LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nisma e BE-së/ Negociata pas zgjedhjeve të 30 qershorit, por pa Ilir Metën

24 Qershor 2019, 18:18, Aktualitet CNA
Nisma e BE-së/ Negociata pas zgjedhjeve të 30 qershorit, por pa Ilir

Java e fundit para zgjedhjeve të 30 qershorit, ka nisur intensive për komunitetin ndërkombëtar në Tiranë. Gjithçka duket se është stimuluar nga vendimi i Kolegjit Zgjedhor, i cili ka legjitimuar pavflefshmërinë absolute të dekretit të Metës, me një vendim unanim pesë me zero. Menjëherë ka reaguar Farnesina, e cila në një deklaratë të ministrit të jashtëm kërkon largimin nga aktet e dhunshme për të siguruar një proces zgjedhor (në 30 qershor) të rregullt dhe të monitoruar nga ndërkombëtarët.

Por duket se orët e pasdites së të hënës dhe mëngjesi i të martës do jenë intensive. Realstory.al ka mësuar nga tre burime të pavarura konfidenciale diplomatike të ndryshme në Tiranë, se vizitat e ambasadorit të BE Soreca, në zyrën e Ramës e më pas të Bashës nuk janë të rastësishme dhe as kortezie, për të shoqëruar aty, zëvendësen e zonjës Mogherini, Zonjën Mattuela, përgjegjëse direkt e deskut për Ballkanin, e cila gjendet nga mëngjesi i të hënës në Tiranë. Mesa duket Bashkimi Europian ka marrë përsipër një nisëm të rëndësishme. Të nisë një negociatë, për të gjetur një zgjidhje politike Pas 30 qershorit. Nisma, duket ka mbështetjen e OSBE dhe të Kuintit, pra edhe të Gjermanisë, Britanisë dhe Italisë. Të gjithë këta përfaqësues pritet të mblidhen mëngjesin e të martës  në selinë e OSBE në Tiranë. Me një mungesë të madhe:  Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Realstory.al ka mësuar se ndërkombëtarët, ndërsa janë të unifikuar në qëndrimet e tyre pro 30 qershorit, ndahen, sa i përket faktorëve përgjegjës të krizës. Shtetet e Bashkuara kane përsëritur se e shohin të mundshme gjetjen e zgjidhjes nga vetë institucionet shqiptare. Një referencë për vendimin e të hënës të Kolegjit Zgjedhor. Qëndrimi u përsërit pak ditë më parë, kur në një prononcim për VOA, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit nuk e quajti dekret, por sërish ?njoftim?, aktin e presidentit Meta në 8 qershor.

Duket për Shtetet e Bashkuara Presidenti Meta është pjesë e problemit, por jo vetëm për ta. Realstory.al ka mësuar se nga të gjithë ambasadorët e Kuintit, vetëm ambasadori i Britanisë së Madhe nuk është dakord të dilet me një qëndrim kundër dekretit të presidentit Meta, ndërsa të gjithë të tjerët, përfshirë amerikanët, e gjejnë kudo përgjegjësinë e Presidentit në këtë krizë, sidomos në përshkallëzimin e saj para dy javësh me çdekretin e famshëm për 30 qershorin.

Kjo ka bërë që dhe amerikanët të mbajnë një qëndrim më të ashpër ndaj përgjegjësve të krizës, që ata nuk e kanë fshehur se janë liderët e opozitës, dhe se nuk janë të bindur të negociojnë me ta, para 30 qershorit, një qëndrim që reflektohet edhe tek Kryeministri Rama, i cili për herë të parë e pohoi këtë rreth 17 ditë më parë në Real Story në Vizion Plus: ?Nuk ka negociata deri në 30 qershor?.

Realstory.al pa me sy, një komunikim me mesazhe dhe me email, ku përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara kanë vendosur disa kushte të padiskutueshme nga sot, e deri në 1 korrik:

Asnjë akt (asnjë) dhune, nuk do të tolerohet deri në 1 korrik. Ndryshe partitë që i marrin përsipër do të futen në listën e organizatave të dhunshme për Shtetet e Bashkuara.

Të respektohen vendimet e institucioneve dhe të sigurohet një proces i qetë zgjedhor.

Të nxitohet puna për ngritjen sa më shpejt të Gjykatës Kushtetuese

Të ngrihet SPAK dhe BKH.

Gjithsesi kjo përpjekje për negociata, ka shënuar viktimën e parë, ende pa filluar: Ilir Metën. Edhe nga takimet e të hënës, edhe nga pritshmëritë e të martës, duket e qartë se kjo nisëm e re ndërkombëtare, pas vendimit të Kolegjit, tenton t?i paraprijë çdo lëvizjeje të papritur të presidentit, duke e përjashtuar atë nga faktorët me të cilët do flitet për të gjetur një marrëveshje pas 30 qershorit. Kjo ndoshta edhe për shkak të shpejtësisë së shkarkimit të presidentit nga parlamenti, çka do e bënte inkonveniente përfshirjen e tij në negociata, edhe sepse shihet nga Amerikanët dhe Europianët si një nga shkaktarët e problemit, edhe pse pas vendimit të kolegjit zgjedhor, tashmë ai është irrelevant, pasi s?ka më nevojë për një dekret tjetër prej tij, edhe pse me ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin, dhe ngritjen e shpejtë të Gjykatës Kushtetuese, qëndrimi i tij në Presidencë, është një situatë e përkohshme.

Çka del nga kjo përpjekje për një negociatë pas 30 qershorit, është se tashmë PD dhe LSI duhet të pranojnë realitetin e ri, që në shumicë e krijuan vetë, ose ndryshe lidershipi dhe organizatat që përfaqësojnë rrezikojnë shumë më tepër sesa mendohet. Dhe me Bashën të pandehur në një çështje delikate, pranimi i një negociate pas 30 qershorit ,është një mundësi ekstra besimi që ndërkombëtarët i japin atij sërish, por të rrethuar nga shumë kushte.

Nëse Basha do të bjerë dakord ? sigurisht jo publikisht, pasi do t?i duhet qoftë për retorikë të mos pranojë 30 qershorin, derisa ai të ndodhe ? atëherë në korrik, në Shqipëri, po shihet mundësia e dërgimit të një Të Dërguari të Posaçëm, me gjasë emërtesë e OSBE, që të negociojë një dialog afatmesëm për çështjet e reformës elektorale në mënyrë që të adresojë shqetësimet e opozitës. Por kjo do të testojë dhe sinqeritetin e saj: ka hallin e ndershmërisë në votime apo të diçkaje tjetër?

Burimet diplomatike thonë se nuk hyn në shqetësimet e tyre t?i gjejnë përgjigje kësaj dileme. Për ta kriza aktuale mori zgjidhje të hënën. Gjithçka tjetër është në dorë të Bashës. Se çfarë mund t?i ndodhë nëse e refuzon skenarin pas 30 qershorit, mjaft të shohë se çfarë po i ndodh Presidentit në ikje Meta. Dhe të bindet se në ?hallet? e tij me drejtësinë dhe amerikanët (të hënën prokuroria sekuestroi pamjet filmike te dy deklarimeve te tija kontradiktore për çështjen e financimit nga Rusia), një refuzim kokëfortë edhe pas 30 qershorit, do të përbënte edhe për të, ashtu si për Ilirin pas ?njoftimit? të tij të 8 qershorit, një biletë pa kthim./Realstory.al

Lajmet e fundit nga