LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

"Jelekverdhët" përmbytin bulevardin "Champs Elysees"

10 Shkurt 2019, 19:10, Aktualitet CNA
"Jelekverdhët" përmbytin bulevardin "Champs

Në Francë sërish lëvizja “jelekverdhët” organizoi protesta në rrugë për të 13 herë. Disa mijëra vetë marshuan në Paris nga harku i Triumfit përgjatë bulevardit Champs-Elysées në drejtim të kullës Eiffel. Gjatë konfrontimeve mes policisë dhe demonstruesve para godinës së parlamentit të paktën një person u plagos rëndë. Televizioni BFM TV duke iu referuar prefekturës së policisë njoftoi, se një burrë ka humbur katër gishta. Bëhet fjalë për fotografin e lëvizjes “jelekverdhët”.

Një dëshmitar okular i ka thënë agjencisë së lajmeve AFP, se plaga është shkaktuar prej një granate me tym. Me këtë forcat e rendit synonin t’i mbanin demonstruesit larg godinës së parlamentit. Personi i plagosur ka dashur të mbrohej me dorë prej granatës. Kur ai e  preku atë, ajo shpërtheu. Tani për tani nuk ka një konfirmim zyrtar për këtë rast.

Gjatë ditës ka pasur disa incidente. Demonstruesit hidhinin sende ndaj forcave të rendit, që vunë pjesërisht në përdorim gazin lotësjellës dhe shkopinjtë e gomës. Sipas të dhënave të policisë, deri pasdite u arrestuan dhjetë vetë.

Kësaj radhe protesta drejtohej kundër një ligji të planifikuar, që parashikon lehtësimin e ndalimit të demonstratave dhe dënime më të ashpra për demonstruesit e maskuar. Disa aktivistë qëllimisht kishin dalë të maskuar në protesta. Edhe në qytete të tjera të Francës si në Bordeaux, Toulouse dhe Nantes ka pasur manifestime proteste.

Pjesëmarrja në protestat e nisura para gati tre muajsh kohët e fundit është ulur. Të shtunën e kaluar, sipas të dhënave të MInistrisë franceze të Punëve të Brendëshme dolën në protesta në rrugë 58.600 vetë kundër politikës së presidentit Emmanuel Macron. Vet “jelekverdhët” bënë fjalë për 116.000 demonstrues. Në fillim të lëvizjes së protestës në mes të nëntorit numri i pjesëmarrësve në demonstrata ka qenë mbi 280.000.

wo/jj (afp, dpa)

Lajmet e fundit nga