Connect with Us

Nga Zefina Hasani/Majlinda është vetëm një telefonatë më larg

Aktualitet

Nga Zefina Hasani/Majlinda është vetëm një telefonatë më larg

Publikuar

-

“Unë Sarajevë” ishte mbishkrimi që mbante numri i ri i telefonit, të cilin Majlinda na e plasi një ditë në whatsapp, në grup, pikërisht kur ishim në kulm të komunikimit tonë të zakonshëm, hidh e prit, ndër të qeshura me shpirt.
Deshi ta kalonte në atë kuturu komunikimi përcjelljen e numrit, që duke i përkitur një tjetër vendi, pra një tjetër largësie, do të na mërziste. Ajo e dinte këtë, por s’ia doli dot! Batutat u ngrinë, sosën në atë sekondë. “Po prit moj, duro!”- s’duroi dot pa i shkruar Ani, refuzuese, në emër të të trejave neve. “Po e vë punën përpara Majlinda. Ja, na sistemoi dhe me numrin e ri”- shtoi më pas Arjeta, në përpjekje për të shkrirë batutat. “Do ta mbaj këtë numrin Vodafone që kam. Këtu do të vazhdojmë të flasim, por ruajeni dhe numrin e ri, ta keni për çdo rast emergjence, kur do t’ju duhem”!
Majlinda gjeti kështu mënyrën e saj sportive për të zbutur ligështinë që krijon çdo lloj ikjeje e njeriut që do e që ke fort përzemër.
Ne që e njohim mirë, e prej kohësh, kuptuam (këtu po bëhem unë pohuese në emër të të trejave) se Majlinda ndoqi kështu zakonin e vet, gjeti rehatinë e saj, duke na siguruar ne (të tjerave) se s’do të jetë veçse një telefonatë më larg, nga Sarajeva, Brukseli a çdo vend tjetër i Europës, ku do t’i duhet të jetë non stop këto vite.
S’na çuditi aspak, sepse kështu ka qenë gjithmonë ajo. Eshtë ndierë rehat veç kur ka mundur të bëjë ç’të mundet për të tjerët. Eshtë gjithmonë aty ku don, me shpirt e mendje, të jetë. Në turravrap, gati, në çdo kohë, veç një telefonatë larg, jo vetëm për familjen, miqtë e të afërmit por dhe për punët, përgjegjësitë, detyrimet.
Dikur ishte për lajmin që duhej përkthyer, shkruar, redaktuar e transmetuar me korrektësi nga ekrani; për studentët e saj në fakultet; për fenomenet e shëmtuara të shoqërisë që duheshin ndjekur në skutat më të errëta të krimit, denoncuar e luftuar; për dhunën ndaj gruas e fëmijës…
Mandej ishte për hallet e votuesve të saj të parë e të fundit; për komisionet parlamentare, ligjet e amendamentet që duheshin propozuar, shtuar e ndryshuar për politika më të sakta e më konkrete; për nevojën jetësore të udhëtimit pa viza të çdo shqiptari; për konferencat ndërkombëtare, takimet diplomatike e negociatat me Brukselin, për të shënuar e firmosur data e hapa të rëndësishëm drejt aspiratës së madhe evropiane, si ministre e Integrimit të Shqipërisë në BE.
Ka qenë vetëm një telefonatë larg për çdo ditë të mirë e të vështirë, të pozitës e opozitës, për çdo aksion e debat politik, brenda dhe jashtë parlamentit, për të luftuar, mbrojtur e gëzuar për gjithçka të fituar me dinjitet e pasion.
Ka qenë vetëm një telefonatë larg për t’u gjendur aty ku mendimi se gjërat duhen udhëhequr nga politika civile e evropiane dhe jo anakronike e anarkike, duhej të thuhej hapur, në shesh të mejdanit, duke marrë mbi vete rriskun e sulmit politiko-tekanjoz e të përfoljes anonime-inatçore.
Edhe jashtë rutinës parlamentare ajo mbeti vetëm një telefonatë larg, për të zbërthyer kritikën e saj mbi gjithçka që i është dukur se po shkon keq e më dreq në këtë vend e për këtë popull, për të cilin ajo tani do të jetë më shumë se kurrë vetëm një telefonatë më larg.
Prej një tjetër drejtimi e niveli (si Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal) ku e meritoi të jetë, si e bekuar prej fatit të së drejtit, që të mund të vazhdojë të bëjë edhe më shumë për shqiptarët.
Prej institucioneve evropiane ku njihen e respektohen ligjet, rregullat e vlerat profesionale e njerëzore, që ajo i ka mbartur e ligjëruar që në krye të herës.
Prej një tjetër vendi, të cilit na u desh t’i mësonim dhe prefiksin +387, që në momentin kur na e çoi numrin e saj të ri, me mbishkrimin “Unë Sarajevë”, vetëm pak ditë para se të ikte me vërte (pa u përcjellë 😜😘), jo për t’u ndarë, por për të qenë vetëm një telefonatë më larg, mes nesh dhe Europës, pasionit e fatit të saj politik.

KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Aktualitet

Makina përplas këmbësoren/ Në gjëndje të rëndë 47-vjeçarja

Publikuar

-

Nga

Një ngjarje e rëndë  ka ndodhur ditën e sotme  në “Patos fshat”.

Një mjet tip “Audi” ka përplasur këmbësoren A.M 47-vjeçe.

Drejtuesi i mjetit është larguar nga vendngjarja.

Mësohet se A.M ndodhet në gjëndje të rëndë në spital./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Aktualitet

Plas në Digitalb, stafi letër aksionarëve: Me detyrim të dalim në rrugë të madhe

Publikuar

-

Nga

Stafi i Digitalb, gati 80 drejtues në vite të kompanisë nëpëmjet një emaili në mbrëmjen e 14 Gushtit, i janë drejtuar aksionarëve të kompanisë, pas largimeve masive të filluara kohët e fundit nga Vjollca Hoxha, cna.al ka siguruar emalin e plotë.

Shumë emra të rëndesishëm, themelues dhe menaxherë të kompanisë po hiqen dhe po hidhen në rrugë me detyrim, shkruhet në emailin që stafi ka shpërndarë pë aksionarë e kompanisë.

Më poshte teksti i plotë dhe nje foto e emailit që qarkullon në Digitalb.

Përshëndetje aksionarë të DigitAlb-it!
Të gjithë ju që ju bashkuat ëndrrës së Tan Hoxhës për të ngritur Platformën që do bënte dhe vazhdonte revolucionin mediatik në Shqipëri e do ishte “URA” lidhëse e gjithë shqiptarëve!
ËNDRRËS që ne, stafi, I BESUAM dhe jetuam duke punuar për 15 VITE…
Po ju shprehim direkt shqetësimin tonë, për çfarë po ndodh në DigitAlb-in ku ne me vite punuam, sakrifikuam po edhe shijuam, se e kishim Familjen tonë!
Siç besojmë jeni në dijeni;
Që me ardhjen e Administratorëve të rinj të gjitha gjërat në DigitAlb nisën dhe vazhdojnë të ndryshojnë për keq në çdo aspekt.
Dhe këtë, s’ka mbetur njeri pa e ndjerë e pa e folur edhe në popull apo thënë ndryshe, klientët…
Plus kësaj, nisi një fushatë spastrimi “etnik” tek punonjësit, pa u bazuar në asnjë kriter profesional. Për më tepër; Heqje masive profesionistësh nga puna, pa mbështetje në asnjë strategji zhvillimi apo financiare, afatmesme apo aftgjatë, siç do duhej të funksiononte vërtet në një kompani e siç ndodh kudo në botë. Por mbi të gjitha e më flagrantja, pa asnjë vendimarrje tuajën si ‘Asamble e Aksionarëve’ të DigitAlb!
Mjafton të përmendim largimin e mbi 90% të Drejtorëve kryesorë të kompanisë, që bashkë edhe me kërkesat ULTIMATIVE për dorëheqje të menjëhershme deri edhe tek stafi ekzekutiv në bazë, arrijnë aktualisht në rreth 80 vetë!
Por ky spastrim po vazhdon dita ditës dhe fryma e pasigurisë që ka asgjësuar atë të familjaritetit që ekzistonte dhe e karakterizonte deri dje DigitAlb, shto këtu dhe uljet e rrogave në nivele ordinere, deri edhe tek shoferët, ka bërë që edhe ata të mbeturit ende momentalisht të jenë me CV në dorë, gati për të ikur sapo t’ju dalë alternativa e parë…
Tani, pavarësisht problematikave tuaja me ish-Administratorin, Albanin që gjithësesi për ne në ato vite ishte një lider; po me ne stafin ç’patët…?!
Tek e fundit të gjithë ne punonjësit e larguar deri më tani, që në fakt U PËRZUMË pa asnjë motiv mospërmbushjeje profesionale në gjithë këto vite pune, sakrifice e jete në DigitAlb, jemi gati 80 FAMILJE me gjithë peshat sociale që rëndojnë në Shqipëri. Si mundet që kështu befas, brenda ditës, të na kërkohet me detyrim të dalim në rrugë të madhe, ndërkohë që jemi familjarë me fëmijë për të rritur e shkolluar dhe kredi për të paguar…?!
Ka mes nesh nga ata që ishin të vetmit të punësuar nga pjesëtarët e familjes. Dhe tani s’janë më!
Me çfarë ta paguaj tani unë çerdhen e fëmijës tim?
Me çfarë ta paguajë ai tjetri qeranë e shtëpisë ku ka futur familjen apo ajo kolegia tjetër kredinë bankare, që tek e fundit i është miratuar me garancinë se punonte në DigitAlb?!
Ç’kusur kanë fëmijët tanë që tani s’mbajmë dot as premtimet që u kemi dhënë, edhe për shkollën e tyre…?!
Ça faji kemi që besuam tek ju?
Deri dje të gjithë ndiheshim krenarë në familjet tona sepse punonim në DigitAlb…
Deri dje në DigitAlb organizonim fushata bamirësie për familjet në nevojë…
Tani vetëm prej tekave të shfrenuara të një zonje, krejt ndryshe nga vizioni i themeluesit, DigitAlb ka arritur ne pikën që po nxjerr me radhë sa e sa familje në mes të rrugës, duke i detyruar të luftojnë deri për bukën e gojës!
Pse tani heshtni të gjithë dhe bëni sikur s’na njihni e as na keni parë kurrë?!
Kemi punuar per ju! Me vite! Me plot përkushtim!
Kishim investuar pasion e besim me punën tonë gjithë këto vite, duke refuzuar jo një herë edhe Oferta joshëse më të larta, pasi BESONIM në ëndrrën që po punonim të ndërtonim, në atë Platformë ku ju të gjithë jeni aksionarë, por jo pa përgjegjësi!
Po tani? Çfarë bëmë ne gabim, që pas gjithë atyre viteve punë, përkushtim e besim, nga ju aksionarë të merrnim këtë “shpërblim”…?!
Stafi i DigitAlb

 

 

LEXO TE PLOTE

Aktualitet

KQZ u “mbyll derën” aleatëve të Bashës/ LSI: Nuk do të ndalemi

Publikuar

-

Nga

Mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dështoi pasi anëtarët e KQZ nuk u paraqitën, me përjashtim të kreut të saj, Klement Zguri. Duke qenë se nuk mund të ketë diskutime pasi nuk formohet kuorumi, mbledhja u anulua pa përcaktuar një datë tjetër se kur mund të mblidhet.

Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe përfaqësuesi i LSI-së, Muharrem Caka i cili tha se mungesa është e qëllimtë dhe politike.

Caka tha se LSI-ja ditën e hënë do të sjellë kërkesën për regjistrimin në zgjedhjet lokale të 13 tetorit.

“Në respekt të dekretit të Presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve në 13 Tetor dhe afatit në 2 gusht, LSI, PR dhe PAA paraqitën kërkesën për fillimin e procedurave. 30 qershori u shfuqizua si datë zgjedhjesh nga Presidenti. Vetëm Kushtetuesja mund të shprehet për dekretin e Presidentit. Mungesa e anëtarëve është e qëllimtë, politike.

Dekreti i Presidentit është në fuqi dhe ne do të respektojmë parashikimet. Do të sjellim të hënën kërkesën për regjistrimin në zgjedhje. Kodi parashikon që KQZ-ja ka detyrimin të nisë procedurat dhe së pari duhet të merrte parasysh kërkesën. Në Kolegj? Do të ndjekim të gjitha hapat. Prevalon Kushtetuta mbi lejen e tyre vjetore” tha përfaqësuesi i LSI-së, Muharrem Caka./CNA.al

LEXO TE PLOTE