Connect with Us

Mesazhi i samitit të Berlinit/ Angazhimi krah për krah i Francës dhe Gjermanisë

Aktualitet

Mesazhi i samitit të Berlinit/ Angazhimi krah për krah i Francës dhe Gjermanisë

Publikuar

-

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, duan t’i japin një impuls të ri procesit të normalizimit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, prandaj edhe do të takohen edhe në të ardhmen me krerët e Serbisë dhe Kosovës, konfirmoi zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert, të martën në Berlin, në konferencën e shtypit të qeverisë gjermane. Sipas Seibertit, “më 1 korrik do të ketë një takim të dytë në Paris, me pjesëmarrje të Gjermanisë, Francës, Serbisë dhe Kosovës për të biseduar se si duhet të shkohet më tutje me dialogun e normalizimit ndërmjet të dy vendeve.” Lajmin për vazhdimin e dialogut në Paris e kishin përhapur dje edhe presidentët Thaçi dhe Vuçiç.

                                                  Steffen Seibert

Seibert nuk donte të hynte në detaje se si do të ishte zgjidhja e normalizimit të marrëdhënieve. “Si zëdhënës i qeverisë gjermane nuk më takon mua që të parashtroj elemente për një zgjidhje në procesin e normalizimit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Por bisedimet kanë të bëjnë me shumë tema, përtej asaj të kufirit.”, tha Seibert duke sqaruar se negociatat do të mbeten edhe në të ardhmen nën drejtimin e BE-së. “Gjermania dhe Franca janë ofruar që ta mbështesin këtë proces sa të munden”, tha Seibert.

Negociatat nën udhëheqjen e BE-së

Sa i përket çështjes së heqjes nga tryeza të idesë së shkëmbimit të territoreve, çka ishte paralajmëruar se do të ndodhte në këtë samit, Seibert tha se për këtë çështje nuk u debatua: “U fol se si të marrë udhë sërish procesi i normalizimit, sepse faktikisht ai prej disa muajsh ka ngecur.” Por ai bëri të qartë pozicionin e kancelares Merkel se nuk do të mbështesë “asnjë marrëveshje, pasojat e së cilës do t’i vuajnë vendet e tjera të rajonit”. Një gjë të ngjashme e kishte thënë Merkel edhe në prononcimin e përbashkët me presidentin Macron në prag të konferencës. Seibert tha se pritshmëria e të gjithë pjesëmarrësve është që “marrëveshja ndërmjet Serbisë dhe Kosovës (…) të jetë githëpërfshirëse, e qëndrueshme dhe të mos vërë në rrezik stabilitetin në rajon.

Në konferencë pjesëmarrësit nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Serbi, Mal i Zi dhe Bosnjë-Hercegovinë si edhe kryeministrat e Kroacisë dhe të Sllovenisë, u kishin bërë të njohur dy mikpritësve, Merkel dhe Macron, qëndrimet e tyre në lidhje me një zgjidhje të mundshme të Kosovës.

Do të ketë koordinime me vendet e tjera

Seibert nuk donte të përshkruante me imtësi se si kishin kaluar bisedimet, dhe a kishte pasur presion mbi kryeministrin e Kosovës, Haradinaj, për heqjen e taksave doganore. Ai iu shmang edhe përgjigjes së pyetjes për rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në negociata, nisur nga fakti që liderët kosovarë para takimit ishin takuar me ambasadorin amerikan në Berlin: “Procesi i normalizimit po ndodh nën egjidën e Bashkimit Evropian dhe ky ishte edhe shkaku se përse zonja Mogherini ishte aty”, tha Seibert.

“Por natyrisht që ka edhe shtete të tjera të interesuara për rajonin, me të cilat do të koordinohemi,”, shtoi ai pa përmendur në mënyrë konkrete askënd. dhe theksoi se ky është një proces evropian, sepse është një pjesë e Evropës, ku deri tani nuk është arritur ende të krijohet stabilitet dhe paqe afatgjatë”.

Seibert e përmbylli pjesën e Ballkanit në konferencë me fjalët: Nëse ka diçka që mund të merret si rezultat i këtij takimi, ky është se “Gjermania dhe Franca, pra, kancelarja gjermane dhe presidenti francez, u angazhuan dhe do të angazhohen krah për krah për këtë rajon”./DW

Aktualitet

Shpërthen presidenti Meta/ Rilindja destabilizuese, organizatë antikombëtare

Publikuar

-

Nga

Presidenti Ilir Meta, gjatë intervistës në emisionin “Tempora” të mbëmjes së sotme ka deklaruar se jemi në situatën e nje “grushti te butë shteti” dhe se Rilindja nuk është vetëm organizatë shqiptare, por edhe një organizatë globale, një lloj Internacionale e re socialiste, që ka qëllime të caktuara, jo në përputhje me interesat kombëtare të Shqipërisë. Por  as të stabilitetit në rajonin tonë.

” Për fat të keq jemi në situatën ku edhe pa thonjëza mund të thuhet i një grushti të butë shteti, pra të asgjësimit të gjithë institucioneve, të izolimit edhe të Presidentit si të vetmit institucion – sepse këtu vetëm dy institucione janë që nuk i ka marrëmazhorancës, që janë Presidenti i FSHF-së dhe Presidenti i Republikës, sepse të gjithë të tjerat po ta shikoni i ka marrë, i ka uzurpuar – dhe në këto kushte unë bëj detyrën time për të ruajtur qetësinë, për të shmangur konfliktet dhe gjakderdhjen. Dhe për një gjë të paktën jam i qetë deri tani që e kemi shmangur këtë gjë, megjithëse përpjekjet do të vazhdojnë.

Sepse e kam thënë edhe më përpara dhe do e përsëri, kjo situatë në Shqipëri nuk është e rastësishme dhe duhet të kemi parasysh se Rilindja, pasi unë nuk kam asgjë me socialistët, jam vetë socialist si pikëpamje, si formim pra, Rilindja nuk është thjesht një organizatë shqiptare. Është edhe një organizatë globale, një lloj Internacionale e re socialiste, që ka qëllime të caktuara, që në vlerësimin tim nuk janë në përputhje me interesat kombëtare të Shqipërisë, por edhe të shqiptarëve dhe as të stabilitetit në rajonin tonë”, ka thenë presidenti Ilir Meta./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Aktualitet

Denoncimi-14 vjeçe nuse!/ Fenomeni i martesave të minoreneve vazhdon

Publikuar

-

Nga

Historia e veçantë në Fiks Fare mbrëmjen e së martës tregoi edhe një herë se ende ka familje që i martojnë vajzat e tyre në moshë minorene, pa kuptuar se çfarë problematikash sociale mund të sjell më vonë një martesë e tillë.

 Eglantina ishte vetëm 14 vjeçe kur u martua nga babai i saj pasi nuk donte t’ia prishte qefin. Sot ajo është 17 vjeçe dhe e ve me një vajzë 7 muajshe. Bashkëshorti i saj u vetëvra para disa javësh në fshatin Plan Bardhë në Klos.

Eglantina tregon për Fiks Fare se si ishte jeta e saj pasi u martua 14 vjeçe. Me bashkëshortin 13 vjet më të madh kishin pasur vetëm mosmarrëveshje, pasi ai shpesh pinte dhe më pas e dhunonte. Pas një dite që babai i saj i kishte dhënë bekimin e martesës ishte mbytur aksidentalisht në lumë dhe në shtëpinë e saj të vajzërisë tashmë kishin mbetur vetëm nëna dhe 2 motrat.

Jeta e saj kishte ndryshuar totalisht dhe ishte vazhdimisht në dhunë fizike dhe psikologjike. Madje pjesë e tyre ishte bërë një herë edhe nëna e saj, ku te tre në makinë bashkë me vajzën e vogël, bashkëshorti i kishte nxjerrë thikën dhe e kishte kërcënuar se do e vriste. Pas kësaj ngjarje nëna e kishte larguar dhëndrin nga shtëpia, duke mos e lënë më të bijën të vuante nga dhuna që ushtronte i shoqi. Aty fillojnë edhe problemet më të mëdha sociale, ku si pasojë pati një të vdekur.

Eglantina tregon tmerrin që ka përjetuar ditën e fundit të jetës së bashkëshortit të saj. Edhe pse para pak ditësh si pasojë e dhunës dhe kërcënimeve pa fund ishte pajisur me urdhër mbrojtje , kjo nuk e ka penguar 30 vjeçarin të shkonte me armë në dorë në shtëpinë e saj.

“Unë isha në shtëpi, me motrat e mia. Mami nuk ishte në shtëpi. Dy motrat ikën te bagëtia. Unë kisha gocën e vogël në krahë, 7 muajshe.

Burri i fut brenda me një automatik, e mbante në dorë, e mbylli derën me çelës dhe më tha se do të vrasë ty dhe veten. Nga të bërtiturat e mia erdhën edhe motrat e të treja po bërtisnim” tregon Eglantina.

Për 20 minuta ajo ka mbetur e vetme me bashkëshortin e saj në një dhomë pasi motrat e saj ai i mbylli në një dhomë tjetër. Nga të bërtiturat e vajzave komshinjtë dhe familjarët e tjerë kishin njoftuar policinë, por ai i kishte kërcënuar edhe ata.

Në gjendje të rënduar psikologjike 30 vjeçari më pas ishte larguar, ku dhe u gjet më vonë nga policia i pa jetë me një plumb në kokë./Top Channel

LEXO TE PLOTE

Aktualitet

Kur është gati SPAK për të nisur “kryqëzatën”?/ Përgjigjet Gent Ibrahimi, kryetari i KLP

Publikuar

-

Nga

kreu i KLP

Shqipëria ka patur gjatë 28 viteve tranzicion 24 ministra Drejtësie, por nuk ka patur Drejtësi. Tre vjet pas ndryshimeve të thella kushtetuese që i hapën rrugën reformës në drejtësi- publiku pret ende të shohë ngritjen e institucioneve të reja dhe mbi të gjitha pret të shohë “dhëmbët” e drejtësisë së re.

Një nga emrat e rinj që është bërë pjesë fjalorit të gjuhës shqipe është SPAK- e thënë thjesht: Prokoruria e Posaçme.

Objekt i punës së këtij institucioni janë veprat penale të korrupisonit dhe krimit të organizuar. SPAK  nuk pritet t’i nxjerrë fundin “krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta”, por pritet të jetë fillimi i fundit të një epoke që për emërues të përbashkët ka patur fjalën: PANDëSHKUESHMëRI.

Prej vitesh në raportet vjetore të Komisionit Europian është kërkuar hetimi, gjykimi, dhe ndëshkimi i korrupsionit në nivele të larta. E njëjta fjali u vendos kusht në listën e detyrave të Këshillit Europian që Shqipëria të hapë negociatat.

Pyetja sot është: kur do të nisë punën SPAK dhe a ka dhëmbë për  të bluar një lloj “mishi” me të cilin nuk është mësuar të merret drejtësia shqiptare.

Drejtësi e vonuar, është drejtësi e mohuar – thotë një maksimë e njohur për të gjithë juristët.

Interesi, kurioziteti dhe pritshmëritë për SPAK – janë në rritje veçanërisht po të kihet parasysh se kë mund të hetojë institucioni i ri:

Presidentin e Republikës,

Kryetarin e Kuvendit.

Kryeministrin.

Ministrat, zv/ministrat.

Deputetët.

Kryetarët e bashkive.

Me një fjalë: piramidën e pushtetit.

Po a është gati SPAK për të nisur kryqëzatën?

Kësaj pyetjeje i ka dhenë përgjigje Gent Ibrahimi, Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë(KLP), institucion që “veton” kandidatët për SPAK dhe që liston edhe kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm të Republikës.

I ftuar në emisionin “Përballje”, Ibrahimi ka thenë

Sa i takon stadeve mund të flasim edhe me data të përafërta. Jemi në një fazë tani ku SPAK-U është vërtet mbrapa portës dhe pritet të hyjë nga çasti në çast. Procesi që kërkon kohë dhe punë tashmë është konsumuar. Ne kemi listën me 15 kandidatë, të cilët sipas nesh janë njerëz që kanë profesionalizmin e duhur dhe vendosmërinë e duhur për të shërbyer në këtë institucion, me ato detyra, me ato objektiva që përmendët ju,” ka shpjeguar Gent Ibrahimi./CNA.al

LEXO TE PLOTE