Connect with Us

Nga Ilir Yzeiri/ Memoriali i turpit

Opinione

Nga Ilir Yzeiri/ Memoriali i turpit

Publikuar

-

Sot në Tiranë ka ndodhur një ngjarje e turpshme, fyese dhe poshtëruese për identitetin tonë. Është zhvilluar një manifestim me flamuj turq dhe marshim, që ka nisur nga  Sheshi « Nënë Tereza » dhe ka përfunduar te Kodrat e Liqenit. Aty është përuruar një memorial në kujtim të grushtit të shtetit turk të 15 korrikut 2016.

Qesharake dhe e neveritshme. Po ç’punë kemi ne që të transferojmë në kryeqytetin tonë përkujtimin e një ngjarjeje që është tërësisht turke?

Ne nuk jemi provincë e Turqisë, as çiflik i Sulltanit. Mirëpo, ne, në shumë pikëpamje, jemi një popull mendjelehtë.

Në Hong Kong, banorët e atij shteti të vogël, kanë muaj e muaj të tërë që protestojnë sepse nuk pranojnë që qytetarë të cilët mund të dënohen në Hong Kong për vepra që fyejnë apo prekin Kinën, të transferohen, të gjykohen e të vuajnë dënimin në Kinë.

Pra, e refuzojnë pushtetin e qendrës në zotërim të së cilës kanë kaluar pas largimit të Anglisë nga ai vend. Ndërsa ne nuk e kemi për gjë që të transferojmë emocionet totalitariste dhe diktatoriale të Erdoganit në vendin tonë. Po ky, Erdogan, e detyroi Berishën, para shumë vjetësh, që të hiqte Skënderbeun nga Pallati i Brigadave kur ai të vizitonte  atë vend në pritjen zyrtare.

E kam thënë edhe më parë dhe e përsërit edhe tani që Edi Rama është kryeministri që, më së shumti, ka kontribuuar në rivitalizmin e çështjes shqiptare dhe ka ndihmuar në mënyrë substanciale që të rritet performanca e shtetit shqiptar.

Vizita në Beograd, rritja e performancës me qeverinë greke për kufijtë detarë dhe çështjen çame, kontributi për të bashkuar faktorin shqiptar në Maqedoni e Mal të Zi si dhe paraqitjet dinjitoze në vizitat jashtë Shqipërisë, e kanë bërë Edi Ramën kryeministrin më dinjitoz të periudhës së tranzicionit. Mirëpo, me atë që ndodhi sot në Tiranë, ai i vuri vetes një njollë që vështirë të shlyhet.

Unë e kuptoj shumë mirë që ky është një lëshim sporadik dhe pa ndonjë pasojë afatgjatë. Shqipëria nuk humbet as pavarësinë, as gjuhën, as flamurin dhe mund të përfitojë nga marrëdhëniet ekonomike me Turqinë e pasur. Më kujtohet se një rrugë ose e vetmja rrugë që shtroi Lulëzim Basha kur ishte kryetar bashkie kur ngjitesh nga Pallati i Brigadave dhe devijon për nga rezidenca e Ambasadës amerikane, ka një emër arab, në mos gaboj « Kuvajti » a diçka tjetër.

Transferimi i simboleve, qofshin edhe kombëtare, nga një vend në tjetrin është shenjë kulture. Edhe busti i Skënderbeut është vendosur në vende që nuk kanë lidhje me këtë pjesë të historisë shqiptare, si në Gjenevë, fjala vjen, apo dhe në shtete të tjera. Ndërsa transferimi i një ngjarjeje të brendshme, tepër të dikutueshme siç është grushti i shtetit turk, në Kodrat e Liqenit, në Tiranë, aty ku prehen etërit e shqiptarizmës, është një fyerje e rëndë për ne të gjithë.

Të vrarët në Turqi në atë grusht shteti nuk kanë asnjë lidhje me Shqipërinë dhe me asnjë ideal tonin. Shenjueshmëria e këtij akti është e dyshimtë dhe, më së shumti, të shtyn të mendosh që është një zgjerim i emocionit triumfalist të Erdoganit mbi një territor që ai e quan nën zë si pjesë e Perandorisë së Madhe.

Për ta përmbyllur po përmend një fakt që e kam jetuar vetë. Kur kam realizuar një dokumentar për shqiptarët e mëdhenj të Stambollit që u mblodhën aty dhe krijuan alfabetin e shqipes, kam vizituar edhe xhaminë ku kishte shërbyer Hoxha Tahsini, që ishte vendi ku u mblodhën me ditë të tëra Kristoforidhi, Sami Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vretoja e, natyrisht, Hasan Tahsini e shumë të tjerë, për të vendosur se si do të ishte alfabeti i shqipes.

E kam quajtur atë vend si selinë e parë të Akademisë Shqiptare. Mirëpo, në kohën që vajta unë, ai vend po kthehej në një universitet privat të Stambollit. Asnjë shenjë, asnjë pllakë përkujtimore.

Unë gjeta aty përfaqësues të Bashkisë së Stambollit dhe u tregova historinë. Ata, jo vetëm që nuk ma morën fjalën, por më thanë se kjo nuk ka rëndësi për Stambollin. Le të më thotë një përfaqësues nga Ministria e Jashtme, jona, se çfarë do të ndodhë nëse ne do të kërkojmë të njihen në Stamboll dhe të shenjohen me tabela e pllaka përkujtimore vendet dhe shenjat që përcaktuan Rilindjen tonë? Këta turqit e sotëm do të na quajnë irredentistë.

Kush më thotë mua ku është sot shtëpia e vëllezërve Frashëri? A e dini ju se ideologu ynë më i madh, Sami Frashëri, përkujtohet në Stamboll vetëm në emrin e një shkolle filloreje?

Ndaj, mendjelehtësia jonë për të shkëmbyer emocionet diktatoriale dhe totalitariste të Erdoganit me një grusht para apo investime, është mjerim intelektual dhe atentat në identitetin kombëtar./CNA.al

KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Opinione

Nga Andi BUSHATI/ Katër genjeshtra rilindase kundër Makronit

Publikuar

-

Nga

Propaganda e rilindjes, e cila një vit më parë u rek të na mbushte mendjen se negociatat ishin hapur, tani po stërmundohet, sërish, të gjejë alibitë se pse dështuam në to. Në qendër të saj është vënë “armiku Makron”, presidenti francez që na paskësh përdorur si mish për top për interesat e tij.

Që prej të premtes së shkuar, kur Edi Ramës i’u ndez për të tretën herë me radhë semafori i kuq, një luzmë terrorristësh të fjalës, po merren edhe me moshën e gruas së presidentit francez, po evokojnë “urrejtjen historike” të Parisit ndaj nesh, po e shesin Shqiprinë si viktimë kolaterale të një politike me qëllime krejt të tjera.

Me synimin e thjeshtë që të shmangin çdo përgjegjësi nga banda kleptokratike që sundon në Tiranë, ata po fabrikojnë një sërë mashtrimesh që duhen çmontuar një e nga një.

GENJESHTRA E PARE: Vetëm Makroni na tha “Jo”

Ky pohom nuk është i vërtetë. Në konferencën e tij për shtyp, presidenti francez përmendi gati gjysmën e vendeve anëtare që nuk mendonin për ne njësoj si për Maqedoninë. Ai pranoi se për fqinjët tanë qenë pro një shumicë dërrmuese shtetesh, gjë që nuk ndodhi për Shqipërinë. Së paku Holanda, Danimarka, Spanja i kishin bërë të ditura me kohë rezervat e tyre. Pra do të mjaftonte dhe vetoja e njërit prej këtyre shteteve që ne të mbeteshim jashtë. Por ky është një fakt që lihet si padashje në harresë, për të mos parë në sy të vërtetën, se dështimet tona të brendëshme na diferencuan edhe nga Maqedonia. Prandaj na duhet “armiku” i ri Makron.

GENJESHTRA E DYTE:  Makron na përdori për politikë të brendëshme

Nuk ka akuzë më qesharake sesa kjo. Po ti hedhësh një sy gazetave kryesore franceze, (Le Monde, Liberation, Le Figaro) që prej të premtes, pothuajse nuk gjen asnjë rresht për “djegjen” e Shqipërisë dhe Maqedonisë. Aty flitet për Brexitin, armëpushimin Trump- Erdogan, por aspak për zgjerimin drejt Ballkanit perendimor. Atëhere ç’vlerë ka të instrumentalizohet një temë për të cilën askush nuk bën debat? Ç’dobi sjell të gënjesh për diçka që nuk i intereson askujt?

Propagandistët e rilindjes pretendojsë se Makron na përdori ne si mish për top për të luftuar Frontin Kombëtar të Marine Le Pen, por kush e njeh sadopak politikën franceze e kupton se sa absurde është kjo. Votuesit kokëgdhë të ekstremit të djathtë, madje dhe ata që mëtojnë të bëhen të tillë, as e kanë idenë se ç’ do të thotë hapje negociatash ose jo. Ata as i kanë shqetësim, para miliona afrikano veriorëve që janë instaluar tashmë në Francë, as shqiptarët dhe as maqedonët. Prandaj, askush nuk është aq idiot sa ta përdorë këtë problem si alibi në politikën e brendëshme të Francës. Këtë gënjeshtër e thonë vetëm ata që duan të largojnë vëmendjen nga mëkatet e Ramës.

LEXO EDHE:  Ju tregoj krizën e RTSH-së/ Nga Ilir Yzeiri

GENJESHTRA E TRETE: Makron na përdori ne për inat të BE

Në fakt, ka një doktrinë të presidencës franceze që do të krijojë Europën e dy shpejtësive. E iniciuar që pas krizës me refugjatët që provokoi ish ministri i brendëshëm italian Salvini, gjatë së cilës vendet e Europës së re (Hungaria e Polonia) nuk u treguan solidarë me anëtarët themelues, ajo e detyroi Francën të eksplorojë një mënyrë të re të funksionimit të BE. Makron e ka thënë hapur këtë dhe në kuadër të kësaj, ai, ka qenë goxha pengues edhe për vijimin me metodat e tanishme të procesit të zgjerimit.

Teza e Parisit është: fillimisht të ndryshojmë rregullat, më pas të vijojmë procesin. Por paralelisht me të, Franca ka theksuar edhe difektet e vendeve si yni për të bërë përpara. Jo vetëm azilantët, por edhe problemet me mafian, krimin, korrupsionin janë theksuar me forcë. Prandaj ta paraqesësh “JO” Franceze thjesht si një dëm kolateral të politikave Europiane është të thuash një gjysëm të vërtetë për të fshehur gjysmën tjetër, problemet tona të brendëshme.

GENJESHTRA E KATERT: Azilantët, një alibi

Eshtë e vërtetë që edhe presidenti Makron dhe kryeministri i tij Filip, e kanë përmendur disa herë çështjen e pesë mijë azilkërkuesve shqiptarë të këtij viti. Dhe në pamje të parë ky mund të jetë një ekzagjerim, në një vend ku më radikalët mendojnë se milionat e emigtantëve po zhbëjnë identitetin francez. Por përpara se të merremi me këtë teprim, ne duhet ti ngrejmë një pyetje vetes? A bënim dot më shumë për këtë? A e kënaqnim dot këtë “kapriço”, franceze, që qeveria e këtij vendi na e kërkon që prej 2016?

Të gjithë ministrat e brendëshëm francezë, që në kohën e Bernard Kaznëvit që erdhi të takohej enkas në Tiranë me Saimir Tahirin, ia kanë kërkuar homologëve të tyre shqiptarë këtë. Pra kjo hisrori ka nisur që në kohën kur Makroni ishte nje këshilltar i thjeshtë i presidentit Hollande dhe as që nuk e dinte se do ta përdorte këtë alibi. Ndaj në vend që të merremi me të, në më parë duhet të shqetësohemi: pse kjo hemoragji nuk nisi pasi u liberalizuan vizat, por vetëm pas viteve të para të pushtetit të Ramës?

Të përpiqesh ti shmangesh kësaj përgjigjeje duke akuzuar qarqet albanofobike, është të duash që të mbrosh ata që shkaktuan këtë fenomen.

Pra nuk është e vështirë të kuptohet se urrejtja e beftë kundër Makronit është një formë e kamufluar e atyre që, në këtë rast, nuk e shprehin dot hapur dashurinë për Ramën. Dhe për tu bindur për këtë nuk ka nevojë të lodhemi. Boll të shohom se janë po të njëjtët që na thanë një vit më parë se negociatat u hapën, po ata që tani anatemojnë presidentin francez se i pengoi ato./LAPSI

LEXO TE PLOTE

Opinione

“U hapën negociatat për në BE!”/ Ironia e fortë e Ylli Dylgjerit

Publikuar

-

Nga

Nuk di si tua përshkruaj ato çaste o miq. Një festim i paparë! Po tundej dheu.Tërmeti i fundit 5.8 ballë u harrua nga thirrjet frenetike në mikrofon të udhëheqësit modern Taulant Balla: Fitoreeeeee!  U hapëëëëën! Festëëëë!

Skenari i pritjes së LIDERIT ishte shkruar për tërë natën nga vetë Ai që e ideoj, sakrifikoj, drejtoj, kurorëzoj, dhe në fund firmoj këtë fitore historike të Shqipërisë.

Busti i Liderit Global po derdhej i tëri në çokollatë në sheshin Skënderbej, aty ku dikur rrinte diktatori mbi një piedestal betoni.

Tapeti i kuq ishte shtruar nga Rinasi në Qëndër.

Tirana po skuqej nga dekori, dritat, fishekzjarret dhe buçimat e këngës që drejtohej nga dora e dirigjentit Fon Er Velija.

Ndërkohe, Opozita po nxihej nga romuzet e Elisa &Co. Karikaturat me figurat e udhëheqësve të saj na kujtonin Daj Samin në festat e komunizmit. Fonia po përsëriste pa fund premtimin e Liderit Global me mjekër:

“Me çizme, pa çizme, me taka, pa taka, me kepucë, pa kepucë, Ne do ti hapim negociatat, Ne do ta bejme antare të Bashkimit Europian!”

Në këtë atmosfere elektrizuese, autobuzi i kuq dykatësh, mbante në bordin e tij kombëtaren Qeverisëse, që së bashku me një takëm ambasadorësh, me duart lart, e me “buzeqeshje Gent Cake” përshëndesnin popullin e elektrizuar. I vetmi Ambasador i hutuar, ishte Ai i OSBE që në shashtisje të plotë nga turma ngrinte gishtin e mesit.

LEXO EDHE:  “Zoti Makron na bëri të kujtojmë Francën e shekullit që shkoi”

Prap thirrje: Europë, Europë! Kënga ushtonte anekand sheshit me të bukur te saj:

Tirana e kuqe,

Tirana e Partisë,

Gjysma e Erion Velisë!

Ne mes tyre, kamerat e TV te Aleksander Frangajt po fiksonin me kostumin  roze filantropistin Alexandër Sorros…të ardhur enkas për të kurorëzuar lodhjen e viteve të babait, gjyshit, dhe Atij vetë këto 30 vjet.

E kështu do kalonin orët, mes thirrjeve, gëzimit, shampanjës dhe ambulancave që shoqëroni të dehur e të tredhur për ndihmën e shpejt në spitalet e kryeqytetit…

Ndërkohë mëngjezi po zbardhte.

U zgjova i trembur. Çuçi, maçoku, sapo e kishte bërë përmjerjen e parë. Bashkë me erën e saj, një radio njoftonte larg një lajm:

…Shqipërisë dhe Maqedonisë, nuk i ishin hapur negociatat nga BE. Kisha qënë në endër…

Çohem i trembur! Shkoj dhe unë në tualet…/ CNA.al

LEXO TE PLOTE

Opinione

Nga Ylli Pata/ Lëvizjet e para që po trondisin Ballkanin dhe Shqipërinë

Publikuar

-

Nga

Ka shpërthyer një vlug i madh reaksioni pas bllokimit të negociatave të Shqipërisë në BE. Një zhvillim i ngjashëm po ndodh edhe në Maqedoninë e Veriut. Ka reagime politike e analistike, qoftë edhe në formë hartimi, apo shfryrje nga më të ndryshëm, por në fakt pak po flasim për atë që ky bllokim do të sjellë pasojë dhe që duket se nuk do të jenë të pakta edhe të vogla. Ndaj edhe faktorë të rëndësishëm politikë, duke nisur nga Kancelarja Merkel, por edhe kryeministri Italian Giusepe Conte po flasin për një rihapje të çështjes në nëntor duke i bërë presion Parisit që të rihapet edhe njëherë çështja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Kostot e shtyrjes pafund të Ballkanit në BE do të ishin politike dhe natyrisht gjeopolitike dhe palët duket se janë përgatitur prej kohësh për plane rezervë dhe çështja, pa pasur nevojë për teori konspirative ka një historik të qartë pengesash dhe vonesash në këtë hapësirë, histori, që mund të shërbejë për të parë edhe më qartë gjërat. Lëvizja e parë ka ardhur siç edhe pritej nga Moska. Putin ka dërguar njeriun më të rëndësishëm pas tij në Serbi. Kryeministri rus Medvedev nuk ka vonuar duke bërë të qartë objektivin edhe më të fuqizuar të Kremlinit në Ballkan. Ndërkaq, media e Kremlinit, e cila publikohet në të gjitha gjuhët e botës, në edicionin e saj në serbisht, pra Sputnik, ka nisur një dossier të gjatë me 20 episode për atë që e quan: “Agresionin e NATO-s në Ballkan”.

Nuk ka asnjë përvjetor apo datë, ku një media do të mundet të marrë shkas për rimarrje të një teme, por duket qartë se ky devijim i axhendës së përditshme është shkak direkt i vendimit për të bllokuar negociatat e anëtarësimit në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Në një kohë që Bosnja dhe Hercegovina është e përçarë dhe kreu prorus i Republika Srbska deklaroi në intervistën për Idro Seferin në Klan se kërkon bashkimin me Serbinë.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç foli hapur për atë që e quajti rënie e rolit të SHBA në botë, duke bërë të qartë synimin për armatosje të vendit të tij.

“Duhet të mendoni për radarët – për luftën elektronike dhe bllokimin, tani e tërë kjo zhvillohet në tjetër nivel. Përse po armatosen të gjithë në botë – s’ka më një polic në botë, dhe ka shumë lojtarë. Më mirë është të jesh një godzillë sesa një bambi”, tha Vuçiç. Një metaforë e qartë dhe e studiuar nëse i referohemi fabulës së Godzillës që u kthye në përbindësh nga mbetjet e përplasjes bërthamore. Këto janë pasojat më akute dhe të shpejta, por natyrisht që me kalimin e kohës do të ndjehen zhvillime edhe më deprimuese, të cilat kanë një synim që të frenojnë apo kthejnë mbrapsht proceset demokratizuese por edhe pastruese të politikës në Ballkan.

Jo pa shkak është bërë i gjallë Nikolla Gruevski, njeriu që dirigjoi një përplasje civile deri në masakër brenda Parlamentit, i dënuar edhe zyrtarisht për korrupsion, por që ndodhet në ekzil në një vend të BE si Hungaria, aleati më i ngushtë i Vladimir Putinit në Europë. Por natyrisht nuk po mungojnë as këto ditë, e nuk do të mungojnë edhe në të ardhmen këto lëvizje edhe në Shqipëri. Para pak ditësh një grup personash intelektualë afër ish-kryeministrit Sali Berisha, nisën diskutimet live për “të ardhmen europiane të Shqipërisë” e që natyrisht duket si një manovër për të provokuar reagim nga “poshtë”. Enturazhi pranë opozitës ka gjetur një idhull të ri në postimet e tyre në rrjetet sociale për të ushqyer natyrisht kundërshtimin apo urrejtjen ndaj Edi Ramës. Prej sharjeve të vazhdueshme për disa vite si “këlysh i Sorosit” që e quanin Emanuel Macronin sidomos në kohën e “Jelekëve të Verdhë”, sot ata e cilësojnë “hero” presidentin e Francës, a thua se ka marrë një vendim thjesht kundër Edi Ramës, kur në fakt ai vendim do të dëmtojë edhe një qeveri të PD-së nëse ajo fiton zgjedhjet. Por duket se të gjithë këtu po përgatiten prej kohësh për “plan B”.

Ardhja e Albin Kurtit në krye të qeverisë Kosovë, një politikan i cili është konfrontuar hapur me Perëndimin natyrisht që edhe mund të shërbejë si katalizator për ngjizjen apo forcimin e rrymave që janë skeptikë ndaj Perëndimit. Në fakt, shqiptarët si publik nuk janë aspak skeptikë ndaj Perëndimit që do të thotë SHBA dhe Bashkimi Europian, por ka grupime politike që janë të tilla apo janë konfrontuar me establishmentet zyrtare të Amerikës dhe Europës për të mbrojtur pozitat e tyre të lëkundura nga reformat e kërkuara nga Uashingtoni dhe Brukseli.

LEXO EDHE:  “Zoti Makron na bëri të kujtojmë Francën e shekullit që shkoi”

E mbani mend 2016-ën? Kush doli publikisht pro Nikolla Gruevskit në Tiranë? Sali Berisha, Ilir Meta dhe gazetarë pranë tyre, e madje u raportua edhe për takime të ndodhura në Shkup mes drejtuesve të disa portaleve në Tiranë e Prishtinë me njerëz të Gruevskit. Natyrisht përpara masakrës së 27 prillit në Parlamentin e Maqedonisë ku u rrahën Zaev e Zijadin Sela.

Megjitatë retorika e tyre është dhe do të jetë pro perëndimore por veprimet apo pasojat që sjellin veprimet e tyre janë në rrymë të kundërt me SHBA dhe BE; siç janë reforma në drejtësi apo edhe procese të tjera.

Ky grupim është totalisht kundër reformës në drejtësi që është arkitektuar nga dy aleatët e mëdhenj Uashingtoni e Brukseli, duke kërkuar një zhbërje apo revizionim të saj, ç’ka si rrjedhojë është qëndrim kundër Perëndimit. Ndërkaq, duket se lëvizje po vijnë edhe nga zona apo “barqe” të shoqërisë që synojnë zhvillime politike që nuk dalin hapur, por që si synim, mbështetje apo aspirate kanë Turqinë dhe ndikimin neootoman që Ahmet Davutoglu e vendosi si bazë e diplomacisë së Ankarasë dhe kjo shikohet hapur në investimet direkte të Erdoganit në Ballkan, më shumë në Sarajevë, Sanxak e Maqedoni, e më pak në Shqipëri, Kosovë e Mal të Zi.

Militantë fetarë të shprehur hapur si anti-SHBA e BE, kanë rigjallëruar postimet duke shryrë natyrisht ndaj Perëndimit apo shqiptarëve që kanë si aspiratë orientimin pro-perëndimor. Gjithsesi këto zëra nuk do të kishte asgjë sikur të ishin të izoluara dhe jo pjesë e një strategjie për të implantuar edhe në Shqipëri eksperimente politike alla AKP të Erdoganit, duke përgatitur klerikë për role të larta publike deri edhe kryebashkiak i Tiranës. Në mënyrë inxhinierike ka kohë që po tentohet një eksperiment i tillë politik nga një figurë e njohur që bën edhe takime të mëdha në stadiumet e Zvicrës dhe grumbullon fonde të mëdha të panumërta nga njerëz anonime dhe bën bamirësi me tam tame e publiçitet, çka nëse do të nisej nga aspirate religjioze, është krejtësisht e ndaluar që të bësh PR me sadakanë. Tashmë është e qartë se kush po e përgatit këtë eksperiment, mjafton të shikosh njerëzit që rrinë pranë “mesias” së ri në ligjerata fetare apo edhe diskutime “politike”.

Incidenti në një televizion ku u largua edhe gazetarja për të marrë edhe drejtimin formal të reality-show-ut me prapaskenë të pastër politike, i ngjan manovrave të Imam Gulenit kur ndihmoi Erdoganin të vijë në pushtet apo pastorëve të New Evangjelistëve të George W Bush-it, i cili në fundin e viteve 90 kishin emisione në televizione për të grumbulluar elektoratin fanatik që do të votonte për “mesian” e ri politik. Një operacion i suksesshëm i Karl Rove-s, politiologut të talentuar amerikan që u kopjua më pas nga të gjithë, padyshim edhe nga spin-doctor-ët e Donald Trump-it. I tillë ishte edhe eksperimenti i BESA-s në Maqedoni, por që nuk pati sukses edhe prej veprimit të qartë të Zoran Zaevit për tu lidhur me pjesën shqiptare që ka një orientim të qartë pro BE dhe pro NATO-s. Por nuk është e thënë që gjithçka të marrë një frymë e dimension të ri pas vendimit për bllokimin e negociatave.

Ai vendim që ka sjellë frustrim të madh, ka shumë gjasa që të ushqejë përmes mllefit e pasigurisë, një atmosferë të re politike që do të mbjellë “djaj” që sillen si “engjëj” shpëtues në kohë të errëta. Natyrisht duke sharë pafundësisht e krijuar një ambjent ku njerëzit duhet të kenë vetëm një zgjidhje: të lirohen nga ankthi duke sjellë në pushtet ata që e predikojnë këtë ankth.

Shqipëria ka pasur në historinë e saj mundësitë e shanset e saj për tu afruar me Europën por që disa herë i ka shpërdoruar duke u kthyer prapa. A nuk ishin ne pranë asocimit në BE në vitin 1996 kur BE ishte në hapat e para dhe që gjithçka u shkatërrua nga zgjedhjet e tmerrshme të 26 majit 1996 dhe 1997-s së frikshme që përveç kaosit polli një establishment që u hoq si “shpëtimtar” por që faktikisht betonoi politikën e mosndëshkimit, korrupsionit dhe elitave që bashkëpunonin duke krijuar një dualitet të vrazhdë por që në fakt ishin partner ne ndarjen e pasurisë. Në një atmosferë kur mazhoranca politike luan me propagandë dhe nuk ka prodhuar politikisht apo prodhon propozime, reforma, ide apo ehde figura politike dhe promovon vetëm personazhe që lëpijnë shefin dhe opozita nga ana tjetër lufton deri edhe me Molotov për një rotacion që do të kthejë situatën aty ku ishim, është e thjeshtë të “pillen” monstra edhe më të frikshme politike, mjafton të gjejnë mënyra financimi qoftë nga bota e krimit e të implantohen si “shpëtimtarë”…/ CNA.al

LEXO TE PLOTE