LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Armë për Arabinë Saudite?

28 Mars 2019, 19:31, Aktualitet CNA
Armë për Arabinë Saudite?

Qeveria gjermane duhet të marrë vendim deri në fund të javës, nëse do të furnizojë sërish me armë Arabinë Saudite. Parisi dhe Londra bëjnë presion. Por qeveria gjermane ngurron.

Çdo gjë shkon mirë midis Gjermanisë dhe Francës. Të paktën ministri i Jashtëm Heiko Maas (SPD), u mundua të krijonte këtë përshtypje këtë të mërkurë në Berlin. Ai nuk arriti të kujtonte që një gjë e tillë ka ndodhur edhe më parë, ku një anëtar i qeverisë së Parisit merr pjesë në mbedhjen e kabinetit qeveritar gjerman, siç ndodh këto ditë me prezencën e ministrit të Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian.

Të dy politikanët ndodhen tani në oborrin e Ministrisë së Jashtme, limuzinat presin që të dërgojnë ata të dy në kancelarinë gjermane, vendin ku mbahen takimet e qeverisë. Maas thotë: “Me këtë vizitë bëhet e qartë, se miqësia gjermano- franceze jo vetëm që jeton, por është në formë shumë të mirë”. Dhe Le Drian plotëson me respekt, se “ka folur me ministrin Maas për shumë tema”.

Një ambasadore jodiplomatike

Sikur të mos kishte qenë grindja për eksportet e armatimeve. Franca dhe Britania e Madhe janë të zemëruara, që Gjermania ngurron të marrë pjesë në projekte të përbashkëta, sidomos kur bëhet fjalë për Arabinë Saudite. Ambasadorja franceze në Berlin, Anne-Marie Descôtes tha pa diplomaci në fillim të javës, kur publikoi një tekst në “Akademinë për çështjet e sigurisë”, në të cilën shkruan se firmat franceze të armatimeve janë duke u riorientuar, duke prodhuar pajisje pa pjesë këmbimi gjermane.

Arsyeja ka të bëjë me atë që politika gjermane e armatimeve nuk është e parashikueshme. Avione dhe tanke duan të prodhojnë dhe të shesin të dyja vendet, prodhime me pjesë këmbimi gjermane, të cilat nuk mund të furnizohen aktualisht. Një shembull tjetër, Arabia Saudite ka porositur 48 avione luftarakë të tipit Eurofighter. Sasia më e madhe e pjesëve të këmbimit vijnë nga Britania e Madhe, por Gjermania prodhon pjesën qendrore, që zë 30 përqind të prodhimit të përgjthshëm. Aktualisht, kjo nuk lejohet të furnizohet.

CDU, CSU dhe SPD zihen prej muajsh

Arsye për këtë është sherri që bëhet në politikën e brendshme në Gjermani, për projektet e armatimeve me Arabinë Saudite. Që prej nëntorit ato janë bllokuar, pas vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi. Fillimisht u tha se bllokimi do vlente deri në fund të marsit, kurse tani thuhet se deri në fund të kësaj jave. Ditën e mërkurë për këtë temë u mblodh në Berlin, Këshilli Federal për çështjet e sigurisë, një organizmë shumë sekret që merret me këshillime. Kancelarja Merkel mban kryesinë e këshillit, ku marrin pjesë ministrat më të rëndësishëm mes të cilëve ai i Mbrojtjes, i Punëve të Jashtme dhe i Ekonomisë. Në kuadër të takimit të dy partnerët e koalicionit, bënë të qarta qëndrimet e tyre: SPD duan që të zgjasin edhe me gjashtë muaj ndalimin e eksportit. CDU dhe kryesisht kancelarja do të qetësojë partnerët në Paris dhe Londër, dhe do të lejojë eksportin.

Ne nuk kemi direktiva të qarta për eksportin e armatimeve

Javën e kaluar kancelarja gjermane Angela Merkel paralajmëroi për rreziqet e “arrogancës gjermane” në këtë temë. Ditën e mërkurë këmbimi i fjalëve midis partive në pushtet vazhdoi. Eksperti për çështjet e jashtme i socialdemokratëve, Rolf Mützenich, tha për televizionin ARD, “mund të ndodhë që Unioni të jetë i gatshëm të lehtësojë kushtet. Por ne mendojmë se kjo është e gabuar. Ne nuk kemi ligje të qarta, direktiva të qarta në eksportin e armatimeve, dhe armët nuk duhen dërguar në zona ku ka tensione.”

Kurse politikani për çështjet e jashtme të CDU, Jürgen Hardt tregoi mirëkuptim për shqetësimet e Parisit: “Ne duhet t’i marrim seriozisht partnerët edhe në çështjen e eksportit të armëve dhe të gjejmë zgjidhje të përbashkët, në të cilën mund të mbështetemi. Përndryshe kurrkush nuk do të dojë të prodhojë armatime me ne.”

Një rrugëdalje e mundshme

Socialdemokratët i referohen Paktit të koalicionit, i cili thotë se në vendet që marrin “direkt” pjesë në luftën e Jemenit nuk duhet të furnizohen armë. Dhe këto vende janë Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Megjithatë ekzistojnë edhe përjashtime për projektet tashmë të aprovuara. Një rrugëdalje mund të jetë që të lejohet pak eksport armësh, pra që eksporti i armëve të mos shihet nën lejet e vështira për t’u dhënë, nëse pjesa gjermane në to nuk e kalon një nivel të caktuar.

Për ekspertin e Të Gjelbërve në parlamentin gjerman, Omid Nouripour kjo është shumë. Ai thotë për Deutsche Wellen: “Duke patur parasysh luftën që vazhdon në Jemen, rifillimi i eksporteve të armëve në Arabinë Saudite do të ishte një sinjal fatal në politikën e jashtme dhe një kontribut për destabilizimin e vazhdueshëm në Lindjen e Mesme. Ne na duhet një politikë e përbashkët europiane në çështjen e armatimeve, e cila ndalon eksportet në zonat e luftës.”/DW/

Lajmet e fundit nga