LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

"Tre dashuri në kohën e kolerës"/Kë ironizon Bledi Mane?

30 Prill 2019, 15:07, Aktualitet CNA
"Tre dashuri në kohën e kolerës"/Kë ironizon Bledi

Nga Bledi Mane

1./Shiu kishte pushuar dhe qyteti po harbohej me aromën e çmendur të luleve. Trëndafilat e rrugës së lagjes time paralel me lumin e Vjosës, seç kishin një lloj mendjemadhësie dhe ashtu të çelur e të shpërthyer nga stina, xhelozonin çdo vit vajzat e provincës.
Ne fëmijët mistrecë para se të mbylleshim në shtëpi për të bërë detyrat e shtëpisë, e kishim zakon që luanim një futboll të shpejtë me porta të vogla hungareze.
Ishte ora 3 e gjysëm e pasdites së një dite të muajit maj 1989. Babai im Ahmet Mane, shefi i arsimit dhe kulturës për rrethin e Përmetit po kthehej në shtëpi pas punës. Përballë tij vinte usta Laver Bariu, ndërkohë mes atyre dy burrave, qëndronim ne fëmijët që luanim në rrugë. Loja jonë u pezullua, topin prej llastike e fshehëm, zhurmat u fashitën dhe ne ashtu pezull si krushq të ngrirë dëgjuam dialogun mes dy të rriturve:
Ahmet Mane: -Usta si je, pse ke dalë kaq herët nga shtëpia?
Laver Bariu si fillim i tregoi kutinë e klarinetës e më pas i foli qetësisht:
-Shef Ahmeti, ti e di që do shkojmë në Tiranë këtë muaj.
Jemi ftuar te Televizioni Shqiptar. Po bëjmë prova nga dy herë në ditë se na ka ftuar ajo shtriga, na ka ftuar ajo e tmerrshmja Vera Grabocka. Nuk të fal ajo po nuk ke nivel!
2./
-Ke muhabet me Alketa Vejsiun se ti vdes për muzikë e për spektakël?!
Këtë pyetje më bënte 10 vjet më parë (kur vazhdoja studimet master në gazetari) andej nga rruga e Elbasanit mes oborrit të përbashkët të Fakultetit Filologjik dhe atij Ekonomik, Julian Naqellari.
Ky i fundit, shok i fëmijërisë time në Përmet, prej vitesh lektor ekselent i ekonomisë, rastisi të ishte pedagog i moderatores Alketa Vejsiu. E ndërsa më përmendtte emrin e Alketës, tërthorazi më bënte moral. Mburrej me studentë si Alketa që pavarësisht famës, shfaqte thjeshtësi, vinte rregullisht në shkollë, lexonte, pyeste, tregohej aktive, socializohej dhe mundohej të ishte produktive…
3./
I keni bërë gati gozhdët e ndryshkura?
Na duhet një çekiç i rëndë!
Joooo, joooo, jo dy trarë druri për një kryq!
Na duhen gjashtë trarë të gjatë e të rëndë për tre mëkatarë.
Nuk do kryqëzojmë një por dy femra dhe një kalama.
Si fillim gjyq publik pastaj flijim etern…
3./
30 vjet pas takimit të Ahmet Manes me Laver Bariun dhe 20 vjet pas takimit tim me profesorin Julian Naqellari, renegatët dhe cinikët profesionistë të vendit tim kësaj here kanë gjetur gjuetinë e radhës. Për forcë zakoni u duhet të persekutojnë dy vajza që nuk plaken kurrë sepse me shfaqjet dhe performancat e tyre nuk përhapin panik. Nuk cytin miletin në mizerje e në vetëvrsje. Ndryshe nga politika dhe folklorika nuk mbjellin mortjen, mynxyrën, fukarallëkun, nuk stimulojnë krimin domestik.
Si ato mëngjeset pranverore të Përmetit tim, ato të dyja spërkasin çdo brez e çdo moshë me eliksirin e argëtimit e të iluminimit në çdo fshat e qytet të Veriut deri poshtë në Jug. Bëjnë thirrje për aksione sociale e ua kanë kthyer ekranin edhe fëmijëve.
Ato të dyja kanë vetëm një mëkat sepse e transmetojnë spektaklin e tyre ditët e hëna dhe e nisin javën shqiptare me argëtim.
4./
Ti Xhejson, kur të rritesh lexoje këtë shkrim!
???????
Shënim i rëndësishëm/ Vera Grabockën dhe Alketa Vejsiun nuk i kam parë asnjëherë nga afër dhe po u njoftoj që ky
shkrim nuk është i sponsorizuar por i motivuar nga përpjekjet sublime të këtyre dy vajzave!?

Lajmet e fundit nga