LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Nga Lorenc Vangjeli/ Shteti nuk mund të këndojë rep si Bad Boy

20 Tetor 2018, 17:38, Aktualitet CNA
Nga Lorenc Vangjeli/ Shteti nuk mund të këndojë rep si Bad Boy

Një personazh kontravers i Tiranës është vënë në pranga në rrethana të sikletshme. Policia e shtetit zbatoi një urdhër arresti të gjykatës në një motel në periferi të Tiranës.

Arrestimi i Stresit u xhirua dhe u transmetuan me shpejtësi në të gjitha mediat shqiptare. Por në dy a tre sekondat e para të këtij çasti, u demonstrua, ndonëse ishte sfumuar figura, fakti se i arrestuari ndodhej pothuaj tërësisht i zhveshur. Një detaj domethënës që mori më shumë vëmendje edhe se kokaina apo pistoleta që u gjetën në dhomë dhe që zhveshi lakuriq një veprim që tashmë është bërë traditë e ligë në Shqipëri.

Një traditë që ngre dilema thelbësore për raportin e medias me pushtetet e tjera, ekuilibrin mes të drejtës dhe të gabuarës dhe kufirin mes raportimit dhe përdorimit. E po kështu edhe raportet e ndërlikuara dhe atë vijë të hollë që ndan informacionin nga propaganda, akuzën nga shpifja, gazetarin profesionist me përgjuesin anonim që xhiron fshehtas dhe trallis e shastis gjithë dynjanë.

Pamjet e individit të dyshuar për një gjerdan veprash penale, shpërndarë nga policia, ngrenë një seri pikpyetjesh që kërkojnë përgjigje dhe që në rrethana të ndryshme, marin përgjigje të ndryshme. A mund të funksionojë Ministria e Brendshme edhe si një redaksi lajmesh duke orientuar dhe pilotuar lajme të cilat e parashohin fajtor individin përpara se këtë gjë ta firmosë gjykatësi?

Nën të njëjtin gjykim, a mund të jetë edhe zyra e kryeministrit një studio e mirëfilltë televizive?

A mund të jenë partitë e opozitës edhe dhoma montazhi lajmesh kronike dhe deputetët e saj, zyrtarë politikë të emëruar, të bëhen edhe autorë, skenaristë, interpretues dhe përfitues të lajmeve?Fatkeqësisht, deri më tani këto pyetje ose nuk janë trajtuar, ose kanë marë përgjigje të padrejtë.

Kërkesa e kryeministrit Rama për formalizimin e portaleve, shkaktoi befasi për kohën e zgjedhur për t?u bërë dhe për motivin se pse bëhej. Kjo kërkesë i ndau palët në Shqipëri, jo sipas linjës logjike të gjithë secilit, por sipas raportit ?dashuri/urrejtje? të gjithë secilit me qeverinë.

Gjithashtu, brenda të njëjtës javë, ?për një ?rastësi jo të rastit?, lajmi i financimeve ?zyrtare e të fshehta greke? për median në Shqipëri, u zbulua edhe në Tiranë. Si një këmbanë alarmi e jashtëzakonshme.

Në Athinë ka një hetim për mënyrën sesi u publikua ky lajm ?sekret shtetëror?, në Tiranë duhet të ketë një hetim të shpejtë, të menjëhershëm dhe totalisht transperent që duhet të tregojë me emër dhe mbiemër gazetarët dhe me adresë zyrash e numër NIPT-i nëse kanë, të gjitha mediat që kanë marë qoftë dhe një qindarkë të tillë greke.

Ky nuk është në fakt një krim penal. Eshtë më shumë se kaq. Eshtë një mëkat moral dhe një hyner profesional që nuk ka prift e hoxhë që e fal!

Pakkush dyshon se në media, njëlloj si para greke, e më shumë gjasë, edhe para serbe, turke, ruse e të tjerë, nuk kanë depërtuar edhe paratë e pista të krimit. Nuk janë më legjenda urbane historitë për ?bordero? të banditëve që paguajnë edhe politikanë, edhe gazetarë, edhe policë, edhe zyrtarë. Qoftë me modelin e njohur të ?dhuratave?, qoftë me pagesën direkte në Cash. Dhe ky nuk është krim moral. Eshtë mëkat penal.

Duke pasur parasysh këto skaje ngjarjesh në dukje pa lidhje, moteli në Linxë, paratë nga Athina apo krimi, e vërteta, edhe këtë herë, si përherë, nuk gjendet në ekstremet e shfaqura në qëndrime. Transparenca, formalizimi dhe ndarja e qartë e pushteteve ? media nga një anë dhe gjithë të tjerët në anën tjetër ? nuk janë kërcënim për lirinë e medias, por përkundrazi, janë kusht i domosdoshëm për lirinë e saj.

Edhe njëherë, si përherë, Shqipëria është shumë e trazuar. Kësaj here lajmësi është bërë lajm. Keqkuptimi i frikshëm në Tiranë, por edhe kudo gjetkë në botë, se platformat e komunikimit janë edhe mjete informimi, kanë dëmtuar edhe komunikimin, edhe informimin. Stresi, të cilit shteti i hyri nën çarçafët e motelit për të parë çfarë kishte në ?xhepa?, është viktimë e vetes dhe e këtij keqkuptimi.

I krijuar nga platformat e komunikimit, ai vetë ka menduar se është trendy që nëse bën rep duhet edhe të jesh djalë i lig. Për shkak të marëdhënies defektoze të tij me ligjin, në Shqipëri do të quhej luks të thuhej se pamjet e shpërndara nëpërkëmbën dinjitetit e tij.

Megjithatë, gjithë lajmi i dhënë për arrestin e tij, sipas traditës së keqe shqiptare, ishte cinik, i padobishëm dhe lehtësisht i cënueshëm dhe i paragjykueshëm si një hakmarrje e vonuar e segmenteve të caktuar të shtetit. Por nëse gabimet janë për individin, shteti nuk e ka luksin që të gabojë me gjakftohtësi ose mendjelehtësi. Shteti nuk mund të këndojë rep si bad boy!

P.S. Në përgjimet e publikuara që çuan në arrestimin e Stresit, përmendej dhe emri Sali. Dhënte zoti të mos dalë Taulant Balla dhe të thotë se ky Saliu që duhet të fshinte gjurmët e gishtave në Stresit në pistoletën e kapur nga policia, është Saliu. Saliu, pra! Ai i PD-së. Ish-ashtu, e ish-kështu. Ky është një rast i mirë që Doktor Sali Berisha, të mësojë edhe njëherë, si përherë, se herët a vonë, gjithçka që ja hedh qiellit përpjetë, qoftë si gur e qoftë si mallkim e hakërrim, rikthehet gjithmonë në tokë.

Lajmet e fundit nga