Connect with Us

Nga Arian Galdini/ Djepi ose Vorri?

Opinione

Nga Arian Galdini/ Djepi ose Vorri?

Publikuar

-

Ka disa vargje Migjeni që mua më mundojnë pafund.

Ai pyet veten e tij:

Unë Djepi i poezive të mia, apo Vorri i tyne…?

Që ditë kur unë guxova të bëj publike fjalët e mia, veprimet e mia, vizionin tim, veten time, ëndrën time për këtë vend, kuptova se kishte dy mundësi: Ose unë do të isha përfitues prej tyre, ose unë do të isha misionar për to.

Rruga e përfituesit është kaq e lehtë, kaq e thjeshtë, kaq e rëndomtë e madje është shndërruar në të vetmen rrugë e të vetmen kulturë që ne njohim në 106 vjet shtet shqiptar.

Shpirti i përfitimit, i ka bërë shpirtrat tanë aq të kalbëzyer sa ne nuk njohim asnjë gjuhë tjetër përveçse atë intetesit të ngushtë e meskin.

Çfarë fiton ti, po ta bësh këtë, e çfarë fitoj unë, po ta bëj atë?  Këto dy pyetje janë lajtmotivi i çdo bisede, i çdo marrëveshjeje, i çdo pakti.

E mbi këtë paradigmë të fëlligësht gjykohet e paragjykohet, dyshohet e mosbesohet kushdo tjetër, cilido që guxon të bëhet sadopak nismëtar publik i çfarëdo lloj aktivizmi.

Edhe ti e bën këtë gjë se do të kapësh ndonjë gjë.

Edhe ai po bën këtë apo atë gjë, se do me kap ndonjë llokmë.

U bëre me këtë apo me atë, se mezi pret edhe ti ndonjë thërrime…

E kështu me rradhë…

Kjo është pak a shumë Toga e Pushkatimit Psikosocial e kujtdo dhe e çfarëdolloj nisme a nismëtari që hyn në arealin publik shqiptar.

Asnjë, asnjë, absolutisht asnjë, nuk i shpëton dot këtij pushkatimi paraprak pa gjyq nga  Antikultura Domuniese e Skualifikimit.

Dekurajimi dhe Skualifikimi janë plumbat e parë që vij ë breshëri mbi këdo.

Po mbete gjallë, vijnë pastaj Përbaltja, Shpërfillja, Sharjet, Fyerjet, Lëndimi, e pafund të tilla ligësi.

Derisa ose të lodhesh e vdesësh si qen i vetmuar nga e gjithë kjo Industri Llumi e Mohimi, ose ta pranosh baltën si fakt e të dorëzohesh duke u bërë njësh me të.

Po ngrite duart lart dhe po vendose ta lëshosh veten e të bësh kompromis duke u bërë baltë si balta, nuk ka dyshim se do të kesh pranueshmëri të plotë nga të gjithë.

Do të të duan gjysma, e do të të urrejnë gjysma tjetër, ama gjithësesi do jesh pjesë e njërës prej Bandave të Industrisë së Llumit dhe Mohimit, e kjo të garanton sukses, bukë, status social, karrierë, e gjithçka ke nevojë ti individualisht.

Po “vdiqe vetëm si qen”, nuk do meret më kush me ty.

Do ngelesh diku në ndonjë skutë i strukur si kërmill që ecën duke lëpirë me shpresën se askush nuk do ta vërë re ekzistencën e tij të kotë.

Gjithë çështja qëndron tek “mosvdekja” dhe “mosdorëzimi”.

Ky lloj njeriu që as vdes e as dorëzohet e madje as traumatizohet nga Bataretë Asgjesuese të Industrisë së Llumit dhe Mohimit, ky lloj njeriu është armiku i të gjithëve.

Këtë lloj njeriu nuk e duan as të mirët si ai, e as të ligjtë.

Të mirët nuk e kuptojnë ose e gjykojnë sipas Antikulturës së Dekurajimit dhe Skualifikimit.

Të ligjtë, duan me çdo kush o ta vrasin o ta zhbëjnë.

Kur ky njeriu nuk di të vdesë, të gjithë shtojnë me këmbëngulje gjëmimet e artilerisë së rëndë për ta shfarrosur krejt si qenie sociale.

Ja këtu jam unë.

Në 28 vite jam qenë aq pranë, aq brenda lojës, aktivizmave, bashkëpunimeve politike, civile e ndërkombëtare, saqë po të kisha vdekur do isha kallur, po të isha “dorëzuar e tjetërsuar” do të isha bërë i pasur e plot fuqi e pushtete, karrierë e sukses.

Vetë jeta ime është dëshmi e rezistencës sime.

Kam qenë 18 – 19 vjet në PD, prej 1991 deri në vitin 2009.

4 vjet, prej 1991 deri 1994, kam qenë Kryetar i Forumit Rinor të PD në Vlorë.

Në vitin 1997, kam qenë kandidat për deputet i Koalicionit të drejtuar prej PD, të quajtur Bashkimi për Demokraci, në qytetin e Vlorës.

Në vitin 1998, kam drejtuar lëvizjen studentore të dhjetorit 1998.

Prej 1997 deri në vitin 2005, kam qenë një nga të rinjtë më të spikatur e më publikë të opozitarizmit qëndrestar të PD ndaj Qeverisjes së Majtë.

Me Sali Berishën e gjithë drejtuesit e PD kam pasur miqësi e lidhje direkte.

Po të doja të isha përfitues, i dorëzuar apo i tjetërsuar, i kam pasur të gjitha, të gjitha mundësitë që të bëja kompromis me parimet, vlerat, integritetin tim, e të arrija pothuajse gjithçka.

Por nuk kam dashur unë.

Ata nuk më kanë dashur mua sepse unë nuk doja kompromisin, tjetërsimin, dorëzimin.

Kaq e thjeshtë është.

8 vjet PD në pushtet (2005  –  2013), e unë përsëri mbeta një zë i lirë larg çdo pushteti.

A mund të bëja kompromis?

Sa të doja e si të doja e me kë të doja.

Që nga Sali Berisha e deri tek Lulzim Basha, i kisha miq dhe i takoja sa herë të doja.

E megjitjatë, kurrë, kurrë nuk u tjetërsova e kurrë nuk bëra asnjë kompromis si përfitues.

A kam bashkëpunuar me ta?

Po. Plot herë.

A kam përfituar gjësend prej tyre.

Zero.

A kam pasur mundësi të jem përfitues?

Pafund.

Nuk kam dashur.

Liria ime, integriteti im, parimet e mia, kanë qenë gjithmonë të shenjta për mua dhe “guri i kufinit” për çdo ujdi e bashkëpunim.

Nuk ka aktor e faktor politik, nga më të lartët e deri më të poshtmit, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, që unë nuk e njoh petsonalisht.

Pjesën më të madhe prej tyre i kam miq dhe komunikoj e takohem me ta rregullisht.

A kam mundësi të jem përfitues unë, prej këtyre njohjeve e miqësive të drejtpërdrejta politike?

Sa të më dojë kokrra e qejfit.

LEXO EDHE:  Fjala e parë si President/ Meta: Berisha është dobësia ime!

A kam përfituar qoftë edhe njëherë të vetme prej tyre?

Kurrë. As edhe një herë të vetme.

A jam idiot?

Ndoshta.

Mbetet ende për tu parë.

Mund edhe të jem idiot.

Unë preferoj të besoj se jam ” i pavrarë” dhe “i padorëzuar”.

A e kam vuajtur dhe a e vuaj unë këtë gjendje gati gati skizofrenike “pranë pushteteve” i paarrirë?

Sinqerisht po.

Shumë.

Gjithësesi, përderisa jam ende gjallë e në luftë, e kam ndarë mendje  të vazhdoj përpara derisa të fitoj ose të vdes.

Kur them derisa të vdes, nuk e kam fjalën për “vrasjen psikosociale” që ta shkakton përdhuna e Industrisë së Llumit dhe Mohimit.

Jo jo. E kam fjalën për vdekjen prej vërteti, atë fiziken, kur jep frymën e fundit e mbyll shtegëtimin në këtë botë.

Pra ose vdes, ose fitoj.

Në këtë gjendje e vendim jam unë.

Të gjitha këto më sipër i sqarova që të mos kemi dyzime më në vijimësi dhe të rikthehemi tek Migjeni dhe vargjet e tij.

Beteja ime ka një instrument tashmë.

Ky instrument është LDE – Partia për Liri, Demokraci dhe Etikë.

Kjo parti ka lindur si pjesë dhe natyrshmëri e “poezive” që unë kam brenda meje.

Çfarë janë këto “poezi” brenda meje?

Janë vizioni im, ëndrra ime, idetë e mia, dijet e dijenitë që unë bart, vetë qenia ime me talentet dhe gatishmërinë time në shërbim të kombit dhe të mirës e vlerës publike në Shqipëri e për shqiptari.

Kurrë si kam “tregëtuar” poezitë e mia për përfitime.

Përkundërazi, kam sakrifikuar veten time, jetën time, familjen time, punën time, profesionin tim,  e shumëçka timen, për hir të “poezive” të mia.

Të tillë e shoh edhe LDE, si një “poezi” të bërë publike, por jo si krejt “poezitë”.

LDE është si “poezia” pararendëse.

Ndaj edhe luftoj me mish e me shpirt që LDE të rezistojë, ngrihet në këmbë, rritet dhe marë fuqi.

Kur e krijuam LDE në vitin 2010, nuk ia dolëm dot që ta nxirrnim në jetë.

E lamë në djep aty të pazë.

Ishte tetori i 2015, koha kur ne ndjemë thirrjen se LDE duhej të dilte nga djepi e të përpiqej të merte këmbët dhe të ecte si qengji mes ujqërve.

U deshën pak muaj jetë që ne të kuptonim se qengji do përfundonte në therrtore nëse ne nuk do ta mbronim duke e veshur si ujk e duke e futur në Shtëpinë e Ujqërve.

Vendosëm të bënim Koalicion me PD.

Në dt 1 qershor 2016, unë dhe Lulzim Basha, dolëm në një Konferencë të përbashkët për Shtyp ku edhe shpallëm Koalicionin PD – LDE.

Prej asaj dite, detyra jonë ka qenë që të jemi luajalë me Koalicionin dhe të vërtetë me parimet e vlerat tona e domosdoshmërisht me interesat publike dhe kombëtare.

Luajaliteti është detyrim për një politikan dhe parti të vlerave.

Thënia dhe kërkimi të vërtetave është natyra dhe identiteti ynë.

Që prej 1 qershorit 2016 e deri sot, nuk di një rast kur unë apo LDE, të mos i kemi qëndruar luajalë PD dhe Koalicionit Opozitar.

Sikurse, nuk di asnjë rast kur unë dhe LDE të mos kemi qenë të vërtetë dhe vërtetësifolës për çdo gjë që i përket vlerave dhe parimeve tona e interesit publik dhe kombëtar.

Janë me qindra artikujt, intervistat, shkrimet e mia ku nuk e kam kursyer luajalitetin ndaj PD dhe Koalicionit, e po ashtu nuk e kam kursyer kriticizmin parimor dhe shpalosjen e vizionit e bindjeve të mia edhe në mosdakordësi apo kundërshti të plotë me qëndrimet dhe zhivillimet në PD.

Po ta gjeni dikë tjetër apo një parti tjetër që ka thënë ato çka kam thënë unë publikisht si Kryetar i LDE mbi PD dhe Opozitën, do të isha shumë i lumtur.

Por nuk ka.

Ne nuk e kemi mbyllur gojën kurrë.

Kemi folur çka kemi menduar e besuar si vlerë dhe interes publik e kombëtar.

Nga ana tjetër kemi ditur të jemi luajalë me PD.

Tani, LDE duhet të vendosë nëse do të vijojë të jetë në Koalicionin me PD apo do ta vazhdojë udhëtimin e saj politik më vete.

Kjo nevojë për këtë lloj vendim-marrjeje, nuk do të kishte ardhur nëse PD nuk do të kishte qenë kaq joluajale me ne.

Është PD që e ka reduktuar Koalicionin Opozitar vetëm mes Partive Parlamentare.

Partitë Joparlamentare janë lënë mënjanë si teprica pa vlerë.

PD nuk e ndryshoi Kodin Elektoral dhe nuk dha asnjë alternativë të bashkëpunimit apo fuzionimit politik me Partitë e Koalicionit Opozitar, sidomos ato Joparlamentare.

PD ka vendosur që në dt 16 shkurt të nisë protestat opozitare.

Me pak fjalë, diktatura e faktit të kryer, ose do të na tërheqë të gjithëve sërish në Çadrën e PD, me hir a pahir, ose ne do të ndalemi këtu e do të shkëputemi nga Koalicioni Opozitar, për të nisur një udhë tjetër politike.

Momenti dhe konteksti janë tejet delikate dhe aspak të lehta.

Shqetësimi im është që LDE të mos asimilohet e tërhiqet zvarrë nga diktatura e faktit të kryer, e as të mos dalë në pritën dhe kurthin e ujqërve si qengj i vetmuar.

Me LDE kemi poezi për të lindur.

Qëllimi im është që LDE të jetë Djepi i poezive tona, e jo vorri i tyne.

Për tu bërë Djep, na duhet të marim vendime të guximshme dhe rreptësisht të mençura.

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Opinione

Nga Spartak Ngjela/ Historia e pritshme e Shqipërisë po vjen në gjendjen e saj reale

Publikuar

-

Nga

Nga Spartak Ngjela/ Historia e pritshme e Shqipërisë po vjen në gjendjen e saj reale

Historia e pritshme e Shqipërisë po vjen në gjendjen e saj reale, ashtu si e kanë pritur të gjithë shqiptarët e mëdhenj: në bashkimin kombëtar. Historia e vërtetë e Arbërisë po shprehet me prova historike, të fshehura deri tani nga hordhitë antishqiptare, por, ajo po shndrit e faktuar edhe nga madhështia e fjalës dhe gjuhës shqipe.

l.

Historia ka një ligj absolut për pupujt që i kanë mbijetuar shfarosjes së tyre nga hordhitë pushtuese: mbas mbijetësës, këta popuj fillojnë dhe marrin jetë si një shoqëri e plotë, jetë kjo e cila iu ka pas qenë ndërprerë me dhunë. Kjo po ndodh edhe me shqiptarët: pasi që, në shekuj me radhë, ata u sulmuan për t’u shfarosur. Vetëm në vitin 1912-1913 i lanë shqiptarët të krijonin një shtet, sepse vetë Perandoria Osmane nuk e pranonte kurrë krijimin e një shteti shqiptar dhe të lejonte shkolla në gjuhën shqipe. Historia do të merret shumë me këtë fakt, sepse ky mban brenda vetes emëruesin e përbashkët midis serbëve, rusëve dhe osmanëve kundër shqiptarëve dhe shqiptarizmit.

Sheti i krijuar më 1912-1913 është ende shteti i sotëm i Shqipërisë, por ai u formua vetëm me 1/5 e territorit të vërtetë shqiptar, të banuar nga shqiptarë si shumicë absolute; ku kudo flitej vetëm shqip: nga Korça në Kostur e Follorinë; dhe nga Follorina  në Artë; nga Arta e deri në Prevezë; nga Kuksi, Prizreni, Podujeva, Mitrovica e deri në Nish; dhe, nga Shkodra në Ulqin e nga Ulqini në Tvar; e më lart, nga  Barjam Curri në Guci, Tuz e Plavë. Ja, kjo duhej të ishte Shqipëria e vitit 1912, me të gjithë këtë territor të gjerë, ku kudo flitej dhe flitet shqip; madje në këto vise mbijetesa e shqiptrarëve deri në vitin 1912, ka ardhur nga një frymë e madhe rezistente që shqiptarët kanë pasur si popull, por edhe nga thellësia mijëravjeçare e gjuhës shqipe.

Shkenca e ka prekur ndërkaq, por do ta provojë, se geni shqiptar dhe gjuha shqipe kanë të njejtën forcë në mbijetesën e tyrë shekullore, ku kanë dashur t’i zhdukin si shoqëri që flet shqip. Por është një fakt i rrallë historik shpëtimi tragjik që shqiptarët i kanë bërë me sakrificë gjuhës së tyre, i cili kërkon studim të thelluar shkencor, se është vlerë edhe për historinë e gjuhësisë në rrafsh botëror.

Historia e gjuhës shqipe sot e ka të dokumentuar si fakt që ajo është luftuar nga pushtursit në shekuj me çdo mjet të egër. Por, do ta shihni që pikërisht me anë të studimit të thelluar të gjuhës shqipe, do të rishkruhet historia reale e Gadishullit Ilirik. Në funksion të kesaj trage historike që po ecën, do të marrë një trajtë të re studimi i Iliadës dhe Odisësë së Homerit, kur përditë po provohet se janë poema të mbushura cit me fjalë shqipe, dhe me trajtat e vjetra të gegnishtes. Ishte i pari, përkthyesi i madh shqiptar i Iliadës, Gjon Shllaku, i cili, që në mes të viteve gjashtedhjetë të shekullit që kaloi, deklaroi: “E përktheva Iliadën nga shqipja në shqip”, duke shtuar se “Ilida asht e tana n’gegnisht, dhe ata që e kanë shkru s’jan’ veçse malcorë shqiptarë”. Dhe tani koha i dha të drejtë, sepse për poemat e mëdha të alpeve shqiptare që janë quajtur Cikli i Kreshnikëve, si Eposi Legjendar e Shqipërisë së Veriut, e gjithë kritika evropiane ka thënë se ato janë me origjinë ilire, dhe me përleshjet e shqiptarëve kundër dyndjeve sllave në shekujt e VII të, por janë edhe origjinal krejt brenda vargut homerik dhe ndërtimit të ndërthuerjes së ngjarjeve me të njëtën formë poetike dhe me të njejtin karakter heroik. Janë të gjitha të mbledhura, prej gojës së rapsodëve e medhenj shqiptarë, nga Shjefën Gjeçovi dhe Bernardin Palaj e Donat Kurti. Është edhe kjo një nga arsyet që kleriku i famshëm katolik shqiptar Bernardin Palaj u burgos nga Enver Hoxha në vitin 1946 me urdhër të Beogradit, dhe ku vdiq një vit më vonë.

ll.

Po kjo koha jonë, çfarë po sjell në lidhje me këtë histori me vlerë kaq të madhe jo vetëm për historinë e Shqipërisë, por edhe për qytetërimin perëndimor?

Shqiptarët tani kanë që nga viti 1999 që po ecin drejt historisë së tyre ribërësë; dhe sot, në Ballkanin Perëndimor janë jo një, por dy shtete shqiptare. Kjo tregon qartë se historia e Shqipërisë po ecën drejt të vërtetës dhe drejt bashkimit kombëtar shqiptar, si një realitet që nuk mund të mohohet dot; ajo flitet kudo, dhe më shumë po e ndjenjë qarqet ulra terroriste dhe reksionare antishqiptare që, në 150 vjet, janë marrë me zhdukjen e shqiptarëve – në Beograd, në Athinë dhe në Moskë. Asgjë nuk arritën dot, dhe koha shpiptarëve po iu jep të drejtën e rivendosjes së potencës së tyre historike në zonën gjeografike ku ka lindur qytetërimii sotëm.

Gjithsesi, na duhet të theksojmë se, në këtë kohë kur në Gadishullin Ballkanik janë dy shtete  shqiptarë të pavarur, dhe kur po flitet gjithënjë e më shumë për bashkimin kombëtar, në krijimin e një shtetit përbashkërt Shqipëri-Kosovë, bota akademike në Kosovë e në Shqipëri duhet të investojë kudo për të sjellë rishkrimin e kësaj historie të re të Arbërisë. Nuk mjaftojnë vetëm studiuesit shqiptarë, por duhet që të dy shtetet t’u drejtohen katedrave të famshme të universiteteve të mëdhenj, në Amerikë dhe në Evropë. Dhe duhet kuptuar se ky është një investim i madh, por që duhet të ndërmerret  bashkërisht nga të dy shtetet shqiptarë, sepse është fakt që sot po flitet ndërkombëtarisht për bashkimin kombëtar shqiptar, në të gjitha qarqet e larta, qoftë në ato politike, e qofte në rrethet e larta akademike.

LEXO EDHE:  Faktet/ Ku ka koncensione dhe korrupsion të Ramës është edhe Lulzim Basha

LEXO EDHE:  Video-Prodhimi i mallit është i mbarë/ Plas droga në Shkodër

E gjithë bota shqiptare në Ballkanin Perëndimor po e pret një lëvizje të tillë për rishkrimin e hisorisë së Shqipërisë, si një lëvizje shkencore e përbashkët e botës akademike shqiptare dhe e vetë nivelit të lartë intelektual në Shqipëri, në Kosovë, në Mal të Zi, në Mqedoninë e Veriut, dhe mdje edhe në Serbi. Këtë ndërthurje të një intelektualizmi të lartë shqiptar, sot po e këkon koha si domosdoshmëri. Dhe, mbas kësaj duhet riparë e rishkruar nga e para historia  Shqipërise, për t’u servirur në të gjithë shkollat shqipe në Shqipëri, Kosovë Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi; dhe duhen shfaqur pandërpere programe televizive me këtë përmbajtje shkencore të së vërtetës.

lll.

Historia është kohë. Çdo popull dhe çdo shtet gjithmonë duhet të bëjë pyetjen: jam apo nuk jam në kohën timë. Kjo do të thotë se, nëse kohën historike e ke kundër, kurrë nuk mund të realizosh dot gjë. Arbëria dhe, Shqipëria pas saj, në shekuj e kanë pasur kohën kundër. Dhe është e vetmja shoqëri që me rreth 800 vjet kohë historike kundër saj, mundi të mbijetojë e të vijë në këtë kohë e fortë për të sjellë në histori, realisht, të gjithë staturën e historisë së vet mijëravjeçare.

Ajo kohë aq e gjatë antihistorike për shqiptarët, ka qenë kohë e pushtuar me forcë, në një krah, por edhe që ka qenë njëherësh heroikë prijësish e malësorësh shqiptarë. Ka qenë gjithashtu edhe paaftësi arbërore e shqiptare në lidhje më krerët drejtues të tyre, që shpesh janë tërhequr nga pushtuesit, ose, edhe janë tërhequr nga pesimizmi. Por, periudha kastriotiane e luftrave të Gjergj Kastrioitit kundër hordhivë osmane, e solli sërish në kohë historinë e arbërit, dhe i dha jetë morale shqiptarëve për  t’u rezistuar edhe 500 vjetëve të tjerë të shtypjes osmane, shtypje kjo që u ushtrua me të gjitha mjetet, madje edhe me bashkëpunim princash të famshëm shqiptarë, të lidhur me Perandorinë Osmane. Por, në atë histori, ishin të shumtë edhe princat shqiptarë të islamizuar si pashallarë, e bashke me ta gjenaralë e komandantë të shumtë ushtarakë shqiptarë në Anadoll, të cilët ecën nën moton: të shpetojmë çfarë të shpëtojmë nga Arbëria jonë; dhe hynë thellë në atë perandori si drejtues të fuqishëm. Ishin pikërisht këta që e shtynë perandotinë gjerësisht drejt Lindjes; ishin ata që folën gjithmonë shqip, dhe që sollën ar në Arbërinë e tyre dhe e ndihmuan atë në zhvillimin e brendshëm shoqëror. Të gjitha dokumentat për prijësit e famshëm shqiptarë të Perandorisë Osmane, janë hedhur në arkivat e hapura turke sot.

Por ishte epopeja e madhe e luftërave kastriotiane, evokimi i së cilës solli në Shqipëri Rilindjen Kombëtare, dhe gjatë kësaj periudhe, me gjuhën shqipte të lëvruar tani, shpërthyen poemat e mëdha të patriotizmit historik shqiptar, që nga Pashko Vasa (guvernator i Libanit) me ‘O moj Shqypni e mjera Shqypni’’; pastaj nga Naim Frashëri e Sami Frashëri e deri në kohët modernë të fillimit të Shekullit te XX-të, me shpërithimet e poetit kombëtar Gjegj Fishta në veprën e tij homerike Lahuta e Malcis, por dhe me vargjet e tij të famshme për ngritjen lart të historisë së Shqipërisë; tek Asdreni që shkroi Hymnin Kombëtar, Andon Zako Çajupi e dhjetra të tjerëve, dhe kur çështjes shqiptare i erdhi më në fund në ndihme perandoria më e fuqishme e Evopës – Austro-Hungaria. Pikërisht këtu, duke filluar nga viti 1912, edhe pse me 1/5 e trerritorit të vet, shqiptarët mundën t’ia dilnin për të pasur shtetin e tyre, të ristrukturonin shkencërisht gjuhën shqipe ne të dy dialektet e saj; të shkruanin gjerësisht historinë e vjeter dhe të re të Shqipërisë; të hapnin shkolla në Kosovë e në trevat e tjera të pushtuara nga serbët; dhe të gjendeshin befas, në vitin 1919, përballë mbrojtësit të ri të tyre – Sheteve të Bashkuara të Amerikës.

Ja, e gjithë kjo është realisht koha e re progresive që e ruajti pupullin shqiptar, dhe që, edhe pse mes diktaturave komuniste në Shqipëri e në Kosovë, ajo e solli atë deri në kohën e hegjemonisë së demokracisë perëndimore, për të rivlerësuar historinë e vet dhe për të fituar me mund, me sakrificë të epërme dhe me ndihme të Sheteve të Bashkuara e të Bashkimit Evropian, te drjten për të pasur dy shtete shqiptare në Gadishullin Ilirik. Kjo është risia shqiptare në shekullin e ri, për të krijuar njëherësh hullinë historike që shprehëm më lart, që në krye të këtij shkrimi: bashkimin kombëtar, si hapi i saj drejt një Shqipërie me vlera të reja moderne dhe me përsonalitet të veçantë në arenën ndërkombëtare. Dhe kjo do të vijë, sepse tendencat historike drejt të vërtetës nuk gjejnë më pengesë, mbasi ato e kanë marrë me vete historinë e re të një populli.

 

LEXO TE PLOTE

Opinione

Tej e këndej/ Patronazhistët në garë

Publikuar

-

Nga

Tej e këndej/ Patronazhistët në garë

Nga: Kastriot Frashëri

Kishim dëgjuar për këta patronazhistët e partisë që po kujdesen këto ditë për gjithshka për të gjithë kategoritë e votuesve dhe ja ku na doli sot edhe Ben Blushi si patronazhisti më i madh në këtë binanë tonë. Pse themi më i madh? Sepse i është qepur prej muajsh një prej prokurorëve më të njohur dhe më të këndshëm të Prokurorisë së Tiranës, zotit Ervin Karanxha!

Jo vetëm për ne që e njohim nga afër Karanxhën, por edhe një teleshikues i largët që ndjek Topin e Blushit e kupton lehtësisht Beni ynë e ka marë në patronazh për ta krasitur në sytë e opinionit publik si prokuror i Republikës, a thua se Ervini qenka problemi i drejtësisë shqiptare që do të tërhiqte qjithë bateritë e topave të Drejtorit të Përgjithshëm të Channel Top?!

Ne jemi të bindur se zoti Karaxha si një prokuror me karrjerë të gjatë di të mbrohet vetë dhe nuk ka nevojë për avokatinë e askujt, por si ndjekës të vëmendshëm të problemeve me të cilat përballet shoqëria shqiptare nuk mund të mos heshtim dhe të mos vëmë në pah faktin që prokurori Ervin Karanxha ka sot pas patronazhistin më të famshëm dhe më të pushtetshëm të Shqipërisë që ndryshe nga lloji i këtyre partiakëve që minimumi mund të dërgojnë tek qendra e votimit dhe maksimumi mund të sigurojnë një muaj ushqime, një vend pune apo të zgjidhin një hall me pushtetin, ky të gjuan pabesisht me gjylet e rënda të topit që ka marë nën administrim.

LEXO EDHE:  Ilir Kulla, Bashes: Tregohu qytetar, prano humbjen, nuk je as i pari as i fundit

LEXO EDHE:  Fjala e parë si President/ Meta: Berisha është dobësia ime!

Reforma në drejtësi ka prodhuar institucionet e reja për të administruar institucionet e saj dhe mbrojtur integritetin e gjyqtarëve dhe prokurorëve si pjesë themelore e besimit të publikut tek drejtësia ndaj është rasti të tregohet nëse këto institucione dhe ata që i drejtojnë janë në krye të misionit të tyre apo dridhen nën tavolinat e zyrave të tyre lluksoze sa herë dëgjojnë gjylet që vijnë herë pas here nga topi i Blushit.

Përtej çdo avokimi nga ana ime që nuk ka kurfarë lidhje apo interesi në këtë histori përveçse shqetësimit mbi lançimin publik të një prokurori korrekt shpreh shqetësimin tim edhe për indiferencën e pajustifikuar dhe anashkalimin qoftë të ILD, KLGJ dhe KLP ndaj problemeve që parashtrohen qoftē nga publiku, qoftë nga avokatët nē lidhje me problemet që ndeshim çdo ditë nē gjykata dhe prokurori. Kusht duhet ta reformojë drejtësinë kur nuk reagojnë këta që paguhen nga taksat tona apo do të sjellim ndonjë trupë tjetër nga Marsi?/CNA.al

LEXO TE PLOTE

Opinione

Aurela Basha ka të drejtë që refuzon pasaportën dhe shtetsinë shqiptare!

Publikuar

-

Nga

Nga Kreshnik Spahiu
Hollanda ashtu si Gjermania, nuk lejon të drejtën e mbajtjes së dy shtetësive.
Me pak fjalë, një shqiptar që kërkon të jetë Hollandez, duhet ligjërisht të heq dorë nga pasaporta kuqezi, si dhe nga shtetsia shqiptare.

Shumë shqiptar që jetojnë prej vitesh në Hollandë e kanë bërë këtë zgjedhje sepse kërkojnë që në karrierë apo biznes të trajtohen të barabartë me shtetasit hollandez.
Të gjithë ne, i mirkuptojmë emigrantët shqiptar që në kërkim të një pune apo jete më të mirë heqin dorë nga pasaporta shqiptare pasi i kanë humbur shpresat në Shqipëri, pasi atdheu dhe shteti i tyre nuk i ka vlersuar, madje u ka mbyllur derën.

Por lind pyetja pse Aurela Basha, që prej 20 vitesh ka braktisur Hollandë dhe jeton në Shqipëri, nuk e lë pasaportën Hollandeze dhe të ri-marr shtetësinë shqiptare?
Aurela nuk është hollandeze por as norvegjeze autoktone si gruaja e Albin Kurtit e cila me të drejtë, ruan origjinën e kombit të saj skandinav. Aurela është nga Tepelena 100% dhe ska aspak gjak hollandez.

Gjithesi Aurela Basha ka disa arsye legjitime që refuzon të marr pasaportë shqiptare sepse:
– ajo nuk ka besuar kurrë që Shqipëria bëhet dhe që mund të ndryshoj,
– ajo s’ka besuar kurrë që bashkshorti i saj, do realizoj premtimet që jep në publik,
– sepse ajo s’ka ndërmend të votoj për Partinë e Sali Berishës, sepse ajo e di çfarë po heq burri i saj nga presioni doktorit.
– ajo s’ka fare besim, që ajo do jetë një ditë First Lady e shqiptarve prandaj nuk i duhet shtetsia shqiptare.
– ajo nuk beson se burri i saj do bëhet kryeministër i shqiptarve.
– ajo e mban ende një shteg të hapur për tu rikthyer dikur në Hollandë me fëmijët e saj, kur burri të jap dorëheqje nga privilegjet e politikës.

Të gjitha këto po i them me etikë dhe transparencë sepse e njoh Aurelën nga afër personalisht, dhe ndryshe nga bashkëshorti i saj, unë e vlersoj sepse ajo ka më shumë karakter dhe më shumë besë se ai. Padyshim, që ajo gëzon respekt më të madh se i shoqi.

LEXO EDHE:  Video-Prodhimi i mallit është i mbarë/ Plas droga në Shkodër

LEXO EDHE:  Nga Mitro Çela/ Busti i Enverit rrugëve të Tiranës

Mirkuptojeni Aurelën pse nuk merr shtetësinë shqiptare sepse ajo e di më mirë se ju, çfarë do ndodh në Shqipëri.

Unë i jap shumë të drejtë Aurelës që e quan veten hollandeze dhe refuzon pasaportën shqiptare, sepse edhe unë ashtu do të veproj, ditën kur të bindem se Shqipëria nuk bëhet.

Gjithsesi, uroj që ajo ditë për mua, mos ardhtë kurrë. Larg qoftë o Zot…..
Gjithsesi, populli thotë: “kurrë mos thuaj kurrë”
Kur refuzon shtetsin shqiptare ajo që pretendon me qen zonjë e parë e vendit, pse jo ne qytetarët e thjeshtë….

LEXO TE PLOTE