Connect with Us

Nga Denis Dyrnjaja/ Të bësh pushimet me tatimet!

Opinione

Nga Denis Dyrnjaja/ Të bësh pushimet me tatimet!

Publikuar

-

Nuk është viti i parë që në verë tatimorët zbresin në aksion kundër informalitetit.

Por këtë vit ndjeshmëria duket sikur është më e madhe se edhe prezenca e grupeve të inspektimit është më e dukshme sidomos në bizneset e zëshme.

Por nuk do doja të ndalesha te fakti pse po kontrollohen tani, sepse shumë mirë që po kontrollohen dhe për më tepër shumë mirë që të ndëshkohen nëse kryejnë aktivitet të paligjshëm, por çështja është te mënyra sesi po kontrollohet.

Kam qenë vetë dëshmitar, pasi u ndodha për pushime, kur në një sipërmarrje mbi 20 vjeçare dhe me prestigj e historik pozitiv erdhi grupi i parë i inspektorëve tatimorë.

Që nga hoteli, te restoranti, bar-caffe, madje edhe në çadra çdo shërbim shoqërohej me faturë të rregullt. Pasi qëndruan për mbi 4 orë tatimorët nuk gjetën ndonjë shkelje.

Rezultati i vetëm ishte që tërë kohës njerëzit, pushuesit në këtë rast, flisnin vetëm për aksionin e tyre, për të mos thënë misionin e tyre se i tillë po duket.

Në të gjithë ambientin ndjehej një lloj represioni psikologjik edhe te punonjësit e subjektit, për rrjedhojë edhe te klientët. Por ajo që e bëri situatën më paradoksale ishte se mënjeherë pas aksionit të inspektorëve tatimorë, të nesërmen mbërrin hetimi tatimor. Bëhet fjalë për të njëjtin biznes të kontrolluar e verifikuar fije për pe një ditë më parë.

Pra tani edhe një ditë tjetër, pronarëve, por edhe pushuesve përgjithësisht iu desh të kishin tërë kohës prezencën e tatimorëve, kësaj rradhe në cilësi hetimore.

Dikush mund të pyes po çfarë lidhjeje kanë pushuesit me tatimorët?! Thjeshtë fare. Çdo herë që merrje një porosi kamarierët të këshillonin për të mbajtur dhe mos humbur kuponin tatimor, sepse ndëshkimi do të ishte fatal për subjektin.

Ndërsa administratorëve të biznesit iu deshën dy ditë pune të merreshin me llogaridhënie ndërkohë që duhej të merreshin me punën e tyre rutinë, sepse mesa pashë dhe mësova ishin lloji i sipërmarrësit të angazhuar.

Merreshin vetë me shumë punë brenda biznesit të tyre. Por përtej shembujve. Informaliteti duhet goditur dhe askush nuk është kundër, por a është kjo mënyra e duhur?! Praktika po tregon se jo. Bizneset të konsoliduar, me bilance të deklaruar, me staf të siguruar e me xhiro vjetore progresive në rritje, nuk ka pse futen nën kontrolle represive, pasi ata mund t’i monitorosh direkt nga sistemi.

Në çdo zonë të Shqipërisë dihet se kush paguan e se kush iu shmanget detyrimeve. Përzierja e të njomit me të thatin dhe trajtimi i njëjtë për të dy dëmton biznesin e pastër dhe të shëndetshëm.

Po nëse sipërmarrësi rival i fut një njoftim dhe dërgon ca njerëz të tij të ulen në një tavolinë lokali të bëjnë porosi kamarirët ua dërgojnë faturën ata e grisin dhe inspektorët e tatimeve kapin pikërisht këtë rast.

Subjekti gjobitet se u kap në shkelje për një tavolinë pa faturë. Si shmanget ky abuzim?! Po nëse një klient që ka porositur një produkt dhe ndryshon mendje, por fatura është prerë se kështu është rregulli, çfarë të bëjë kamarieri, banakieri e pronari të rrinë të merren me anulime faturash apo të merren me punë.

Po nëse faturën e merr era, e gris fëmija etj etj dhe tatimorët qëllon që të gjejnë pa faturë në tryezë?! Si këto shembuj mund të ketë pa fund. Në botë sipërmarrjet nuk iu njohin fytyrat agjentëve tatimorë.

Ata shkojnë atje ku ka vend për dyshim por jo si “autokombajnë” korrëse/shitëse, merr përpara kë të gjesh. Kjo sepse funksionon sistemi.

Kontrollo deklarimet, monitoro realitetin pa rënë në sy dhe godit atë që mashtron. Ndërsa kjo mënyrë që po përdoret këtu është mënyrë për të grumbulluar një dorë parash nga gjobat, por jo për të goditur fenomenin, aq më shumë kur bëhet në mënyrë selektive.

Meqë ra fjala ky hotel në të cilin unë u ndodha nuk kishte asnjë shkelje, por të gjithë historinë e solla në vëmendje si një rast që problemi duhet trajtuar ndryshe.

Le të bëhet një task forcë e të shkojë në kontroll të befasishëm kudo, por jo t’i shkatërrohet biznesi dhe t’i iki koha njerëzve që punojnë dhe duan të punojnë me ç’organizimin e organizuar tatimor, kontroll pas kontrolli.

Një herë vjen inspektimi tatimor,, pastaj hetimi tatimor, pastaj vjen higjiena, pastaj task forca energjisë. Po kështu i bie që sipërmarrësir të merren vetëm me kontrollet jo me biznesin.

Krijioni një skemë kontrolli që në mënyrë të organizuar, patjetër edhe të befasishme biznesi të kontrollet brenda një dite dhe pastaj mbaje në monitorimin përmes sistemit, por jo t’i çosh çdo dy ditë nga një grup kontrolli. Lërini njërëzit të punojnë e të tjerët të shijojnë këto pak ditë vere, se po i bëjnë pushimet bashk ë me tatimet./CNA.al

KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Opinione

Nga Arian Galdini/ Qirifikimi i dinjitetit!

Publikuar

-

Nga

Në këtë Shqipërinë tonë të vockël, komplikimet e mëdha janë bërë pjesë e normalitetit.

Madje, sinorët janë çuar aq larg, sa vështirë se mundemi ta rrokim krejt thjesht, ashtu sikurse është e volitshme, normalitetin.

Kur flasim për gjëra të thjeshta dhe për normalitetin, gjithmonë përballemi me buzë të rrudhura, mendje të shprishura, zëra të çuditur, ndërsa të gjitha së bashku në kor thonë: “Po këto janë idealizma…”

Gjërat e thjeshta janë bërë idealizëm i pafrytshëm.

Normaliteti ka humbur udhën dhe gjendet veç në “legjendat urbane” që dëgjojmë për “histori nga perëndimi”, apo nëse bëhemi bujarë, mundemi ta gjejmë herë-herë tek ndonjë përrallë e moçme shqiptare.

U jemi avitur turravrap kohëve të tilla, kur sa më të komplikuara t’i bëjmë mendimet dhe punët tona, aq më “normal” ndihemi brenda kësaj marrëzie anormaliteti.

Thjeshtësia na tremb, na çorodit, na bëhet pengesë në jetë.

Mëngjesi i qytetarit tonë është vetëm fillimi i skemës që ai ndërton plot zell për të dalë sa më i përfituar nga dita e re që e pret.

Skema e përfitimit të qytetarit tonë bëhet e vlefshme në të dyja kahet, qoftë duke avancuar gardhin e tij në kurriz ose jo të tjetrit, qoftë duke u vetëruajtur mirë për të mos ia zaptuar tjetri atë copë gardh që ka qytetari ynë, le të jetë ky pozicion publik, privat, ide, shoqëri civile, art, drejtësi, nisma apo edhe sorollatje nëpër kafene.

Sidoqoftë, shqetësimi im nuk gjen adresë tek qytetari ynë, i cili nuk bën as më shumë e as më pak nga sa ka ditur dhe di të bëjë.

Qytetari ynë si i tillë, gjenerikisht ka qenë dhe ka mbetur ende viktimë realiteteve, të cilat ia ka gatuar me ingredientë të ndryshëm një përzierje “shefash”, si: politika, gjeopolitika, kultura, historia, gjeografia, ekonomia, etj.

Kjo “kuzhinë” ka qenë vërtetë shumë e vockël për kaq shumë “shefa” dhe kaq shumë volum pune.

“Historia” është njeri prej “shefave” që ka punuar në “kuzhinën” e këtij kombi pa pikën e mëshirës, duke lënë pagabueshmërisht shijen e saj në produktin “qytetar shqiptar” i së sotmes.

Kësisoj merita e secilit prej “shefave” që kanë bashkëpunuar me grintë të pazakontë për të na servirur “shoqërinë” dhe “qytetarin” e së sotmes, na bën gati-gati ta justifikojmë me elegancë, e madje ta s’kualifikojmë me ngazëllim “argumentin” për të cilin po shkruhen këto rreshta, sikur të mos na shkonte mendja tek një “shef” mbi “shefat”, me anë të të cilit mundemi të transformojmë krejt “kuzhinën”, “kombin” e jo më vetëm “produktin”, “qytetarin”.

Ky “shef” mbi “shefat” është vullneti njerëzor.

Pikërisht ky “vullnet njerëzor” ka rastisur të shndërrohet ndër breza në rrethuesin më të madh dhe mizor të të gjitha energjive dhe talenteve tona shoqërore dhe kombëtare, ngase i ka munguar pozitiviteti, apo ngase ka qenë i kapluar nga pasiviteti.

Përtej karakteristikave që ka pasur Shqipëria, si një vend që menjëherë pas feudalizmit u “martua” forcërisht me komunizmin, për t’u përmbledhur në periudhën e pasvitit 1990, shteti postsocialist gjithsesi kaloi në parcializim të sovranitetit.

Parcialzimi i sovranitetit, sikurse thotë Perry Anderson, është një prej karakteristikave kryesore të feudalizmit.

“Gardhëzimi” i shtetit, lirisë, drejtësisë, zhvillimit, hapësirave publike, mediave, individëve etj., u shndërrua në kryeveprën e çakërdisjes sociale dhe kombëtare në vendin tonë, pa u ballafaquar për asnjë rast me “vullnetin pozitiv njerëzor”.

“Gardhe” të shumta filluan të pushtojnë çdo hapësirë publike dhe private.

“Vullneti njerëzor” ka tokrendur me dorëzimin, duke u mpakur dhe tretur në raport të zhdrejtë me rritjen e “gardhëzimit”.

P.sh, në këtë kuptim mund të shtrojmë edhe hipotezën se fakti që zyrat shtetërore trajtohen si private, ka shkaktuar thërrmizim të sovranitetit shtetëror.

Feudalët e “gardheve” kanë arrestuar sovranitetin shtetëror, duke ia dorëzuar një grushti “tribunësh” a “qehajajsh”, ndërsa këta të fundit marrin përsipër të jenë përfituesit kryesorë dhe dirigjentët e operacionit të deoksigjenimit të përditshëm dhe në çdo centimetër të “vullnetit pozitiv njerëzor”.

Është e kthjellët kristal tashmë për çdo qytetar shqiptar se për të punuar, vepruar, mbijetuar, apo për t’u shpërblyer në cilindo “gardh” të shoqërisë sonë, të duhet të zhvishesh dhe çlirohesh nga “pesha e rëndë” e karakterit, dinjitetit, vullnetit pozitiv, kreativitetit, virtuozitetit, zotësisë.

Brenda “gardheve” nuk ka garë, nuk ka konkurrencë, ka vetëm bindje, rreshtim.

Madje, e vetmja garë me të cilën t’i feksesh çdo ditë është gara për të vrarë, humbur e flakur plot dhimbje vetveten.

Brenda “gardheve” nevojitesh krejt bosh dhe me muskuj zemërate, dëshpërimi, urrejtjeje, përbaltjeje, të ushtruara mbresëlënësisht.

Brenda “gardheve” duhet të bëhesh pis, sepse ka shumë punë, duke pasur si të vetmen mënyrë “pastrimi” rizhytjen në një pisnajë të re.

Të mos harrojmë se feudalizmi bazën kryesore të marrëdhënies e ka suzeren-vasal, por ndërkohë përmbledh brenda vetes të gjitha format e mëparshme të qeverimit.

Deri në vitin 1990, nën një shtet diktatorial, që ndoshta ka qenë një ndër shtetet më privatë-personalë që ka përjetuar bota e shqiptarit, sot pas vitit 1990 kaluam në një si shtet feudal, ku “feudalët” e rinj nuk e dinë se ku i kanë kufijtë e saktë, duke na përmbytur me konflikte të pareshtura herë të ashpra e herë groteske, duke na e bërë akoma më të padurueshme rropatjen tonë sociale.

“Gardhëzimi” si proces, me konfliktualitetin si kamxhik, e kanë kthyer shoqërinë shqiptare gati-gati në gjendjen e saj primitive, kur të gjithë i binden me të fortit, dhe më i forti u bindet ca më të fortëve.

Terri ka zbarkuar duke i dhënë krahë e forcë “frikës” dhe “mashtrimit” që të mbizotërojnë.

Gati-gjendja primitive, që ka pllakosur se bashku me terrin, të lë përshtypjen se ka mbështjellë çdo individ dhe grup individësh, çdo ambient publik apo privat, vetë shtetin. Individët, grup-individët, ambientet publike apo private, institucionet publike apo private, që rezistojnë në të mirën, dinjitetin dhe kurajën e tyre, janë bërë si qirinj të izoluar në një shoqëri ku na ka plandosur “kufizimi i dritës”, madje errësira.

Ata dhe ato që rezistojnë në dinjitet mbetën si qirinj të izoluar në këtë shoqëri, ku “gardhet” rriten dhe lartësohen, terri thellohet dhe mashtrimi zmadhohet.

Për ironi duket se gati-gjendja primitive që ka pllakosur shoqërinë shqiptare na ka futur në epokën e “qirifikimit të dinjitetit”, lirisë, të mirës, karakterit, moralitetit, integritetit, të vërtetës, kurajës.

Por a duhet të tërhiqemi para një situate të tillë?

A duhet që ta braktisim lirinë e sapofituar dhe të qahemi për drejtuesit, “gardhëzuesit”?

Sigurisht që jo.

Prapa kemi një përvojë mjaft të hidhur.

Edhe pse e tashmja është e hidhur dhe askush nuk guxon të premtojë, nuk duhet të ketë tërheqje prapa.

As kur kthimi pas na vjen si Rilindje.

E vetmja rrugë për të dalë nga ky impas historik është që të ecim përpara duke shpejtuar hapin për të kombinuar lirinë me drejtësinë.

Në qoftë se shoqëria do të rrijë e mbërthyer vetëm në një vlerë, shpirtin e përfitimit, atëherë demokracia mbetet e kërcënuar.

Ka periudha historike, si kjo që po jetojmë, kur normat, vlerat dhe bindjet e mëparshme janë tronditur thellë dhe kur shoqëria ende nuk e gjen dot orientimin etiko-moral, në një kohë kur kjo shoqëri po ndryshon me ritme të shpejta.

Në periudha të tilla njerëzit ndodhen përballë dilemash të shumta.

Ata nuk po e identifikojnë veten me institucionet e krijuara.

Ata nuk kanë besim tek to.

Kur shteti mund t’i shkelë angazhimet që merr, atëherë kujt mund t’i zihet besë?

Në qoftë se ligjet kanë një frymë moderne dhe tërheqëse, por që nuk gjejnë zbatim, atëherë kujt mund t’i drejtohemi për të pasur, në mos sigurinë e plotë, të paktën ndjenjën e sigurisë dhe të paqes sociale?

Në një kohë kur korrupsioni, gënjeshtra, lakmia, egoizmi, mashtrimi, hipokrizia, cinizmi, si dhe klima e ankthit dhe e pasigurisë u ka zënë frymën virtyteve morale, kërkohet një ringritje shpirtërore për të dalë nga kjo gjendje.

Të tilla vese, si dhe manipulimi me termat e militantizmit dhe të meritokracisë, kanë krijuar një gjendje irritimi, lodhjeje dhe indiferentizmi të përgjithshëm.

Shumëkush flet dhe pakkush realisht i lartëson dhe çmon vlerat morale.

Politika dhe etja për pushtet dhe përfitim ka pushtuar jetën politike dhe sociale, prandaj ne ndeshemi me dobësimin dhe çarjen e të drejtës dhe të moralit, me egërsinë dhe rritjen e injorancës.

Në të tilla momente, rreziku më i madh është humbja e shpresës dhe braktisja e lirisë për shkak të varfërisë ekonomike.

Ajo që në kemi nevojë është që të ushqehemi me artin e lirisë, dhe arti i lirisë dhe demokracisë është shumë i vështirë.

Ai duhet mësuar.

U takon jo vetëm gjeneratave të reja, por edhe atyre në veçanti, na takon të gjithë neve, së bashku edhe me aktorë të tjerë shoqërorë, që t’ua mësojmë njerëzve këtë art, me qëllim që ta përdorin demokracinë në funksion të dinjitetit të tyre.

A nuk shihet kudo se atmosfera e korrupsionit po moleps çdo gjë, madje kërkon të ngjitet deri edhe në shkatërrimin e dinjitetit të njeriut?

A nuk po shikojmë individë të caktuar, duke ia nisur nga Kryeministri i vendit, që manipulojnë shuma të mëdha në duar, duke kujtuar se janë në gjendje të bëjnë qiellin dhe tokën, kërkojnë të tallen me varfërinë e njerëzve dhe përpiqen që vesin ta shesin për virtyt?

A nuk po shikojmë se nga të gjitha anët flitet për korrupsion dhe ai mbetët impersonal?

Në një situatë të tillë mund të ndodhë që ajo çka mbetet nga liria e fituar në vitin 1990, të bëhet e padurueshme dhe arbitrarizmi të na shpjerë drejt autoritarizmit.

Prandaj edhe burrat e gratë, djemtë dhe vajzat që janë si “qirinj ndriçues” duhet të vetëdijesohen dhe ta shënojnë veten në listën e luftëtarëve për dinjitet, ngase kanë një përgjegjësi të madhe për të ngjallur shpresën dhe për të shpëtuar lirinë.

Intelektualët dhe mendjendriturit e këtij vendi janë ata që do të bënin mirë të vetëdijësohen të parët sepse koha atyre tashme po u ulëret./CNA.al

 

LEXO TE PLOTE

Opinione

Nga Klodian Tomorri/ Milionat që Shqipëria e varfër u fal miliarderëve duke ndotur bregun e Jonit!!!

Publikuar

-

Nga

Jahti 400 milione dollaresh i Emirit të Katarit Tamim bin Hamad Al Thani, qe u ankorua sot ne Sarande e ka kapacitetin e serbatorit 1.2 milione litra karburant.

Per shkak te nje politike absurde fiskale Shqiperia ja u shet karburantin jahteve me 0.58 dollare per liter. Aq eshte sot. Arsyeja? Nafta e jahteve ne Shqiperi nuk paguan akcize 350 leke per liter, nuk paguan takse qarkullimi 270 leke per liter, nuk paguan tvsh 300 leke per liter. Nuk paguan asnje takse sepse konsiderohet rieksport.

Ne France, cmimi i naftes per jahtet sot eshte 1.54 dollare per liter sepse qeveria franceze i ka vene takse te posacme karburantit te jahteve si mall luksi qe jane. Dhe Saint Tropez eshte vendi ku ankorohen jahtet e pjeses derrmuese te pasanikeve te botes.

Ne Itali, cmimi i nafte per jahtet sot eshte 1.72 dollare per liter. Dhe Italia eshte nje nga vendet me te vizituara nga jahtet e pasanikeve per shkak te plazheve fantastike qe ka, vecanerisht Porta Cervo dhe Sardenja.

Morali? Me nje te mbushur te jahtit, Shqiperia i fali sheikut multimialirder qe erdhi sot disa ore ne Sarande 704 mije dollare. Llogaria: 1.2 milione litra x (1.54$-0.58$) = 704 mije $.

Para 20 ditesh erdhi jahti i vellait te ketij po ne Sarande. Mori 600 mije litra karburant. 350 mije dollare te tjera te falura.

Nafta e ambulances 1200 leke takse per liter. Nafta e jahteve 0 leke takse per liter.
Une nuk e di se ca emri mund t’i vesh tjeter kesaj politike, pervecse cmenduri.

E dini sa jane perfitimet per turizmin nga kjo taksa? Zero. Pervec ndotjes se bregdetit nga jahtet qe vijne ketu dy ore sa te mbushen.

E dini pse behet gjithe kjo? Qe te fitojne leke ca te babezitur, te cilet i jane qepur Portit te Sarandes dhe ca agjenci turistike te zoteruara nga ca ish zyrtare ne konflikt te paster interesi. Kjo eshte e peshtire. Neveri.

Por pjesa me e ndyre eshte kur zarat e ketyre perfituesve, keta qe lepijne ndonje kocke, nisin e sulmojne te gjithe ata qe denoncojne kete padrejtesi./CNA.al

 

LEXO TE PLOTE

Opinione

Nga Arian Galdini/ Shqipëri që flet me vete apo Shqipëri që flet për vete!

Publikuar

-

Nga

Qëllim themelor i këtyre rradhëve është ngasja e domosdoshmërisë që të gjithë ne qytetarët shqiptarë të fillojmë të hulumtojmë brenda vetes sonë.

Të hulumtojmë për të vërtetat e mëdha.

Të fillojmë të pyesim veten, më parë se të tjerët.

Të fillojmë ti përgjigjemi vetes, më parë se të tjerëve.

Të mëtojmë e sfidojmë veten, më parë se të tjerët.

Të gjykojmë më pare veten, e jo të tjerët.

Të përsosim më parë veten, e jo tu kërkojmë llogari të tjerëve.

Në fakt, e gjithë çështja është që ne qytetarët shqiptarë secili individualisht, e më pas të gjithë së bashku si komunitet të gjejmë vetëveten e të rigjejmë dinjitetin.

Nga Vermoshi në Konispol, nga Prishtina në Tetovë, nga Ulqini në Malësi, është e ngutshme kthesa e madhe përkah vetëhulumtimi, vetëdijësimi, vetvendosja, lirivendosja, drejtvendosja e dinjitetvendosja.

Shqiptari mbijetojs me 5 kile hekur që mbante gjithmonë me vete, me kokën e ulur dhe frikën  në palcë, me luftën në deje dhe zemëratën e ankimtarinë në shpirt e gojë, me mburracakërinë në qoshe dhe burracakërinë në sheshe, me vetanakësinë dhe vetgjyqësinë, me dyshimin dhe mosbashkëveprimin, nuk përputhet dot me kohët e reja.

Ky lloj shqiptari mbijetojs na bën të papërputhshëm me vetë qytetarinë, por edhe me demokracinë, lirinë dhe ekonominë e tregut.

Por më e keqja është se ky lloj shqiptari na bën të papërputhshëm edhe me sfidat e reja mes kombeve e sidomos me sfidat e globalizmit.

Dhe ne humbasim lider pas lideri, udhëheqësi pas udhëheqësie, parti pas partie.

Humbasim kohë, humbasim para, humbasim shanse, humbasim prona, humbasim punë, humbasim drejtësinë, humbasim të drejta, humbasim Kushtetutën, humbasim ligje, humbasim zgjedhjet, humbasim konkurencën publike, humbasim objektiva, humbasim ëndrra, humbasim aspirata, humbasim institucione, humbasim energji, humbasim liri, humbasim dinjitet, humbasim toka e det, humbasim Europën, humbasim jetë shqiptarësh, humbasim shqiptarë, humbasim vetveten.

Pa folur për të shkuarën e llahtarshme të diktaturës komuniste, apo për periudhat e pushtimeve, sundimeve dhe rregjimeve të huaja apo vendase, të gjata apo të shkurtra, por duke u përqendruar tek periudha e pas dhjetorit të vitit 1990, për fatin tonë të keq duket qartazi se deri më sot kemi qenë në gjendje letargjie kombëtare.

Gjatë këtyre 30 viteve, liderat dhe udhëheqësitë tona të majta e të djathta, së bashku me ushtritë e tyre administrative shtetërore apo partiake, së bashku me të gjithë arsenalin e tyre mediatik të agjipropit dhe me bizneset e tyre multimilionere ia kanë dalë për mrekulli mbanë ta arrestojnë dhe gardhëzojnë shqiptarin e varfër dhe të pamësuar.

Fillimisht shqiptari u gardhëzua brenda vetmisë dhe nevojave të tij bazike, e më pas u ri-orientua njëlloj si në kohët e diktaturës komuniste drejt rreshtimit, si rruga e vetme për mbijetesë.

Gardhet dhe pamundësitë u bënë harta e mbijetesës për çdo shqiptar, ndërkohë që zhytja në llumin sistemik, që është vjedhja apo heshtja për vjedhjen, mashtrimi apo heshtja për mashtrimin, vrasja apo heshtja për vrasjen, zaptimi apo heshtja për zaptimin, bakshishi e rryshfeti apo heshtja për bakshishin e rryshfetin, plaçkitja e shtetit dhe privatit apo heshtja për plaçkitjen e shtetit dhe privatit, padrejtësia apo heshtja për padrejtësinë, imoraliteti dhe amoraliteti apo heshtja për imoralitetin dhe amoralitetin, etj, u bënë haraçi që shqiptari i sotëm duhet të paguajë për ta bërë funksionale këtë hartë.

Me këtë lloj harte dhe me këtë lloj haraçi, mund të shkosh aty ku ka nevojë partia, por jo drejt dinjitetit.

Me këtë hartë dhe këtë haraç, mund të shkosh drejt plotësimit të nevojave bazike private dhe familjare, por nuk nuk mund të shkosh drejt komunitarizimit, perëndimizimit dhe qytetarisë.

Me këtë hartë dhe me këtë haraç, mund të bëhesh i pasur por jo i lirë, i fuqishëm por jo i denjë, i pushtetshëm dhe i famshëm por jo i drejtë.

Përkundrazi, sido që të bëhesh, kudo që të arrish, të jesh i varfër apo i pasur, i drobitur apo i plotfuqishëm, mbetesh mbijetojs. Mbetesh mbijetojs që çdo dekikë, çdo ditë, çdo javë që ikën, e kalon me frikë në zemër se mos ndoshta dikush më i fuqishëm, dikush më i madh, Zoti, rrethanat natyrore, politike apo gjeostrategjike, do të ti marrë të gjitha e ti do të rikthehesh sërish në hiç, asgjë, bosh.

Ndaj edhe ti bëhesh vullnetarisht mbrujtës e mbrojtës i flaktë i këtij sistemi.

Ti shpreson e synon që jetëgjatësia e sistemit të shkojë deri përtej ditës kur ti do të mbyllësh sytë përgjithmonë, sepse kështu do të kesh shmangur rënien në hiç. Në fund të fundit, me këtë hartë e këtë haraç, a nuk je pjesë e filozofisë: Pas meje u bëftë kiameti…

Rëndësi ka që sa të jesh gjallë ti të mos ndodhë rënia, hiçi, boshnaja. Harron se në vdekje jemi të gjithë të barabartë.

Në jetë e ndoshta në amëshim nuk kemi për të qenë kurrë të barabartë, por vdekja me siguri që është moment sublim drejtësie për të gjithë.

E megjithatë, për tiu rikthyer jetës sonë si të gjallët e  këtyre 30 viteve tranzicion përkah demokracia, lipset të themi se shqiptarin e varfër dhe të pamësuar nuk e kanë ndihmuar as Elitat e ndriçuara, mendjet e holla, apo sikurse quhen ndryshe: Zejtarët e Mendjes.

Këta të fundit, e gjejnë më të lehtë, më logjike dhe më përfituese që të shndërrohen në intelektualë organikë gramshianë që për të shtyrë ca metra më tutje gardhin që u është vënë këtyre, pranojnë me zell ti shërbejnë atyre që po gardhëzojnë, plaçkisin dhe keqpërdorin Shqipërinë dhe shqiptarët.

‘Kur bajnë me gabue njerëzit e hollë, po gabojshin edhe trashë.’ (Anton Harapi: Andrra e Pretashit,/79) Ndaj edhe Shqipëria dhe shqiptarët zhyten në hone të tilla psiko-sociale kur të gjithë ia dinë çmimin gjithkujt e gjithçkaje, por pakkush ia di, njeh apo konsideron vlerën.

Ndonëse nuk na vyen të njëmendësohemi me mendimin e shumëpërmendur se çdo popull ka udhëheqësitë që meriton, atëherë si mundemi ta shpjegojmë paradoksin kur kemi mbetur ende me drejtues politikë analogë në kohët e dixhitalit dhe High Definition?

Thënë gjithçka sa më sipër, vërejmë se gjithmonë kemi pasur një Shqipëri që flet me vete.

Gjithmonë kemi pasur dhe ende kemi një Shqipëri qytetarësh që nuk flasin dot me Udhëheqësitë e tyre dhe Shqipëri Udhëheqësishë që nuk  denjojnë të flasin me qytetarët e tyre.

Gjithmonë kemi pasur dhe ende kemi një Shqipëri hallexhinjsh që dinë veç të ankohen, binden, tremben, rreshtohen, përshtaten por jo të veprojnë, kërkojnë, ëndërrojnë, punojnë për një jetë më të mirë.

Gjithmonë kemi pasur dhe ende kemi një Shqipëri kotësinarësh, llumatorësh, mohimologësh, spiunësh, përrethsash, ardhiksash, që dinë veç të dëmtojnë, shpërfillin, pengojnë, bllokojnë, rrëzojnë, baltosin, e dekurajojnë të tjerët.

Dhe gjithmonë kemi pasur dhe ende kemi një Shqipëri të shpresës.

E pikërisht për shkak të kësaj Shqipërie të shpresës ia vlen të përpiqemi të gjithë, ia vlen që të gjithë ne shqiptarët të sfidojmë vetvetet tona për përsosje, për transformim.

Kur ne flasim me vete sepse na mbajnë peng si Uliksin që kërkonte Itakën, duke na vendosur parreshtur mes Shilës dhe Karribdës, pra mes alternativave: e keqja më e vogël apo e keqja më e madhe, atëherë le të kërkojmë brenda vetes arsyet e drejta, sepse ndoshta do ta gjejmë edhe kurajën për ti thënë JO,  Profetëve të Sindromës së Sorrës që kanë 30 vite që na shurdh-verbojnë me parimin se: kur nuk ke pulën, do hash sorrën.

LEXO TE PLOTE