Aktualitet
Tabaku mbështet studentët/ Tarifat u rritën me VKM, protesta e ligjshme

Pas protestave të studentëve për tarifat e provimeve të mbartura nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Jorida Tabaku ka ngritur një pyetje.
“Përse protestojnë studentët?”- shkruan deputetja e Partisë Demokratike në një postim të saj në rrjetet sociale.
Ndërsa e konsideron reformën e Arsimit si mëmë të të këqijave, deputetja demokrate shkruan se ajo prodhon ndër të tjera edhe rritje tarifash për studentët.
“Mëma e të këqijave sot është Reforma e Arsimit që prodhon ndër të tjera edhe rritje tarifash për studentët. Kjo Reformë qe ogurzezë për studentët dhe ndonëse opozita e kundërshtoi dhe replikoi ashpër me qeverinë sërishmi kokëfortësia dhe makutëria e mazhorancës fitoi. Dy probleme kishte reforma; së pari zhdukte autonominë e Universiteteve dhe së dyti krijonte të gjitha kushtet që qeveria të shtrenjtojë tarifat për studentët duke shkatërruar kështu arsimin publik në shërbim të interesave klienteliste private.”- shprehet Tabaku.
Më tej ajo publikon edhe VKM e qeverisë për tarifat e studentëve dhe shprehet se universitet klienteliste janë ato që po përfitojnë nga ligji në fjalë.
“Nën frymën e këtij ligji 8 muaj më parë kjo qeveri firmosi me VKM rritjen e tarifave për studentët. Ministria e Arsimit i hapi rrugë kështu shtrenjtimit të dijes duke mos sjellë asgjë tek studentët. Ndërkohë që universitetet klienteliste përfitonin nga ligji në fjalë.”- thotë me tej deputetja.
Tabaku thekson se studentët janë më të motivuar se kurrë për të drejtat e tyre.
“Protesta e studentëve është sot më se e motivuar dhe e ligjshme. Ato u gënjyen nga ministria dhe gjithë qeveria.”-mbyll postimin në rrjetet sociale ajo./CNA.al