LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nga Ylli Dylgjeri/ Përvojë ekselente për ekselentin në dështim

26 Mars 2019, 09:37, Aktualitet CNA
Nga Ylli Dylgjeri/ Përvojë ekselente për ekselentin në

Kryeministri e dashuron idenë që të tjerët që të tjerët ta adhurojnë si arkitekt të një Shqipërie të re. Një detaj i kësaj arkitekture i propaganduar me të madhe është punësimi i ekselencës në administratë. Por në fakt si çdo gjë tjetër rilindase dhe ekselenca e punësuar në administratë ka përfunduar si flluskë sapuni dhe përsëri kemi mbetur në gjirizin e fyçkllëkut rilindas.

Po, po, punësimi i ekselencës në administratë është farsa e radhës e Kryeministrit… Shqipëria është ndër vendet më të korruptuara në botë (sipas indikatorëve ndërkombëtarë). Metastazat e kancerit të korrupsionit janë shtrirë kudo në strukturën qeverisëse. Po, ku është sot “kanceri” i qeverisjes? Në Kryeministri? Ne Ministrinë e Financave? Në Ministrinë e Energjisë? Në Ministrinë e Ambientit? Në, në…etj, e me radhë… Jo! Kanceri është në mendësinë e Lidershipit “Rilindas”. Dhe kuptohet siç thuhet dhe në një teori të famshme të korporatave, çdo organizëm merr fytyrën e atij që e drejton, e gjithë qeverisja e sotme shqiptare është shndërruar në mekanizëm me mendësi korruptivo-kanceroze.

Kjo zbulohet me një krahasim të thjeshtë fare. Në një vend të korruptuar por me vullnet për të luftuar korrupsionin, institucionet që marrin më shumë se kushdo mendim e vendim ekselent janë organet e financës, kontrollit dhe auditit, apo organet të tjera të ngjashme. Ndaj edhe bota perëndimore na ftoi qysh në fillimin e viteve 2000 të mësonim mekanizmat më efikasë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit në administratë e lartë. Kështu, që në vitin 2004, në Kongresin e Interpolit të zhvilluar në Hong Kong u ekspozua në praninë e mbi 2000 drejtuesve të lartë të Interpolit e Rendit, Programi i Auditit i Ekselencës, që u implemetua në këtë vend të zhvilluar të Azisë së Largët. Ishte koha e hiperkorrupsionit në këtë vend. Në këto kushte, qeverisja britanike që drejtonte dhe monitoronte tërë jetën ekonomike në Hong Kong vendosi reformimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

U rekrutuan 900 studentë të ekselencës dhe pas një trajnimi intesiv, morën në dorë auditin e shtetit, të gërryer nga korrupsioni galopant. Kujtojmë Hong Kongun e fund viteve 1990-2000 të drogës, prostitucionit e kriminalitetit. Ekselentëve iu dhanë grada policore dhe më pas u drejtuan për kontroll në treg dhe në administratën e korruptuar. Çdo ekselent tashmë kryente edhe detyren e oficerit të policisë gjyqësore. Kudo ku konstatohej abuzim e shkelje, bëhej Urdhri Ekzekutiv për shoqërim deri në paraburgim. Ishte kjo reformë që e nxorri Hong Kongun nga gropa e zezë, ku e kish futur politika e krimit. Ekselenca e drejtuar, për pak muaj, dha tregues emocionues në ekonomi. Standardet e vendosura e rritën autoritetin e KLSH-së, duke e bërë vendin të radhitej në Dragojt e Azisë. Por kujdes, ishte vullneti politik i drejtuesve të vendit ai që garantoi rezultatin e reformës. Me drejtësinë e vetosur dhe të kapur shqiptare, një KLSH shqiptare e reformuar sipas modelit hongongas do të dështonte. Mjafton të kujtojmë se si kryeministri po dështon edhe emërimin e thjeshtë të një kryetari KLSH-je, le më të lejojë reformimin ekselent të këtij institucioni.

Nëse i kthehemi realitetit shqiptar të drejtuar nga “rilindasit” rekrutimi sot i ekselencës së studentëve për të bërë lajm, apo fotografi me Kryeministrin, do jetë sërisht një farsë që do të tretet si kripa në ujin administratës shqiptare dhe një reformë e tillë do të dështonte. Sepse praktikisht administrimi i vendit është kthyer në një fushë të minuar. Kushdo që do të merrte guximin të kryente ndonjë hap kundër korrupsionit menjëherë do të ndeshte në minat korruptive të mbjella kudo, një mekanizëm që po i merr frymën cdo qelize të pasëmurë të këtij vendi.

Lajmet e fundit nga