LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nga Arian Galdini/ A ka shqiptarë këtu?

26 Janar 2019, 19:57, Opinione CNA
Nga Arian Galdini/ A ka shqiptarë këtu?

Në Shqipëri vota nuk merret me flamur as me ide.

Mbytet me Kod Elektoral dhe blihet me lekë ose rrëmbëhet me forcë.

Kjo është e vërteta e trishtë dhe e ligësht me të cilën duhet të ballafaqohemi.

Me të drejtë, nuk ka flamur që mer vota këtu, sepse jetojmë në një hapësirë ku shumësia e flamujve që tunden, po na shastis të gjithëve.

Janë bërë aq shumë flamuj, e pas tundjes së secilit prej tyre ka një pagesë, saqë i vetmi flamur i lënë mënjanë është vetëm flamuri ynë kombëtar.

Jo rastësisht e shohim shpesh të valëvitet i lodhur, i shqyer dhe rreckosur.

Rinia e Noisyt dhe Stresit, që paratë i harxhojnë nëpër lokale e klube nate, nuk kanë nge ti përdorin mendimet për peshën e votës së tyre.

Gjithçka ata mendojnë është se kush e si do tua paguajë faturën e jetës së natës.

E këtu hyjnë në punë flamujt e partive.

Ka parti që shkojnë në gjimnaze e universitete dhe u mësojnë të rinjve tanë zanatin e flamurtundësit me pagesë.

Sidoqoftë, pagesat e flamurtundjeve nuk shpëtojnë askënd nga e vërteta e madhe se ne jemi të gjithë të plaçkitur, të gjithë të mjerë, të gjithë të keqtrajtuar, të gjithë të keqpërdorur.

Prandaj kriza dhe vështirësitë, pasi jemi sorrollatur apo harlisur në kafene e zgëqe lagjesh, në lokale a klube nate,  kur kthehemi nën çatinë e shtëpisë ku shkojmë të mbledhim  kockat na fusin për tu takuar me veten e hallet që kemi.

Kur njeriu është nën çatinë e shtëpisë, ndjen të ftohtin dhe nxehtësinë, sheh frigoriferin e boshatisur dhe kontrollon sahatet e ujit dhe dritave, shfleton faturat, borxhet dhe taksat që duhet të shlyejë.

Ai është momenti kur qytetari ose gjen zgjidhje tek fuqia, aftësitë dhe mundësitë e tij, ose u dorëzohet të tjerëve.

Tê tillë qytetarë që u dorëzohen të tjerëve ka pafund e ngado, nga Kandaja në Meksikë, nga Danimarka në Egje, nga Shqipëria në Australi, etj, etj.

Këta janë edhe preja më e lehtë elektorale.

Këtë lloj qytetari, në Shqipëri, e blejnë ose e trysnojnë, e zhbëjnë.

E mbulojnë me flamur vetëm në stadium apo kur vdes.

Ne kemi kohë që e kemi të komplikuar marrëdhenien tonë me Simbolet dhe Heronjtë e Kombit tonë .

Simbolet na bëhen të shtrenjta vetëm kur luajmë futboll, bëjmë koncerte, mitingje ose kur këndojmë nëpër disko e klube nate.

Aty ku qejfin e paguajmë vetë, aty ne kërkojmë simbolet dhe kërcejmë me këngën e Elvanës për Digitalbin.

Teksa aty ku ka pagues, ne e harrojmë këngën e Elvanës e madje edhe Xhamadanin Vija Vija  dhe vemë veten e shumëçka në shitje, edhe votën, edhe simbolet, e madje edhe përkatësinë.

Prandaj kemi shqiptarë më turq se Erdogani, shqiptarë më italianë se Garibaldi, shqiptarë më grekë se Kristos Papas, e kështu me rradhë rast pas rasti, sipas burimit të pagesës.

Prandaj kemi historianë turq që nuk e kanë për problem të përdhosin Heroin tonë Kombëtar Skënderbeun, mu tek varri i tij.

Prandaj kemi deputetë shqiptarë në Kuvendin e Kosovës që kujtojnë se Skënderbeu duhet shpallur puçist si bashkëpunëtor i Gylenit dhe si hafije i Papës dhe kaurëve, në konspiracionin ndërkombëtar kundër Sulltan Erdoganit.

Prandaj kemi shqiptarë që kujtojnë se Vorio Epiri është ofertë turistike ndërsa Agimin e Artë e quajnë si të singjashmin e Thomas Cook.

Prandaj kemi shqiptarë të Erdoganit që shahen e gërditen me shqiptarët e Gylenit.

Prandaj kemi shqiptarë të hyqymetit që shahen e bëhen lesh e li me shqiptarët e Papës së Romës.

Prandaj kemi shqiptarë të Janullatosit dhe Kacifasit që shahen me gjithë shqiptarët e tjerë.

Është një rrokopujë e çartje e jashtëmendshme.

Edhe shqiptarë më koreanë se Reverend Mooni kam hasur në këtë vend.

Sikur kenianet të kishin sjellë këtu ndonjë shumë të hollash, nuk e di pse jam i sigurtë se do të kishim sot edhe shqiptarë që do të flisnin plot pasion për qytetërimin që bën martesa të tipit një nuse e shkëmbyer me 10 lopë, 4 dele, 7 keca e 6 pula.

Imagjinoni pak tani ç’bëhet këtu me paratë e George Sorosit, krimit të organizuar dhe politikës së korruptuar e plaçkitëse vendase.

Ndaj edhe politikanët i kemi si përfaqësues të të gjithë këtyre paguesve që kanë gjetur shqiptarë tu shiten e shërbejnë.

Në këtë vend po të jesh shqiptar, i shqiptarëve, për shqiptarët e shqiptarinë, je i vetmuar ose pakicë dërrmuese, je ufo, i çuditshëm, i pakuptimtë, i rrezikshëm dhe i rrezikuar.

Kjo është edhe arsyeja pse më lind furishëm pyetja:

A ka shqiptarë në këtë vend?

Apo jemi të majtë pastaj shqiptarë, të djathtë e pastaj shqiptarë, erdoganistë pastaj shqiptarë, katolikë pastaj shqiptarë, muslimanë pastaj shqiptarë, ortodoksë pastaj shqiptarë, etj, etj?

A ka shqiptarë në këtë vend që janë shqiptarë dhe vetëm shqiptarë, e pastaj njerëz që besojnë në Zot ose jo, që janë të një feje ose jo, që janë të një partie ose jo?

Të jesh shqiptar ka të bëjë me Krijimin.

Ne nuk e zgjedhim dot çfarë jemi, as ngjyrën, as etninë e as kombësinë tonë.

Zoti a Natyra na bën të tillë.

Ne mund të zgjedhim shtetësinë, fenë, besimin, partinë e pothuajse gjithçka ka të bëjë me të krijuarin.

Kush mohon apo dytëson atë çka është prej Krijimit tek ai/ajo, e bën këtë për arsye që edhe pse mund të jenë shumë të rëndësishme, mbeten banale gjithësesi.

Kur ne dytësojmë shqiptarin brenda nesh, atëherë gjithçka është e lejueshme.

Para së gjithash shitblerja.

Tek shqiptari brenda nesh nis edhe dinjiteti ynë si qytetarë

Jo sepse shqiptari është ndonjë epërsi a superioritet ndaj kombësive të tjera.

Jo aspak.

Falna Zot nëse do ta mendonim kështu.

Tek shqiptari brenda nesh nis dinjiteti ynë si qytetarë, thjesht dhe vetëm sepse duke parësuar shqiptarin ne nderojmë atë që Zoti a Natyra na ka caktuar të jemi që në lindje.

E kush ka dinjitet, nuk shitet e as blihet, e as shet a ble votën.

07:17 Opinione

Brezi i paturp

Sipas fjalorit shqip-shqip, turp do të thotë: “ndjenjë e for...

Lajmet e fundit nga