LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Njëzet akuza të reja në rastin “veteranët” në Kosovë

24 Maj 2019, 16:35, Aktualitet CNA
Njëzet akuza të reja në rastin “veteranët”

Prokuroria Themelore në qytetin e Pejës në Kosovën perëndimore, tha të premten se ka ngritur 20 aktakuza ndaj 21 personave të përfshirë në rastin e njohur si “veteranët”.

Prokurorja, Lumturie Buqetaj, tha se sipas akuzës, të gjithë dyshohen për përfshirje në veprën penale “legalizim i përmbajtjes së rrejshme”.

“Konsiderohet që këta persona kanë siguruar dokumentacione të falsifikuara si kritere bazë mbi bazën e të cilave aplikojnë për të fituar pagën e pensionit të veteranit luftëtar. Në këtë kontekst, këto dokumentacione; certifikata mbi statusin e veteranit luftëtar dhe vërtetimi që lëshohet nga ministria e Punës dhe Mirëqenies sociale për vërtetimin e këtij statusi, kanë dalë dokumente të falsifikuara”, tha ajo.

Zonja Buqetaj tha se këto dokumente janë siguruar përmes disa ndërmjetësve të cilët kanë pranuar shuma të parave deri në tre mijë euro.

“Këto certifikata janë siguruar nga persona të ndryshëm dhe kanë kaluar nëpër disa procese nëpërmjet disa ndërmjetësuesve. Gjatë hetimit tonë, kemi identifikuar në të shumtën e rasteve një person, i cili sipas informacioneve që kemi siguruar në rrugë zyrtare është në arrati, gjendet në botën e jashtme dhe janë ndërmarrë të gjitha veprimet e mundshme që ai t’i përgjigjet ligjit”, tha zonja Buqetaj.

Në shtator të vitit të kaluar Prokuroria e Posaçme e Kosovës, ngriti aktakuzë kundër 12 personave nën dyshimet për veprën penale ?keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar?.

Sipas akuzës “nga provat është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumën prej 68 milionë eurosh“.

?Çështja e listave të veteranëve të luftës u ngrit gjatë verës së vitit të kaluar kur prokurori i Prokurorisë së Posaçme të Kosovës, Elez Blakaj, që po e trajtonte këtë çështje, dha dorëheqje duke akuzuar kryeprokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezi për ndërhyrje dhe përpjekje për frikësim, ndërsa vuri në pah se, siç tha ai, është kërcënuar gjatë trajtimit të keqpërdorimeve me hartimin e listave të veteranëve.

Ish prokurori Blakaj, në një letër të hapur atëbotë, tha se mund të ishin 19 mijë përfitues të rremë të skemës së pensioneve për veteranët e luftës së ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Anëtarë të Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve thonë se numri prej 37 mijë veteranësh që gëzojnë pensionin prej 170 eurosh, nuk është i lartë, por listat nëse duken të fryra, problemi është tek ligji për veteranët që parasheh përfshirjen e shumë kategorive që kanë ndihmuar luftën e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Hetimet rreth kësaj çështjeje vlerësohen ndër më të mëdhatë në Kosovë./VOA/

Lajmet e fundit nga