LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nga protestat te qeveria kalimtare/ Astrit Patozi nxjerr “zbuluar” Lulzim Bashën

24 Janar 2019, 14:33, Aktualitet CNA
Nga protestat te qeveria kalimtare/ Astrit Patozi nxjerr “zbuluar”

Ish-nënkryetari i i Partisë Demokratike, Astrit Patozi ka komentuar vendimin e opozitës, për të dalë në protesta për të rrëzuar qeverinë ?Rama?.

Në një intervistë për Vizion Plus, Astrit Patozi është shprehur se protestat opozitare janë gjë e mirë, porn ë këtë rast ka dicka që nuk shkon.

Sipas Patozit, ?protesta ngjan më tepër si një ushtrim që opozita do të bëjë me militantët e vet, me strukturat e veta sesa një zgjim për popullin që është revoltuar me qeverinë.?.

Ndërsa në lidhje me vendimin për krijimin e një qeverie kalimtare, Astrit Patozi theksoi se ?kjo është një deja vu e dy viteve më parë dhe unë besoj që edhe ky është një faktor që opozita të paktën duhet të jetë më kreative, që të sajojë një gjë tjetër për të qenë më e besueshme.?.

Gjithashtu Patozi ka komentuar edhe zgjedhjet në PD, për të cilat tha se janë një ngjarje pa vlerë, zgjedhjet e fundit. ?Shpreh keqardhjen për këtë sepse nuk ishte kjo ajo që pritej nga Partia Demokratike dhe nga opozita në përgjithësi.?-tha ndër të tjera Astrit Patozi.

Intervista e plotë e Astrit Patozit:

-Opozita ka lajmëruar organizimin e një proteste të madhe, si e shihni dhe a mjaftojnë protestat për të rrëzuar qeverinë ?Rama??

-Si kundërshtar i qeverisë, çdo lajm për protestë më pëlqen. Por në këtë rast ka një gjë që nuk shkon, sepse opozita zyrtare ka lajmëruar një protestë gati një muaj përpara dhe duket sikur më shumë kohë të duhet të bësh një protestë se sa të shkosh në fushatë elektorale dhe kjo është një gjë që nuk tingëllon mirë. Unë nuk besoj se shqiptarët kanë nevojë të mendohen një muaj rresht për të ndarë mendjen që duhet ta mbështesin Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin apo jo.

Në këtë kuptim më ngjan më tepër si një ushtrim që opozita do të bëjë me militantët e vet, me strukturat e veta sesa një zgjim për popullin që është revoltuar me qeverinë.

Kini parasysh që protesta e studentëve u deshën vetëm disa orë që të shkrepi dhe të ndezi dhe të vazhdojë për një kohë shumë të gjatë. Nuk gjej arsye që të marrësh një muaj kohë për të bërë një proteste, e cila tek e fundit në rast se do të jetë vetëm protestë e strukturave të partive opozitare nuk do të sjellë ndonjë të re për Shqipërinë, për qeverinë jo e jo. Unë nuk besoj që vetëm me protesta një qeveri e caktuar mund të rrëzohet. Unë mendoj që protestat mund të dobësojnë, mund ta godasin qeverinë, por nuk janë gjëja e vetme. Në rast se do të gërshetohej me betejë institucionale, kryesisht në parlament, por jo vetëm në parlament, sigurisht që do të ishte komplementare. Se unë nuk besoj se opozita gjen më shumë arsye për të ruajtur mandatin e saj për të shkuar në parlament dhe nuk gjen asnjë arsye që të paktën të bëjë një betejë të paktën për kodin e ri zgjedhor, sepse nuk gjej që një opozitë që përgjërohet apo shtiret që përgjërohet për zgjedhje të lira e të ndershme, të mos bëjë as detyrimin më të vogël, të paktën të ndryshojë legjislacionin në fuqi.

-Ka një vendim të Këshillit Kombëtar  për krijimin e një qeverie kalimtare që të organizojë zgjedhje të lira e të ndershme, a ngjan kjo kërkesë me situatën e dy viteve më parë?

-Kjo është një deja vu e dy viteve më parë dhe unë besoj që edhe ky është një faktor që opozita të paktën duhet të jetë më kreative, që të sajojë një gjë tjetër për të qenë më e besueshme. Nuk mund të arrihet kurrë rrëzimi i një qeverie, në rast se nuk krijohet perceptimi popullor në Shqipëri që opozita është më lart moralisht se qeveria. Dhe unë nuk gjej shenja që kjo të ndodhë, përsa kohë që nga protesta e studentëve apo nga protestat e tjera janë refuzuar njëkohësisht si qeveria ashtu edhe opozita.

-Si iu dukën zgjedhjet në PD, është ky ekipi që do të sjellë PD në pushtet?

-Jo, unë mendoj që zgjedhjet në PD janë një ngjarje pa vlerë, zgjedhjet e fundit. Dhe shpreh keqardhjen për këtë sepse nuk ishte kjo ajo që pritej nga Partia Demokratike dhe nga opozita në përgjithësi. Unë jam befasuar nga guximi që kanë disa personazhe për ta trajtuar si një fenomen, si një ekip të ri; ndërkohë që ai është një produkt krejtësisht arkaik dhe i vjetër, tashmë i njohur prej 6 vitesh, nuk ka ndonjë risi aty. Por unë nuk dua të merrem shumë me emrat e personave sesa me procesin. Nuk ka pasur proces real dhe normal në Partinë Demokratike  dhe çdo produkt që nuk del nga një proces i tillë është i pavlefshëm. Që do të thotë kanë qenë zgjedhje në epruvetë në njëfarë mënyre, të bëra të gjitha në një zyrë, në një lokal apo shtëpi, ç?rëndësi ka; dhe aty nuk po kuptohet akoma që Partinë Demokratike mund të shëndoshë vetëm një proces normal zgjedhor. Sepse një njeri që pretendon të ndryshojë qytetin, nuk mund ta bëjë këtë pa ndryshuar shtëpinë e vet? do ta fillojë nga shtëpia e vet që të ndryshojë edhe qytetin.

-Zoti Patozi, për herë të parë pas viteve 90 kemi Kryeministrin që është edhe Ministër i jashtëm, a është krizë mes dy institucioneve presidence-kryeministri, apo krizë e qeverisë?

-Eshtë një fenomen i shëmtuar që nuk duhet të kishte ndodhur. Të paktën këto dy personalitetet më të rëndësishme të vendit duhet t?ia kursenin këtë Shqipërisë dhe publikut shqiptar që ka problem shumë më të rënda se sa një përleshje gjelash Kryeministër-President. Mendoj që të dy nga mënyra se si u zgjidh kanë arritur një fitore të Pirros; sepse njëri pretendon që i ka thyer hundët Kryeministrit kurse Kryeministri që e ka nxjerrë në kokë të vet sepse ka bërë sërish ministër atë që donte. Dhe është një gjë e shëmtuar që besoj do të zgjidhet një ditë nga gjykata kushtetuese kur ajo të konstituohet. Eshtë një precedent që turpëron jo vetëm njerëzit që merren me politikë, por besoj çdo qytetar. Eshtë një betejë e dukshme, evidente për territor që bëjnë dy rivalë politikë por që nuk kanë pse përfshijnë këtu edhe elementë të tjerë që kanë të bëjnë me politikën rajonale apo me çështjen e kufijve të Kosovës e kështu me radhë. Pra është një gjë për t?u harruar dhe unë them që ky precedent duhet të ndërpritet menjëherë, besoj nga Gjykata Kushtetuese, sepse në rast se kjo histori do të vazhdojë, atëhere liderët politikë do të kenë frikë edhe kur fitojnë zgjedhjet se nuk dihet çfarë ndodh a mund të bëhesh Kryeministër apo mund të mos bëhesh apo mund të kesh qeverinë që do apo jo./ CNA.al

Lajmet e fundit nga