Connect with Us

Nga Agron Gjekmarkaj/ Rama i trajtoi gratë e Fierit, si Tahir Baçova arushat e cirkut

Aktualitet

Nga Agron Gjekmarkaj/ Rama i trajtoi gratë e Fierit, si Tahir Baçova arushat e cirkut

Publikuar

-

Pranvera erdhi përsëri. Faleminderit o Edi Rama! E kush e besonte? Kush kishte kaq ëndrra? As më guximtari. Të paçim! Vërtet ishim të rrezikuar që të ndaheshim përjetësisht me stinën e dashur. Nuk i besuam lajmet që na solli paraprakisht gjeniu, ministri i Jashtëm, Genti, i cili buzëqesh i përskuqur nga një turp i ëmbël.

Ai çap me duar e çap me këmbë u përpoq të na thoshte se “atje lind dielli i gëzuar”, “se dielli atje është i gëzuar dhe hëna e buzëqeshur”, e përsëriti disa herë duke iu ndërruar vendet, por si ngalakeq u shkrimë në gaz të mbytur sepse na dukej si në jerm a tromaksje nga peshë e këtij dimri zuzar. Në fakt, paskësh qenë lajmëtari i pranverës që na dërgove!

Do të na mungonte marsi me trazimet e veta dhe fjalimet e tua, prilli me surprizat e motit, maji me flladin që lëmon brigjet e këtij vendi plot mungesa në përkëdheli! Prej disa ditësh kemi kohë me diell, edhe pse opozita djeg goma, të cilat nxjerrin tym të zi e Policia hedh gaz lotsjellës me ngjyrë gri, sepse Edi Rama është ngjitur në qiell, ka fryrë bulcinjtë dhe me firomë ka shpërndarë retë që rrezet të bien mbi ne si dhuratë.

Pranvera erdhi që në shkurt, edhe pse opozita kishte nxjerrë Flamur Nokën dhe Mond Spahon me çifte në krah në kufijtë veriorë për të penguar ardhjen e saj. Po kaq i madh ishte dëmi në kufijtë jugorë, ku Luçiano Boçi dhe Agron Shehaj ndalonin dimrin të dilte nga Kapshtica! Por me një rreng i bëri të ktheheshin në Tiranë e stina vërshoi. Lanë vendrojat, kur dëgjuan se Don Kishoti qenkësh një personazh romantik e kompleks i letërsisë shqipe! U ndjenë të paditur dhe të padenjë për detyrën që iu kishin ngarkuar.

Po ashtu, në themelet e Rilindjes Pandeli Majko, Fatmir Xhafaj, Ditmir Bushati, Mimi Kodheli dhe Damian Gjiknuri komplotonin kundër diellit të gëzuar dhe hënës së buzëqeshur, duke ndjellur shiun me letra fati. I goditi me artileri kundërajrore planet e tyre djallëzore.

Do të mbeteshim peng të acarit, akullit, dëborës dhe suferinës sepse opozita braktisi mandatet dhe doli në rrugë për ta penguar takimin e Shqipërisë me pranverën! Nuk i kishin bërë mirë hesapet! Vullneti i tij ishte të sjellë pranverën me ngjyrën e saj të blertë si gjethe kanabisi! Po kaq i trishtë do të ishte fati ynë nëse vetë ai mbathur me çizme e lopatë në duar nuk do udhëtonte nëpër natë e nëpër det si Skënderbeu në vitin 1462 drejt Italisë për të hequr baltën, që hodhëm atje tej, televizion më televizion, gazetë më gazetë për të penguar ardhjen e pranverës! Ia doli, edhe shkurtin e bëri me 28 ditë!

Vërtet nuk na e kishte premtuar, vërtet nuk e ka shkruar në programin e tij elektoral se dukej në kufijtë e së pamundurës, por me vullnet, me besim, me këmbëngulje me sakrifica të epërme shkatërruan shtëpi e duke hapur rrugë të kushtueshme me 20 milionë euro për kilometër, ai e bëri të pamundurën të mundur, ëndrrën realitet, solli në mes nesh Pranverën! Po për këtë arsye bleu e mori vota Xhuxhi me të tjerët! Duheshin për këtë ditë ndaj në Parlament duhej një opozitë e re!

LEXO EDHE:  Berisha akuza të rënda ministrave të Ramës

Edi Rama udhëtonte nëpër Shqipëri si Kostandini, duke kaptuar male, lumenj e suka edhe pse rrugët i ziheshin, zyra i rrethohej me gjindje, Parlamenti po ashtu për të kuvenduar e bindur kohën të na e kthente më të bukurën e stinëve! Ja tani, qytetarët dalin në sheshe e sokakë dhe përqafojnë marsin të përmalluar, të gëzuar plot besë e shpresë tuj brohoritë njëzëri: Faleminderit, o Edi Rama!

Atë bënë edhe gratë në Fier, paçka se ndonjë cinik tha se Kryeministri i trajtoi si Tahir Baçova arushat e cirkut!

Ndonjë tjetër me gojëlig kërkonte reagimin e Shoqatave të Tiranës që rrojnë me fonde qeverie për mbrojtjen e grave ta konsideronin dhunë psikologjike e poshtërim ahengun fierak të 8 Marsit! Por jo e jo, Ai shkoi në mesin e tyre dhe u rrëfeu arritjen më të madhe të 6 viteve të Rilindjes, atë që pranvera erdhi përsëri, falë tij!

U ndezulluan gratë hareje, e rrethuan e i kthyen nurin tek i tundeshin plot isharete sapo i thirri. Melhem i binin mbi xhan aq të turbulluar mundimesh e dertesh këtij dushmani dimër ato naze e ojna! Si bandill e si ashik ndihej në mes të asaj dalldie e ndezullie plot aman e zaman se pranvera të shkrin, të heq molepsjen, të rinon.

Kur ta shohë në “Youtube” Gjenerali Kim Jong atë skenë, sa do xhelozohet! Ai gjuan qiellin me raketa dhe s’ia del ta sjellë pranverën! Edi Rama na e solli tanimë, s’na ka asnjë borxh! Si zor se e premton në fushatën e re elektorale se do na sjellë edhe verën se është në kufijtë e së pamundurës, por prisni kur të na e sjellë edhe atë e të na lërë pa fjalë! Faleminderit! Pranvera erdhi përsëri.

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

1 Koment

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Politikë

A ka bërë Najada Çomo ndërhyrje në fytyrë? Flet kirurgu estetik

Publikuar

-

Nga

Panajot Papa është një kirurg estetik, i cili i ftuar mbrëmjen e sotme në “Zonë e lirë” ka dhënë mendimin e tij për disa politikanë të njohur shqiptarë nëse kanë bërë ndërhyrje estetike në fytyrë apo jo.

Në ekran është shfaqur edhe fotoja e kandidates për deputete nga PS dhe mjekes Najada Çomo.

“Në këtë lloj rasti, fotografia e dytë ka më shumë ndriçim. Fotografia në këtë lloj rasti duket sikur ka bërë një trajtim, por duhet parë pacienti. Ekzistojnë disa filtra në Instagram që mund të arrihet një foto e tillë. Mund të ketë bërë botoks tek balli”, tha doktori./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Politikë

Sot biznesmen dhe politikan/ Agron Shehaj zbulon si e fitoi milionin e parë

Publikuar

-

Nga

Kandidati për deputet i PD, Agron Shehaj është pyetur se si e fitoi milionin e parë

I ftuar në emisionin “Zonë e Lirë” ka treguar fillimet e tij në biznes dhe ndihmën që i kanë dhënë prindërit.

“Në 2005 mora 40 mijë euro borxh tek prindërit, prindërit e mi ishin punëtor në Itali. Me shumë punë, janë edhe mjeshtra të kursimit, i mblodhën këto para. Si e kam bërë milionin e parë? Kjo është pyetja ime e preferuar. Është suksesi i parë ai që më jep më shumë kënaqësi. Me shumë punë, mund dhe duke rrezikuar. Është falë prindërve të mi që kam arritur sukseset që kam arritur. Me 40 mijë euro fillova biznesin, përballova shpenzimet e para, pastaj me shumë punë, bëra nja ca borxhe kuptohet. Biznesin e kam krijuar këtë për tregun italian. Babait ia ktheva paratë pas 3 vitesh”, tha Shehaj./CNA.al

 

LEXO TE PLOTE

Politikë

Deklaratat e Yuri Kim/ Rama: Ambasadorja është keqpërdorur në mënyrën më brutale

Publikuar

-

Nga

Deklaratat e Yuri Kim/ Rama: Ambasadorja është keqpërdorur në mënyrën më brutale

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me deklaratat e ambasadores së SHBA në Tiranë, Yuri Kim, për shit-blerjen e votës.

Rama tha se Kim është përdorur në mënyrën më brutale nga opozita e Lulzim Bashës.

Kreu i qeverisë deklaroi në Vizion Plus se është shumë dakord me thirrjen e ambasadores për fenomenin e shit-blerjes së votës.

Ambasadorja amerikane është keqpërdorur në mënyrën më brutale, duke e kthyer krejt jashtë kontekstit, në ikonë propagande, të atyre që duan të kthehen në qeveri. Ambasadorja amerikane ka thënë një gjë që e dimë të gjithë, që jam 100% dakord, që ka bazë, lidhur me shit-blerjen e votës. Nuk ka fare diskutim! Nuk di çfarë të dhënash ka ajo, por nuk duhet të kesh të dhëna për të shprehur këtë shqetësim”, theksoi Rama./ CNA.al

LEXO TE PLOTE