Connect with Us

Nga Klodian Tomorri/Pse debati për dividentin është nonsens?

Aktualitet

Nga Klodian Tomorri/Pse debati për dividentin është nonsens?

Publikuar

-

Ulja e tatimit mbi dividentin ka hapur një debat të gjerë në publik, fatkeqësisht i keqorientuar, me argumenta të pasakta, e madje edhe spekullativ. Argumenti se ligji përbën një amnisti për shkak të fuqisë prapavepruese është një nonsens, jo vetëm teknik, por edhe ligjor. Arsyeja është e thjeshtë. Ligji nuk ka fuqi prapavepruese dhe nuk mund të ketë dot teknikisht edhe nëse qeveria do të dëshironte dhe do të kishte bërë pazar me oligarkët, ashtu sic pretendohet rëndom në diskursin publik.

Për ta sqaruar sa më mirë këtë, në fillim ja vlen të saktësohet se çfarë është dividenti. Në kuptimin e thjeshtë, dividenti është e ardhura që një ortak merr nga fitimi i biznesit të tij. Por a është çdo fitim i biznesit automatikisht divident për ortakët? Përgjigja është jo.

Ligji ekzistues për Tatimin mbi të Ardhurat, në nenin 33/1 saktëson se çdo biznes në Republikën e Shqipërisë pas pagimit të tatimit mbi fitimin, duhet të deklarojë se ku do e destinojë këtë fitim, duke përcaktuar shumën e rezervave ligjore, pjesën që do të përdoret për investime ose për shtesë kapitali dhe pjesën që do të shpërndahet në formë dividendi.

Pra ligji i lë katër hapsira një biznesi për ta destinuar fitimin. Së pari për investime, së dyti për të rritur rezervën ligjore, së treti si shtesë kapitali dhe së katërti për divident.
Nga katër zërat e mësipërm, vetëm njëri taksohet, pra dividenti. Ndërsa tre zërat e tjera janë të pataksueshëm dhe ligji e lejon një biznes që të mbajë pafundësisht rezervë ligjore ose të rrisë pafundësisht kapitalin.

Por kur lind detyrimi tatimor për dividentin? Sipas ligjit, menjehërë sapo kompania deklaron divident. Pra nëse asambleja e ortakëve të një biznesi vendos që nga fitimi 100 lekë do të paguajë 60 lekë dividentë dhe 40 lekë të tjera do t’i destinojë për shtim kapitali ose rezervë, atëhërë automatikisht mbi 60 lekëshin e deklaruar si dividend lind detyrimi tatimor, i cili sipas ligjit duhet të paguhet brenda datës 20 gusht.

Pra nuk ka dividentë të pataksuar nga vitet e kaluara, që do përfitojnë tani nga ulja e ligjit. Nuk mund të ketë dot teknikisht sepse në castin që dividenti është deklaruar atëherë atij i është mbajtur automatikisht tatimi. Rrjedhimisht ligji nuk ka se si të ketë fuqi prapavepruese.

Por pse ka lindur ky keqkuptim në debatin publik? Arsyeja janë dy zërat e tjerë, ku mund të destinohet fitimi i një biznesi, specifikisht rezerva ligjore dhe shtimi i kapitalit. Të dy këto zëra në mënyrë spekullative po konsiderohen si dividentë, kur në fakt nuk janë. Ato bëhen dividentë, vetëm kur kompania i deklaron si të tilla.

LEXO EDHE:  Revoltohet gazetari/ Forca e ligjit apo forca e krimit

Kjo është ajo që kanë bërë bizneset shqiptare. Për t’i shpëtuar taksimit, fitimet e tyre të viteve të kaluara nuk i kanë deklaruar si dividentë, por i kanë lënë si rezerva ligjore ose i kanë çuar në shtesë kapitali. Dhe kjo është tërësisht ligjore.

Çfarë ndodh tani? Meqënese taksa do të ulet, bizneset mund të vendosin që këto fitime, të cilat i kanë lënë si rezervë ligjore apo shtesë kapitali, duke filluar nga 1 Janari t’i konvertojnë në dividentë dhe të paguajnë 8 për qind taksë. A është kjo fuqi prapavepruese e ligjit? Jo. Sepse këto para nuk kanë qenë dividentë, kur taksa ishte 15 për qind, por kanë qenë rezervë ose kapital. Dhe rezerva dhe kapitali janë të pataksueshëm. E gjitha kjo është tërësisht ligjore. Nuk mund t’i thuash dot një biznesi, që këto para të cilat i ke deklaruar si shtim kapitali ose rezervë ligjore gjate viteve te kaluara, nuk mund t’i konvertosh dot në dividentë në datën 1 janar 2019.

Cfarë thotë ligji i ri i tatimit mbi të ardhurat, që po atakohet publikisht? “Norma e tatimit mbi dividendin në shkallën 8 % do të aplikohet edhe për fitimet e pashpërndara të realizuara në vitet 2018 e më parë, përfshirë rezervat dhe fitimet e kapitalizuara.”

Pra ligji i ri thotë që 8 për qindëshi do të zbatohet për rezervat dhe shtimin e kapitalit të viteve të kaluara. Nuk thotë qëë do aplikohet për dividentë dhe nuk ka se si të thojë sepse nuk mund të ketë dividentë të pataksuar nga vitet e mëparshme.
Ky është shpjegimi ligjor, i gjithë kakofonisë që po ndodh me ligjin, i cili ul Tatimin mbi dividentin. Një kakofoni, e nisur fillimisht nga një intepretim i pasaktë i zyrës së Presidentit, dhe e ushqyer edhe më shumë nga spekulime në media, të cilat shpesh burojnë edhe nga mungesa e njohurive mbi ligjin.

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Kronika

Sherr mes dy personave në Tiranë/ Njëri përfundon në komisariat, tjetri arratiset

Publikuar

-

Nga

Sherr mes dy personave në Tiranë/ Njëri përfundon në komisariat, tjetri arratiset

Një sherr mes dy personave ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Tiranë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:10 në rrugën e Kavajës, për motive ende të paqarta.

Dy personat që u përfshinë në sherr janë shtetasit me inicialet R. L. dhe A. M.

Sipas policisë personi me inicialet A. M. është shoqëruar në Komisariat për sqarimin e konfliktit, ndërsa R. L. është larguar menjëherë nga vendngjarja me një makinë.

LEXO EDHE:  Ambasadorja e Holandës: Korrupsioni, pengesë për investitorët

LEXO EDHE:  Revoltohet gazetari/ Forca e ligjit apo forca e krimit

Vijon puna nga grupi hetimor për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e personit që u arratis./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Bota

Përshkallëzohet më tej konflikti/ Izraeli sulmon tunelet e Gazës

Publikuar

-

Nga

Përshkallëzohet më tej konflikti/ Izraeli sulmon tunelet e Gazës

Të premten Izraeli ndërmori sulme të gjera ajrore dhe me artileri ndaj një rrjeti tunelesh nëntokësore që ndodhen në Gaza, të cilat strehojnë militantë palestineze. Përshkallëzimi i luftimeve vjen mes sulmeve të vazhdueshme me raketa ndaj qyteteve izraelite.

Zëdhënësi i ushtrisë së Izraelit, nënkolonel Jonathan Conricus tha se ky është operacioni më i madh kundër një objektivi specifik që nga fillimi i konfliktit, gjatë të cilit u përdorën 160 avionë, tanke e artileri.

Kjo shënon ditën e pestë të përpjasjeve më të ashpra mes Izraelit dhe militantëve të Gazës që nga viti 2014.

Grupi militant i Hamasit i nisi sulmet me raketa ndaj Jeruzalemit dhe Tel Avivit si hakmarrje ndaj përplasjeve të policisë izraelite me palestinezët pranë xhamisë Al-Aksa në Jeruzalem.

Sipas zyrtarëve palestinezë të shëndetësisë të paktën 119 persona janë vrarë në Gaza, mes tyre 31 fëmijë dhe 19 gra, ndërsa 830 të tjerë janë plagosur.

Autoritetet izraelite thanë se numri i të vdekurve në Izrael vazhdon të mbetet në tetë, mes tyre një ushtar që patrullonte kufirin e Gazës, gjashtë civilë izraelitë, përfshirë dy fëmijë dhe një punëtor indian.

Kreu i Gjykatës Penale Ndërkombëtare paralajmëroi se personat e përfshirë në akte që kanë shkaktuar gjakderdhje mund të jenë shënjestër e hetimeve për krime të dyshuara lufte.

LEXO EDHE:  Arben Malaj jep alarmin/ Sjellja e Ramës do dëmtojë ekonominë e vendit

LEXO EDHE:  Arben Malaj jep alarmin/ Sjellja e Ramës do dëmtojë ekonominë e vendit

Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare tha se kishte raportime për më shumë se 200 objekte strehimi të shkatërruara apo të dëmtuara rëndë dhe se qindra njerëz po përpiqeshin të strehoheshin në shkolla në veri të Gazës.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të enjten se fushata “do të kërkojë më shumë kohë”.

Zyrtarët izraelitë thanë se përpara çdo armëpushimi, i duhet dhënë një goditje e fortë frenuese Hamasit, grupit më të fuqishëm militant islamik të Gazës.

Presidenti amerikan Joe Biden bëri thirrje të enjten për ulje të tensioneve dhe tha se donte të shihte një reduktim të ndjeshëm të sulmeve me raketa./ VOA

LEXO TE PLOTE

Kosova & Rajoni

Tensioni mes Izraelit dhe Palestinës nxit reagime në Kosovë

Publikuar

-

Nga

Konflikti izraelito-palestinez nxit reagime në Kosovë

Tensionet dhe më pas përleshjet ndërmjet forcave të Izraelit dhe palestinezëve në Jerusalemin Lindor, të cilat në ditët e fundit janë përshkallëzuar në luftime të ashpra, kanë nxitur reagime në Kosovë, kryesisht përmes rrjeteve sociale. Madje, të premten, më 14 maj, në Prishtinë u mbajt një marsh mbështetës për palestinezët, ku u kërkua që të ndalen luftimet dhe të lirohen të burgosurit.

Tensionet janë rritur për shkak të xhamisë Al-Aksa – që është vendi i tretë i shenjtë në fenë islame – dhe për dëbimin potencial të palestinezëve nga shtëpitë dhe tokat e tyre, ku janë planifikuar që të ndërtohen vendbanime hebreje.

Reagimet në opinion, për dhe kundër të dyja palëve, janë shënuar përmes komenteve në shkrimet e publikuara nga Radio Evropa e Lirë në Facebook, të cilat kanë pasqyruar ngjarjet dhe zhvillimet e ditëve të fundit në Jerusalem. Ky qytet ka qenë cak i raketave të gjuajtura nga militantët palestinezë, ndërkaq që në Rripin e Gazës, ushtria izraelite, përmes sulmeve ajrore ka pasur për cak militantët palestinezë. Luftimet izraelito-palestineze të ditëve të fundit, kanë rezultuar me dhjetëra të vrarë, të plagosur dhe të lënduar nga të dyja palët.

Komentet për dhe kundër palëve në konflikt

Komente të llojit: “Free Palestina” (Liri për Palestinën), “Zoti i shkatërroftë zullumqarët”, “Mallkuar qoftë Natanjahu”, “Jerusalemi i takon shtetit palestinez dhe do të jetë kryeqytet i tyre”, kanë shprehur mbështetjen e disa prej komentuesve për palestinezët.

Ndërkaq disa komentues të tjerë kanë shpreh mbështetjen për Izraelin përmes komenteve sikurse: “Rroftë sa malet Izraeli”, “Hamasi është një grup përçarës që e nxitë luftën civile”, “Mos harroni se Palestina është kundër Kosovës”, e të tjera. Por, janë shënuar edhe komente të paanshme, sikurse “Ju ka çuar Zoti peshë, ndaleni këtë luftë” ose “O shqiptarë, i keni ndreqë ju punët e juaja, vetëm Palestina ju ka mbetur mangut”.

Islami: Çdo konflikt i përgjakshëm krijon emocione

Por, çfarë e shkakton gjithë këtë vëmendje në Kosovë ndaj konfliktit izraelito-palestinez?

Nehat Islami, drejtor ekzekutiv Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, si dhe ish-korrespondent nga Kosova në Lindjen e Mesme, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë shpreh mendimin që reagimet e komentuesve në rrjetet sociale lidhur me këtë konflikt janë normale. Sipas tij, fillimisht, gjenerata të tëra të qytetarëve të Kosovës e kanë përcjellë në vazhdimësi çështjen palestineze. Jo rrallë sipas tij, shqiptarët e Kosovës, me të drejtë ose pa të, e kanë krahasuar çështjen e pazgjidhur të tyre në kuadër të ish-Jugosllavisë, me çështje e pazgjidhur të palestinezëve. Por, situata e tanishme në konfliktin izraelito-palestinez, është ndryshe.

“Tani është një problem i natyrës humanitare, i natyrës ku njeriu nuk e ndjen veten mirë kur sheh të vdekur nga të dyja anët. Kjo është e natyrshme, sepse çdo konflikt i përgjakshëm krijon emocione, aq më parë te ne që e kemi përjetuar vet gjatë kohës së sundimit të serbëve, gjatë viteve 90. Do të thotë që megjithatë ekziston një solidaritet që kjo çështje, që kjo gjakderdhje të përfundojë dhe të zgjidhet politikisht ky problem, i cili është vërtetë shumë i vështirë”, theksoi Islami.

Hasani: Reagime që shkaktojnë dëme të pariparueshme

Përveç reagimeve përmes komenteve në rrjete sociale lidhur me konfliktin izraelito-palestinez, ka reaguar edhe Bashkësia Islame e Kosovës.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, përmes një shkrimi në Facebook, më 11 maj, ka thënë se ka përcjellë me shqetësim “eskalimin e situatës në Jerusalem që filloi me dëbimin e dhunshëm të palestinezëve nga shtëpitë e tyre në Sheik Jarrah, për të vazhduar me atakimin dhe përdhosjen e institucionit të xhamisë së shenjtë Al-Aksa”.

LEXO EDHE:  Kriza nga Covid/ Pritet rritje më e madhe ekonomike në BE

LEXO EDHE:  Nga Klodian Tomorri/ Shqiponja fluturon krenare në qiellin e Europës

“Shpreh brengën time të thellë dhe të besimtarëve myslimanë për dhunën e ushtruar ndaj banorëve palestinezë në Jerusalem dhe në territoret palestineze”, ka shkruar Tërnava.

Ismajl Hasani, profesor i Sociologjisë së Religjionit, thotë për Radion Evropa e Lirë se në mediat sociale ka pasur reagime, siç i quan ai, “të pakripë”, për ose kundër njërës apo palës tjetër në konflikt, nga njerëz që potencialisht nuk kanë informacion dhe njohuri për zonën e konfliktit, e cila sipas tij, në esencë është çështje gjeostrategjike. Qasjet e tilla, sipas tij, sjellin mjaft dëme.

“Dëmet e pariparueshme që mund të bëhen janë nga reagimet jo vetëm nëpër portale, por edhe nga reagimet në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës. Kryemyftiu, me deklarimin pro palestinezëve, përkatësisht u vu në mbrojtje të palestinezëve, pa pasur informacione. Mbase edhe mund të ketë informacione, por Kosova është aq e vogël dhe me aq potenciale modeste, në të gjitha aspektet, sa që nuk e ka luksin as niveli qeveritar që të prononcohet për ose kundër”, theksoi Hasani.

Paradokset e thellimit të kundërshtive

Megjithëse Izraeli e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ndërkohë që autoritetet palestineze nuk e kanë bërë këtë, komentet në rrjete sociale në favor të palestinezëve, sipas Nehat Islamit, janë reflektim i lirisë së shprehjes nga ana e qytetarëve.

“Është liria e mendimit. Prandaj unë nuk shoh asgjë të keqe aty, nëse dikush mendon ashtu apo kështu. Dihet një gjë që populli shqiptar, në përgjithësi, kudo qoftë, është gëzuar shumë me rastin e njohjes në mes të Kosovës dhe Izraelit dhe llogaritet që kjo njohje do të sjellë suksese edhe ekonomike, por edhe politike. Ndërsa për sa i përket Palestinës, është çështje e sentimentit që ka mbetur, por jo e ndonjë interesi të ndërsjellë”, theksoi Islami.

Megjithatë, sociologu Ismail Hasani, vlerëson se reagimet e komentuesve në rrjete sociale nuk duhet neglizhuar dhe praktikat kanë treguar se ato mund të çojnë drejt ndarjeve në shoqëri, por edhe të jenë stimuluese për individë të caktuar, pikëpamjet e të cilëve kanë sfond fetar, që t’i bashkëngjiten konflikteve të huaja. Pas gjithë këtyre reagimeve, sipas tij, është i domosdoshëm një reagim i matur i Qeverisë së Kosovës, për të shprehur qëndrimin institucional lidhur me përplasjet e fundit izraelito-palestineze.

“Reagimi institucional, mbase do të ndikonte në zbutjen e këtyre përplasjeve (të komentuesve në rrjete sociale), që çojnë ka krijimi i taborreve të kundërta e që më vonë ekziston rreziku edhe i thellimit të këtyre kundërshtive, që kam drojën se mund të përsëritet Siria e dytë”, theksoi Hasani. Ai shtoi se në konfliktin brenda Sirisë, kanë marrë pjesë një numër i caktuar i qytetarëve të Kosovës.

Lidhur me përplasjet e dhunshme të fundit izraelito-palestineze, Qeveria e Kosovës, deri më tash nuk ka reaguar për të shprehur çfarëdo qëndrimi.

Liderë të ndryshëm të botës u kanë bërë thirrje palëve për t’i dhënë fund dhunës në Jerusalem.

Së fundmi, përleshjet ndërmjet forcave izraelite dhe palestinezëve nisën mbrëmjen e 7 majit. Mbi 220 persona, shumica palestinezë, u lënduan, pasi policia izraelite hyri në xhaminë Al-Aksa pasi thanë se palestinezët kishin hedhur në drejtim të tyre gurë dhe fishekzjarrë.

Izraeli e konsideron gjithë Jerusalemin si territor të vetin dhe si kryeqytet të pandashëm, derisa palestinezët kërkojnë që pjesa lindore të jetë kryeqyteti i shtetit të tyre në të ardhmen.REL

LEXO TE PLOTE