LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Ftesë për debat mbi mediat në Shqipëri!

2 Shkurt 2019, 11:47, Aktualitet CNA
Ftesë për debat mbi mediat në Shqipëri!

Nga Arian Galdini

Shantazhistë, gjobaxhinj, etj, ishin pak a shumë cilësorët që Eni Vasili përdorte për kolegët dhe konkurentët e saj të mbrëmjeve televizive shqiptare, 1 vit më parë, ndërsa niste aventurën e saj të re në TCH me Open.

Ma tërhoqi vëmendjen asokohe ai shpërthim pothuajse interesant, jo për çka shkruante Eni, por për gjetjen e saj për ti bërë marketing produktit të saj televiziv që prej kësaj të enjteje do të jetë  në vitrinën e All Stars, siç e quan Fred Peza.

Fakti që po ndërhyj me këtë ftesë për debat nuk buron as nga fakti se unë jam aktivist politik e as nga ndonjë dëshirë a prapamendim për të futur hundët aty ku ka lajm.

Aspak.

Raporti im me politikën ka qenë ngahera raport jopushteti.
Kurrë nuk kam pasur asnjë ditë paqeje a bashkëpunimi me njerëz në fuqi.
Për 28 vite kam qenë gjithëherë njeriu i politikës në liri, dinjitet e integritet të plotë.
Kam qenë në bashkëudhëtime me parti a politikanë por veç në korsinë time, e kurrë në ditët e tyre në pushtet.

Edhe raportin me lajmin e kam tejet sqimatar e konservativ.

Në asnjë rast nuk kam synuar të bëhem a bëj lajm me kotësi a prej të tjerëve.

Jam bërë ose kam bërë lajm vetëm bazuar në nisma, ide e veprimtari që kam zhvilluar vetë.

E qëruar kjo, dua të kthjelloj se në këtë ftesë për debat po ndërhyj si qytetar i shqetësuar për nivelet dhe treguesit e demokracisë dhe lirisë në vendin tonë.

1. Pyes Eni Vasilin, Blendi Fevziun, Dritan Hilën, Sokol Ballën dhe All Stars, a nuk ju bën përshtypje se vendi i dytë më i varfër në Europë ka numrin më të madh të mediave televizive, të shtypit dhe online?

E jo vetëm që numri i tyre është befasues, por edhe teknologjia dhe paratë e investuara në to janë mbresëlënëse.

Hidhni një sy në Greqi, Maqedoni, Serbi, Mal të Zi, Kroaci, etj, etj, e nuk do të gjeni kaq shumë media dhe kaq shumë investime marramendëse për teknologjinë e tyre.

Numri çmendurisht i lartë i mediave dhe investimi marramendës që bëhet në to e për to është paradoksi më i epërm kur mendon se jemi një vend kaq i vogël me vetëm 2.8 milion banorë.

E vërteta e hidhur që duhet tia themi ballazi Enit, Blendit, Sokolit, Ylli Rakipit, Artur Zhejit dhe All Stars, është se Shqipëria nuk ka dalë dot nga ngërçi dhe kalbtësia e propagandës totale, ku emisionet e këtyre syreshëve janë si Diamantët e Kurorës.

Propaganda pa trushplarje dhe intepretim, vdes.

Emisionet e mbremjeve çdo ditë të javë në të gjitha TV janë kthyer në serviset konkurente të trushplarjes dhe interpretimit.

Njëlloj si dikur në kohën e Diktaturës Komuniste kishim vetëm agjipropin e PPSH, sot kemi agjipropet e pluralizmit të partive e grupeve finaciare që kanë shumëfishuar modelin e PPSH.

Nuk kemi pluralizëm real, me parti e modele që konkurojnë me ide, liri, vizion, projekte, alternativa.

Kemi pluralizëm teknik, sepse gara bëhet mes partive e grupeve të ndryshme që bartin të njëjtin model.

Kjo ka sjellë këtë trallisje me kaq shumë para e teknologji në këtë det mediash që bëjnë agjipropin e partive tona.

2.8 milion shqiptarë janë çdo ditë nën elektroshokun e agjipropit total.

Politikë, politikë dhe vetëm politikë.

Paradoksi bëhet shfazues kur ti e di se vendi është i zhytur në skamje, varfëri, mjerim, papunësi, pashpresësi ndërkohë që politikanët tejkalojnë çdo fantazi showbizi hollywoodiane me pasuritë e tyre përallore dhe jetën ditore prej fashionistash nga Beverley Hills.

Pra e thënë açik, politikanët tanë pasurohen duke na sunduar e plaçkitur neve, ndërsa mediat lulëzojnë me paratë e plaçkës që bëhet mbi vendin e qytetarët, gjë që i kthen gazetarët dhe analistët jo në gjobaxhinj e shantazhistë siç i quante Eni para 1 viti, por në simbioza natyrale në këtë ‘lojë grykësie dhe imoraliteti’ pa kufij.

Arsyeja pse kemi kaq shumë media e kaq shumë para për mediat, gazetarët, analistët është pikërisht nevoja simbiotike e sistemit politik plaçkitës për agjiprop total.

Liria e çartur me një det mediash e pafundësi informacioni dhe interpretimesh prej analistësh majmërisht të paguar quhet në ditët e sotme si ‘Tirania e transparencës’ dhe është po aq vrastare e lirisë, sa edhe çensura e ndalesa e plotë e lirisë së shprehjes.

2. A nuk ju bën përshtypje se ne kemi më shumë analistë dhe moderatorë emisionesh televizive për banorë, sesa mësues, mjekë, agronomë e  veterinerë?

Shërbimi i agjipropit total fillon në mëngjes e nuk mbaron e as pushon për asnjë çast deri në mëngjesin tjetër, e kështu pandalshmërisht…

Shqiptarët mund të mos kenë shërbime mjekësore, mund të mos kenë as mësues, ama pa lajme e analistë nuk mund të lihen…

3. A nuk ju bën përshtypje se pronarët e mediave tona kryesore janë kreditorë të këqinj në Banka e tek Politika?

A nuk ju bën përshtypje që gazetarëve, analistëve dhe moderatorëve të TV-ve shqiptare ju dridhen leqet e këmbëve kur ju vjen pronari, kur ju telefonon pronari, kur ju sms pronari e ju tregon kë të duanni, e kë të mos duan?

A nuk ju bën përshtypje se pasurimi dhe fuqia e pronarëve të mediave tona është bërë njësh me plaçkitjen dhe pushtetin e politikanëve tanë?

Nuk është shantazhist e as gjobaxhi askush që punon për pronarë klientelistë.

Është simbiozë dhe kaq.

Secili bën të vetën natyrale brenda makinerisë dhe sistemit të së keqes.

4. Nuk ka njeri që nuk e di se nuk ekziston në Shqipëri ai emision, televizion, gazetë, gazetar, moderator e analist që nuk komandohet, përpunohet, orientohet apo mer leje nga 3 apo 4 Kujdestarë për Mediat të Kryetarëve të partive.

Të gjithë e dimë se gazetarët, analistët dhe moderatorët e mediave tona punojnë veç me listëporosi nga Kujdestarët Mediatikë të Kryetarëve të Partive, nga pronarët e mediave, nga klientët e tyre, nga tarafet, miqësitë e tavolinat e tyre të bankës së qokave.

Asnjë, absolutisht asnjë gazetar, analist apo moderator i mediave shqiptare nuk ka liri.

I kanë mbytur mediat me vetëm 50 njerëz që i shëtisin dhe i shkëmbejnë gjithë ditën e çdo natë nga njëra studio në tjetrën.

E këta nuk e kuptojnë se janë bërë paradoksalë e të papërtypshëm?

Jemi vendi me rekord global, me numrin më të madh të mediave dhe emisioneve e moderatorëve dhe çuditërisht me numrin më të vogël të njerëzve që promovohen e shfaqen në to.

Vetëm 50 njerëz me listëporosi sheh në çdo ekran.

Edhe fytyrat e reja që prodhohen i marin me listëporosi nga klientelat politike, financiare apo universitare.

Mediat tona nuk e  lejojnë lirinë të veprojë.

Për mediat Tona, Khulna, Bangladesh çka ndodh pa lejen e politikanëve plaçkitës, pa lejen e pronarëve të tyre dhe pa lejen e klientelave të tyre, nuk ekziston, është asgjë.

Andaj mos i besoni kur zihen, grinden r shajnë kot njëri tjetrin sepse janë pjesë e pandashme e simbiozës në këtë sistem të fëlliqur të politkës plaçkitëse dhe agjipropit total.

Dhe e fundit.

5. A nuk ju bën përshtypje e a nuk e ndjeni si kriminale këtë risi të politikës dhe agjipropit total që flet vetëm me gojën, fytyrën, fjalët dhe gërmat e gazetarëve e analistëve për gjithçka?
E keni mbytur këtë shoqëri me analistë e analiza që vetëm interpetojnë për llogari të Kryetarêve të Partive, pronarëve e pagesave të majme.
Qytetarët nuk votojnë analistë.
Qytetarët votojnë politikanë.
Qytetarët nuk ua paguajnë rrogat me taksat e tyre analistëve, por politikanëve dhe funksionarëve publikë.

Pse kaq pak politikanë të zgjedhur e kaq pak funksionarë publikë të ftuar në studiot tona televizive?

Qytetarët meritojnë tu jepet llogari, jo tu bëhen analiza dhe interpretime.

Politikanët dhe funksionarët publikë e kanë për detyrim të japin llogari.

Nuk mund të lejojmë që të na e vrasin lirinë dhe të drejtën e llogaridhënies duke na marë frymën me analistë e analiza.

Një shoqëri pa llogaridhënie është një shoqëri e vrarë.

Një shoqëri e mbytur nga analizat dhe interpretimet është një shoqëri e palirë.

Kryetarët e partive e kanë të lehtë të rrethohen me kaqola, kur nuk u duhet më të nxjerrin politikanë që të japin llogari.

Me kaqola vrasin demokracinë e brendshme ndërsa me analistë na interpretojnë neve sesa e bukur duket hëna kur pjell mushka.

Mjaft më.

Thirrja ime për mediat, gazetarët, moderatorët është:

Lejoni lirinë. Punoni për lirinë.

Ky është misioni i gazetarëve të vërtetë.

Lajmet e fundit nga