Connect with Us

Familja është e shenjtë, si mund ta mbrojmë atë?

Aktualitet

Familja është e shenjtë, si mund ta mbrojmë atë?

Publikuar

-

15 Maji, si dita ndërkombëtare e familjes, na ndihmon të bëjmë pak një ndalim nga vrapimi i përditshmërisë dhe të mendojmë më shumë për familjen, të cilën me të drejtë mund ta quajmë “qelizën” e shoqërisë njerëzore, ose siç e quan shkrimtari i madh Viktor Hygo, “skeleti i shoqërisë’’. Familja sot po përballet me shumë probleme të kushtëzuara nga proçeset e vrullshme sociale, ekonomike dhe demografike në të gjithë botën.

Termi familje vjen nga fjala latine “famulus” që do të thotë “rob i shtëpisë” ose “shërbëtor”. Për romakët këta ishin njerëzit e shtëpisë që kishin midis tyre një lidhje prej martese, lindje ose adoptimi, të cilët jetojnë në pronë të përbashkët dhe i shërbejnë njëri-tjetrit.

Në nenin 16(3) të deklaratës për të drejtat e njeriut përcaktohet se: “Familja është grupi natyral dhe kryesor në shoqëri dhe ka të drejtë për mbrojtjen nga shoqeria dhe shteti”.

Zyra e rregjistrimit të përgjithshëm së SHBA-së e përcakton familjen si “dy apo më shumë persona që lidhen nga lindja, martesa ose adoptimi, të cilët jetojnë së bashku”.

Kodi Civil i familjes së Republikës së Shqipërisë thotë në Nenin 1: “Martesa si bashkjetesë ligjore, mbështetet në barazinë morale dhe juridike të bashkshortëve në ndjenjën e dashurisë, respektit  dhe të mirëkuptimit reciprok, si bazë e unitetit të familjes.” Martesa dhe familja mbrohen veçanërisht nga shteti.

Pra koncepti i përgjithshëm klasik na tregon se familja është një institucion biosocial, i përbërë nga dy persona (burrë dhe grua) jo të një gjaku, dhe pjesëtarë të këtij grupi bëhen edhe fëmijët e lindur ose të adoptuar.

Por ajo që vihet re në kohët e fundit është se ka individë, shoqata, grupe interesi, madje dhe qeveri të imponuara me forcën e ligjit, të cilët bëjnë përpjekje për ta ndryshuar konceptin natyral të familjes. Në disa vende te Europës, si p.sh. në Francë, ku si vazhdim i ligjit mbi barazinë ligjore të martesave në çiftet heteroseksuale dhe atyre homoseksuale, u votua një ligj i ri me të cilin heqin nga përdorimi termat “nënë” dhe “baba” dhe i zëvendësojnë me termat “prindi 1” dhe “prindi 2” .

Mbi qeverinë dhe parlamentin e Shqipërisë, është bërë gjtihashtu presion që të ndryshohet kodi civil në lidhje me martesën, ku sipas Nenit 7 cilësohet “Martesa mund të lidhet nëpërmjet një burri dhe një gruaje që kanë mbushur moshën 18 vjec”, ku të mos përcaktohet me gjinia e personave. Fatmirësisht, nga presioni i ushtruar i shoqërisë shqiptare, që tradicionalisht respekton dhe nderon familjen në konceptin e saj klasik, burrë dhe grua, këto nisma nuk janë aprovuar.

Shkaqet që familja sot është bërë kaq e brishtë moralisht, lehtësisht e thyeshme me divorc dhe e tjetërsuar nga perversioni, nuk janë thjesht sociale, ekonomike apo demografike, por sekularizim gjithnjë e me shumë i shoqerisë njerëzore.

Në vendet me një qytetërim sekular, i ndërtuar mbi moralin e krishterë, ka një tendencë në rritje drejt një “lirie” mendimi që çon në gmosticizëm dhe ateizëm, që mohon ekzistencën e një Zoti personal të moralshëm, i Cili është arkitekti i gjithçkaje të krijuar dhe veçanërisht i familjes, si “qeliza” e shoqërisë njerëzore. “Sot është hedhur poshtë shenjtëria e familjes, vatra e saj u shkatërrua në emër të një lirie, të cilën vetëm një njeri pa arsye mund ta kuptojë dhe kështu bota jonë u mbush me njerëz të ngrirë dhe të vetmuar”, thotë shkrimtari i njohur grek Kosta Ciropulos.

Kërkimet shkencore kanë konstatuar se sëmundja vdekjeprurëse e kancerit fillon kur në trup prishet struktura qelizore. Këtë mund ta themi edhe për trupin e madh të shoqërisë njerëzore, që në qoftë se qeliza e saj kryesore, familja, ndryshon dhe prish “ADN-në” e saj, atëherë trupi i shoqërisë njerëzore kërcënohet nga një kancer i frikshëm, që me metastazat e tij, shpejtë ose vonë, do e vrasë gjithë njerëzimin.

Pavarësisht se në këtë ditë feste organizohen aktivitete lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare dhe madje thuhen shumë fjalë mbi shëndetin e familjes, barazinë e gruas me burrin, marrëdhëniet prind-fëmijë, uljen e divorceve, përballimin e problemeve sociale, përsëri i shmangemi shkakut kryesor të problemeve të martesës, që siç thamë është sekularizimi, por shmangja e shkakut nuk u jep zgjidhje pasojave.

Prandaj detyra e Kishës Orthodhokse, si shtylla e së vërtetës, është të thotë përsëri dhë përsëri të vërtetën dhe t’u kujtojë brezave në çdo kohë rëndësinë e martesës dhe familjes, si të krijuara këto nga Zoti me qëllim shumë të lartë, si shprehje e dashurisë së Perëndisë për njeriun dhe si pjesëmarrje e njeriut në dashurinë krijuese të Perëndisë. Historia e njerëzimit fillon me një martesë dhe familjen e çiftit të parë, Adamit dhe Evës, dhe do të mbarojë po me një martesë, të Krishtit me nusen e tij, Kishën.

Sipas Shkrimit të Shenjtë, na thuhet: “Perëndia krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet, sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin e femrën. Dhe Perëndia i bekoi; dhe Perëndia u tha atyre: “Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën .” (Zanafilla 1:27-28).

Në doktrinën e krishterë karakteri i ndryshëm seksual i krijuar tek njerëzit ka një rol thelbësor për të luajtur në spiritualitetin njerëzor, që njeriu i bashkuar seksualisht në marrëdhëniet heteroseksuale në martesë, nga dy persona, të bëhen një mish i vetëm dhe nga ky bashkim unik, do të lindin fëmijë që do të formojnë familjen, ashtu siç na e citon Bibla: “Për këtë arsye njeriu do të braktisë babanë dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij, dhe do të jenë një mish i vetëm.” (Zanafilla 2:24).

Ashtu si të gjitha gjërat njerëzore nga keqpërdorimi dhe abuzimi mund të prishen dhe degjenerohen, kështu edhe seksualiteti, që është i mirë në vetvete si energji për të krijuar jetën, është berë sot, në këtë brez të pabesë, më tepër një instrument  i mëkatit sesa një mjet për të lavdëruar Perëndinë.

Abuzimet seksuale që dëmtojnë martesën dhe familjen dhe tejkalimi i natyralitetit seksual deri  në perversion, kanë si shkak të tyre të drejpërdrejtë, rebelimin e njeriut kundër Perëndisë dhe mohimin e ekzistencës së Tij. “Prandaj edhe i dha Perëndia ata në papastërti me anë të dëshirimeve të zemrave të tyre, që të shnderohen trupat e atyre në mes tyre, të cilët ndërruan të vërtetën e Perëndisë në gënjeshtër, edhe nderuan e adhuruan krijesën më tepër se Krijuesin, i cili është i bekuar për gjithë jetën. Amin. Prandaj Perëndia i dha ata në dëshirime shnderimi; sepse edhe femrat e tyre shndërruan marrëdhënien sipas natyrës në atë kundër natyrës. Gjithashtu edhe meshkujt lanë marrëdhënien me femrën sipas natyrës, e u dogjën në dëshirimin e tyre njëri me tjetrin, duke bërë turpe meshkuj me meshkuj, e duke marrë mbi vete shpagimin e duhur të mashtrimit të tyre. Edhe si nuk deshën të njohin Perëndinë, Perëndia i dorëzoi ata në mendje të prishur, që të bëjnë ato që nuk janë të hijshme” (Romakëve  1:24-29).

Sipas mësimit të Kishës Orthodhokse, martesa dhe akti seksual i dashurisë bëhet i përsosur vetëm me bekimin e Zotit nëpërmjet Misterit të Martesës në Kishë, prandaj sipas moralit të krishterë, bashkëjetesa pa kurorëzim trajtohet si mëkat dhe marrëdhënie e paligjshme, ose sipas shën Pais Agjoritit: “një inxheksion i djallit që helmon dashurinë e pastër të çiftit dhe i ndan ata njëri nga tjetri”.

Po ashtu, në Krishtërim martesa është monogamike dhe e pandashme, divorci mund të tolerohet vetëm nga mëkati i kurorëshkeljes. Krishti thotë: “Qe shkruar: Kush e lë gruan e tij, le t`i japë letrën e ndarjes”. Por Unë po ju them: Kushdo që përzë gruan e tij, me përjashtim të rastit të kurvërisë, e bënë atë të shkelë kurorën dhe kushdo që martohet me një grua të ndarë, shkel kurorën.” (Mateu 5: 31-32).

Mësimet e Krishtit nxisin çiftin t’i qëndrojnë besnik njëri tjetrit dhe të mos  tradhëtojnë as me mendim: “Por unë po ju them se kushdo që shikon një grua për ta dëshiruar, ka shkelur kurorën me të në zemrën e vet.” (Mateu 5:28). Ndërsa apostull Pavli, goja e Krishtit, na thotë: “Martesa të nderohet nga të gjithë dhe shtrati martesor të jetë i pa përlyer, sepse Perëndia do t’i gjykojë kurvarët dhe kurorëshkelësit” (Hebrenjtë 13:4).

Po ashtu Krishtërimi mëson dhe nxit për barazinë e çiftit në martesë, duke e ngritur gruan në pozitë të barabartë me burrin, duke restauruar martesën siç ishte në fillim në çiftin e parë me Adamin dhe Evën, ku sipas Shkrimit të Shenjtë, marrja nga Perëndia e brinjës së Adamit që ishte dhe afër zemrës për të krijuar trupin e Evës, tregon se gruaja ishte e barabartë me burrin dhe e dashur nga burri, por e gjithë kjo barazi dhe dashuri u prish kur Eva gaboi dhe dëgjoi djallin që e nxiti të hante frutin e ndaluar që të bëhej perëndi përpara burrit, por ajo mori mbi veten e saj  mallkimin e Zotit dhe tiraninë e burrit: “Gruas i tha: Unë do të shumëzoj në masë të madhe vuajtjet e tua dhe barrët e tua; me vuajtje do të lindësh fëmijë, dëshirat e tua do të drejtohen nga burri yt dhe ai do të sundojë mbi ty” (Znafilla 3:16).  Krishti, i Cili lindi si njeri prej gruas, pa farën e burrit, e hoqi mallkimin e gruas dhe e bëri atë shkak shpëtimi dhe të barabartë me burrin, prandaj thuhet: “nuk ka më mashkull e femër; sepse ju të gjithë jeni një në Krishtin Jisu” (Galatasve 3:28).

Ky barazim i personave në martesën e krishterë, është një barazi me funksione dhe detyra të ndryshme. Përsëri apostull Pavli na tregon misterin dhe mënyrën  se si duhet të fuksionojë barazia në çift, kjo krejt ndryshe nga lëvizjet feministe që promovon një rebelim të grave nga detyrat e saj në familje si grua dhe nënë dhe që është shkak i shumë divorceve që po e trondisin martesën dhe shkatërrojnë familjen. “Ju, gratë, nënshtrojuni burrave tuaj porsi Zotit, sepse burri është kreu i gruas, sikurse edhe Krishti është kreu i kishës, dhe ai vetë është Shpëtimtari i trupit. Ashtu si kisha i është nënshtruar Krishtit, kështu gratë duhet t`u nënshtrohen burrave të tyre në çdo gjë. Ju, burra, t`i doni gratë tuaja, sikurse edhe Krishti ka dashur kishën dhe e ka dhënë veten e vet për të… Kështu burrat duhet t`i duan gratë e veta porsi trupat e tyre; kush do gruan e vet do vetveten. Sepse askush nuk urreu mishin e vet, por e ushqen dhe kujdeset me butësi për të, sikurse edhe Zoti bën me kishën, sepse ne jemi gjymtyrë të trupit të tij, të mishit të tij dhe të kockave të tij. “Prandaj njeriu do të lërë babanë e vet dhe nënën e vet dhe do të bashkohet me gruan e vet, dhe të dy do të bëhen një mish i vetëm”. Ky mister është i madh; tani unë e them në lidhje me Krishtin dhe me kishën. Por secili nga ju kështu ta dojë gruan e vet sikurse e do veten e vet; dhe po kështu gruaja ta respektojë burrin.” (Efesianet 5:22-33).

Dashuria e trefishtë në martesë (agape=dashura si veprim i mirësisë për hirë të tjetrit, eros=dashuria për hir të bashkimit me tjetrin dhe filia=dashuria e miqësisë me tjetrin), jo vetëm e bashkon çiftin në një, por siç e cituam më sipër, përmbushet në lindjen e femijëve. Prandaj ata që dashurohen në të vërtetë në martesë natyralisht do të kenë fëmijë si fryt të dashurisë. Ata që i përçmojnë fëmijët ose i ndalojnë të vijnë në jetë me ndërhyrje, nuk dashurojnë në të vërtetë. Martesa e cila refuzon lindjen e fëmijëve, jo nga shkaqe natyrale apo fatkeqësi, por nga ego dhe rehati-dashje, nuk është një bashkim shpirtëror dhe i bekuar nga Zoti.

Në krishtërim kontrolli i lindjes së fëmijëve, është i lejuar vetëm sipas thelbit të jetës shpirtërore, kur lindja e një fëmije do të sjellë rrezik dhe mundim. Ky vendim merrët para Perëndisë me hidhërim dhe lutje. Në orthodhoksi nuk ka opinion se disa mjete të kontrollit të lindjes së fëmijës janë më të mira se të tjerat. Të gjitha mjetet janë të trishtushme dhe të dhembshme për ata që duhen me të vërtetë.

Aborti që nxit krimin e vrasjes brenda familjes, në Kishën Orthodhokse është absolutisht i dënueshëm dhe konsiderohet njësoj si vrasja dhe kanonet e kishës dënojnë si çiftin ashtu edhe ata që e kryejnë abortin: “Gratë që marrin ilaçe për qëllime abordi dhe ato që marrin helme që vrasin fetusin (foshnjën në barkë), u nështrohen ndëshkimit për vrasësit” (Kanoni 92, Sinodi XI Ekum).

Aborti mund të lejohet vetëm kur rrezikon të vdesë nënën, por sipas Besimit Orthodhoks, një nënë që jep jetën për fëmijën e saj konsiderohet si një shenjtore që do të lavdërohet në Mbretërinë e Perëndisë.

Në familje jeta shpirtërore e dashurisë duhet të kërkohet dhe jetohet sa më e plotë që të jetë e mundur. Kjo do të thotë se çdo anëtar i familjes, prind, fëmijë, vëlla dhe motër, duhet të jetojë për tjetrin: “duke mbajtur barrat e njëri-tjetrit dhe kështu përmbushin ligjin e Krishtit” (Galatasve 6:2).

Çdo fëmijë është një dhuratë e Perëndisë dhe prindërit kanë përgjegjësinë dhe duhet të kujdesen për këtë fëmijë të cilin ua besoi Zoti dhe Ai një ditë do t’u kërkojë llogari në gjyqin e madh. Prandaj prindërit në familje duhet të kujdesen për fëmijët, jo vetëm me dashuri, por edhe drejtësi sipas Zotit, kryesisht me anën e shëmbullit të tyre, ashtu siç apostulli këshillon: “Dhe ju, etër, mos i provokoni për zemërim fëmijët tuaj, por i edukoni në disiplinë edhe në këshillë të Zotit” (Efesianëve 6:4). Por edhe fëmijët apostulli i këshillon: “Fëmijë, bindjuni prindërve tuaj në Zotin, sepse kjo është e drejtë. Ndero atin dhe nënën tënde”,ky është urdhëri i parë me premtim “që të jesh mirë edhe të jetosh gjatë mbi dhé” (Efesianëve 1:3).

Sipas shën Joan Gojartit, shtëpia është një kishë e vogël dhë kështu në këtë kishë të vogël të familjes, çdo anëtar i saj mëson të dojë njëri–tjetrin, duke u drejtuar drejt burimit të dashurisë që është Zoti, sepse: “Perëndia është Dashuri” (1 Joani 4:16), që mbasi të largohet nga kjo jetë dhe familja e tij tokësore, të bashkohet me familjen e madhe të Perëndisë, sepse na thuhet: “Ja tenda e Perëndisë me njerëzit! Dhe ai do të banojë me ta; edhe ata do të jenë populli i tij dhe vetë Perëndia do të jetë bashkë me ta, Perëndia e tyre” (Zbulesa 21:3).

Miron Çako, përgjegjësi i Zyrës Katekizmit të Kryepiskopatës së KOASH-it.

KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Aktualitet

Plas në Digitalb, stafi letër aksionarëve: Me detyrim të dalim në rrugë të madhe

Publikuar

-

Nga

Stafi i Digitalb, gati 80 drejtues në vite të kompanisë nëpëmjet një emaili në mbrëmjen e 14 Gushtit, i janë drejtuar aksionarëve të kompanisë, pas largimeve masive të filluara kohët e fundit nga Vjollca Hoxha, cna.al ka siguruar emalin e plotë.

Shumë emra të rëndesishëm, themelues dhe menaxherë të kompanisë po hiqen dhe po hidhen në rrugë me detyrim, shkruhet në emailin që stafi ka shpërndarë pë aksionarë e kompanisë.

Më poshte teksti i plotë dhe nje foto e emailit që qarkullon në Digitalb.

Përshëndetje aksionarë të DigitAlb-it!
Të gjithë ju që ju bashkuat ëndrrës së Tan Hoxhës për të ngritur Platformën që do bënte dhe vazhdonte revolucionin mediatik në Shqipëri e do ishte “URA” lidhëse e gjithë shqiptarëve!
ËNDRRËS që ne, stafi, I BESUAM dhe jetuam duke punuar për 15 VITE…
Po ju shprehim direkt shqetësimin tonë, për çfarë po ndodh në DigitAlb-in ku ne me vite punuam, sakrifikuam po edhe shijuam, se e kishim Familjen tonë!
Siç besojmë jeni në dijeni;
Që me ardhjen e Administratorëve të rinj të gjitha gjërat në DigitAlb nisën dhe vazhdojnë të ndryshojnë për keq në çdo aspekt.
Dhe këtë, s’ka mbetur njeri pa e ndjerë e pa e folur edhe në popull apo thënë ndryshe, klientët…
Plus kësaj, nisi një fushatë spastrimi “etnik” tek punonjësit, pa u bazuar në asnjë kriter profesional. Për më tepër; Heqje masive profesionistësh nga puna, pa mbështetje në asnjë strategji zhvillimi apo financiare, afatmesme apo aftgjatë, siç do duhej të funksiononte vërtet në një kompani e siç ndodh kudo në botë. Por mbi të gjitha e më flagrantja, pa asnjë vendimarrje tuajën si ‘Asamble e Aksionarëve’ të DigitAlb!
Mjafton të përmendim largimin e mbi 90% të Drejtorëve kryesorë të kompanisë, që bashkë edhe me kërkesat ULTIMATIVE për dorëheqje të menjëhershme deri edhe tek stafi ekzekutiv në bazë, arrijnë aktualisht në rreth 80 vetë!
Por ky spastrim po vazhdon dita ditës dhe fryma e pasigurisë që ka asgjësuar atë të familjaritetit që ekzistonte dhe e karakterizonte deri dje DigitAlb, shto këtu dhe uljet e rrogave në nivele ordinere, deri edhe tek shoferët, ka bërë që edhe ata të mbeturit ende momentalisht të jenë me CV në dorë, gati për të ikur sapo t’ju dalë alternativa e parë…
Tani, pavarësisht problematikave tuaja me ish-Administratorin, Albanin që gjithësesi për ne në ato vite ishte një lider; po me ne stafin ç’patët…?!
Tek e fundit të gjithë ne punonjësit e larguar deri më tani, që në fakt U PËRZUMË pa asnjë motiv mospërmbushjeje profesionale në gjithë këto vite pune, sakrifice e jete në DigitAlb, jemi gati 80 FAMILJE me gjithë peshat sociale që rëndojnë në Shqipëri. Si mundet që kështu befas, brenda ditës, të na kërkohet me detyrim të dalim në rrugë të madhe, ndërkohë që jemi familjarë me fëmijë për të rritur e shkolluar dhe kredi për të paguar…?!
Ka mes nesh nga ata që ishin të vetmit të punësuar nga pjesëtarët e familjes. Dhe tani s’janë më!
Me çfarë ta paguaj tani unë çerdhen e fëmijës tim?
Me çfarë ta paguajë ai tjetri qeranë e shtëpisë ku ka futur familjen apo ajo kolegia tjetër kredinë bankare, që tek e fundit i është miratuar me garancinë se punonte në DigitAlb?!
Ç’kusur kanë fëmijët tanë që tani s’mbajmë dot as premtimet që u kemi dhënë, edhe për shkollën e tyre…?!
Ça faji kemi që besuam tek ju?
Deri dje të gjithë ndiheshim krenarë në familjet tona sepse punonim në DigitAlb…
Deri dje në DigitAlb organizonim fushata bamirësie për familjet në nevojë…
Tani vetëm prej tekave të shfrenuara të një zonje, krejt ndryshe nga vizioni i themeluesit, DigitAlb ka arritur ne pikën që po nxjerr me radhë sa e sa familje në mes të rrugës, duke i detyruar të luftojnë deri për bukën e gojës!
Pse tani heshtni të gjithë dhe bëni sikur s’na njihni e as na keni parë kurrë?!
Kemi punuar per ju! Me vite! Me plot përkushtim!
Kishim investuar pasion e besim me punën tonë gjithë këto vite, duke refuzuar jo një herë edhe Oferta joshëse më të larta, pasi BESONIM në ëndrrën që po punonim të ndërtonim, në atë Platformë ku ju të gjithë jeni aksionarë, por jo pa përgjegjësi!
Po tani? Çfarë bëmë ne gabim, që pas gjithë atyre viteve punë, përkushtim e besim, nga ju aksionarë të merrnim këtë “shpërblim”…?!
Stafi i DigitAlb

 

 

LEXO TE PLOTE

Aktualitet

KQZ u “mbyll derën” aleatëve të Bashës/ LSI: Nuk do të ndalemi

Publikuar

-

Nga

Mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dështoi pasi anëtarët e KQZ nuk u paraqitën, me përjashtim të kreut të saj, Klement Zguri. Duke qenë se nuk mund të ketë diskutime pasi nuk formohet kuorumi, mbledhja u anulua pa përcaktuar një datë tjetër se kur mund të mblidhet.

Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe përfaqësuesi i LSI-së, Muharrem Caka i cili tha se mungesa është e qëllimtë dhe politike.

Caka tha se LSI-ja ditën e hënë do të sjellë kërkesën për regjistrimin në zgjedhjet lokale të 13 tetorit.

“Në respekt të dekretit të Presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve në 13 Tetor dhe afatit në 2 gusht, LSI, PR dhe PAA paraqitën kërkesën për fillimin e procedurave. 30 qershori u shfuqizua si datë zgjedhjesh nga Presidenti. Vetëm Kushtetuesja mund të shprehet për dekretin e Presidentit. Mungesa e anëtarëve është e qëllimtë, politike.

Dekreti i Presidentit është në fuqi dhe ne do të respektojmë parashikimet. Do të sjellim të hënën kërkesën për regjistrimin në zgjedhje. Kodi parashikon që KQZ-ja ka detyrimin të nisë procedurat dhe së pari duhet të merrte parasysh kërkesën. Në Kolegj? Do të ndjekim të gjitha hapat. Prevalon Kushtetuta mbi lejen e tyre vjetore” tha përfaqësuesi i LSI-së, Muharrem Caka./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Aktualitet

Teuta i ‘rrëmben’ Kukësit Stivi Frashërin

Publikuar

-

Nga

Ende s’është bërë zyrtare, por Stivi Frashëri do të jetë largimi i radhës te skuadra e Kukësit. Burime të sigurta pranë futbollistit bëjnë me dije për newsport.al që titullari i portës verilindore nuk do të vijojë më bashkëpunimin me nënkampionët.

28-vjeçari korçar preferon të ndërrojë ambient në sezonin e ri dhe të njëjtat burime tregojnë se është arritur akordi me “Djemtë e Detit”. Pra, në edicionin e ri futbollistik ai do të mbrojë katërkëndëshin e skuadrës së Bledi Shkëmbit.

Kujtojmë që “gardiani” i njohur është prej dy vitesh pjesë e Kukësit. Paraqitjet e tij me verilindorët kanë qenë relativisht pozitive, por shpesh herë nuk ka mundur t’i shpëtojë edhe kritikave.

Ka një CV të pasur pasi ka kontribuar me skuadra me emër si Flamurtari, Tirana, ndërsa është formuar te ekipi i Bylisit. Tashmë pritet të shihet se si do të vijojë aventura e tij e re në portën e durrsakëve.

LEXO TE PLOTE
Lajme të Rekomanduara: