LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Donald Trump në kërkim të aleatëve kundër Iranit

13 Korrik 2019, 13:01, Aktualitet CNA

Pas një serie incidentesh në Gjirin Persik, SHBA po kërkojnë aleatë të vjetër e të rinj për të krijuar një koalicion ushtarak në mbrojtje të Ngushticës së Hormuzit. Cilat vende janë të gatshme e cilat të përmbajtura?

SHBA aktualisht janë në kërkim të aleatëve, me të cilët do mund të krijojnë një koalicion ushtarak në mbrojtje të çisternave me naftë në rajonin e Gjirit Persik. Sipas gjeneralit amerikan, Joseph Dunford, bëhet fjalë sidomos për “të siguruar lirinë në Ngushticën e Hormuzit dhe rrugën detare të Bab el Mandab”. SHBA, sipas Dunford, do të ofrojnë kapacitetet e tyre vëzhguese të rrugëve detare. Anijet civile, sipas SHBA, mund të shoqërohen nga ato marina ushtarake, nën flamurin e së cilës ato janë në lundrim.

Ngushtica e Hormuzit ka një rëndësi të veçantë strategjike për ekonominë botërore. Përmes kësaj rruge detare që ndodhet në mes të Omanit dhe Iranit transportohet në rrugë detare një e treta e naftës botërore. Ajo është një nyje e rëndësishme për prodhuesit e mëdhenj të naftës, si Arabia Saudite, Irani, Emiratet e Bashkuatra, Kuvajti, Iraku dhe tregjet e tyre në Azi, Europë, Amerikën Veriore. Rruga detare Bab el Mandab ndodhet në mes të Jemenit dhe Xhibutit e Eritreas, e krijon kështu qasjen jugore të Detit të Kuq, që në veri përfundon në Kanalin e Suezit.

Tensionet mes SHBA dhe Iranit rriten

Për shkak se një pjesë e itinerarit të anijeve kalon në ujërat iraniane, ky vend ka kërcënuar disa herë me bllokimin e Ngushticës së Hormuzit. Në javët e kaluara, tensionet mes Teheranit dhe Uashingtonit janë shtuar ndjeshëm – për shkak të sanksioneve amerikane pas largimit të SHBA nga marrëveshja atomike, por edhe sepse në qershor dy çisterna me naftë në zonën e Gjirit janë sulmuar. Uashingtoni bën Teheranin përgjegjëse për sulmin. Teherani e refuzon këtë. Më vonë u rrëzua një dron amerikan nga Irani. Këtë të mërkurë, Irani duket se është përpjekur sërish, këtë herë duke dashur të ndalë një çisternë britanike.

Jo vetëm SHBA, por edhe shtetet e Gjirit si Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara duan të zmbrapsin influecën e Iranit në rajon. Eksperti i Shoqatës Gjermane për Politikën e Jashtme, (DGAP) Sebastian Sons është i mendimit, se ideja e krijimit të një koalicioni ushtarak, ka gjetur jehonë pozitive veçanërisht tek këto shtete.

Në kërkim të partnerëve

Jemi në kontakt me një sërë vendesh, ka thënë gjenerali amerikan i marinës Joseph Dunford. Javët e ardhshme do të shohim, se cilat vende do të kenë vullnetin politik për t’iu bashkuar kësaj iniciative. “Trump e ka bërë realitet premtimin elektoral për të dalë nga marrëveshja atomike dhe po ndjek tani kursin e izolimit të mëtejshëm të Iranit.”

Irani nuk është vetëm armiku më i madh i Arabisë Saudite. Arabia Saudite është edhe aleati më i ngushtë i SHBA në rajon. SHBA mund të jenë të sigurtë, se mbretëria saudite do ta mbështesë koalicionin ushtarak. Edhe marrëdhënia mes princit trashëgimtar, Mohamed Bin Salman dhe Donald Trump konsiderohet si shumë e ngushtë. “Madje mund të përshkruhet si një marrëdhënie varësie, të paktën nga pala saudite”, thotë eksperti Sons.

SHBA mund të llogarisin edhe me mbështetjen e vendeve të tjera, si për shembull të Emirateve të Bashkuara Arabe, megjithëse Emirati i Dubait në të shkuarën ka ndjekur një kurs më pajtues me Iranin, për shkak të interesave ekonomike. “Dominanca brenda Emirateve ka lëvizur në drejtim të Abu Dhabit.”. Eksperti Sebastian Sons ka parasysh me këtë influencën e princit trashëgimtar, Mohamed Bins Zayed – sunduesi faktik i Emirateve të Bashkuara Arabe. Ai sundon qartë diskursin politik në Emiratet e Bashkuara, të cilat bashkë me Arabinë Saudite e shohin veten në pararojë të frontit antiiranian.

Sebastian Sons

Marrëdhënie e re me Katarin

Që edhe Emirati i vogël, Katar duhet të bëhet për vete, këtë e ka kuptuar edhe Donald Trump. Ai priti së fundmi sheikun e Katarit, Tamim bin Hamad Al Thani, të cilin Trump në Uashington e quajti “mik”. Me këtë rast, Katari ka blerë armë dhe avionë Boeing nga SHBA, dhe dy vendet ka rënë dakord së bashku të ngrenë një fabrikë në jug të SHBA.

Në një kohë që në vitin 2017, situata ishte ndryshe, kur Arabia Saudite, Emiratet dhe vende të tjera fqinje i bënë bllokadë Katarit, të mbështetur nga SHBA. “Katari është për fat të keq financues i terrorizmit dhe këtë në nivel shumë të lartë”, u shpreh atëherë Trump. Edhe për shkak të lidhjeve të ngushta me Iranin, Katari ishte i papreferuari i SHBA.

Që nga ajo kohë presidenti amerikan ka ndërmarrë një kthesë 180 grad. “Baza më e rëndësishme ushtarake amerikane në rajon ndodhet në Katar”, ka thënë Sebastian Sons. Për shkak të arsyeve logjistike, tani që tensionet mes SHBA e Iranit janë shtuar, Katari merr një rol shumë të rëndësishëm. Katari po ashtu është aktiv në rajon. Ai është një nga mbështetësit më të mëdhenj të Rripit të Gazës, pa ndihmën e tij, do të rritej rreziku i luftës për Izraelin. Sunduesit në Katar kanë më shumë ndikim tek talebanët, se kushdo vend tjetër i gjirit, prandaj në bisedimet e paqes që zhvillohen në Katar, ky vend ka rol të rëndësishëm. Kësaj i shtohet: Vrasja e gazetarit Jamal Khashogi dhe arratisja e princesësh së Dubait e kanë dëmtuar imazhin e Arabisë Saudite dhe Emirateve. Këtë e di edhe Donald Trump.

USA Donald Trump und Tamim bin Hamad al-Thani (Reuters/C. Barria)Donald Trump dhe Tamim bin Hamad al-Thani

Balanca mes Arabisë Saudite dhe Iranit

Megjithatë për Katarin një koalicion i tillë ushtarak është dyzim më vete. Nga njëra anë Katari gëzohet për një pritje në Uashington, “sepse kjo paraqet një rritje të vlerësimit ndërkombëtar”. Por tregon edhe se bllokada e Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara nuk u kurorëzua me sukses. “Katari luan edhe më tej një rol të rëndësishëm rajonal dhe ndërkombëtar.”

Në të shkuarën Katari është përpjekur të ruajë balancën mes Arabisë Saudite dhe Iranit dhe e dëshiron edhe më tej këtë kurs. “Katari do të përpiqet të ruajë vetëpërmbajtjen, por edhe të mos dalë hapur kundër idesë së një koalicioni të tillë ushtarak”, thotë eksperti Sons.

SHBA nuk do t’i mbajë e vetme shpenzimet

Sekretari Amerikan i Shtetit bëri fjalë për 20 partnerë koalicioni për sigurimin e transportit detar të anijeve. Nga gjiri, krahas tre aktorëve kryesorë, llogariten edhe Bahraini, Kuvajti dhe Omani. Eksperti Sebastian Sons është i mendimit, se Bahraini do të ndjekë interesat e Arabisë Saudite, sepse është i varur ekonomikisht nga Mbretëria. Kuvajti dhe Omani mund të tregohen më të përmbajtur. “Ato nuk kanë një ushtri të fortë, dhe nuk janë në gjendje të mirë ekonomikisht.” Por mendohet se ato nuk do ta bojkotojnë një projekt të tillë.

Sipas gjeneralit amerikan, për Donald Trump ka rëndësi që SHBA të mos i mbajë e vetme shpenzimet e një misioni të tillë. Një koalicion ushtarak do të ishte një hap tjetër për të zmbrapsur influencën e Iranit tek kufijtë e tij territorialë./ DW

Lajmet e fundit nga