LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Zbuloni ç’duhet të dini për kancerin e qafës së mitrës

22 Janar 2019, 15:10, Lifestyle CNA
Zbuloni ç’duhet të dini për kancerin e qafës së

Java e fundit e janarit njihet si Java e Parandalimit të Kancerit të Qafës së Mitrës dhe është një fushatë sensibilizuese që ka për qëllim të rrisë informormimin dhe ndërgjegjësimin për të parandaluar ose kapur në kohë kancerin e qafës së mitrës.

Informacion i përgjithshëm

Kanceri i qafës së mitrës është kanceri i dytë më i zakonshëm te gratë, veçanërisht në vendet në zhvillim,  një sëmundje tërësisht e parandalueshme e megjithatë, mbetet shkak i rëndësishëm i vdekjes nga kanceri te gratë në mbarë botën.

 

Në Shqipëri raportohet rreth 100 raste të reja çdo vit nga Shërbimi i Onkologjisë në Spitalin Universitar ?Nënë Tereza?. Më tepër se gjysma e rasteve diagnostikohen në stade të avancuara, kur trajtimi është shumë pak efektiv dhe shumë i shtrenjtë.

Nga se shkaktohet?

Shkaktari kryesor i gjendjes parakanceroze dhe kancerit të qafës së mitrës është infeksioni i vazhdueshëm ose kronik me një ose më shumë lloje të virusit të papilomës humane HPV (Human Papiloma Virus).

HPV-ja është infeksioni më i zakonshëm viral i traktit riprodhues që transmetohet seksualisht, por seksi penetrues nuk është gjithmonë i nevojshëm për transmetim. Kontakti gjenital lëkurë me lëkurë është një mënyrë e mirënjohur transmetimi.

Shumica e grave dhe burrave seksualisht aktiv do të jenë të infektuar në një pikë gjatë jetës së tyre me HPV, disa edhe në mënyrë të përsëritur. HPV-ja mund edhe të mbetet e fshehur me vite pa dhënë asnjë shenjë sëmundjeje, por personat që e mbartin mbeten infektues për partnerët e tyre seksual. Ka shumë lloje të HPV-së, por jo të gjitha shkaktojnë probleme. Te shumica e grave dhe burrave që infektohen me HPV, këto infeksione zhduken vetvetiu pa asnjë ndërhyrje brenda pak muajve mbas infektimit, dhe rreth 90% e tyre brenda 2 vjetëve.

Por edhe pse shumica e infeksioneve HPV kalojnë vetë, një pakicë e tyre, kryesisht llojet 16 e 18 të HPV-së, të njohura edhe si lloje me rrezik të lartë, vazhdojnë të qëndrojnë dhe të përparojnë në dëmtime parakanceroze dhe më vonë në kancer të qafës së mitrës te gratë.

Ka gjithashtu evidenca që lidhin HPV-në me kancerin e anusit, vulvës, vaginës dhe penisit, edhe pse këto lloje kanceri janë më pak të shpeshta se kanceri i qafës së mitrës. Disa lloje të HPV-së (sidomos llojet 6 dhe 11) që nuk shkaktojnë kancer, mund të shkaktojnë lythat gjenitale që janë shumë të përhapura dhe shumë infektive.

Cilat gra janë më të rrezikuara?

Çdo grua mund të jetë në rrezik për kancer të qafës së mitrës, por një femër është më e rrezikuar për t?u prekur nëse:

– Ka filluar herët marrëdhënien e parë seksuale
– Ka partnerë seksual të shumtë
– Ka partnerë të cilët kanë apo kanë patur shumë partnere seksuale
– Ka apo ka patur një infeksion seksualisht të transmetueshëm
– Përdor në mënyrë abuzive duhanin
– Ka imunitet të ulët (p.sh. individë të infektuar me HIV janë në rrezik më të lartë për t?u infektuar me HPV, dhe mund të infektohen nga lloje të ndryshme të HPV-së)

Cilat janë shenjat kryesore?

– Gjakderdhje jo të rregullt midis cikleve menstruale, ose gjakderdhje jonormale vaginale pas marrëdhënieve seksuale
– Dhimbje mesi apo në fund të barkut
– Lodhje, humbje peshe dhe oreksi
– Parehati vaginale ose sekrecione vaginale jonormale
– Dhimbje gjatë kontaktit seksual

Si parandalohet?

Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon një sërë veprimesh për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës. Veprimet e rekomanduara përfshijnë që nga komponentët e edukimit të komunitetit, mobilizimit social, vaksinimin, depistimin, trajtimin dhe deri tek kujdesi paliativ. Pothuajse çdo rast me kancer të qafës së mitrës mund të parandalohet nëpërmjet depistimit dhe vaksinimit. Tashmë është e provuar se programet e depistimit të kancerit të qafës së mitrës mund të parandalojnë deri në 80% të rasteve, dhe së bashku me vaksinën mund të reduktojnë ndjeshëm nivelet e këtij kanceri.

Ndërhyrje të tjera parandaluese të rekomanduara si për djemtë e për vajzat janë: edukimi lidhur me praktikat e sigurta seksuale dhe fillimi me vonesë i aktivitetit seksual; promovimi dhe sigurimi i prezervativëve për ata që kryejnë aktivitet seksual; paralajmërimet për përdorimin e duhanit (që është faktor rreziku për kancerin e qafës së mitrës) dhe rrethprerja mashkullore (syneti). Edukimi shëndetësor siguron që gratë, familjet e tyre dhe komuniteti në përgjithësi të kuptojnë se kanceri i qafës së mitrës është i parandalueshëm.

Lajmet e fundit nga