një skenar ky gjithnjë e më i zakonshëm, teksa pacientët e sëmurë largohen nga spitalet e mbipopulluara për të qëndruar në shtëpi në karantinë, dhe shpesh përfundojnë duke infektuar anëtarët e tjerë të familjes.

Familja nuk është e sigurtë, se si mund të jenë prekur nga virusi gjyshi dhe babai. Por pak kohë para se qyteti të vendosej nën karantinë, ata të dy kishin vizituar miq dhe fqinjë, të cilët më vonë u zbuluan se ishin të infektuar. Në këtë rajon, janë infektuar më shumë se 50.000 njerëz.

Babai i Liu, ndodhet në spital që nga 29 janari. Ata arritën të gjejnë një shtrat përmes miqve të familjes. Për t’iu nënshtruar diagnozës, atij iu desh të shkonte dhe largohej disa herë nga spitali, duke ecur thuajse 25 km më këmbë, ndërsa vuante nga ethe të forta.

Liu foli në telefon derisa e lejoi bateria e telefonit. Mjekët i thanë se babai i saj ishte personi më optimist i pavionit. Ai u tha familjarëve, se do të ishte më mirë pas 3 javësh. I ati i saj është jashtëzakonisht aktiv, nuk pi alkool apo duhan, dhe luan 3 herë në javë badminton (një lojë e ngjashme me tenisin). Ai ecën gjithmonë 10.000 hapa në ditë.

Por gjendja e tij është përkeqësuar në mënyrë dramatike. Më 10 shkurt, në rastin e ditëlindjes së tij, Liu realizoi një video me miqtë nga e gjithë bota, duke i uruar babait të saj një jetë të gjatë dhe shërim të shpejtë. Por atë ditë, spitali i kërkoi nënës së saj të nënshkruante një formular që konfirmonte gjendjen e tij kritike.

Më vonë, nëna e Liut i tha të bijës se mushkëritë e tij kishin pushuar së funksionuari. Babai i saj ndodhet tani i shtruar në reanimacion, i lidhur me një pajisje që e pompon dhe i oksigjenon gjakun. Liu është veçanërisht e zemëruar, pasi është urdhëruar të mos postojë asnjë gjë mbi sëmundjen në internet.

Në fillim të këtij muaji, llogaria e saj WeChat u bllokua. Të atit i është hequr telefoni, dhe ajo nuk ka mundësi të bisedojë me të. Përhapja e virusit, ka shkaktuar një nivel të rrezikshëm të zemërimit të publikut ndaj Partisë Komuniste në pushtet. Banorët janë të zemëruar me reagimin e ngadaltë të autoriteteve ndaj virusit, duke lejuar që ai të përhapej për javë të tëra.

“Për regjimin, ky virus ka qenë si Çernobili për Bashkimin Sovjetik. Menjëherë gjithçka vazhdoi si më pare”- thotë Viktor Shih, ekspert mbi politikën kineze në Universitetin e Kalifornisë bë San Diego. Sipas tij, shumë njerëz e kanë humbur tashmë besimin se partia është në gjendje të qeverisë Kinën.

“Nëse kjo ndodh vërtet, efektiviteti i dekreteve të qeverisë do të bjerë me kalimin e kohës, pasi zyrtarë të nivelit më të ulët dhe njerëzit do rezistojnë në mënyrë pasive. Vetëm koha do ta tregojë këtë ”- thekson ai. Liu shpreson se babai i saj do të shërohet së shpejti, dhe ajo do të ketë mundësi ta marrë me vete në Evropë, për të harruar atë përvojë traumtike.

Por familja e saj po e vuan ende humbjen e gjyshit. Nëna e saj, rri në shtëpi vetëm me të motrën. Ajo qan herë pas here. Vetë Liu nuk po përqëndrohet dot në studimet e saj për arkitekturë./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

A e ka ndryshuar Trump, kursin e politikës së jashtme amerikane?

Publikuar

-

Nga

Nga Jacob Heilbrunn ”National Interest”

* Kur Donald Trumpi, mbajti fjalimin e tij të parë mbi politikën e jashtme gjatë fushatës presidenciale më 27 prill 2016, në Hotelin “Mayfloë” në Uashington, ai tha ishte koha për një ndryshim thelbësor në qasjen e SHBA-së, si ndaj aleatëve, ashtu edhe ndaj kundërshtarëve.

Tani që fushata presidenciale e 2020-ës ka filluar, ia vlen të pyesim: A e ka ndryshuar thellësisht Trump kursin e politikës së jashtme amerikane?

Trump e cilësoi Luftën e Ftohtë, si një epokë të madhështisë amerikane. Por ai argumentoi se triumfalizmi që ishte shfaqur pas rënies së Murit të Berlinit, shkaktoi katastrofat që pasuan në Lindjen e Mesme, kur administrata e Xhorxh W.Bush ndërmori një përpjekje për ta shndërruar rajonin brenda natës në një bastion të demokracive të stilit perëndimor.

Problemet vetëm sa u ndërlikuan, nga ndërhyrja e presidentit Barak Obama në Libi. Qasja e Trump ishte i ashpër. Ai tha se Obama e kishte zhytur Amerikën në borxhe të mëdha. Së dyti, ai deklaroi se aleatët e Amerikës, nuk po i përmbushin detyrimet e tyre financiare për një mbrojtje të përbashkët. Së treti, tha se aleatët e SHBA-së ishin gjithnjë e më të bindur se Uashingtoni ishte një mik i paqëndrueshëm.

Trump e denoncoi “marrëveshjen shkatërruese të Obamës me Iranin”. Së katërti, Trump pretendoi se nën Obamën, Amerika nuk po respektohej më jashtë vendit. Së fundmi, ai tha se ishte kritike që Amerika të braktisë ”biznesin e ndërtimit të kombeve”, dhe të fokusohet në “krijimin e stabilitetit në botë”.

Nuk ka asnjë dyshim, se Trumpi është përpjekur të mbajë një numër premtimesh nga ato që ai bëri gjatë fushatës. Sesa është relizuar kjo, është një çështje tjetër. Në Lindjen e Mesme, Trump u bazua tek politikat e Obamës, dhe ia doli të arrijë qëllimin e tij për të shkatërruar ISIS-in.

Ai ka ndezur debatin mbi Izraelin, duke e njohur në thelb pushtimin e tij jo vetëm të Lartësive Golan, por edhe duke mbështetur një plan paqeje, që do t’i japë mundësi Izraelit të aneksojë një zonë të konsiderueshme të Luginës Jordan.

Por më këtë qasje, Trump mund të jetë duke e dënuar rajonin me trazira të mëtejshme, teksa palestinezët po e braktisin shpresën e tyre të zbehtë, se negociatat do t’i lejonin të formonin një shtet të tyrin funksional. Edhe mbi Iranin, Trump ka përmbushur në thelb premtimet e tij elektorale.

Ai doli nga marrëveshja bërthamore në majin e vitit 2018. Që atëherë, tensionet me Iranin kanë qenë në rritje, dhe Teherani nuk ka treguar asnjë gatishmëri për t’u përfshirë në bisedime me administratën Trump. Megjithë pohimet e Sekretarit amerikan të Shtetit Majk Pompeo, se politika e presionit maksimal po sjell suksese, rreziqet e një lufte, veçanërisht pas vrasjes në janar të kreut të Trupave të Gardës Revolucionare Islamike, Kasëm Sulejmani, nuk mund të nënvlerësohen.

Lëvizjet e Trump në Lindjen e Mesme, kanë tensionuar më tej marrëdhëniet me aleatët evropianë të Amerikës. Këmbëngulja e tij për një rritje të kontributeve financiare për NATO-n, ka qenë e dobishme. Por sugjerimet e tij, si ai për zgjerimin e kompetencës së NATO-s në Lindjen e Mesme, për të krijuar një “NATOME”, nuk janë pritur pozitivisht në Evropë.

Ndërkohë Trump e ka denoncuar Kinën, për praktikat e saj grabitqare në fushën e tregtisë, edhe pse e ka vlerësuar marrëdhënien e tij me presidentin kinez Xi Jinping. Por qasja e Trump rreth Kinës është kundërproduktive. Strategjia e Mbrojtjes Kombëtare e administratës Trump për vitin 2018, e shpallte revizioniste si Kinën ashtu edhe Rusinë, ky që të dyja synojnë të krijojnë një botë “në përputhje me modelin e tyre autoritar, dhe që synojnë të diktojnë vendimet ekonomike, diplomatike dhe të sigurisë së kombeve të tjera”.

Shumë njerëz në Uashington, demokratët dhe republikanë, janë bindur se një përplasje midis Kinës dhe Amerikës është e pashmangshme. Por ish-presidenti i Bankës Botërore Robert Zolik, na kujton rreziqet që vijnë nga ekzagjerimi i kërcënimeve të paraqitura nga Kina.

Kina është vërtetë një kundërshtare, por jo një Bashkim Sovjetik i ri. Ajo ka qenë një fuqi mjaft e përgjegjshme, edhe pse një forcë gjithnjë e më agresive. Pekini ndaloi në vitet 1990 testet bërthamore, dhe nënshkroi Traktatin Gjithëpërfshirës të Ndalimit të Testeve. Ai ka bashkëpunuar për të penguar programin bërthamor të Iranit.

Pa ndihmën e Kinës, nuk do të jetë e mundur asnjë marrëveshje mbi armët bërthamore me Korenë e Veriut. Tani për tani, Trump mund të ketë mbështetur një luftë tregtare me Kinën, por tarifat që ai ka vendosur aktualisht, nuk po paguhen nga Pekini, siç këmbëngul ai, por nga konsumatorët amerikanë.

Gjatë 15 viteve të fundit, Kina ka qenë destinacioni me rritjen më të shpejtë të eksporteve, amerikane derisa administrata Trump miratoi politikat e saj proteksioniste. Por kjo nuk do të thotë se midis dy vendeve, nuk ka konflikte serioze strategjike. Gjithsesi, ato mund të menaxhohen nëpërmjet diplomacisë.

Zolik ka të drejtë:”Një rrëshqitje në konfliktin Sino-Amerikan – qëllimisht apo rastësisht – do të sillte kosto dhe rreziqe të pallogaritshme”. Edhe pse Trump është përshkruar nga disa analistë si një nacionalist konservator, ai ka qenë këmbëngulës në dëshirën e tij të dukshme, për të shmangur një konflikt të ri jashtë vendit./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

U ul me helikopter ushtarak në oborrin e Shtëpisë së Bardhë, historia e pazakontë e Robert Preston

Publikuar

-

Nga

* Pak pas mesnatës së 17 shkurtit 1974, mekaniku 20-vjeçar i helikopterëve ushtarakë, Robert Preston, hyri me makinën e tij në bazën Tipton Filld. Para se dikush ta ndalonte, ai do t’i hipte një helikopteri “Bell UH-1 Iroquois”, duke u nisur në një udhëtim në mes të natës.

“Unë doja të fluturoja. Doja që të ndihesha mirë, pasi më pëlqen të fluturoj”- do të deklarontë më vonë.Dhe nisi të fluturojë. Ai donte të bënte diçka, që nuk e kishte bërë askush më parë:të ulej në lëndinën para Shtëpisë së Bardhë. Preston e dinte që asnjë pilot nuk mund të ulej aty pa pasur një lejë të veçantë, pa nënshkruar një mori dokumentesh, pa pasur vite trajnimi në fluturim, dhe mbi të gjitha jo nëse nuk je i caktuar të marrësh ose të lësh aty banorin më të rëndësishëm të Shtëpisë së Bardhë: presidentin e SHBA-së.

Një fakt të cilin Robert Preston e mësoi shumë shpejt. Para se të mbaronte ajo natë, ai do të qëllohej me armë, do të ndiqej, dhe gati do të rrëzohej bashkë me helikopterin që kishte rrëmbyer. Autoritetet kishin dhënë menjëherë alarmin. Ai vërejti se në lulishten përballë Shtëpisë së Bardhë kishte lëvizje të pazakonta.

Robert Preston po pritej aty poshtë nga dhjetëra agjentë të shërbimit sekret. Problemi që kishte policia ishte nuk e kishte idenë se ku do të shkonte piloti misterioz. Gjithsesi, duke qenë se helikopterët kanë tendencë të fluturojnë në lartësi të ulëta, ishte vetëm çështje kohe përpara se dikush ta vinte re atë.

Branda pak minutash, policia pati disa telefonata nga qytetarët që kishin parë një helikopter ushtarak që fluturonte në kuota të ulëta. Ndërkohë, Robert Preston ishte duke shkuar në Uashington. Në vitin 1974, hapësira ajrore mbi kryeqytetin amerikan patrullohej rreptësisht. Prandaj kur policia vuri re një helikopter të paregjistruar, që fluturonte midis Memorialit të Linkolnit dhe godinës së Kapitolit Hilli, ajo u alarmua.

Në Shtëpinë e Bardhë, agjenti i shërbimit sekret Henri Kulbaski, u njoftua nga policia e Merilendit mbi helikopterin e vjedhur, teksa mori një tjetër raport nga policia e kryeqytetit, mbi një helicopter që po shkonte drejt Shtëpisë së Bardhë.

Kulbaski ishte sërvitur, ashtu si të gjithë agjentët e shërbimit sekret, që të qëllonte ndaj cilitdo mjeti që fluturtonte mbi Shtëpinë  e Bardhë pa lejen e autoriteteve. Por se si dhe kur duhej ta bënte këtë, kjo u lihej në dorë vetë agjenteve. Në pamundësi për të folur në telefon me eprorët e tij, dhe pa dashur të rrezikojë jetën e civilëve të pafajshëm nëse agjentët arrinin të rrëzonin helikopterin, Kulbaski ishte në një dilemë të madhe.

Ndërsa ai po vriste mendjen si të vepronte, Preston zbriti në oborrin e Shtëpisë së Bardhë, duke qenë shumë pak metra mbi tokë. “Të gjithë agjentët më kishnin rrethuar”- tha më vonë Preston në gjykatë. Pas 10 minutash ai vendosi që “nëse ata nuk do të reagonin, unë do të ikja”. Kur e ngriti sërish helikpoterin, Kulbaski dha urdhrin të qëllohej.

Preston rrezikoi jetën kur helikopteri u qëllua disa here, dhe gati u rrëzua. Pasi e kuptoi seriozitetin e situatës, Preston vendosi që të dorëzohej, por vetëm tek një person: presidenti Riçard Nikson. Kështu, ai u kthye në lëndinën para Shtëpisë së Bardhë, dhe dëgjoi urdhërat e Kulbaskit për të fikur helikopterin, dhe dalë prej andej me duart lart.

Por kur Preston u përpoq të ulej në lëndinë, shërbimi sekret hapi sërish zjarr, duke hapur disa vrima në anën e helikopterit. Një nga plumbat e plagosi Prestonin në këmbë. Helikopteri gati u rrëzua, por në fund u ul vetëm 35 metra larg dyerve kryesore të Shtëpisë së Bardhë.

Pasi doli nga helikopteri, Preston u arrestua dhe u mor në pyetje nga shërbimit sekret. Preston kërkoi të bisedonte personalisht me presidentin Nixon. Por mësoi se presidenti dhe gruaja e tij ishin jashtë qytetit. Ndaj e gjithë shfaqja e Robert Prestonit, nuk vlejti për asgjë.

Gjyqi ndaj tij dhe helikopteri i dëmtuar nga plumbat, e bënë një sensacion turistik brenda natës. Preston u akuzua për hyrje të paligjshme në oborrin e Shtëpisë së Bardhë, një kundërvajtje që dënohej me 6 muaj burg dhe një gjobë prej 100 dollarësh.

Por ai iu dorëzua zyrtarëve ushtarakë, në këmbim të heqjes së akuzave. Në fund, gjykata ushtarake e dënoi me 2 muaj burg, dhe e shkarkoi nga radhët e saj. Sot, Robert Preston mbetet i vetmi person që arriti të depërtojë në hapësirën ajrore të Shtëpisë së Bardhë, dhe që jeton për ta treguar historinë e pazakontë./ Allthatsinteresting.com-Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE