LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Administrata e Trump degradon misionin e BE në SHBA

9 Janar 2019, 16:57, Aktualitet CNA
Administrata e Trump degradon misionin e BE në SHBA

Administrata e presidentit Donald Trump ka degraduar vitin e kaluar statusin e misionit të Bashkimit Europian pa bërë asnjë njoftim. Zyrtarë të BE-së konfirmojnë për Deutsche Wellen se BE e SHBA po negociojnë.

Administrata e Trumpit, pa e njoftuar aspak më parë BE, ka degraduar statusin diplomatik të misionit të BE-së në Uashington nga statusi në nivel shteti në atë të një organizatë ndërkombëtare. “Ne nuk e dimë saktësisht, kur është bërë kjo, sepse ata nuk na njoftuan”, thotë një zyrtar i BE-së që merret me çështjen për Deutsche Wellen. “Mund të konfirmoj se kjo nuk është pritur mirë në Bruksel”, ka thënë ky zyrtar, duke shtuar se çështja po diskutohet ende. Megjithatë në dhjetor 2018 ka pasur bisedime mes BE dhe SHBA lidhur me këtë çështje e përfaqësues të BE kanë konfirmuar ndërkohë, se ambasadori aktual i BE-së në Uashington, David O’sullivan ka rimarrë rangun protokollar të mëparshëm, por diplomati i lartë i BE-së është deri në shkurt në këtë post.

Misioni i BE-së ka bëtë të ditur, se ambasadori i BE-së në Uashington nuk është ftuar në disa evente vitin e kaluar. Diplomatët besojnë, se ky veprim diplomatik mund të jetë bërë në fund të tetorit ose fillim të nëntorit. Degradimi i misionit ra në sy ditën e funeralit të organizuar për presidentin e ndjerë George H.W.Bush më 5 dhjetor 2018. Ambasadorët i dhanë nderimin e fundit presidentit Bush dhe ambasadori i BE-së, David O’Sullivan është thirrur, jo sipas rangut që i japin vitet e shërbimit në diplomaci, por është thirrur i fundit, bëjnë të ditur zyrtarë të BE-së. David O’Sullivan ishte thirrur në raste të tilla në 20-të deri të 30-të të parët sipas renditjes së diplomatëve.

“Harruan të na njoftojnë”

Një diplomat në Uashington i një vendi anëtar të BE-së u shpreh kritik. “Kjo nuk është thjesht një çështje protokollare, por është diçka me një motiv shumë të qartë politik”, tha ky diplomat për DW duke shtuar se shumica e vendeve anëtare e ndajnë qëndrimin negativ për degradimin e misionit të BE-së. Pas zbulimit të kësaj lëvizjeje diplomatike jo në favor të BE-së, diplomatë të BE-së në Uashington iu drejtuan për sqarime Departamentit të Shtetit. “Ata na thanë, se kanë harruar të na njoftojnë dhe se ky është një vendim, që ata e kanë marrë, sepse me sa duket ajo që mendon kreu i protokollit është edhe gjëja e duhur që duhet bërë”, thotë një diplomat. Sipas tij nuk është tipike, që një administratë e re të lëvizë klasifikimet e protokollit, e është e pazakontë që ky degradim të bëhet pasi një administratë e re ka dy vjet në post. Po ashtu e pazakontë është që një mision diplomatik nuk informohet nga vendi mikpritës për një vendim të tillë në kohë dhe me shkrim.

Zyrtarët e BE-së thanë se statusi i ambasadorit të BE-së në Uashington u ngrit në nivelin e një ambasadori shteti në shtator 2016 pas një procesi intensiv dhe të gjatë me Departamentin e Shtetit nën presidentin e atëhershëm, Barack Obama.

Qëndrim kundër BE

Degradimi i misionit të BE duket se është në një linjë me atë që perceptohet gjerësisht, se administrata e Trumpit mban një qëndrim kundër BE. Trump ishte mbështetës entuziast i Brexit gjatë fushatës presidenciale dhe si president në mënyrë të përsëritur ka përdorur një gjuhë të ashpër kundër Bashkimit Europian në çështje të mbrojtjes dhe tregtisë. I pyetur për një koment, Departamenti i Shtetit nuk përgjigjet për çështjen, duke e lidhur atë me vështirësitë që ka shkaktuar bllokada aktuale e administratës Trump si pasojë e grindjeve për buxhetin./DW

Lajmet e fundit nga