LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Shqipëri-Kosovë, shkëmbim të mjekëve mes dy vendeve

26 Nëntor 2018, 13:45, Aktualitet CNA
Shqipëri-Kosovë, shkëmbim të mjekëve mes dy vendeve

 Në zonat kufitare, mjekët e Republikës së Kosovës do të ofrojnë shërbim të specializuar në Republikën e Shqipërisë, aty ku është e nevojshme, me marrëveshjen e re të nënshkruar sot në Pejë, mes Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu dhe Ministrit të Shëndetësisë së Kosovës Uran Ismaili, gjatë mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.

Marrëveshja e re e firmosur sot në Pejë të Kosovës, parashikon shkëmbimin e mjekëve në funskion të përmirësimit të strukturave shëndetësore të dy vendeve tona. Kjo pikë e re e marrëveshjes së bashku me ofrimin e shërbimit në zonat kufitare, forcon bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë mes dy vendeve tona.

Marrëveshja parashikon gjithashtu bashkëpunimin në fushën e shëndetit publik, farmaceutikës, trajnimeve të profesionistëve të shëndetit etj.

Në zbatim të kësaj marrëveshjeje, palët do të ndërmarrin plane veprimi për bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë dhe shkencave mjekësore, të cilët do të përmbajnë aktivitetet e parashikuara në marrëveshje.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë dhe Ministria e Shëndetësisë e Kosovës, bazuar në këtë marrëveshje, do të ngrenë një Komitet të Përbashkët Monitorimi dhe Koordinimi, me qëllim vlerësimin e prioriteteve, në kuadër të bashkëpunimit mes dy vendeve. Marrëveshja mes Ministrive të Shëndetësisë të dy vendeve tona është e vlefshme për 3 vite./ CNA.al

Lajmet e fundit nga