LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Promovohet në Tiranë dhe Korçë krijimtaria e Besim Xhelilit

20 Prill 2019, 19:15, Aktualitet CNA

Me mbështetjen e Ambasadës Austriake Tiranë, të Muzeut Historik Kombëtar Tiranë dhe në praninë e një numri të madh të krijuesve, artdashësve dhe dashamirëve të librit, të shtunën, më 13 prill 2019, në sallën e bibliotekës të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, u bë promovimi i krijimtarisë së autorit shqiptar nga Vjena e Austrisë, Besim Xhelili.

Autori me prejardhje nga Tetova Besim Xhelili, i cili jeton dhe vepron në Vjenë të Austrisë, promovoi në Tiranë dhe në Korçë vëllimet e tij më të reja me poezi, të tetin me radhë ?Fragmente të një zemrë të dalldisur…!? dhe të nëntin ?Vragë malli?, që të dyja botuar në janar të këtij viti.

Promovimin në Tiranë me disa poezi nga këto vëllime e hapi Saranda Iseni, avokate e cila jeton në Suedi. Ajo me leximet artistike dhe shijen për artin dhe poezinë, i dha një bukuri të veçantë këtij aktiviteti letrar dhe kulturor. ?Ndjehem shumë e gëzuar që ndodhem për disa punë private këtu në Shqipëri dhe deshi fati të jem e pranishme në këtë promovim të krijimtarisë së mikut tim Besim Xhelili. Nuk kam lexuar shumë nga krijimet e tij, por këto libra që sot po promovohen, dallohen për vargun e mprehtë dhe emocionin që kanë në thelb, si dhe për ndjenjën e thellë të dashurisë në këto lirika të bukura. Kam kënaqësinë të lexoj disa poezi që m?u besuan dhe autorit i uroj shumë suksese të mëtutjeshme?, u shpreh znj. Iseni.

Për organizimin dhe moderimin e programit u përkujdes poetja Helena Halilaj. Ajo me shumë shkathtësi udhëhoqi të pranishmit drejt tematikës dhe materies së vargjeve të Besim Xhelilit, duke bërë të ditur se autori jeton jashtë vendlindjes, por atje ai gjen kohën dhe frymëzimin që të na argëtojë, duke na shpalosur një qasje shumë të fortë dhe shumë më ndryshe të ndjenjës, të dashurisë, përjëtimit, gëzimit, harmonisë, por edhe të pikëllimit, vuajtjes, dëshpërimit dhe dhimbjes.

Nga Ambasada Austriake në Tiranë e pranishme ishte znj. Admira Poçi. Ajo përshëndeti të pranishmit në emër të institucionit që përfaqëson dhe në emër të ambasadorit z. Johann Sattler, e përgëzoi autorin Xhelili për botimet e tij të shumta dhe i uroi suksese të mëtutjeshme. Për disa pika në violinë u përkujdes Bejbi Shahini, kurse disa poezi nga librat lexuan dhe Anxhela Peza, psikologe dhe Alisa Dauti, artiste.

Për librat një vështrim gjithëpërfshirës bëri shkrimtari dhe gazetari Demir Reshiti, ardhur enkas nga Prishtina. ?Të ecësh në shtigjet e poezisë së Besimit është një aventurë interesante dhe e bukur në të cilën nuk të presin stuhi dhe përmbytje, por ëndrra jete të thurura me përkushtim me të cilat ai komunikon me lexuesit, duke ia zbuluar emocionet e tij, përvojën jetësore dhe urtësitë e jetës. Mesazhi emocional i poezisë së tij është i hapur për jetën dhe gjithçka që sjell ajo. Tematika dominuese e poezisë së tij është dashuria; dashuria ndaj njeriut, dashuria ndaj peizazhit, dashuria ndaj jetës dhe të gjitha dukurive të saj.  Poezia e Besim Xhelilit shpesh është narrative. Me gjallëri dhe varg ekspresiv krijon rrëfimin dhe e pikturon atë me ngjyrat përrallore romantike. Vizualiteti në poezinë e tij është fort i theksuar. Imazhet e tij janë të thjeshta, të pastra, ngjyrat janë të theksuara dhe para syve të lexuesve rrjedhin si një peizazh i pikturuar gjatë gjithë jetës. Këto ngjyra dhe këta tinguj janë të shkrirë në aromën e dashurisë, e cila ndjehet me të gjitha shqisat.?, u shpreh z. Reshiti. Më pas znj. Saranda Iseni lexoi shkëputje nga kritika letrare e znj. Migena Arllati mbi këto dy tituj të autorit Xhelili, e cila për arsye objektive nuk mundi të jetë e pranishme në këtë promovim.

Në fund autori Besim Xhelili falënderoi të pranishmit, organizatorët dhe të gjithë shokët e miqtë, duke treguar një mirënjohje të përzemërt për të gjithë që kishin ndarë kohën të jenë në këtë promovim.

Të nesërmen promovimi vazhdoi në Korçë, në qytetin e bukur të artit dhe serenadave. Në Muzëun e ABC-së, nën organizimin e klubit letrar ?Bota e Re? një grup i çmuar miqsh të autorit Xhelili dhe dashamirë të librit, autorë e krijues nga ky qytet me një kulturë të hershme qytetare, u mblodhën për t?u njohur me dy titujt e rinj të Besim Xhelilit. Autori kishte sjellur mjaft libra nga Austria. Programin e udhëhoqi poeti Arjan Kallco, i cili tregoi për ecurinë e njohjes në Vjenë me poetin Xhelili, për të cilin ka një konsideratë të madhe dhe u shpreh që bashkëpunimi të thellohet në të ardhmen.

Në emër të klubit letrar ?Bota e Re? me një fjalë rasti, njëkohësisht dhe një vështrim mbi krijimtarinë e Besim Xhelilit u paraqit Eris Rusi, kryetar i klubit. ?Më duket sikur kjo lloj poezie e shkurtër është esenciale në atë që mund të komunikojë tek lexuesi. Të ushqyerit me lëndën e zemrës, me histori që i ndodhin shpirtit dhe e bëjnë të marrë tjetër ngjyrim, e formojnë poezinë dhe i japin një imagjinatë që jo vetëm të kënaq, të lëndon, të dhemb, por edhe të kanos ? pak a shumë si plaga në trup të tjetrit ose si poezia e shkruar një herë e përgjithmonë.?, u shpreh z. Rusi. Një fjalë përshëndetëse bëri drejtori i muzeut Niko Kotherja. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe shkrimtari Skënder Rusi, aktori Koço Qendro, aktori dhe regjisori Dhimitër Orgocka, i cili lexoi disa vargje të autorit Xhelili, shkrimtarja Gerta Bandilli etj. Për pjesën e muzikës gjatë promovimit u përkujdes kantautori Maksi Kulla, kurse për atë pas promovimit këngëtari Tomi Kondakçi. Në fund autori Besim Xhelili u shpreh i kënaqur për mikpritjen e ngrohtë, të përzemërt dhe shumë bujare të miqve korçarë, duke falënderuar të gjithë për pjesëmarrjen dhe respektin.

Përndryshe në këto dy promovime një pjesë të krijimtarisë së saj prezantoi edhe poetja tetovare Sadije Aliti.

 

Lajmet e fundit nga