LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Studentët/ Nga Niko Peleshi

20 Janar 2019, 20:42, Aktualitet CNA
Studentët/ Nga Niko Peleshi

Studentët/ Nga Niko Peleshi

Këto ditë Instituti ASPEN në SHBA publikoi raportin e një pune 20 vjeçare mbi sfidat e edukimit. Raporti titullohej ?Nga një komb në rrezik tek një komb me shpresë?. Raporti bën fjalë për ndërtimin e një modeli të ri të edukimit që ka në qendër marrëdhëniet emocionale në procesin e të mësuarit të studentëve, më shumë se sa thjesht objektivat akademike.
Nuk jemi në të njëjtat kushte dhe në të njëjtin stad, por duke reflektuar rreth zhvillimeve në universitetet shqiptare, është e qartë që në thelb kemi të bëjmë me një marrëdhenie të trazuar emocionale ndërmjet studenteve, pedagogëve, institucioneve, prindërve dhe politikës në përgjithësi. Për vite me rradhë ishte krijuar një ekuilibër i pashëndetshëm që i ngjante një uji të ndenjur. Tani që ekuilibri është prishur duhen zgjidhje.
??të angazhojmë, mbështesim dhe lehtësojmë punën e shumë aktorëve në fushë: studentët, familjarët, edukatorët, ekspertët e zhvillimit të t? rinjve, liderë të biznesit dhe arsimit të lartë, politikbërësit qëndrorë dhe lokale dhe aktivistët e të drejtave të njeriut, shoqërisë civile dhe komuniteteve fetare?-shkruan raporti i ASPEN.
Pra zgjidhjet nuk mund të dalin dot vetëm nga qeveria apo vetëm nga universitetet sepse marrëdhëniet janë shumë më të ndërthurrura dhe mbi të gjitha ato nuk janë vetëm akademike apo logjistike.
Jane edhe emocionale.
Në qoftë se do ti shohim si të tilla atëhere në shkollat tona do të flitet më tepër për lidership, aktivizëm social, partneritet studentë-pedagogë-komunitet, jetë studentore kulturore, artistike e sportive. Do të flitet për universitete që prodhojnë qytetarë të denjë dhe jo thjesht specialistë të rinj. Shoqërisë sonë nuk i mungojnë vetëm fuqitë e kualifikuara njerëzore, por edhe motivimi. Informacioni është i bollshem, por motivimi është i pakët, shkruante dje D.Brooks në kolonën e tij në New York Times, teksa trajtonte çështjen e rolit të marrëdhënieve emocionale tek studentët. Ndaj le ta shfrytëzojmë këtë ?trazim të ujrave të ndenjura? si një pikënisje e një rruge të gjatë por të bukur duke hapur një diskutim kombëtar drejt një pakti me kontribute të dala nga diskutime dhe studime me angazhimin e të gjitha forcave. Nga ky proces nuk duhet të ketë të humbur. Pedagogët duhet të përfshihen në këtë platformë, tashmë të hapur, si kontributorë energjikë.
Kjo platformë duhet të funksionojë si një platfomë open-source që integron gjetjet e studimeve te kryera mbi arsimin e lartë në Shqipëri, këndvështrimet e pedagogëve, profesorëve e akademikëve, por mbi të gjitha edhe mendimet dhe pritshmëritë emocionale të studentëve. Studentët sot janë kaq të ndryshëm krahasuar me studentë e para vitit 2007 (viti kur teknologjia e informacionit dhe komunikimit pësoi një kërcim galopant me daljen e smartphone-it, icloud-it dhe medias sociale). Ndërkohë që ekosistemi brenda universiteteve është i pandryshuar prej dhjetra vitesh. Qoftë edhe vetëm për këtë shkak lipset një rishikim i thellë i qëllimit të institucioneve tona të arsimit të lartë – së pari formim shpirtëror dhe emocional për sfidat e reja me të cilat përballet Shqipëria dhe bota.
Një diskutim me sytë nga e ardhmja do të shpëtonte prestigjin e pedagogut, do të rishikonte rolin e politikbërjes qendrore dhe lokale dhe do ti hapte horizonte të reja studentit shqiptar. Horizonte që së paku do të shtriheshin në hapësirat e reja që do të çlironte korrigjimi i modeleve të karrierës dhe suksesit përmes instalimit real të meritokracisë dhe së shumti do ti jepnin shpresë Shqipërisë për një integrim me dinjitet në hapësirën europiane të vlerave.
Drejt paktit për Universitetin, drejt kombit me shpresë.

Lajmet e fundit nga