LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Një bravo të madhe Kryeministër

11 Nëntor 2018, 14:11, Aktualitet CNA
Një bravo të madhe Kryeministër

Nga Ilir Levonja

Eshtë një nga ato shprehitë tashmë standarte në botën shqiptare. Emocionale, plot frymë, mjaft të themi diçka të madhe. E gjeta aty në atë dialogun midis qytetarëve tek faqja në FB e Edi Ramës. Tek rubrika e mirëmëngjesit, se si kryeministri shpalos si arritje qeveritare, meremetimin e një shtëpie kuvli, diku në një majë kodre, në afërsi midis Tiranës a Elbasanit.

Në rastin e sotshëm, në fshatin Vajzë të Vlorës. E gjeta në ato gërr-vërret midis qytetarëve që sheshit janë të mbushur plot emocion. Më shumë nga xhesti se sa nga raporti që ka propaganda me realitetin. Kjo e dyta nuk ka asnjë rëndësi. Nuk ka se si gjen terren tek ne, jo, jo. Shqiptarëve në një pjesë dërrmuese më shumë u intereson propaganda se sa realiteti. Dhe këtë më mirë se kushdo tjetër e ka kuptuar Edi Rama dhe kasta e tij.

Ndaj sot kemi një dominim total të përhapjes së lajmeve qeveritare përmes FB dhe ERTV. Nuk ka më konferenca shtypi televizive të drejtpërdrejta. Ku pyetje përgjigjet deri në konflikte verbale të dominiojnë javën dhe ta fusin në shina përditshmërinë e demokracisë sonë.

Jo, jo asesi! Ka vetëm arritje ”madhështore” të ERTV-ës, FB së kryeministrit dhe atyre kronikave të mjaftistit Erion Veliaj. Një shpëlarje sociale që nuk na takonte ta kishim si shanc, por ja që na ka zënë rrugën. Një bravo të madhe kryeministër, që po meremeton ato shtëpi kuvli. Që po konkurron atë çunin e rubrikës një fund javë ndryshe.

Nuk dua të më keqkuptojnë ata të cilët, nuk kanë shtëpi, apo nuk i kanë në gjendje të mirë. Dhe me siguri bien të flenë me dëshirën ëndërr se mos u troket në derë fati i Nikos nga Vajza e Vlorës. Dhëntë e dalshin ato ëndrra me sy hapur. Këto ëndrra llotari. Të më ndjejnë që në fillim se, e di se çfarë është mospasja. Ia njoh kurmin. Ia njoh grahmat. Por ia njoh më mirë propagandës dhe këtyre punëve me urra.

I kërkoj ndjesë Nikos së lodhur nga hallet, që po ia përmend edhe emrin. I varfri qytetari, ngjante si një ndërmarrje grumbullimi, kurse kryeministri me atlete adiddas, edhe pse pa rruar i shkëlqenin qimet. I shkëlqenin atletet e bardha. E qeshura propogandë. Ky është raporti mes qytetarit dhe shqiptarit në ballkanin perëndimor. Në një vend të dhembshur me emrin Shqipëri. Propoganda është rrebesh që të vret me gjumë pambuku. Se si vijon më tej, me kameramanët që presin prapa derës së FB dhe ERTV-ës, së fundi edhe Twitter-it që aq në ”modë” është në Shqipëri, mbushet kuadrati i lajmeve.

Mund të jemi vendi kampion për mos pasqyrimin e realitetit se si nuk duhet. Dhe jo si duhet… Megjithëse në botën e madhe gazetarët debatojnë ashpër me shtetarët, siç qe dhe rasti i fundit i kronistit të CNN, Jim Acosta me të parin e shtëpisë së bardhë.

Sot në Vajzë të Vlorës qe një ditë me diell, ditë e bardhë. Dhe ajo shtëpi dhuratë rrezatonte. Por unë do të doja që kryeministri të shkonte aty në një ditë me shi. Dhe mundësisht me atleta. Sepse meremetimi i një shtëpie nuk është gjithçka. Nuk është zgjidhja. Këtë duhet ta ngulisni mirë në kokë. Por është edhe infrastruktura përqark, ajo që u mungon në masë periferive të qyteteve. Po fshatrave po e po. Se jeta jonë nuk ka vetëm ditë me diell. Ka edhe me shi, njomen këpucët, baltosen etj. Në tërësinë e arsyetimit e kam fjalën tek ajo që puna më e paqme për një shtetar, është ajo kur u jep mundësinë qytetarëve ta ndërtojnë e meremetojnë vet shtëpinë.

Dhe ti u ndreq rrugët e të tjera shërbime sociale, sigurisht. Kjo mundësi është ai shkopi magjik që dërrmon propagandën. Dhe kjo ndodh kur qytetarët kanë punë, paga të mjaftueshme, siguracione a mundësi kreditimesh etj. Jo kur ata presin se mos u bie llotoja që kryeministri t’u meremetojë shtëpitë kuvli. Bëni ca llogari të thjeshta si qytetarë. Mos u kënaqni kurrë me atë që Rama i tha atij të llaçit nis ca muratorë e ca kamion me gurë e zhavorr dhe bëja shtëpinë filanit. Është robërim, varfërim më i keq se ai që po të mbyt. Eshtë marrja e erzit a e dinjitetit. Ti, ai, ju, nuk keni nevojë për dhurata lëmoshë. Po për punë, punë, punë dhe pikë.

Lajmet e fundit nga