Aktualitet
Tarifat e shërbimeve dentare/ Deputeti i LSI kërkon ndjekje penale

Kreu i grupit parlamentar i LSI-së, Petrit Vasili ka reaguar ndaj publikimit të vendimit të Urdhrit të Stomatologëve.
Në një postim në rrjetet sociale, Vasili shkruan se ky vendim tregon se qeveria ka vdekur.
“Dyfishimi i çmimeve të stomatologjisë, një idiotësi dhe provë se qeveria ka vdekur.
Dyfishimi i çmimeve të shërbimeve të stomatologjisë është një idiotësi gjigande.”-shprehet ai.
Më tej, deputeti i LSI-së shton se ky vendim mund të shkojë edhe në konkretizim.
“Urdhëri i stomatologëve me këtë nivel çmendurie provinciale që tregoi, mirë që nuk ju tek të miratonte edhe taksat e tatimet e shtetit.
Urdhëri i stomatologëve nuk ka as larg e larg, bile asfare të bëjë me çmime e me tarifa dhe ligji e thotë shumë qartë këtë lexojeni vetë:
“Neni 4
Misioni
- Misioni i Urdhrit të Stomatologëve është ruajtja e standardeve të larta në formimin dhe
ushtrimin e profesioneve në fushën e stomatologjisë dhe mbrojtja e pacientëve dhe publikut
nga kequshtrimi i profesionit të stomatologut.
- Për të përmbushur misionin e tij, Urdhri i Stomatologëve ushtron këto kompetenca:
- a) jep dhe heq licencën individuale të ushtrimit të profesionit;
- b) vendos standarde etike dhe deontologjike, të detyrueshme për çdo stomatolog dhe
monitoron zbatimin e tyre gjatë ushtrimit të profesionit;
- c) rivlerëson periodikisht kompetencën dhe performancën profesionale të anëtarit të Urdhrit
të Stomatologëve përballë standardeve të vendosura;
ç) nxit arritjen e standardeve të larta në edukimin dhe formimin profesional dhe etik të
anëtarëve të Urdhrit;
- d) bashkëpunon me Qendrën Kombëtare të Edukimit në Vazhdim, institucione të tjera
shkencore dhe arsimore për të siguruar standarde të larta në Edukimin e Vazhdueshëm
Mjekësor, kualifikimet dhe specializimet pasuniversitare të Urdhrit;
- dh) krijon dhe mban Regjistrin Themeltar të Urdhrit, i cili është i ndarë në pjesë të veçanta
për stomatologët dhe ndihmësstomatologët dhe menaxhon sistemin e administrimit dhe
përditësimit të tij;
- e) mbron të drejtat e anëtarëve të Urdhrit, integritetin moral dhe profesional të tyre e të
profesionit të stomatologut.”-shkruan ai.
Sipas tij shteti duhet të kishte reaguar që në momentin kur ky vendim është marrë dhe jo pasi u bë publik.
“Shteti ka përfaqësuesit e vet tek Urdhëri i Stomatologeve, përfaqësues koti i bie në këtë rast.
Shteti duhet të reagonte e të fillonte ndjekjen penale për të gjithë të çmendurit, që e prodhuan këtë budallëk që atë ditë që e votuan.
Shteti reagon sot pasi rasti u bë publik në media. Me këtë reagim shteti u bë akoma me qesharak se ç’ishte.”-shprehet ai.
Deputeti i LSI-së thekson se në qeverisjen e Kryeministrit Edi Rama mund të ndodhë çdo gjë.
“Qeverisja e Edi Ramës është një haxhiqamilizëm i vërtetë.
Shkollëpakësia, injoranca dhe antiligji i idiotëve janë këto udhëheqin qeverisjen dhe që mundësojnë këto gomarllëqe.
Në qeverisjen e Edi Ramës mund të bësh çdo gjë kundër ligjit dhe asgjë në respekt të ligjit.
Ngaqë të gjithë e dinë që ky Edi Rama është elifmatrak nga shteti dhe ligjet, të gjithë bëjnë si të duan, se e dinë gjithashtu që ky vetëm llogje me twitter facebook e instagram di të bëjë.”-shkruan kreu i grupit parlamentar i LSI-së./CNA.al