LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nga Andi Bushati/ Mirë protesta, por cili është fundi?

17 Janar 2019, 12:20, Aktualitet CNA
Nga Andi Bushati/ Mirë protesta, por cili është fundi?

Opozita ka gjetur një sebep qesharak, si mosdhënia e fjalës në parlament gjatë votimit të ministrave të rinj, për të shpallur një akson madhor: protesta deri në rrëzimin e Edi Ramës.

Basha dhe Kryemadhi u shfaqën dje të irrituar pas daljes nga Kuvendi dhe trumbetuan marshimin pa kthim pas, sikur ky të kishte qenë fundi i fjalës së lirë në Shqipëri dhe shkelja më e madhe e qeverisë mëkatare të Rilindjes.

Por, pavarësisht nga irritimi i tyre grotesk, askush nuk e mohon se sot ka 1001 arsye për të dalë në rrugë kundër kësaj qeverie.

Sot mund të protestosh për rrëzimin e kryeministrit të të pasurve, që pasi u shpërndan atyre parà me letra fallco, u përgjysmon në fund edhe tatimin mbi dividentin.

Sot mund të protestosh kundër kryeministrit që është i gatshëm të prishë dyqind shtëpi dhe të devijojë Lanën, vetëm për t?i hapër fushë ndërtimi një klienti të tij trafikant.

Sot mund të protestosh kundër kryeministrit që është i gatshëm t?i lërë studentët të ngujuar në auditorë, vetëm që mos pranojë se reforma e tij në arsim rezultoi një dështim.

Sot mund të protestosh kundër kryeministrit, administaratës të të cilit i ranë pantallonat në tokë përpara Klement Balilit.

Sot mund të protestosh kundër kryeministrit, që nuk u ngop me gazetarët vendas, por filloi të quajë edhe ata të VOA kazan.

Sot mund të protestosh kundër kryeministrit që po i ofron shqiptarëve një kabinet me fytyra të pavotuara, njësoj sikur po përzgjedh bahçevanët e shtëpisë së tij në Surrel.

Por, sado të drejta të jenë arsyet e mësipërme dhe shumë e shumë të tjera që përligjin daljen në rrugë kundër Edi Ramës, në fund ato përmblidhen përpara një pyetje fatale: cili është qëllimi?

Sipas asaj që kumtuan Basha dhe Kryemadhi, ai është rrëzimi i kryeministrit nga froni.

Po a rrëzohet ai me protesta paqësore?

A është e mundshme perspektiva që përsërit në mënyrë kompleksive kreu i PD-së, se ai ?nuk do një pushtet që kapërcen mbi kufoma?, por një rotacion që vjen përmes votës?

A është e mundshme mposhtja me votë e kryeministrit të të pasurve, i cili tashmë kontrollon miliardat që ndan me oligarkët e vet, ka sofistikuar lidhjet me krimin, ka futur në dorë drejtësinë, shërbimin sekret dhe i fsheh të gjitha këto përmes kapjes të të gjithë pronarëve të mediave të mëdha ?

A është e mundur përshembull që dikush të imagjinojë një fitore të koalicionit opozitar në Tiranë, ku falë lidhjeve okulte me çiftin Rama- Veliaj po investohen miliarda pa origjinë në ndërtim dhe ku të gjithë ata që kanë hedhur paratë do të financojnë vazhdimin e këtij binomi?

Pra iluzioni se e keqja e Rilindjes zgjidhet me rotacion dhe jo me përmbysje, është një shaka që nuk e beson më askush.

PD dhe LSI, nëse do t?i kishin të vërteta përbetimet e tyre, nuk do ta kërkonin zgjidhjen me sharje dhe bërtitje poshtë zyrës së Ramës. Zgjidhja e tyre e vetme do të ishte beteja me tërë sistemin që ka ngritur ai.

Dhe në këtë pikë ata e humbën një mundësi të artë. Ata patën frikë të djegin mandatet, pagat, dietat dhe celularët që u siguron karrigia e tyre në Kuvend.

Ata tani kanë edhe një sfidë tjetër: të mos joshen nga gara farsë e qershorit ku duan t?i tërheqin si cjapin te kasapi. Ata duhet të dinë t?i thonë jo tundimit për disa tendera ujësjellësash, për disa të punësuar më shumë nëpër bashki dytësore, apo për ruajtjen e disa bastioneve që nuk i prekin asnjë qime pushtetit qëndror.

Opozita duhet të dijë të vetësakrifikohet që të ketë moralin për t?u kërkuar njerëzve sakrificën e tubimit përreth saj.

Përndryshe, kot i shpenzon energjitë, kot i harxhon paratë e autobusëve dhe kot i shpërdoron kaloritë e marshimit në bulevard.

Nëse përfundimi i këtij aksioni të shpallur papritmas, pas një beteje të munguar në Kuvend, është kthimi kokulur në atë sallë ku miratohen ligje antikushtetuese dhe ku askush nuk ia vërshëllen zërave opozitarë; nëse ai do të kulmojë në rendjen me brirët ngritur, pas bezes së kuqe të zgjedhjeve, më mirë le të ndalë që tani.

Sepse po vazhduan kështu, jo vetëm që nuk do të arrijnë qëllimin e premtuar për të rrëzuar Ramën, por do t?i shërbejnë atij si fasadë, për të na thënë ne të tjerevë, opozitës shumë më të mëadhe se ajo zyrtare, se ai del gjithnjë fitimtar, në këtë vend demokratik, me garë dhe kundërshtarë të fortë.

Lajmet e fundit nga