Connect with Us

Rivlerësimi i prokurorit Besnik Cani/ Zbulohet skandali i KPK

Aktualitet

Rivlerësimi i prokurorit Besnik Cani/ Zbulohet skandali i KPK

Publikuar

-

prokurori besnik cani ne vetting

Me datë 27 nëntor Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i udhëhequr nga Olsi Komici, me relator Lulzim Hamitaj dhe anëtare Brunilda Bekteshi, votoi unanimisht për konfirmimin në detyrë të Besnik Canit – me funksion prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, por i komanduar në Prokurorinë e Përgjithshme si këshilltar i Arta Markut.

Procesi i rivlerësimit ndaj Canit kishte filluar më përparësi në nëntor 2017, për shkak të kandidimit të tij si anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, një nga institucionet e reja të Reformës ne Drejtësi – pjesë e të cilit Cani u përzgjodh nga radhët e prokurorisë.

Edhe pse KPK ka vendosur ta rikonfirmojë Canin në detyrën e prokurorit, hetimi administrativ dhe denoncimet e shumta që kanë ardhur kundër tij në Komision, kanë nxjerrë në pah një listë të gjatë shkeljes në 2 nga 3 kriteret e vetingut – pasurinë dhe profesionalizmin.

Megjithatë, kjo listë e gjatë shkeljesh nuk e ka penguar konfirmimin në detyrë të prokurorit, pasi ato janë justifikuar nga Komisioni me anë të aplikimit të parimit të proporcionalitetit  dhe duke ja transferuar për inspektim Këshillit të Lartë të Prokurorisë – organit kolegjiali ku Cani është tashmë anëtar.

Trupi gjykues i KPK-së ka arritur në përfundimin se subjekti ka arritur nivel të besueshëm për sa i përket deklarimit të pasurisë, nivel të besueshëm në kontrollin e figurës dhe një nivel ‘së paku minimal kualifikues’ në vlerësimin e aftësive profesionale.

Megjithatë, vendimi i KPK-së është kundërshtuar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ONM, i cili i ka rekomanduar Komisionerit Publik ankimimin e vendimit për konfirmimin në detyrë të subjektit në Kolegjin e Apelimit, pasi sipas tyre Cani është konfirmuar në detyrë nëpërmjet interpretimit të gabuar të ligjit të vetingut nga KPK.

“Një nga qëllimet e procesit të rivlerësimit është rikonfirmimi i besimit të publikut në institucionet e drejtësisë,” shprehet ONM.

“Në pikëpamjen tonë është e pamundur të konfirmohet në detyrë një subjekt kur nuk janë vlerësuar në mënyrë të rregullt disa çështje që dëmtojnë besimin e publikut,” shtoi ajo.

Hetime të thelluara dhe tendencioze

Besnik Cani e ka filluar karrierën në Prokurori në vitin 2003, i emëruar fillimisht në Prokurorinë e Tiranës. Përgjatë 15 viteve, ai ka drejtuar prokuroritë e Fierit, Shkodrës dhe Elbasanit dhe së fundmi është emëruar në kabinetin e Prokurorit të Përgjithshëm. Cani ka qenë më parë edhe anëtar i Këshillit të Prokurorisë.

Ai është nënshtruar procesit të rivlerësimit me përparësi, për shkak të kandidimit të tij në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe është shortuar me 30 nëntor 2011.

Me datë 20 korrik 2018, trupi gjykues ka vendosur ta mbyllë hetimin vetëm për kriterin e pasurisë dhe ka njoftuar subjektin për rezultatet. Por, pasi shqyrtoi shpjegimet, dokumentacionin e depozituar dhe kërkesat e subjektit të rivlerësimit, trupi gjykues më datë 7 gusht 2018, vendosi rihapjen e hetimit mbi të tri kriteret e rivlerësimit. Më datë 15 nëntor KPK ka mbyllur hetimet për të tre kriteret e rivlerësimit.

Gjatë procesit të hetimit administrativ, Cani ka ngritur dy herë akuza ndaj relatorit Lulzim Hamitaj duke kërkuar përjashtimin e tij nga çështja.

“Ky komisioner po zhvillon hetime të thelluara dhe tendencioze, me qëllim shkarkimin tim nga detyra,” i shkruan Cani KPK-së.

“Edhe pse nuk e njoh dhe nuk kam pasur asnjë takim apo problem me z. Hamitaj, ai ndoshta është i influencuar nga njerëz që më duan të keqen, dhe për rrjedhojë nuk mund të jetë objektiv dhe i paanshëm në rivlerësimin tim,” shprehet ai, duke shtuar se Hamitaj nuk është i besueshëm.

Probleme me pasurinë

Si pjesë të hetimit ndaj prokurorit Besnik Cani, KPK ka administruar raportet e dorëzuara në Komision nga ILDKPKI, DSIK dhe Prokuroria e Përgjithshme.

Në raportin e dorëzuar në KPK, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit shprehet se subjekti ka bërë deklarim të saktë dhe në përputhje me ligjin, ka pasur burime të ligjshme për ta justifikuar pasurinë, nuk ka fshehje pasurie, nuk ka deklarim të rremë dhe nuk gjendet në situatën e konfliktit të interesit.

Përtej raportit të ILDKPKI, KPK ka ndërmarrë një hetim të thelluar administrativ për verifikimin e vërtetësisë së deklarimeve në lidhje me gjendjen pasurore të subjektit dhe personave të lidhur; në verifikimin e burimeve të krijimit të të ardhurave dhe shpenzimeve, me qëllim evidentimin e mungesës së mundshme, të burimeve të mjaftueshme financiare për të justifikuar pasuritë; në evidentimin e ndonjë fshehjeje të mundshme të sendeve në pronësi ose përdorim; në evidentimin e ekzistencës së mundshme të deklarimeve të rreme apo të ndonjë konflikti të interesave.

Ky hetim është përqendruar në një apartament me sipërfaqe 117 m2 në Tiranë, një truall me sipërfaqe 633 m2 dhe ndërtesë prej 112 m2, në Paskuqan, Tiranë;  truall me sipërfaqe 363 m2 në Paskuqan , një garazh me sipërfaqe18.7 m2 dhe një autoveturë Mercedez Benz të vitit 2006.

Subjekti i rivlerësimit ka deklaruar në deklaratë ‘veting’ truallin 633.9 m2 në Paskuqan dhe një banesë private 100 m2, të legalizuara nga ALUIZNI në vitin 2008 dhe të ndërtuara me kursime nga emigracioni në vitin 1993-1994. Cani ka deklaruar se kostoja e ndërtimit të banesës ka qenë rreth 700 mijë lekë, për të cilën i mungon dokumentacioni.

Komisioni  ka konstatuar pasaktësi dhe mospërputhje në lidhje me deklarimet e ndryshme të paraqitura nga subjekti në deklaratat periodike si dhe në formularët e ALUIZNI-t, për sa u përket sipërfaqeve të truallit dhe të banesës së ndërtuar mbi të; ndërkohë deklarimi i tokës është bërë në ILDKPKI vetëm në vitin 2008. Sipas Canit ndërtesa në Paskuqan është ndërtuar me krahë punë falas nga të afërmit, ndërkohë mospërputhjet i ka justifikuar me faktin që toka nuk ka qenë nën pronësi.

Në analizën e saj juridike, KPK shprehet se subjekti ka bërë deklarime të pasakta për sipërfaqen e banesës dhe tokës dhe nuk ka dhënë asnjë provë për shpenzimet e kryera për banesën. Megjithatë, sipas KPK-së nuk kemi të bëjmë me deklarim të pamjaftueshëm pasi kjo do të binte ndesh me parimin e proporcionalitetit.

KPK ka hetuar edhe apartamentin me sipërfaqe 117 m2 në Tiranë, të blerë me kontratë sipërmarrje në vitin 2005 me vlerë 69 mijë euro dhe pagesë paraprake 21 mijë euro.  Lidhur me burimin e të ardhurave të kësaj pagese, në shumën prej 21 mijë eurosh, subjekti ka deklaruar se ka përdorur, veç të tjerash, edhe shumën prej 3.500 USD, të mbartura nga viti 2004, por që nuk ka qenë e deklaruar si gjendje në vitin 2004. Gjithashtu, deklarohet të jetë përdorur për pagesën e vlerës 21 mijë euro, edhe një hua prej 6 mijë eurosh e marrë nga z. P. T. – banues në Greqi.

Për mosdeklarimin e shumës 3500 USD në vitin 2004 subjekti ka fajësuar mungesën e eksperiencës në deklarim, ndërkohë që ka kundërshtuar metodologjinë dhe veprimet përllogaritëse të kryera në analizën financiare, pasi, sipas tij, i janë konsideruar shpenzime jetike shumë më të larta sesa familja e tij ka pasur në realitet. Në arsyetimin ligjor në lidhje me faktet, Komisioni ka deklaruar se huaja është konfirmuar nga të afërmit dhe ndërkohë mosdeklarimi i 3,500 USD në vitin 2004 nuk ka sjellë pasoja.

Analiza financiare e subjektit ka zbuluar gjithashtu probleme, pasi në disa vite ai ka pasur mungesë burimesh financiare. Subjekti ka një rezultat negative në 5 vite me një vlerë prej 819 mijë lekë.  Në lidhje me mungesën e burimeve financiare, siç u tha edhe më lart, subjekti i rivlerësimit ka kundërshtuar metodologjinë dhe veprimet përllogaritëse të kryera në analizën financiare, pasi, sipas tij, janë konsideruar shpenzime jetike të larta.

Edhe pse nuk i ka pranuar të gjitha shpjegimet e subjektit, në vlerësimin juridik në lidhje me problematikat e analizës financiare, Komisioni çmon se pasaktësitë dhe mungesat e burimeve financiare nuk janë në nivelin që të çojnë në shkarkimin e tij, për shkak të parimit të proporcionalitetit.

Aftësitë profesionale

Për sa i përket aftësive profesionale, nga Prokuroria e Përgjithshme është dërguar në KPK një raport, sipas të cilit Grupi i Punës  ka konkluduar se subjekti është vlerësuar shumë mirë për aftësitë profesionale, organizative, integritetin, etikën dhe angazhimin profesional.

Megjithatë, në njërën nga çështjet e shortuara dhe të vlerësuara nga Grupi i Punës, Komisioni ka konstatuar disa problematika të cilat nuk janë evidentuar në raport. Çështja në fjalë lidhet me kanosjen e një prokurori dhe është hetuar gjatë kohës kur Besnik Cani ka drejtuar prokurorinë e Elbasanit.

Në përfundim të hetimeve, prokurori i çështjes, Xh. S, ka vendosur dërgimin për gjykim të dosjes, vendim ky që është shfuqizuar nga Cani, i cili ka vendosur pushimin e saj. Arsyetimi i Canit për pushimin e çështjes nuk e ka bindur Komisionin. Sipas KPK-së cilësimi i veprës penale nga subjekti ka qenë i gabuar, kjo dosje ka pasur mangësi profesionale dhe një hetim jo të thelluar si dhe aplikim të bazës së gabuar ligjore.

Megjithë, gjetjet negative për subjektin nga rivlerësimi i kësaj dosje penale, KPK ka vendosur t’ia transferojë vendimmarrjen për të organit kompetent për inspektimin e shkeljeve disiplinore, KLP-së.

Etika profesionale

Në aspektin e etikës, Komisioni ka analizuar dy rrethana që kanë krijuar dyshime mbi qëndrimin, qasjen dhe sjelljen e subjektit të rivlerësimit. E para është një kontratë e lidhur midis subjektit dhe kompanisë Kastrati Sh.p.k dhe e dyta lidhet me përftimin e statusit të familjes së pastrehë nga Këshilli Bashkiak Fier.

Subjekti ka lidhur me 27 janar 2016 një kontratë me Kastrati Sh.p.k, duke dhënë me qira truallin në Paskuqan me sipërfaqe rreth 1000 m2 për 25 vjet, në të cilin ndodheshin 2 godina. Sipas kontratës, Kastrati Sh.p.k do të ndërtonte me shpenzimet e saj një pikë karburanti, nga e cila subjekti do të përfitonte 5 lekë për çdo litër të shitur. Subjekti përfiton gjithashtu 50 % të qirasë mujore, ndërkohë që 50% shkon për të paguar kostot e ndërtimit të objektit. Nëpërmjet amendimit të kontratës me 1 prill 2017, Kastrati Sh.p.k heq dorë nga administrimi i lavazhit dhe bar kafesë në pikën e karburantit, duke ia kaluar këtë të drejtë subjektit.

Nga hetimet e KPK-së ka rezultuar se stacioni i shitjes së karburantit administrohej nga Kastrati Sh.p.k, ndërkohë që bar kafeja dhe lavazhi nga një kompani e regjistruar në emrin e E.C- djalit të subjektit me moshë 18 vjeç. Sipas tatimeve ky aktivitet ka pasur një qarkullim prej 4.4 milionë lekë dhe një fitim prej 1.5 milionë lekë. Nga shitja e karburantit subjekti ka përfituar 2.4 milionë lekë në vitin 2017 dhe 946 mijë lekë në periudhën janar-qershor 2018, ndërkohë që një shumë e barabartë me fitimet ka shkuar për rimbursimin e investimit.

Sipas KPK-së marrëdhënia midis subjektit dhe kompanisë Kastrati Sh.p.k, përbën një formë pjesëmarrje ‘de fakto’ në shoqëri dhe për këtë shkak e papajtueshme me profesionin e prokurorit.  Gjithashtu, kjo rrethanë komplekse mund të jetë shkak për cënimin e etikës profesionale dhe për humbjen e besimit të publikut tek figura e një prokurori të Republikës së Shqipërisë.

Megjithëse, KPK çmon se kontrata midis subjektit dhe Kastrati Sh.p.k mund të përbëjë konflikt interesi dhe shkak për papërshtatshmëri, e transferon gjithashtu këtë çështje pranë KLP-së, në bazë të ashtuquajturit parimi proporcionalitetit.

Situata e dytë e hetuar nga KPK në lidhje me etikën profesionale të subjektit lidhet me akuzat për përfitimin e statusit si i pastrehë nga Këshilli Bashkiak Fier, për marrjen e një kredie të butë. Në këtë periudhë ish kreu i bashkisë Fier dhe disa këshilltarë vendor kanë qenë nën hetim për mashtrim me kreditë e buta.

Hetimet e Komisionit kanë zbuluar se bashkëshortja e subjektit ka aplikuar dhe ka përfituar statusin e familjes së pastrehë. KPK ka shprehur dyshime nëse familja e prokurorit Cani i përmbushte kushtet për këtë status, por ajo nuk ka marrë kredi të butë nëpërmjet tij. Subjekti ka pretenduar se aplikimi është bërë nga e shoqja pa dijeninë e tij dhe se ky aplikim nuk ka pasur ndikim mbi procedimin ndaj kryebashkiakut të regjistruar në prokurori.

Në arsyetimin e saj ligjor mbi këtë rrethanë, KPK është shprehur  se fakti që bashkëshortja ka aplikuar në mënyrë të paligjshme, krijon dyshimin e arsyeshëm së ka përdorur pozicionin e bashkëshortit si drejtues i Prokurorisë Fier për të përfituar privilegje – një veprim që cënon figurën e magjistratit dhe besimin e publikut mbi sistemin e drejtësisë. Por edhe në këtë rast, Komisioni ka vendosur t’ia kalojë çështjen organit kompetent për inspektim të shkeljeve disiplinore.

Ndaj subjektit të rivlerësimit në KPK ka pasur 8 denoncime nga qytetarë të ndryshëm, njëri nga të cilët lidhet me qëndrimin që Cani ka mbajtur ndaj ish kryebashkiakut të Fierit. Referuar dokumentacionit në dosjen penale, KPK shprehet se rezulton se subjekti ka qenë drejtues i organit të Prokurorisë së Rrethit Fier, në fazën e parë të hetimeve në lidhje me çështjen në fjalë, dhe deri në momentin që Cani ka mbuluar këtë detyrë, rezulton që në lidhje me këtë çështje kishte pasur vetëm një vendim mosfillimi – të miratuar nga vetë subjekti – dhe më vonë të shfuqizuar nga gjykata. KPK shprehet se përtej ‘pasivitetit dhe mungesës së efikasiteti hetimor’ nuk konstaton prova për ndikim të drejtpërdrejtë në këtë dosje.

Ngjashëm, me dy rastet e etikës profesionale, Komisioni vendos t’ia delegojë çështjen organit kompetent disiplinor. Një vendim të ngjashëm është marrë nga KPK edhe për denoncim për një çështje të vitit 2006 në Prokurorinë e Tiranës të hetuar nga subjekti.

ONM kundër Komisionit

Vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të prokurorit Besnik Cani është kundërshtuar nga Operacionit Ndërkombëtar i Monitorimit. ONM i rekomandoi me 25 janar Komisionerit Publik që ta apelojë në tërësi vendimin e konfirmimit në detyrë të subjektit, përfshirë transferimin e katër elementëve të saj tek organi kompetent disiplinor.

Sipas ONM-së një shqyrtim i drejtë i të gjitha detajeve të çështjes duhet të çojë në shkarkimin e Canit për shkak se ai vë në rrezik besimin e publikut mbi sistemin e drejtësisë dhe e ka të pamundur që ti përmirësoj të metat e tij nëpërmjet trajnimit.

ONM nënvizon që subjekti është konfirmuar nga KPK nëpërmjet interpretimit të gabuar të disa neneve të ligjit të vetingut dhe i kërkon Komisionerit Publik të ankimojë vendimin e Komisionit. Gjithashtu ONM i rekomandon Komisionerit Publik që në ankim t’i kërkojë Kolegjit të Apelimit të shqyrtojë çështjen e transferimit të disa dosjeve tek organi kompetent disiplinor, pasi shqyrtimi i këtij aspekti do të ketë ndikim të madh në vlerësimin e subjektit.

“Megjithë opinionin e ONM-së të datës 25 tetor, dhe megjithëse KPK ka pranuar se de fakto ekzistonte një kontratë komerciale ose partneritet civil midis subjektit dhe Kastrati Sh.p.k, KPK dështoi të shprehej mbi pajtueshmërinë e saj me detyrat etike të një prokurori sipas legjislacionit përkatës,” shkruan ONM.

“ONM beson që kjo kontratë është në kundërshtim me detyrimet etike të një prokurori,” shton ajo.

Në vendimin e konfirmimit të prokurorit Cani, KPK vendos që t’i transferojë organit kompetent disiplinor dy çështjet etikës profesionale – kontratën me Kastrati Sh.p.k dhe statusin e familjes së pastrehë, si dhe vlerësimin e një çështje nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe një çështje nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan.

Sipas ONM-së këto transferime nuk i heqin KPK-së përgjegjësinë për të rivlerësuar subjektin dhe në rastin konkret Komisioni nuk është i qartë për arsyet e transferimit.

ONM shprehet gjithashtu kundër përdorimit të parimit të proporcionalitetit nga KPK, duke nënvizuar se procesi i vetingut mbështet në vlerësimin gjithëpërfshirës. Sipas rekomandimit të ONM-së edhe vlerësimi nga Komisioni i një deklarate noteriale si provë mbetet problematik, pasi kjo e fundit vërteton deklaratat e një personi përpara noterit dhe jo fakte të tjera.

Gjithashtu, ONM shprehet se gjatë aplikimit të parimit të proporcionalitetit për analizën financiare, KPK pretendon se ka “mbajtur një pozicion të ngjashëm në disa vendime të mëparshme të Komisionit.’ Kjo referencë nuk sqarohet në vendimin e KPK-së dhe si rrjedhim mbetet e paqartë.

Sipas ONM-s subjekti ka cënuar besimin e publikut te drejtësia dhe për këtë arsye duhet shkarkuar.

“Një nga qëllimet e procesit të rivlerësimit është rikonfirmimi i besimit të publikut në institucionet e drejtësisë,” shprehet ONM.

“Në pikëpamjen tonë është e pamundur të konfirmohet në detyrë një subjekt kur nuk janë vlerësuar në mënyrë të rregullt disa çështje që dëmtojnë besimin e publikut,” përfundoi ajo./BIRN/ Nga Besar Likmeta

 

KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Aktualitet

Këshilla-Si të mbroni veten dhe familjen tuaj nga tërmetet

Publikuar

-

Për dallim nga llojet e tjera të fatkeqësive natyrore, tërmetet mund të ndodhin në çdo kohë, pa ndonjë njoftim. Të jesh i përgatitur për një tërmet do të bëjë ndryshimin në aftësinë për të mbrojtur veten, familjen ose shtëpinë tënde në rast të tërmetit. Vazhdoni të lexoni për të mësuar se si të përgatisni shtëpinë dhe familjen tuaj për një tërmet, si dhe çfarë të bëni gjatë dhe pas tërmetit për të qëndruar të sigurt.

Çfarë të bëni gjatë një tërmeti

Tërmetet mund të godasin krejt papritur dhe pa paralajmërim. E rëndësishme është që që në dridhjen e parë të merrni masa mbrojtëse.

Gjeni strehë në vendin më të afërt

Nëse ndodheni jashtë, gjeni strehë ku të mundeni por mos u fusni brenda.

Nëse jeni në zyrë a shtëpi, gjeni strehë në një vend të sigurt ku të jeni të mbrojtur nga gjërat që bien.

Mos lëvizni prej andej deri sa tërmeti të ketë ndalur.

Strehohu, mbulohu dhe mbahu fort

Që në goditjen e parë futuni nën një mobilje siç mund të jetë tavolina dhe qëndroni aty.

LEXO EDHE:  “Është çështje orësh”/ Lorenc Vangjeli bën deklaratën e fortë: Prokurori dhe Rrumi do të kenë të njëjtin fat

Mos u fusni poshtë krevatëve apo dollapëve të lartë që mund të shemben.

Mbuloni kokën dhe sytë mbajini mbuluar për t’u mbrojtur nga objektet fluturuese ose ato që bien.

Me njërën dorë mbuloni kokën dhe me tjetrën mund të mbaheni në një cep të mobiljes nën të cilën jeni strehuar.

Nëse mobilja lëviz, lëvizni bashkë me të.

Qëndroni nën të deri sa të jeni të sigurtë që goditjet kanë mbaruar.

Nëse nuk qëndroni dot nën pragun e derës apo nën një mobile, qëndroni pranë një shtylle të brendshme të shtëpisë dhe mbroni kokën dhe qafën.

Pragu i Derës

Pragu i derës është një nga më të fortat e të gjithë pallatit apo godinës.

Në prag duhet të përpiqeni të mbani këmbët hapur për të ruajtur ekuilibrin, të mbështeteni në njërën anë dhe me krahë të mbani fort derën./

CNA.al

 

SHPERNDAJE KETE MATERIAL INFORMUES

LEXO TE PLOTE

Aktualitet

Termet i frikshem ne Shqiperi

Publikuar

-

Nga

Nje termet 5.8 balle ka goditur Shqiperine 32 km larg Tiranes, ne detin Adriatik.

Njoftohen deme materiale dhe panik tek njerzit qe kane dale ne rruget e Tiranes.

Lekundjet jane ndjere te forta  ne Tirane, Elbasan, Durres. Korce, Fier etj…

Njoftohen deme materiale…vijon

LEXO TE PLOTE

Aktualitet

Provokimi i Mustafa Nanos: Duhet të jemi më racionalë me Enver Hoxhën

Publikuar

-

Nga

Këtë verë, libri i Isuf Kalos “Blloku” ka bërë jehonë të madhe. Libri është një dëshmi e njeriut, i cili ka qenë pranë ish-diktatorit Enver Hoxha për vite me radhë, duke qenë se ishte doktori i tij personal. Megjithatë, “Blloku” i Kalos ka marrë shumë kritika.

Në monologun e kësaj të premteje në emisionin “Provokacija”, gazetari Mustafa Nano ndalet pikërisht tek ky libër. Ai thotë se mënyra se si Isuf Kalo ka folur për Enver Hoxhën është e pakuptueshme dhe e pafalshme për shumë njerëz.

 

 

Sipas tij, Kalo e ka nxjerrë diktatorin si tepër human, baba të devotshëm, bashkëshort të mirë dhe si një politikan serioz. Edhe pse ka një mendim tjetër për Enver Hoxhën, Nano thotë se “Blloku” është një dokument historik i rëndësishëm, për të cilin në të ardhmen shumë njerëz do jenë të kënaqur që ekziston.

“Më duhet të them se as mua nuk më puqet Enver Hoxha i Kalos me Enver Hoxhën që unë njoh. E megjithatë nuk jam dakord me ata që sulmojnë Isuf Kalon. Blloku i tij mund të ketë provokuar shumë vetë, ndoshta ndokënd edhe mund ta ketë lënduar por, përtej të gjitha shijeve e ndjesive individuale, ky libër është një dëshmi interesante për kohët e komunizmit. Pas 50 vjetësh askush nuk do të kujtohet ta sulmojë Isufin për anëmbajtje apo empati për të ligun. Të gjithë do jenë të kënaqur që kjo dëshmi është dhënë. E që është dhënë në mënyrë të sinqertë. Blloku është një dokument historik i rëndësishëm”, thotë Nano.

Por moderatori i “Provokacijas” thotë se ka bërë edhe një vëzhgim të fundit. Sipas tij, tashmë që jemi 30 vite pas përmbysjes së komunizmit, duhet ta gjykojmë në mënyrë më racionale diktatorin Enxer Hoxha.

Sipas tij, nuk duhen thënë thënë deklarata të panevojshme që e shndërrojnë figurën e Hoxhës si bartës të të gjitha të këqijave dhe veseve të botës.

Nano merr shembull librin e Ylljet Aliçkës në librin e tij më të fundit, ku thuhet se një grua e dënuar me vdekje u fut e gjallë në dhé. Kur fshatarët i bënë gropën u lemerisën teksa dëgjonin rënkime të dala nga thellësia e tokës.

Përshkrime të tilla na ndihmojnë të nxjerrim dufin ndaj diktatorit, por nuk na ndihmojnë për të kuptuar se kush ishte në të vërtetë ai, thotë Nano.

 “Kam vënë re që ca e ca vijojnë të flasin për Enver Hoxhën ashtu si kanë folur një ditë pas përmbysjes së regjimit të tij, domethënë duke shtënë në punë veç mllef, urrejtje, neveri, apo ku di unë. Kur bëhet ky diskutim, njerëz të tillë, që rëndom kanë edhe përvoja personale vuajtjesh e persekucioni, përpiqen ta likujdojnë Enver Hoxhën si personazh të historisë thjesht duke thënë se ai ishte një maskara, qen e bir qeni, një armik i popullit të vet, një tradhtar, etj, etj. Unë mendoj se 30 vjet pas rënies së komunizmit mund të jemi pak më racionalë. Dhe të jesh racional nuk do të thotë të mohosh që ai ka qenë një diktator. Jo, kjo gjë tanimë është e dokumentuar. Edhe komunisti më budalla, thellë-thellë, bie dakord se Enver Hoxha ishte një diktator.

Të jesh racional do të thotë të mos thuash mufka që synojnë panevojshmërisht ta shndërrojnë figurën e Hoxhës nga katran në katran me bojë, që e nxjerrin atë si bartës të gjithë të këqijave apo veseve të botës, që e nxjerrin atë edhe pervers, pedofil, manjak seksual, vrasës manjak. Ah, se harrova, edhe homoseksual. Sepse dihet se çfarë mendojnë shqiptarët për një homoseksual.

Të jesh racional është edhe të mos thuash, siç thotë Ylljet Aliçka në një libër që sapo e ka publikuar, që një grua u dënua me vdekje thjesht se Enver Hoxha donte ta kishte si të dashur dhe se ajo i tha “jo”. Për këtë “krim”, ajo u fut në dhé e gjallë. Madje, fshatarët e zonës, ku kësaj gruaje i bënë gropën, u lemerisën teksa dëgjonin ca rënkime të dala nga thellësia e tokës, që ishin rënkimet e kësaj gruaje duke dhënë shpirt. Tani, gjatë regjimit të Enver Hoxhës ka pasur pa fund drama e tragjedira humane. Kjo nuk diskutohet, siç nuk diskutohet që fajtori kryesor për ato ka qenë Enver Hoxha. Ne mund të stisim edhe tragjedira të tjera në një roman fiction. Por mund t’i vëmë pak fré fantazisë dreqi ta hajë! Një njeri që futet i gjallë nën dhé nuk ka se si të rënkojë. Aq më pak ka gjasa që rënkimet e saj të jenë dëgjuar nga fshatarët e lemerisur. Sepse do të ketë dhënë shpirt shumë kohë para se toga e varrmihësve apo xhelatëve të kenë mbledhur rraqet e të jenë larguar. Le ta themi copë: Përshkrime të tilla na ndihmojnë të nxjerrim dufin ndaj diktatorit, por nuk na ndihmojnë për të kuptuar se kush ishte në të vërtetë ai”, u shpreh moderatori i “Provokacijas”./abcnews.al

LEXO EDHE:  Urdhri i Gjykatës për KLP-në/ Emëroni prokuror burrin e deputetes

 

LEXO TE PLOTE
Lajme të Rekomanduara: