LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nga Luan Rama/“Blloku” i Isuf Kalos si autopsi e regjimit

6 Gusht 2019, 11:08, Opinione CNA
Nga Luan Rama/“Blloku” i Isuf Kalos si autopsi e regjimit

Në fakt jo pa vetëdije e kam lënë në periferinë e vëmendjes atë kohë të pakohë e të çuditshme të fillimvitit 1991, kur ndërsa regjimi komunist po rrokullisej në theqafje për ta mbyllur përgjithmonë kohën e vet, një zonë e Tiranës, ajo që prej të gjithëve njihej e thirrej me toponimin ?Blloku?, u bë më në fund nga ?Qyteti i Ndaluar?, në ?Qyteti i Lejuar? për të gjithë.

Jo vetëm nga Tirana, por prej ngado që vinin, qytetarë të shumtë, do të kalonin domosdo mespërmes ?Bllokut? si në një procesion të çuditshëm, të shtyrë sa prej kurreshtjes që zgjon instiktivisht tek njeriu gjëja e ndaluar, aq edhe prej ndjenjës së triumfit, që në kësi rastesh është krejt e përligjur.

Mirëpo, nëse në kujtesën time ajo kohë pothuaj ishte fshirë, vjen ?Blloku? i Profesor Isuf Kalos, për të na thënë se ndërsa keni shëtitur e shëtisni ende nëpër rrugët dhe rruginat tij, mos e ushqeni veten me iluzionin se ia keni dalë ta shihni ?Bllokun? apo më tepër se kaq, ta njihni e të mësoni misteret e tij.

Madje, kumti i tij shkon edhe më tej, teksa përmes përqasjesh të zgjedhura enkas, na sjell në vëmendje mesazhin e ?Laokoontit?, që të kuptojmë se shembja e gardheve të ?Bllokut? dhe rrëzimi i pushtetit të tij, nuk është domosdo edhe zhdukja e ?Bllokut?, fenomen ndaj të cilit të qenit indiferentë mund të sjellë pasoja, siç në fakt ka sjellë përgjatë viteve të postkomunizmit.

Gjithësesi, bllokmenët, ata të vjetrit, siç përveçoheshin prej të tjerëve banorët e ?Bllokut?, ishin larguar nga kjo jetë, më pak natyrshëm prej fatit e të shumtët të vrarë prej pushtetit të ?Bllokut? të tyre që vetë e ngritën, ndërsa ata që ishin gjallë, u larguar nga sytë – këmbet për t?i shpëtuar zemërimit qytetar.

Ndërsa pasardhësit e tyre, të pazotë të mbronin emrin dhe nderin e baballarëve, pasi u fshehën atëkohë, janë rikthyer këtë kohë si minjtë e Dino Buxatit e i gjen sot në bllokun tjetër; në atë të pushtetit.
Simbolika e rrëzimit të Bllokut në realitetin shqiptar, u metaforizua si paralele e rrëzimi të murit të Berlinit edhe në Tiranë; në Tiranën e çudive, për të cilën Kadareja do të shkruante gati 10 vjet më vonë: ?Po ç?është ky popull që në gropë i shtrirë,
Kujton aq krenarisht se është në majë?
Dhe kur përkundër, nga gropa del i lirë,
-Jam i rrëzuar! Klith me thirravaj??

Mirëpo, ndërsa blloku u rrëzua sepse u rrëzua regjimi i tij, ndër ne, në nënvetëdijen tonë, si psikologji, si mentalitet, si mënyrë të menduari e të vepruari, por edhe si qasje e pushtetit, si filozofi qeverisjeje e si përmasë marrëdhënish ndërnjerëzore, ?Blloku? shfaqet hera-herës, si për të na thënë se çlirimi, qoftë edhe prej një makthi a psikoze, nuk vjen domosdo me rrëzimin e rregjimit.

Këtë të vërtetë të madhe na e thotë në mënyrë të dyfishtë me ?Bllokun? e tij edhe Profesor Isuf Kalo.

Së pari me këtë libër, sprovë për të fituar mbi të gjitha vetveten në raport me një kohë dëshmitarë i së cilës është, Profesor Kalo merr përsipër të na dëshmojë ?Bllokun? nga brenda tij, siç nuk ka guxuar të paktën deri tani, ta bëjë ndonjë tjetër me aq realizëm dhe vërtetësi, deri edhe në detaje e intimitete.

Dhe së dyti, me debatet dhe reagimet që provokoi botimi i librit, (i cili ka në vetvete edhe grackën që shumëkënd mund ta çojë, siç edhe ndodhi, në gjykime të nxituara e shpesh të deformuara), u ka dhënë mundësinë lexuesve të zgjedhin, nëse do të merren me autorin apo me produktin e tij, pra me librin.

Natyrisht, emri i Isuf Kalos nuk është i panjohur. Edhe unë, besoj si shumica e shqiptarëve, e kam njohur atë më së pari si mjekun personal të Enver Hoxhës.
Kaq do të mjaftonte në atë kohë, por edhe sot natyrisht, për të mos i vënë në dyshim aftësitë e tij profesionale si mjek.
Ndërkaq, me librin e tij më të fundit, Isuf Kalo i krijon lexuesit oportunitetin që të njohë përveçse mjekun e zot, edhe intelektualin e elitës, qëmtuesin e vëmendshëm dhe rrëfimtarin elegant, që përmes një gjuhe të zgjedhur e të pasur në mjete shprehëse, e merr atë, pra lexuesin , dhe e çon në paskohë, duke e futur atje ku ai ka qënë vetë; në kupolën e Bllokut, në familjen e Enver Hoxhës, në dhomën, shtratin, në trupin e në mendjen e tij. Gjithkund, atje ku në fakt hyn vetëm mjeku.

E më tej, e përfshin lexuesin, e bën pjesë të asaj që doktori, tanimë në rolin e shkrimtarit, di, ka parë e ka dëgjuar në Bllok e në kulisat e tij, në zyrat e pushtetit e marrëdhëniet mes atyre njerëzve të mbështjellë me mister.

Në këtë mënyrë, me aftësinë e drejtpeshimit të situatave, të vlerësimit të rrethanave e gjendjeve psikoemocionale dhe mbi bazën e një analize gjakftohtë e të barazlarguar, edhe prej mundësisë që ia krijon koha prej gati tridhjetë vite distancë, Isuf Kalo ia del që përveçse të fitojë vetveten në dilemën mes asaj që di dhe asaj që vendos t?a ndajë me lexuesin, fiton edhe sfidën që ?Bllokun? të na e japë edhe si autopsinë e rregjimit, e kryer mjeshtërisht prej një njeriu që duke qenë pikësëpari qytetar i angazhuar dhe jo indiferent ndaj fateve te vendit, ka zgjedhur t?ia shërbejë ?raportin? e vet të autopsisë edhe lexuesit, jo thjeshtë që ky i fundit të jetë pasiv, por të kuptojë në thelbin e vet se çfarë ishte regjimi i ?Bllokut? e të gjejë po vetë se përse ?Blloku? është ende ndër ne; diku si fantazmë e diku tjetër si nostalgji, si burg apo si privilegj, si makth a si hierarki sociale.

Isuf Kalo nuk i ka zgjedhur vetë personazhet e tij.  Ata, personazhet e zgjodhën atë, e ai vetëm ia jep lexuesit ashtu siç i ka parë e njohur ata vetë, drejtpërdrejt.

Dikujt mund të mos i pëlqejë, por Isuf Kalo ka zgjedhur të jetë i vërtetë në përshkrimin e tyre. Edhe përmes detajesh në dukje krejt të parëndësishme, ai na zbulon karakterin dhe natyrën e atyre njerëzve, të cilët sa u bënë ata që ishin prej rregjimit dhe ideologjisë që zgjodhën, aq edhe i dhanë rregjimit natyrën e egoizmit, pabesisë dhe hakmarrjes së tyre.

Sado që autori nuk na ka dhënë një libër për Enver Hoxhën, siç në fakt presupozohej të ishte duke patur parasyshë edhe se çfarë ka qenë Isuf Kalo për të e në raport me të, prapëseprapë, nuk mund të mos ishte ai në qendër të librit si personazhi kryesor, edhe pse më shumë vëmendje e hapsirë realisht kanë marrë Nexhmije Hoxha dhe Ramiz Alia.

Gjithësesi, natyrshëm edhe kur flet për këto dy personalitetet e fundit apo edhe kur flet për të tjerët, sidomos për Hysni Kapon dhe Mehmet Shehun, prapë aty e gjithkund është Enveri, siç është Enveri në fund të fundit i gjithë ?Blloku?.

Me të gjithë personazhet e librit të vet, Isuf Kalo është një qëmtues i vëmendshëm dhe i kujdesshëm, është një analizues i plotë i natyrës së tyre po aq sa edhe i fakteve lidhëse, të cilat autori i ka zgjedhur enkas për të na dhënë mundësinë të njohim brendësinë e karaktereve dhe kompleksitetin që shfaqin ata.

Falë zotësisë për t?i lexuar personazhet në detaje dhe aftësisë për t?i analizuar ata edhe si karaktere psikologjikë, autori i librit na jep përmes dimensionit vëzhgues të personalitetit, edhe natyrën psikologjike të lindur të protagonistëve.

Më tej akoma, fakti që përgjatë veprës duket sikur Doktor Kalo e trajton jo në proporcion etik individin Enver me udhëheqësin dhe diktatorin Enver, ka të bëjë mendoj unë më së shumti, edhe me të drejtën që ai ka zgjedhur të na rrëfejë aq sa ka parë e mësuar nga Enveri në marrëdhëniet me të si pacient, dhe masën e lejuar të të qenit në brendësi të ngjarjeve prej prapaskenës ku ai i ka ndjekur.

suf Kalo është konsekuent në respektimin e marrëdhënies mjek – pacient. Ai asnjëherë nuk e tejkalon atë, e kjo i jep doktorit shenjtërinë e nevojshme që duhet të ketë çdo profesionist i asaj fushe.

Po ndërkaq, ai nuk mund të mos shfaqet përballë lexuesit edhe ai që është përtej mjekut, i çveshur nga bluza e bardhë, njeriu qytetar dhe intelektuali kurajoz, i vetëdijshëm që kontributet e vyera, asnjëherë nuk janë jashtë kohës e gjithmonë vlejnë.

Pavarësisht të gjithave, botimi i librit është një kontribut i vlefshëm për të njohur nga brenda një botë të cilën e kemi njohur, perceptuar dhe gjykuar së jashtmi e shpesh herë në mënyrë empirike.
Isuf Kalo ka qenë i vetëdijshëm për barrën e angazhimit të vet. Në mënyrë kurajoze ai nuk i është shmangur asaj. Përkundrazi, me shumë qytetari i del për zot dhe na jep një model, që në fund të fundit është zgjedhje e tij.

Kam patur rast të lexoj edhe të tjerë libra të shkruar prej mjekësh personalë udhëheqësish të ndryshëm; mbretër, diktatorë, presidentë, si për shembull ?Unë kam qenë doktori i Hitlerit? të Kurt Krueger, ?Jovanka Broz ? Tito bashkë-sundimtarë?, të mjekut personal të Titos, Prof. Dr. Alexander Matunoviq etj. por ajo që e bën të veçantë librin e Isuf Kalos, është realizmi deri ne detaj dhe natyrshmëria e rrëfimit, si dëshmi e dimensionit intelektual të autorit, i cili me sa duket e ka patur shumë mirë parasysh gjatë kohës kur shkruante librin, thënien e Viktor Hugoit se: ?Krijuesi i librit është autori, krijuesi i fatit të tij është shoqëria?.

Duke e parë dhe analizuar nga ky kendvështrim dhe duke respektuar shenjtërinë e procesit krijues që është e drejtë ekskluzive e autorit, Profesor Isuf Kalo ia del sukseshëm jo vetëm të na japë një vepër dinjitoze, por të na ofrojë edhe një kontribut të vyer më shumë se sa për njohjen e disa të panjohurave të ?Bllokut? dhe personazheve të tij, për analizën e matur e të vendosur në kontekstin e kohës së cilës i referohet, ç?ka i jep atij dorë e mundësi të jetë bindës dhe i besueshëm.

E ndërsa na shkruan për njerëz realë, për ngjarje të verteta e për një kohë historike të caktuar, vepra i tejkalon të gjitha e vjen edhe si mesazh universal se e keqja është gjithnjë aty, njësoj si sëmundja, e rrezikshme e kërcënuese, nëse nuk e kurojmë me terapitë e nevojshme, dhe për më keq akoma, nëse e harrojmë e kënaqemi me faktin që nuk ka shenja apo gjurmë të shfaqjes së saj.

?Disa libra nuk janë shkruar vetëm për të na mësuar diçka, por edhe për të na treguar se autori ka qenë njeri i ditur?. Kështu ka thënë shkrimtari i madh gjerman Gëte.
Dhe Profesor Isuf Kalo, ia ka dalë në të dyja./CNA.al

Lajmet e fundit nga