LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nga Hamdi Jupe/ Punë të mbarë deputetit Roshi!

10 Mars 2019, 07:31, Aktualitet CNA
Nga Hamdi Jupe/ Punë të mbarë deputetit Roshi!

Ndër deputetët e rinj, që sapo bënë betimin dhe zunë vendet bosh, të lëna nga PD dhe LSI në Parlament, është edhe profesor Enver Roshi. E njoh prej tridhjetë vitesh dhe dua të them dy fjalë për të. Enveri ka mbaruar Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës (jo atë të ?Kristalit?) në vitin 1986 me rezultate të larta. Sapo mbaroi shkollën, e emëruan mjek në Spitalin e Bushtricës, në rrethin e Kukësit. Në vitin 1990, pas katër vjetësh punë në veri, Roshi mundi të kthehej në vendlindjen e tij në Gramsh. Aty qëndroi vetëm një vit, sepse e kërkuan pedagog në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë. Bëj be që nuk ka pasur miq Enveri për këtë punë, sepse pedagog atëherë mund të vije vetëm po të kishe rezultate të larta të universitetit, me Urdhër të Ministrit të Arsimit, ose të zëvendëskryeministrit, që mbulonte arsimin. Kohë e keqe e rënies së sistemit për të ardhur në kryeqytet. Qysh atëherë fillon njohja ime me Enverin. Të dy banorë të Qytetit Studenti, godina 18, me gra e fëmijë. Unë dhjetë e ai njëmbëdhjetë vjet në konvikt.

Për gati tridhjetë vjet, Enveri ka punuar si pedagog në Fakultetin e Mjekësisë. Ai u specializua jashtë shtetit, mori tituj e grada në fushën e mjekësisë, derisa sot është profesor me titull në këtë fushë. Në fakultet ka mbajtur poste të larta drejtuese. Vetëm tre vjet, nga tridhjetë e tre punë gjithsej, ka qenë në administratën publike si Drejtor i Institutit të Shëndetit Publik.

Enveri është anëtar i disa forumeve shkencore ndërkombëtare të mjekësisë. Autor i shumë artikujve për shëndetësinë në shtypin shkencor të huaj e të vendit, bashkautor i disa teksteve të Fakultetit të Mjekësisë, i specializuar jashtë në universitete me emër. Kjo është shkurt, CV?ja e deputetit më të ri të Parlamentit, Enver Roshi.

Enveri u afrua me politikën në vitin 2004, atëherë kur u krijua LSI. Ai besoi në atë parti dhe punoi shpirtërisht e fizikisht për suksesin e saj. Ishte e drejta e tij për të zgjedhur partinë. Unë si socialist e ai si LSI?ist, mbetëm gjithmonë miq të mirë dhe kështu do të vdesim. Nga sa tregova më lart, më thoni, ju lutem, cili nga deputetët e Parlamentit të tanishëm i ka kredencialet e Enver Roshit për të qenë përfaqësues i popullit në Parlament?

Enveri mori pjesë në katër fushata elektorale për deputet, duke mbledhur vota për partinë e tij në rrethin malor të Gramshit, në kushte të vështira, se ishte nën shtypjen e dy partive të mëdha, PS dhe PD. Por Enveri nuk trembej nga kjo. Ai vazhdonte punën për të mbledhur vota për partinë.

Përkundër këtij angazhimi të sinqertë politik prej pesëmbëdhjetë vjetësh, ai nuk u bë dot asnjëherë deputet gjatë katër legjislaturave të Kuvendit. Arsyeja: Sepse ai lihej gjithmonë ?prapa liste?, si Lipe Shtogu te skeçi i njohur i Pëllumb Kullës. Ai vetëm kishte për detyrë të mblidhte vota për të tjerët nëpër kodrat dhe gërxhet e Gramshit, por jo të shkonte vetë në Parlament.

Profesor Enveri pra, nuk është nga ata ?kalamajtë e pallatit? të LSI-së, që kishin hyrë në Parlament pa mbaruar akoma shkollën e mesme, jo më atë të lartë. Se Enveri, tani mbi pesëdhjetë e pesë vjeç, ishte profesor me titull në mjekësi, nuk ishte debatikas si ata. Dhe këtu, mendoj unë, duhet të ketë filluar ?rebelimi? i Enverit ndaj partisë së vet.

Kështu, erdhi rasti tani që deputetët ?debatikas? të dorëzojnë mandatet me urdhrin e udhëheqjes, se u hëngri sorra trutë. I erdhi rasti Enverit që të pyetet nga KQZ, nëse pranon ta marrë mandatin e deputetit në vendin e lënë bosh, apo e refuzon atë, siç ka thënë partia. Enveri nuk e refuzoi mandatin, ai refuzoi partinë. Ai bëri betimin si deputet i popullit, bashkë me tre kolegë të tjerë të LSI-së, se nuk ishte vetëm Enveri ?tradhtar?. Të tjerë presin radhën për të marrë copën e letrës te dera e KQZ-së. Është bërë radha e kandidatëve në KQZ, si radha e qumështit dikur, në kohën e vjetër. Ai e mori me vetëdije të plotë këtë vendim, të menduar prej kohësh, pa asnjë hezitim, jo si një kokëshkrepje e çastit.

Kështu, Enveri u shpall ?armik? i partisë, bashkë me pesë deputetë të tjerë të saj. Tamam si ?grupi i deputetëve? i vitit 1946, që i shkoi Enveri (ai tjetri, jo ky i tanishmi) në satër. Tani satër nuk ka më, por ka mallkime e blasfemira pa fund nga partia për ta. Por Enver Roshit nuk i ngjit sipër balta që hedh mbi të partia e tij e deritanishme. Ai nuk i ka asnjë borxh partisë, përkundrazi, partia i ka borxhe Enverit dhe elektoratit që e ka votuar partinë të jetë në Parlament dhe jo të marrë malet, në drejtim të paditur, si çeta e Shahin Matrakut dikur, në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë.

 

Tani ne do jemi dëshmitarë të proceseve të brendshme zhvillimore tragjikomike të asaj partie, të ndarë në tri pjesë. Njëra është ajo që dorëzoi mandatet, duke kënduar këngën ?me gëzim po shkoj në vetëvrasje?, dhe që prandaj, mbeti me gisht në gojë. Atyre shpejt do t?u dalë rakia, do bëhen esëll e do fillojnë të thonë se përse u sakrifikuan mandatet e tyre, kur nuk dihej mirë se si do të shkonte kjo punë? Kush është fajtor/ e që mandatet vajtën për dhjamë qeni, duke ua falur ?tradhtarëve? të partisë? Pse ata qen bir qensh, shokët tanë, të kapardisen në Parlament e ne të rrimë rrugëve? Kush është fajtor për këtë? Dhe do kërkohet ?koka e turkut? brenda partisë.

Në grupin e dytë do të jenë ata deputetë që nuk i dorëzuan fare mandatet. Dhe nuk është vetëm deputeti Koka, por janë edhe katër të tjerë që nuk i kanë dorëzuar nga kjo parti. Ata do thonë se ne ju thamë juve që në fillim që të mos e bënit atë harakiri me mandatet, se nuk bëhen kështu këto punë. Pse e bëtë ju vetëvrasjen politike, kur nuk kishte një vendim unanim për këtë? Përse u bëtë ju kurban për Lulin, kur ne jemi parti më vete? Pra, kërkojeni përgjegjësinë gjetkë (kupto: te Monika) jo te ne etj..

Në grupin e tretë do të jenë deputetët e rinj që do thonë se ne morëm atë që na takonte prej kohësh (si puna e Enverit) dhe që deri tani na e kishin marrë të tjerët pa të drejtë. Ne jemi në të drejtën tonë, mos na bini në qafë neve. Dhe kështu, estradë e madhe ka për të shkuar puna në LSI dhe në Partinë Demokratike, pas dorëzimit të mandateve. Janë edhe njëzetë kandidatë të tjerë që presin me padurim te porta e KQZ-së për të marrë mandatet e lëna bosh. Daleni, daleni, se nuk keni parë asgjë akoma. ?O Dinò, ç?i bëre vetes, O Dinò!?

Zonja Kryemadhi e ka ndier këtë tërmet që po afrohet dhe prandaj ka filluar të thotë se ?në maj do të bëhen zgjedhjet e reja parlamentare?, për të mbajtur në vathën e partisë njerëzit e hallakatur të saj. Një ish-deputet tjetër i saj, që ka dorëzuar mandatin, kërkon që Presidenti i Republikës të thërrasë ?tryezën e partive? për të gjetur një zgjidhje, sikur zgjidhja të ishte në xhepin e Presidentit. Dhe ky i fundit, nuk lë rast pa e përmendur ?zgjidhjen konsensuale?. Por janë hesape pa hanxhinë (kupto: maxhorancën). Thirrje të dëshpëruara në shkretëtirë. Do bëhen arrat sivjet se më hahen mua.

U bënë shumë ?armiq? brenda partisë, më shumë se gjysma e deputetëve ?tradhtuan?. U bë partia kashtë e koqe. Uthullla e fortë prish enën e vet. Në këtë ?tradhti? të tyre ndaj partisë, deputetët do të kenë mbështetjen e plotë dhe të hapur të faktorit ndërkombëtar, të cilit i zuri goja lesh, duke i bërë thirrje opozitës që të mos i dorëzojë mandatet. Enver Roshi e di shumë mirë anglishten dhe prandaj, ai do jetë i pari në grupin ?armiqësor? për të thurur ?komplotin anglo-amerikan? kundër partisë së tij.

Kryeministri Rama po ngroh duart tani mbi flakët e zjarrit që dogji mandatet e opozitës, pa u lodhur fare, se punon opozita për të. Gështenjat nga zjarri po i nxjerr me duart e saj. E ç?faj ka Rama në gjithë këtë histori?

Ndërsa unë i uroj punë të mbarë deputetit Enver Roshi. Vetëm se kam një kërkesë si votues (sa shpejt filluan kërkesat!): të mos votojë asnjë ligj në Parlament, pa ndryshuar më parë Kushtetuta dhe Kodi zgjedhor, që deputetët, në zgjedhjet e ardhshme, të zgjidhen drejtpërdrejt nga populli, me sistemin maxhoritar dhe të mos jenë më shumë se njëqind deputetë në Parlament. Vetëm në këtë mënyrë do mbahet mend nga shqiptarët.

Lajmet e fundit nga