LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Në tre vite tre diploma/ Zbardhet CV e Gent Cakaj

30 Janar 2019, 16:50, Aktualitet CNA
Në tre vite tre diploma/ Zbardhet CV e Gent Cakaj

Zëvendës ministri i Punëve të Jashtëme, Gent Cakaj, i cili mban pozicionin ?de facto? të ministrit, pas delegimit të kompetencave nga kryeministri Edi Rama ka publikuar CV e tij në faqen zyrtare të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Në CV shkruhet se Cakaj është zotërues i pesë diplomave por në të vihen re disa probleme. Data që nuk korespondojnë me njëra-tjetrën.

Në CV shkruhet se Cakaj ka mbaruar tre mastera jashtë vendit, ndër të cilët: dy në Belgjikë në vitet 2014 dhe 2017 ndërsa një në Hungari në vitin 2015. Por ajo që ngre dyshime është se në CV thuhet se Cakaj është diplomuar për drejtësi në Prishtinë në vitin 2016, pra që i bie në vitet 2013-2016 Cakaj të ishte student në Prishtinë.

CV e Gent Cakajt:

Gent Cakaj ka lindur në Prishtinë, më 6 korrik 1990. Gent Cakaj është shkolluar në Kosovë, Belgjikë dhe Hungari.

Në vitin 2017, Gent Cakaj ka marrë gradën Master Shkencor në Filozofi, duke u diplomuar me rezultate të shkëlqyera nga Universiteti i Leuven-it në Belgjikë, Qendra për Metafizikë, Filozofi të Religjionit dhe Filozofi të Kulturës të Institutit të Filozofisë të këtij universiteti.

Gent Cakaj mban edhe katër diplomime të tjera në fushat e filozofisë, drejtësisë dhe shkencave politike. Ai është diplomuar me titullin Master në shkencat politike nga Universiteti i Evropës Qendrore në Budapest, Hungari (2015) dhe me gradën Master i Filozofisë nga Instituti i Filozofisë i Universitetit të Leuven-it, në Belgjikë (2014).

Studimet universitare i ka kryer për drejtësi në Fakultetin Juridik të Universitetit AAB në Prishtinë (2016), si dhe studimet për filozofi në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Prishtinës (2012).

Gent Cakaj ka një ekspertizë të thellë në Analiza Politike dhe Politika Krahasuese, në Filozofi Moderne dhe Metafizikë, për të cilat është certifikuar nga Universiteti i Evropës Qendrore në Hungari dhe nga Universiteti i Leuven-it në Belgjikë.

Gjatë viteve të shkollimit, Gent Cakaj është angazhuar si konsulent dhe analist për çështje politike, si dhe është autor e bashkë-autor i disa punimeve në këto fusha, botuar nga shtëpia botuese e Universitetit të Pitsburgut në SHBA (2016) dhe së shpejti edhe nga shtëpia botuese prestigjioze Brill (2019).

Në janar 2018, Gent Cakaj i është bashkuar Kabinetit të Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë si këshilltar politik, përgjegjës kryesisht për procesin e integrimit evropian dhe politikës së jashtme. Në të njëjtën kohë, ai ka shërbyer edhe si Koordinator Kombëtar i Republikës së Shqipërisë për Zonën Rajonale Ekonomike për Ballkanin Perëndimor.

Në qershor 2018, Gent Cakaj emërohet Zëvendësministër në Ministrinë për Evropën dhe Punë të Jashtme, përgjegjës për çështjet që lidhen me procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, si dhe Koordinator Kombëtar i procesit ?screening? për hapjen e negociatave të Republikës së Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian./ CNA.al

 

 

 

Lajmet e fundit nga