LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Nga Ben Andoni/ Shmangia e Berishës dhe si po funksionon dyshja Rama-Basha

11 Gusht 2019, 12:45, Politikë CNA
Nga Ben Andoni/ Shmangia e Berishës dhe si po funksionon dyshja Rama-Basha

Kush do ta merrte të mirëqenë këtë frazë, atëherë do të mendonte se kjo përbën një absurd. Por, fakti po tregon se njeriu që ka marrë përsipër të drejtojë opozitën shqiptare jo vetëm nuk e përball dot këtë detyrë, por më shumë se kaq po shkatërron funksionet demokratike, pikërisht duke shmangur Berishën dhe duke i shërbyer indirekt Ramës. Është e vërtetë se në një demokraci, opozita jo vetëm duhet të tolerohet si kushtetuese, por duhet të mbahet me çdo kusht. Kurthi i Ramës me zhbërjen e saj ishte i dukshëm po aq sa edhe aksioni ?i papritur? i PD-së me lënien e mandateve, që para së gjithash la me gojë hapur vetë elektoratin e saj. Qysh atëherë, vendi është futur në një qerthull problematik, që i shkon më shumë kaosit që po krijon ekzekutivi në çdo hap, i dalë më së shumti nga zgjedhjet personale të kryeministrit, sesa PS-së me vendimet e saj.

Që të thuhet se kryeministri dhe kryetari i opozitës nuk i dinë parimet e demokracisë, kjo nuk do besohej, porse nga mënyra sesi veprojnë duken hapur se të dy personazhet funksionojnë në shërbim të njëri-tjetrit. I vetmi rezultat pozitiv i kësaj marrëdhënie, që i ka shërbyer paq kryetarit të opozitës, është sfumimi i liderit historik të PD-së. Fillimisht prej moshës, kurse e dyta prej konjukturave që Rama-Basha kanë bërë në historinë tonë politike të viteve të fundit. Ndërkohë, gjuha ?e fortë? e Berishës është zëvendësuar nga apatia dhe patetizmi i madh i zëvendësit të tij, që Rama i ka dhënë një shtysë me çmontimin moral. Basha është nxjerrë në minutat e fundit nga qerthulli i çadrës së vitit 2017 me një marrëveshje, e cila i kushtoi humbjen e pritur të zgjedhjeve, por që i dha për pak muaj shijen e pushtetit me dhënien e ministrive kryesore dhe amnezinë e gjatë.

Qeveritë demokratike i kushtojnë respekt të vazhdueshëm opozitës dhe bëjnë çmos që ato të mos dalin nga sistemi. Mbi të gjitha, një nga parimet themelore të demokracisë është dhe do të mbetet ?fituesit as nuk duhet edhe as nuk bën t?i marrë të gjitha?, fakt që do të thotë se ?tepsia? dhe ?timoni? i Ramës duhet të kishte vend edhe për opozitën, që këtë makinë të madhe të pushtetit të sotëm të mos e çonte në zgrip.

Sistemet demokratike, duan apo jo Rama dhe Basha funksionojnë dhe ekzistojnë me kontrolle dhe ekuilibra. Për të rritur efikasitetin u duhet të mbështeten në transparencë të vazhdueshme, përgjegjësi të madhe, konstruktivitet dhe mbi të gjitha dhënie llogarie konstante. Nga ana e tij, Basha duhet ta ketë mësuar mirë se organi legjislativ është institucioni suprem jo vetëm për sigurimin e këtyre kontrolleve dhe ekuilibrave, por edhe nga cilësia e kritikave konstruktive, gjë që kanë munguar e janë zëvendësuar me sharje pafund. Demokracitë janë reale dhe të besueshme kur ato përballen me kundërshtimin konstruktiv. Të dy dështuan dhe ja ku jemi sot?

Walter Lippman, gazetari i njohur amerikan, mbajtësi i disa Pulitzer që nxori togfjalëshin: ?Lufta e Ftohtë?, pohonte dikur se: ?Në një demokraci, opozita nuk tolerohet vetëm si kushtetuese, por duhet të mbahet sepse është e domosdoshme?. Me këtë logjikë shumë faje mund të rëndojnë mbi Ramën, por historia e opozitës nën kryetarin e saj të fundit ka treguar se demokracia fut ujë bash edhe në Tendën e Bashës.

Po t?i kthehemi historisë së PD-së, duket se të vetme zgjedhje të drejta në PD janë bërë ato për kryetarët e degëve në vitin 2014, por që një vit më pas, pas zgjedhjeve lokale do të ktheheshin në origjinë me prishjen e zgjedhjeve të personazheve që kishin integritet. Për muaj e vite më pas, qytetet kryesore vuajtën paradokset e zgjedhjeve të brendshme, pasi u afruan personazhe pa emër dhe mbi të gjitha u tregua realisht kompleksi i madh që kishte e ka me garën kryetari i opozitës. Rama nuk mund të gjente partner më të mirë dhe kaq afër vetes. Të dy, sot, liderët më të njohur të vendit kanë shkatërruar demokracitë e brendshme të partive, ku përballë kemi grupe mirëfilli memece militantësh. Te PS-ja vetëm pëshpëritet plot pakënaqësi para emërimeve në Ekzekutiv të emrave pa asnjë lloj kontributi, kurse te PD-ja i vihet pas një njeriu që të trullosë me një propagandë boshe ashtu si bëri në ditët e fundit, teksa nga Holanda jepte kurajë për stafin e pafat që mbronte në formë donkishoteske institucionet lokale, që sot ndërruan lidershipin. Kushdo e kujton qartë: se Nuk do kishte zgjedhje më 30 qershor, nuk do lëshoheshin bashkitë (në fakt vetëm bashkitë, ku ishin PD dhe LSI), Rama do të binte që më 16 shkurt? dhe na mbështesin plot 85%!

Në të gjithë këtë qerthull, ku propaganda Rama-Basha me dy kahet e saj i shërben plotësimit të njëra-tjetrës, nuk ka më vend për Berishën, që po dorëzon qetësisht armët, fillimisht me zhgënjimin e madh të mëkëmbësit të tij dhe humbjen e terrenit; e dyta nga përballja e moshës. Sikur, Berisha të ishte më i ri do të dinte të mobilizonte ndryshe PD-në, qoftë edhe duke braktisur gjuhën e ?të fortit?, që tashmë ai vetë e kupton në fund të karrierës se është thellësisht anakronike.

Basha ka zënë rrënjë për fatin e keq në enturazhin e ri të PD-së (të katapultuarit e tij), që ndihen jo pak e lodhur me akrobacitë e një njeriu, që kinse nuk njeh lojën demokratike, duke mbajtur një status quo që i përshtatet mospërgatitjes së tij reale për pushtet. Lulzim Basha realisht nuk është i përgatitur të drejtojë Ekzekutivin shqiptar dhe kjo i shërben shumë më tepër mikut-?armik? të tij, kryeministrit që gati e ka kthyer në sundim drejtimin e vendit. Dhe, jo më kot, Basha kinse nuk kuptoi se duhej të ishte pjesë e Reformave, madje duke luftuar që juristë që vlerësoheshin nga PD-ja të ishin pjesë e saj; të luante rolin konstruktiv në Reformën Territoriale, reformë e lënë tërësisht në dorë të PS; e mbi të gjitha përtej lloqeve të kontribuonin së bashku me PS-në në Reformën Zgjedhore.

Epilogu: ashtu si Rama, edhe Basha vetëm zgërdhihej kur fliste Sali Berisha në foltore, duke shkruar me këtë rast atë pakt të shmangies së tij, për të ngjitur nga ana tjetër kultin e një vizionari, pa vizione siç edhe ka mbetur sot Basha. Ndaj, Rama nuk pushon më me monologët për sukseset dhe rrugën e madhe që e pret Shqipërinë, në fakt e kërrusur deri në tokë nga hallet, problematikat e mëdha social-ekonomike dhe mbi të gjitha humbje e shpresës. Por, është vonë. Opozitës, tashmë realisht i duhet një konceptim i ri i përpjekjes së saj, por jo më me vizionarë, që i shikojnë ëndrrat njësoj si kryetari aktual i opozitës, që kënaqet me këtë gjendje mikse, ofruar nga zoti Rama. Bashkëpunimi i të dyve, që nuk kanë në fakt as konceptet bazë të demokracisë e ka futur në këtë qerthull vendin, ku nuk del dot më askush.

Lajmet e fundit nga