LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Taksa 100 % nxit eksportet nga Shqipëria në Kosovë/ Rritje me 34% në nëntor

18 Dhjetor 2018, 07:25, Aktualitet CNA
Taksa 100 % nxit eksportet nga Shqipëria në Kosovë/ Rritje me 34%

Eksportet shqiptare në Kosovë shënuan një rritje të fortë në muajin nëntor, duke zëvendësuar disa artikuj në tregjet e Kosovës që më parë importoheshin nga Serbia.

Sipas të dhënave zyrtare mbi tregtinë e jashtme të publikuara nga INSTAT, eksportet në Kosovë u rriten me 34 për qind në muajin nëntor, në raport me nëntorin e një viti më parë, teksa tarifa 100 % me Serbinë hyri në fuqi me datën 21 nëntor. Ritmet më të larta të rritjes shihet të jenë për materialet e ndërtimit dhe metalet. Përgjatë 11 mujorit ky grup njohu rritjen më të fortë të eksporteve në Kosovë me rreth 42 për qind. Eksportet e  materialeve të ndërtimit dominohen nga sasitë e hekurit dhe janë shitje të kompanisë Kurum në Kosovë.

Eksportet shqiptare në Kosove arritën në fund të 11 mujorit në rreth 25 miliardë lekë nga 19.4 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rritje prej 28% për qind. Ritmet e rritje së eksporteve në Kosovë janë përshpejtuar këtë vit, teksa në vitin 2017 rritja në raport me 2016 ishte 16%. Rritja ka qenë më e fortë në tre muajt e fundit, shtator, tetor dhe nëntor me mbi 40 për qind ne secilin muaj.

Eksporti i hekurit dhe materialeve të tjera të ndërtimit zuri 50 për qind të peshës së eksporteve duke shënuar rritjen më të madhe në raport me grupet e tjera.

Gjithashtu rritje e fortë u vu re edhe në eksportin e mineraleve dhe lëndëve djegëse me 29 për qind. Ky është grupi i dytë, me vlerën më të madhe të eksportit në Kosovë dhe dominohet kryesisht nga shitjet e naftës.

Ekspertë të ekonomisë dhe biznesit në Kosovë pohuan se Shqipëria mund të bëhet zëvendësuese  e Serbisë në tregjet e Kosovës për hekurin dhe naftën.

Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës tha se nga Shqipëria mund të zëvendësoje lehtësisht disa nënprodukte të naftës dhe hekurit që importoheshin nga Serbia.

Vlera e hekurit të importuar nga Serbia në Kosovë arriti në vitin 2017 mbi 80 milionë euro. Ndërsa vlera e hekurit dhe materialeve të tjera të ndërtimit që u importuan nga Shqipëria gjatë vitit 2017 ishin mbi 90 milionë euro. Zoti Rukiqi thotë se mund të zëvendësohen edhe nafta dhe disa nënprodukte të saj me importe nga Shqipëria.

Teksa eksportet në Kosovë pësuan rritje te admirueshme këtë vit, importet nga Kosova nuk u rriten me të njëjtat ritme. Importet nga Kosova për 11 mujorin 2018 arritën rreth 8 miliardë leke me një rritje vetëm 5 për qind me të njëjtën periudhë të vitit 2017.

Marrëdhëniet tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës reflektojnë dobësitë strukturore të ekonomive respektive. Eksportet janë lëndë të para dhe prodhime bujqësore pa ndonjë vlerë të shtuar. Ndërsa Shqipëria dhe Kosova e kanë ekonominë të profilizuar në konsum, i cili në të dy shtetet financohet në një masë të madhe nga prurjet e emigrantëve./ Monitor

Lajmet e fundit nga