LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kush e vret Reformën në Drejtësi?

8 Shkurt 2019, 14:11, Aktualitet CNA
Kush e vret Reformën në Drejtësi?

Prej 3 vitesh në Shqipëri, pothuajse në çdo deklaratë dhe intervistë që kanë bërë institucionet dhe përfaqësuesit më të lartë politikë të BE dhe SHBA, Reforma në Drejtësi ka qenë kryefjala.

Sikurse SHBA dhe BE kanë këmbëngulur që Reforma në Drejtësi të shndërrohet në prioritetin e prioriteteve nga politika shqiptare, po ashtu edhe udhëheqësit shqiptarë kanë bërë gjithçka është në pushtetin e tyre që vetë Reforma në Drejtësi por edhe fryma e saj të dëmtohen, devijohen, negociohen, bllokohen, pengohen, vonohen, dekurajohen apo bëhen pis.

Dy fuqi ndërvepruese e kanë futur shpresën e shqiptarëve për drejtësi në një morsë tejet të shtrënguar.

SHBA dhe BE kanë qenë parreshtur fuqia shtytëse përpara dhe pozitive e Reformës në Drejtësi.

Ndërsa një grusht krerësh politikë shqiptarë nga të gjitha krahët, kanë qenë stoikisht forca negative kundër Reformës në Drejtësi.

Kjo është e kuptueshme, pasi politikanët shqiptarë pritet të jenë edhe “viktimat” e Reformës në Drejtësi.

Kanë bërë çdo gjë politikanët shqiptarë që ta ndalin, vonojnë apo negociojnë Reformën në Drejtësi.

Por nuk ia kanë dalë dot mbanë.

Tani kemi mbërritur në pikën pakthim, kur Reforma në Drejtësi duket se po mer formë dhe institucionet bazë që do të hetojnë e çojnë para drejtësisë të gjithë politikanët dhe zyrtarët e korruptuar, janë pranë ngritjes dhe konstituimit të tyre.

Pritja e gjatë, duket se po takon çastin kur do të shohim edhe veprimet e zbatimin konkret.

Ndërkohë politika shqiptare si kundërveprim ka zgjedhur strategjinë e përplasjes së ashpër mes palëve, në mënyrë që destabilizimi i vendit të përdoret si instrument për të ndalut ose negociuar Reformën në Drejtësi.

Opozita PD – LSI – PR ka shpallur 16 shkurtin si ditën finale kur si rezultat i protestës së thirrur prej tyre, o mbaron karriera politike e Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit, o mer fund kapitulli i Kryeministrit Edi Rama.

Gjuha dhe kumtet fundbotëse që po përdor Opozita si lançuese dhe përkufizuese të protestës së 16 shkurtit, janë tregues jo i zemëratës që ata kanë me Edi Ramën, por i kundërshtisë së vendosur që kanë ndaj Reformës në Drejtësi.

E megjithatë çfarëdo që të bëjë Opozita e Berishës, Bashës, Kryemadhit dhe Mediut, në dt 16 shkurt e tutje, e sigurtë është se asgjë nuk e ndal dot e as e cënon dot Reformën në Drejtësi.

Këto ditë Ambasada e SHBA në Tiranë ka bërë publik edhe faktin se 170 zyrtarëve publikë dhe politikë shqiptarë u janë refuzuar ose revokuar vizat amerikane.

Ky lajm ishte një instrument tjetër për ti dëshmuar publikut shqiptar se SHBA e kanê seriozisht Reformën në Drejtësi.

Por po dje ka ndodhur një turp i madh.

Dje nga Washington DC janë dërguar dhe publikuar në mediat shqiptare disa fotografi ku së bashku, disa nga njerëzit më të akuzuar të politikës shqiptare për korrupsion, të ftuar nga Fatmir Mediu në Mëngjesin e Lutjeve, hargaliseshin nëpër takime me disa zyrtarë të lartë amerikanë.

Ato foto ishin vrasësi më i rrezikshëm dhe fatal i Reformës në Drejtësi.

Ato foto flasin për një të çarë serioze brenda sistemit në SHBA.

Psh, është po e njëjta ditë kur Ambasada e SHBA publikon se 170 zyrtarëve shqiptarë u është refuzuar apo revokuar viza amerikane për shkak të akuzave për korrupsion, e ne shohim në një foto së bashku Ilir Metën, Fatmir Mediun, Damian Gjiknurin dhe Klodian Gradecin duke takuar një Kongresmen në zyrën e tij.

Nëse Ilir Meta është President Republike dhe Fatmir Mediu është kumbari i Mëngjesit të Lutjeve në Shqipëri, si mund të shpjegohet që aty në atë foto janë dy njerëzit më të akuzuar të momentit, Damian Gjiknuri dhe Klodian Gradeci.

Për Ambasadën Amerikane a nuk është i njohur fakti se Ish – Ministri Gjiknuri dhe ish – vartësi i tij Gradeci janë nën hetim nga Prokuroria për rastin e DH Albania?

A nuk e di Ambasada e SHBA se Damian Gjiknuri dhe Klodian Gradeci janë të saposhkarkuar nga detyrat e tyre, respektivisht njëri si Ministër e tjetri si Drejtor i OST, për shkak të akuzave dhe hetimeve mbi çështjen e DH Albania?

Pyetja tjetër është: Pse bashkë këta të dy, Gjiknuri dhe Gradeci në Washington DC?

Për Gjiknurin dihet se kostot e udhëtimit ia mbulon Kuvendi i Shqipërisë, po Klodian Gradecit tani që nuk është më Drejtor i OST, por udhëton si qytetar privat, kush ia ka paguar kostot e udhëtimit?

A nuk janë fotot e Gjiknurit dhe Gradecit në krah të Metës dhe Mediut e me zyrtarë amerikanë në Washington, si një tallje dhe shantazh mbi prokurorët që hetojnë çështjen e DH Albania?

Foto të tilla, janë vrasëset e vërteta të Reformës në Drejtësi.

Kur shqiptarët shohin politikanë të korruptuar që ngrefosen e kapardisen me foto nga Washingtoni, e gjithë fryma dhe morali i Reformës në Drejtësi bie./

PhD Betim Veritas

Lektor, John Hopkins University, SHBA

SHBA, Reforma në Drejtësi dhe AntiReforma në Drejtësi

Lajmet e fundit nga