LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Protesta masive e studentëve/ Çfarë pritet të ndodhë sot

11 Dhjetor 2018, 07:39, Aktualitet CNA

Protesta masive e studentëve ka hyrë në ditën e tetë. Ndërkohë, ata kanë paralajmëruar se sot pritet të zhvillojnë protestën më masive.

Në një postim në rrjetet sociale, përfaqësues nga të gjithë fakultetet publike në vend, kanë njoftuar  bojkot total të mësimit. Prej orës 07:00 të mëngjesit të sotëm e deri në orën 10:00, do të bllokohen të gjitha hyrjet e fakulteteve.

Në orën 10:00 do të nisë marshimi nga të gjitha fakultetet, drejt  Ministrisë së Arsimit, atje ku është protestuar prej një jave.

Protestës sot pritet t?u bashkohen edhe gjimnazistë dhe mjaft qytetarë që përgjatë këtyre ditëve i kanë mbështetur.

Ora 16:00 e ditës së sotme është afati i fundit që studentët i kanë lënë qeverisë për të plotësuar 8 kërkesat e tyre. Në skadim të këtij afati, kanë paralajmëruar përshkallëzim, deri në grevë urie.

Në një letër e cila u është drejtuar Kuvendit, Kryeministrit, Ministres së Arsimit, Universiteteve Publike, studentët që protesojnë që prej 7 ditësh parashtrojnë këto 8 kërkesa:

1-Rritja e buxhetit me 5 % e GDP me qëllim mundësimin e përgjysmimit të tarifës së studimit për çdo nivel studimi, përmirësimin e mësimdhënies dhe infrastrukturës, Universitet/konvikt.
2-Transparencë me buxhetin nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe IAL-ve, publikimi i të gjitha shpenzimeve online.
3-Rritja nga 10 % në 50 % e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan, rektor dhe çdo fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në senatin akademik.
4-Rishikim i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore.
5-Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillet e Studentëve, Ligji i Arsimit të lartë, pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga MASR dhe IAL-të si dhe të shtohen një përfaqësues në këtë bord nga studentët.
6- Pajisja e të gjithë studentëve me Kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018-2019 (të ndiqen nga bashkitë përkatëse)
7-Ndërtimi i një biblioteke me standarde Europiane dhe me libër universitar online, falas për studentët në gjuhën shqipe.
8-Vlerësim i perfomancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut, publikim i tij, online dhe regjistrimi i leksioneve./ CNA.al

Lajmet e fundit nga